More
    KreuOpinionFjodor Dostojevski: “Ana Karenina” si fakt i një rëndësie të veçantë

    Fjodor Dostojevski: “Ana Karenina” si fakt i një rëndësie të veçantë

    Përgatiti dhe përktheu nga origjinali Bujar Hudhri

    Dhe ja, pikërisht atëbotë, domethënë këtë pranverë, rastisi një mbrëmje të takoj në rrugë një nga shkrimtarët e mi më të dashur. Rrallë takohem me të, një herë në disa muaj, dhe gjithmonë rastësisht, pothuaj në rrugë. Është nga anëtarët më të shquar të atyre pesë apo gjashtë beletristëve tanë, të cilët së bashku është pranuar, s’di pse, të quhen “plejadë”. Të paktën, kritika, fill pas publikut, i ka ndarë veçan, para gjithë beletristëve të tjerë, – dhe kjo ndodh prej kaq kohësh, – megjithatë po kjo pesëshe, “plejada”, nuk po zgjerohet. Më pëlqen të takohem me këtë romancierin tim të këndshëm e të dashur dhe dua t’i provoj, mes të tjerash, se nuk e besoj dhe assesi nuk dua ta besoj që, siç thotë, është plakur dhe që s’ka për të shkruar më. Nga kuvendimi i shkurtër me të, kurdoherë marr me vete ndonjë fjalë cazë delikate dhe largshikuese. Këtë herë kishim se çfarë të bisedonim, tashmë kishte filluar lufta. Por ai në çast zuri të fliste drejt e për “Ana Kareninën”. Unë vetë po ashtu sapo e kisha lexuar pjesën e shtatë, me të cilën përfundonte romani i botuar në revistën “Russkij vjestnik”. Bashkëbiseduesi im në dukje nuk është ndonjë tip që entuziazmohet kollaj. Këtë herë më befasoi me forcën dhe këmbënguljen e zjarrtë të mendimit të tij për “Ana Kareninën”.

    – Kjo është një gjë e padëgjuar, e klasit të parë. Cili nga shkrimtarët tanë mund të matet me të? Po në Europë, cili mund të paraqesë qoftë diçka që t’i ngjajë? A kanë pasur ata, në gjithë letërsitë e tyre, gjithë këto vitet e fundit, apo shumë kohë më përpara, një vepër e cila mund t’i rrijë në krah?

    Ajo çka më habiste, kryesorja, në këtë verdikt, të cilin e ndaja edhe vetë krejtësisht, ishte aluzioni për Europën, çka u vinte për shtat pikërisht atyre problemeve dhe çoroditjeve, të cilat shfaqeshin vetiu atëherë për shumëkënd. Ky libër mori para syve të mi përmasat e një fakti, që mund t’i përgjigjej për ne Europës, atij fakti të kërkuar, me të cilin do të mund t’i tërhiqnim vëmendjen Europës. Kuptohet, t’i bërtasim duke qeshur, se kjo s’është veçse letërsi, një aksh roman, se është qesharake ta teprosh dhe me një roman të dalësh në Europë. E di që do të nisin të bërtasin dhe të qeshin, por mos u shqetësoni, nuk po e teproj dhe po e shoh esëll: e di edhe vetë, hëpërhë është veçse një roman, që kjo është veçse një pikë e asaj që duhet, por kryesorja këtu për mua, kjo pikë tashmë është, na është dhënë, ekziston vërtet, përnjëmend, dhe për këtë arsye, në qoftë se ajo ekziston tashmë, në qoftë se gjeniu rus mundi të lindte këtë fakt, atëherë kjo do të thotë se është i fuqishëm, mund të krijojë, mund të japë të tijën, mund të fillojë fjalën e vet vetjake dhe ta shpjerë deri në fund, kur të vijnë kohërat dhe stinët. Përveç kësaj, kjo është ku e ku më tepër se vetëm një pikë. Oh, as këtu nuk po e teproj: e di fare mirë që jo vetëm te ndonjë anëtar i kësaj plejade, por edhe në të gjithë plejadën nuk do të gjeni, le të flasim pa doreza, atë çka quhet forcë gjeniale, krijuese. Gjeni të padiskutueshëm, me “fjalë të re” të padiskutueshme në krejt letërsinë tonë, kanë qenë vetëm tre: Lomonosovi, Pushkini dhe pjesërisht Gogoli. E gjithë kjo plejadë (dhe autori i “Ana Kareninës”, po ashtu) doli drejt e nga Pushkini, një nga njerëzit më madhështorë rusë, por ende i pakuptuar dhe i pashpjeguar. Te Pushkini kemi dy mendime kryesore – dhe të dyja përmbajnë në vetvete prototipin e gjithë rolit të ardhshëm të Rusisë dhe gjithë qëllimit të ardhshëm të Rusisë, mbase dhe krejt fatit tonë të ardhshëm. Mendimi i parë: përbotshmëria e Rusisë, përgjegjshmëria e saj dhe afria e vërtetë, e padiskutueshme dhe e thellë, e gjeniut të saj me gjenitë e të gjitha kohërave dhe popujve të botës. Ky mendim është shprehur prej Pushkinit jo si një udhëzim, mësim apo teori, jo si një ëndërrim apo profeci, por është i realizuar prej tij me vepra, i fiksuar përjetësisht në krijimet e tij origjinale dhe i dëshmuar prej tyre. Ai është njeri i botës së lashtë, ai është edhe gjerman, ai është edhe anglez, që e ndien thellësisht gjeninë e tij, nostalgjinë e shpresës të tij (“Gosti në kohët e kolerës”), ai është edhe poet i Lindjes. Gjithë këtyre popujve ai u tregoi dhe u deklaroi se gjeniu rus i njeh ata, i ka kuptuar, i ka takuar si farefis i tyre, që ai mund të rimishërohet në ta me gjithë plotërinë, se vetëm shpirtit rus i është dhënë kjo përbotshmëri, i është dhënë përcaktimi në të ardhmen për të arritur dhe për të bashkuar gjithë dallimet e kombësive dhe t’ua heqë atyre kundërshtitë. Mendimi tjetër i Pushkinit është kthimi i tij te populli dhe shpresa unikalisht te forca e tij, amaneti i tij, se vetëm në popull dhe vetëm në popull do ta gjejmë pacenueshëm gjithë gjeniun tonë rus dhe vetëdijen e rolit të tij. Dhe këtë, po ashtu, Pushkini jo vetëm e udhëzoi, por ishte i pari që e kreu në të vërtetë. Vetëm prej tij ka nisur te ne kthesa e vetëdijshme te populli, e pamendueshme para tij me vetë reformat e Pjetrit. E gjithë plejada jonë e tanishme ka punuar vetëm sipas udhëzimeve të tij, asgjë të re nuk ka thënë pas Pushkinit. Të gjitha zanafillat ishin tek ai, udhëzuar prej tij. Por ama ajo e ka përpunuar vetë një pjesë të vogël të udhëzimeve të tij. Megjithatë, ajo çfarë kanë bërë është përpunuar prej tyre me të tillë pasuri forcash, me të tillë thellësi dhe qartësi, sa Pushkini, natyrisht, do t’i pranonte. “Ana Karenina”, natyrisht, nuk është diçka e re për nga idetë, nuk është e padëgjuar deri më tani te ne. Në vend të saj, natyrisht, mund ta çonim Europën drejt e te burimi, që do të thotë te vetë Pushkini si dëshmia më e qartë, më solide dhe më e padiskutueshme e pavarësisë së gjeniut rus dhe e së drejtës së tij që në të ardhmen të ketë rëndësinë më të madhe botërore, gjithënjerëzore dhe gjithëbashkuese. (Eh, sado t’u tregojmë ne atyre, për një kohë të gjatë tanët nuk kanë për t’i lexuar në Europë, por edhe nëse do të nisin t’i lexojnë, për një kohë të gjatë nuk kanë për t’i kuptuar apo për t’i vlerësuar. Por edhe për t’i vlerësuar jo se nuk munden, jo se u mungojnë aftësitë, por sepse për ata ne jemi një botë krejt tjetër, thua se kemi ardhur nga hëna, kështu që edhe ekzistencën tonë e kanë vështirë ta pranojnë. I di të gjitha këto dhe kur flas për “aludimin për Europën”, këtë e bëj vetëm në kuptimin e bindjes sonë në të drejtën tonë para Europës për pavarësinë tonë.) Aq më tepër që “Ana Karenina” është përkryerje si vepër arti, që pikërisht në kohën e duhur na thotë se asgjë nga letërsitë europiane të kohës sonë nuk ka të ngjarë që mund të krahasohet me të, dhe së dyti, edhe për nga idetë është diçka jona tashmë, e gjakut tonë dhe pikërisht ajo që përbën të veçantën tonë përballë botës europiane, që përbën tashmë “fjalën e re” kombëtare ose, të paktën, fillesën e saj – të tillë fjalë e cila pikërisht nuk dëgjohet në Europë dhe e cila është kaq e domosdoshme për të, pa marrë parasysh gjithë krenarinë e saj. Nuk po filloj të bëj kritikë letrare dhe po them vetëm një fjalë të shkurtër: “Tek ‘Ana Karenina’ nxirret në pah faji dhe krimi njerëzor. Njerëzit shfaqen në kushte jonormale. E keqja ekziston përpara tyre. Të përfshirë nga qerthulli i gënjeshtrës, njerëzit kryejnë krime dhe shkatërrohen pashmangshëm; siç duket, një mendim nga temat më të dashura dhe më të hershme europiane. Por, megjithatë, si zgjidhet ky problem në Europë? Gjithkund atje zgjidhet në dy mënyra. Zgjidhja e parë: ligji është i dhënë, i shkruar, i formuluar, i hartuar në mijëvjeçarë. E keqja dhe e mira është përcaktuar, peshuar, përmasat dhe shkallët janë përcaktuar historikisht nga të urtët e njerëzimit, me një punë të palodhur mbi shpirtin njerëzor dhe përpunimin e lartë shkencor mbi shkallën e forcës njëjtësuese të njerëzimit në bashkësi. Urdhërohen ta ndjekim verbërisht këtë kod të përpunuar. Kush nuk e ndjek, kush e shkel atë, e paguan me liri, pasuri, jetë, e paguan deri më një e çnjerëzisht. Unë e di, – thotë vetë qytetërimi i tyre, – që kjo është dhe verbëri, dhe çnjerëzore, dhe e pamundur, meqenëse është e pamundur që të përpunosh një formulë përfundimtare të njerëzimit në mes të rrugës së tij, por meqenëse mënyrë tjetër nuk ka, i duhet përmbajtur asaj që është shkruar dhe t’i mbahesh germë për germë dhe panjerëzishëm; në mos qoftë kjo, do të jetë edhe më keq. Me gjithë jonormalitetin dhe absurditetin e organizimit të atij që ne e quajmë civilizimin tonë të madh europian, aq më pak le të jenë shëndoshë e mirë forcat e shpirtit njerëzor, le të lëkundet besimi në shoqëri, që ajo po shkon drejt përsosjes, le të mos guxojë të mendojë që ideali i së bukurës dhe sublimes është zvetënuar, që po shtrembërohet dhe shkatërrohet koncepti i së mirës dhe së keqes, që normaliteti këmbehet pandërprerë me rregulla të ngurta. Që thjeshtësia dhe natyrshmëria zhduken, të mbytura nga gënjeshtra që zmadhohet pandërprerë!”

    Zgjidhja tjetër është e kundërta: “Meqenëse shoqëria është organizuar anormalisht, atëherë është e pamundur të marrësh përgjigje nga njësi njerëzore për pasojat. Nga kjo del, krimineli është i papërgjegjshëm, dhe krimi sikur nuk ekziston. Që t’u japësh fund krimeve dhe fajësisë njerëzore, duhet t’i jepet fund anormalitetit të shoqërisë dhe mënyrës se si është organizuar ajo. Të shërosh rendin ekzistues të gjërave kërkon kohë, por nuk ka shpresë, as ilaçe gjenden, atëherë i bie të shkatërrosh gjithë shoqërinë dhe të zhdukësh rendin e vjetër si me fshesë. Pastaj të nisësh gjithçka të re, në fillesa të tjera, ende të panjohura, që gjithsesi nuk mund të jenë më keq se rendi i tanishëm, përkundrazi, ngërthen në vetvete shanse të tjera suksesi. Shpresa kryesore te shkenca.” Dhe ja, zgjidhja e dytë: presin mizërinë e ardhshme të turmave, ndërkohë mbulojnë botën me gjak. Zgjidhje të tjera për fajësinë dhe kriminalitetin e botës njerëzore europianoperëndimore nuk shfaqen.

    Po ashtu në vështrimin e autorit rus të fajësisë dhe krimit të njerëzve shihet që asnjë mizëri, asnjë triumf i “shtresës së katërt”, kurrfarë zhdukjeje varfërie, asnjë organizim i punës nuk do ta shpëtojë njerëzimin nga anormaliteti dhe si rrjedhojë, nga faji apo krimi. Është shprehur kjo në përpunimin e fortë psikologjik të shpirtit njerëzor, me thellësi dhe forcë të tmerrshme, me realizimin e paraqitjes artistike si kurrë më parë te ne. Qartësisht dhe kuptueshëm deri në tejdukshmëri, se e keqja fshihet më thellë se hamendësojnë shëronjësit socialistë, se në asnjë organizim të shoqërisë nuk i shmangesh së keqes, që shpirti njerëzor mbetet po ai, se anormaliteti dhe mëkati burojnë prej atij vetë, se, më në fund, ligjet e shpirtit njerëzor ende janë kaq të panjohura, kaq të pastudiuara prej shkencës, kaq të papërcaktuara dhe kaq misterioze, se nuk ka dhe nuk mund të ketë ende as shëronjës, madje nuk mund të ketë edhe gjyqe fundit, por është Ai, i cili thotë: “Për mua shpagimi dhe unë do të shpaguaj.” Vetëm Ai e di gjithë misterin e kësaj bote dhe fatin përfundimtar të njeriut. Njeriu hëpërhë nuk mund të zgjidhë asgjë me krenarinë e pagabueshmërisë së tij, ende nuk ka ardhur koha dhe ora. Vetë gjyqtari njeri duhet të dijë për veten, që ai nuk është gjyqtari përfundimtar, që ai vetë është mëkatar, që peshorja dhe masa në duart e tij do të jenë një absurditet, në qoftë se ai vetë, ndërkohë që mban në duar peshoren dhe masën, nuk gjunjëzohet para ligjit ende të pazgjidhur të misterit dhe nuk vrapon tek e vetmja dalje – Mëshira dhe Dashuria. Dhe që të mos bjerë në dëshpërim nga moskuptimi i rrugëve dhe fateve të tij, nga bindja në pashmangshmërinë misterioze dhe fatale të së keqes, pikërisht njeriut i tregohet rrugëdalja. Kjo është e shënuar në mënyrë gjeniale nga poeti në një skenë gjeniale në pjesën e parafundit, në skenën ku heroina e romanit është shtrirë e sëmurë për vdekje, kur kriminelët dhe armiqtë befas shndërrohen në qenie sublime, në vëllezër që falin njëri-tjetrin, në qenie të cilat me këtë falje reciproke heqin nga vetja gënjeshtrën, fajin dhe krimin, dhe ndërkaq edhe një herë justifikojnë veten me vetëdijen e plotë se e kishin këtë të drejtë. Por pastaj, në fund të romanit, në tablonë e zymtë dhe të tmerrshme të rënies së shpirtit njerëzor, të ndjekur hap pas hapi, në paraqitjen e asaj gjendjeje të tmerrshme, kur e keqja, pasi ka zotëruar qenien e njeriut, ngrin çdo lëvizje të tij, paralizon çdo forcë kundërshtimi, çdo mendim, çdo dëshirë për luftë me errësirën që i bie në shpirt dhe me vetëdije, me parapëlqim, me pasionin e shpagimit të pranuar prej shpirtit në vend të dritës – në këtë tablo – ka kaq këshilla për gjyqtarin njeri, për të mbajtur masën dhe peshoren, që, natyrisht, ai klith, i trembur dhe i çoroditur: “Jo, jo kurdoherë shpagimi më përket mua dhe jo kurdoherë unë do të shpaguhem”, dhe të mos e akuzojë çnjerëzisht kriminelin e zhytur në errësirë, pse ai shpërfilli daljen e treguar mot e jetë me dritë dhe tashmë me vetëdije nuk e ka pranuar.

    Nëse kemi vepra letrare të kësaj force mendimi dhe këtij realizimi, atëherë përse të mos kemi si rrjedhojë edhe shkencën tonë dhe zgjidhjet tona ekonomike, sociale, përse nuk na e njeh Europa pavarësinë, në fjalën tonë vetjake, ja një pyetje që lind vetiu. E pamundur të mos hamendësosh mendimin qesharak, që natyra na paska pajisur vetëm me aftësi letrare. E gjithë tjetra është çështje historie, rrethane, kushtëzim kohe. Kështu do të duhej të kishin arsyetuar, të paktën, europianët tanë, derisa të arsyetojnë europianët europianë…


    1. Bëhet fjalë për shkrimtarin I. A. Gonçarov, me të cilin, në vitet shtatëdhjetë të shek. XIX, Dostojevski takohej rrallë por përzemërsisht.
    2. Në thelb, një mendim të tillë, analog me të Gonçarovit, për romanin e Tolstoit e kishte shprehur disa kohë më parë A. S. Suvorin, në artikullin e tij (““Ana Karenina” dhe rëndësia e saj shoqërore”: “Nga ne, pleqtë, vetëm një Tolsto ende mund të shkruajë” – më tha një ditë njëri nga shkrimtarët më të talentuar rusë, i cili padrejtësisht po e varros veten kaq herët” (Novoe vremja, 1877, 13 (25) maj, Nr. 432)
    3. Diçka të ngjashme, por në lidhje me “Lufta dhe paqja”, Dostojevski i pohonte në një letër N. N. Strahovit (24 mars (5 prill) 1870): “… Ju shpreheni, që Tolstoi është i barabartë me të gjithë ata që quhen letërsia jonë e madhe. Kjo nuk mund të thuhet assesi! Pushkini, Lomonosovi janë gjeni. Të dalësh me “Arapin e Pjetrit të Madh” dhe me Bjelkinin, do të thotë, padiskutim të dalësh me fjalën e re gjeniale, e cila deri në atë kohë nuk gjendej askund dhe nuk ishte thënë kurrë. Ndërsa të shfaqesh me “Lufta dhe paqja”, do të thotë, të shfaqesh pas kësaj fjale të re, të thënë nga Pushkini tashmë dhe kjo në çdo rast, sado larg dhe lart të shkojë Tolstoi në zhvillimin e asaj që është thënë për të parën herë, përpara tij, nga gjeniu i fjalës së re.”
    4. Kjo karakteristikë e Pushkinit rrjedh pjesërisht nga fjalët e Gogolit, i cili ka shkruar për poezinë e Pushkinit në artikullin “Ku është në fund të fundit thelbi i poezisë ruse…” “”Në Spanjë ai është spanjoll, me grekun-grek, në Kaukaz-një malësor i lirë, në kuptimin më të plotë kësaj fjale…” 
      5.Nënkuptohet, pasuesit e Pushkinit dhe vazhduesit e çështjes së tij: Turgeniev, Gonçarov, Ostrovskij, Tolstoi dhe Nekrasov.
      6.Bëhet fjalë për “përfundimin”, do me thënë “pajtimin” e Kareninit me Vronskin te krevati i Anës së sëmurë, që ndodh në pjesën e katërt të romanit “Ana Karenina”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË