More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFitim Zekthi: “Psherëtima e humbjes”, një roman që meriton vëmendje

    Fitim Zekthi: “Psherëtima e humbjes”, një roman që meriton vëmendje

    Romani “Psherëtima e humbjes”, me autor Bujar Skëndo, është një elegji për familjen, një dhimbje e thellë për mungesën e dashurisë dhe një brengë për vetminë e emigracionit, por dhe të braktisjes nga njerëzit më të dashur kur je brenda atdheut tënd.

    I shkruar me një stil elegant dhe gjuhë të pasur, romani mbart në vetvete një tension të brendshëm, që vjen si pasojë e mungesës së lumturisë dhe të dashurisë. Njeriu e përjeton vetminë dhe braktisjen në mënyrë të thellë dhe brengosëse.

    “Psherëtima e humbjes” përqendrohet në dy linja rrëfimi, të cilat ndërthuren me njëra-tjetrën nga fati i njëjtë i protagonistëve në raport me fëmijët e tyre, ashtu sikurse shërbejnë si një mozaik që jep idenë e së plotës në ndërthurjen e elementeve përbashkues.

    Familja e parë përjeton dramën e ndarjes së menjëhershme nga djali i saj. E emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të viteve ’90-të për një jetë më të mirë, papritur Mondi, djali i i vetëm i saj, ndërpret në mënyrë të rrufeshme kontaktet me prindërit, Adrianin dhe Verën, të cilët, jo vetëm kërkojnë të gjejnë motivet e kësaj heshtjeje të të birit në raport me ta, por, mbi të gjitha, ata thyen shpirtërisht.

    Është brenga e prindërit për fëmijën. Është një temë sa aktuale aq edhe universale, sa njerëzore aq edhe shqetësuese në kohën e sotme. Duket sikur tipizohet personazhi për të përgjithësuar fatin, dramën, dhimbjen, brengën. Të gjithë gjejnë nga pak copëza nga vetja. Është portretizimi i krizës së rëndë shpirtërore që po kalon familja në modernitet, nga i cili nuk po mundet të marrë më të mirën, por po bjerr përditë dhe më shumë vlerat dhe virtytet, duke e lënë qenien të zbrazët.

    Mjeshtëria artistike e shkrimtarit Skëndo në këtë roman është zhbirimi psikologjik i karaktereve të personazheve nëpërmjet një vështrimi të thellësishëm dhe nëpërmjet vetëzbulimit të brendshëm të tyre, që nxjerr në sipërfaqe frikërat, mëdyshjet, dilemat, skutat më të fshehta të botës së brendshme shpirtërore.

    Linja e dytë e rrëfimit përqendrohet në Tiranë. Është një dramë e tjetërllojtë e një familjeje shqiptare, së cilës, në dallim nga e para që e përjeton në emigrim, i ndodhë në vendin e saj. Është brenga e mungesës së një fëmije, jo si pasojë e braktisjes së tij, por si rezultat i mospasjes mundësi për të bërë një të tillë. Piro, protagonist i kësaj linje rrëfimi, ndahet nga martesa e parë me mirëkuptim pasi e merrë vesh që është steril, ndërsa nga martesa e dytë e kupton që jeta në çift është e bukur, mirëpo mospasja e një fëmije e shndërron atë në monotone dhe nuk i jep mundësinë për të gëzuar normalisht si gjithë të tjerët.

    Edhe në këtë linjë rrëfimi duket se kemi të njëjtën metodologji të vetëzbulimit të thellësisë së qenies, duke u futur në skutat më të thella të saj. Vjen një moment kur personazhi dorëzohet dhe pyet: “Pse më ndodhi mua?” Duket i pafuqishëm për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që ngre.

    Së bashku me të shoqen zgjedhin të birësojnë një fëmijë. Një zgjidhje në dukje e mirë dhe sikur jep rezultatet e para. Harrojnë gjithçka dhe lumturohen pas tij, mirëpo kjo lumturi nuk u zgjat shumë. Të dhënë pas fëmijës, harrojnë vetveten. Bien në monotoni dhe si të gjithë monotonitë përjetojnë ftohjen dhe vetminë, pavarësisht se në dukje arrijnë atë që donin, pasjen e një fëmije. Jo vetëm kaq, por, me rritjen e fëmijës, ai zbulon të vërtetën dhe fillon urrejtja dhe poshtërimi për prindërit që e kanë birësuar. Rifillon vuajtja dhe brenga e Fredit dhe Anitës, të cilët janë të pafuqishëm të ringrihen dhe ta tejkalojnë fatkeqësinë e tyre.

    Romani fillon me fjalinë Sapo u afrua, por ende pa më përshëndetur, Adrian Kota, sikur të nxirrte  psherëtimën e fundit, më tha: E humba djalin!” dhe mbyllet me fjalinë: “Në dorën që shtrëngonte çelësat e shtëpisë së vjetër, ndieu dhimbje… Një psherëtimë e zgjatur i doli nga shpirti. E kuptoi se ishte psherëtima e humbjes përfundimtare. Psherëtima e humbjes së pakthyeshme.”

    Ndonëse fjalia e nisjes së romanit i referohet personazhit të parë dhe fjalia e dytë personazhit tjetër, të dy këto i bashkon fjala çelës psherëtimë, e cila është reflektuar edhe në titullin e romanit.

    Psherëtima është procesi i marrjes dhe i nxjerrjes së frymës thellë, zakonisht kur njeriu është i brengosur apo i mërzitur, kur i kujtohet me mall diçka apo dikush dhe kur do të çlirohet nga ai ankth.

    Psherëtima e personazheve të romanit të Bujar Skëndos është reflektim i brengës dhe i çlirimit prej saj i sa e sa njerëzve, të cilët nuk kanë mundësi për ta përcjellë një gjë të tillë artistikisht, ndërsa autori i romanit ka arritur ta letrarizojë dhe të bëhet zëdhënës i përçimit të shumë brengave tek lexuesi.

    Romani i shkrimtarit Bujar Skëndo i ka të gjitha karakteristikat e një romani psikologjik dhe si i tillë meriton vëmendjen dhe vlerësimin e lexuesit shqiptar, për shkak të tematikës dhe risisë që sjell në trajtimin e veçantë të saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË