“E kam thënë dhe e kam përsëritur që për mua “postmodern”, nuk do të thotë fundi i modernizmit, por një tjetër raport me modernitetin”.
J.-F. Lyotard (Réécrire la modernité, Paris, Les cahiers de philosophie, N°5, 1988, p. 64).
Ka romane që e pasurojnë letërsinë, sepse hedhin një dritë të re edhe me anë të teknikave strukturore të shkrimit. Duke paraqitur metarrëfimin si mjet për të shmangur kontrollin e përhershëm të autorit që doemos çon në një kuptim të vetëm, ata kthehen në një parodi për epokën apo për disa dukuri dhe karaktere të saj.
Romanet moderne dhe postmoderne krijuan shkëputje me realizmin e shekullit XIX ku ngjarja tregohet duke u nisur nga një objektiv dhe një pikëvështrim i caktuar. Të dy tipat e romaneve e shfrytëzojnë fragmentin dhe unin për zhvillimin e rrëfimit, por krejt letërsia moderne i përdor këto elemente, duke i çuar në tejskaj si krizë ekzistenciale, në një konflikt që duhet zgjidhur. Përkundrazi, romani postmodern, tregon se kaosi është i pakapërcyeshëm dhe autori “i pafuqishëm”, dhe si rrjedhojë, i vetmi shpëtim ndaj kësaj “rrënoje” është të luajë me këtë kaos.
Letërsia postmoderne në Francë, sipas studimeve të Jean-François Lyotard-it, Jacques Derrida-s dhe Jean Baudrillard-it përzien në rrëfim edhe shumë elemente të jashtme të kulturës. Vepra të veçanta me prirje postmoderne ka pasur që herët, madje edhe shkrime teorike, por shekulli XX, si të thuash i analizoi dukuritë e kësaj letërsie duke bërë përgjithësime, edhe i nisur nga shfaqjet postmoderne në arkitekturë, në artet plastike e në fusha të ndryshme që i përkasin krijimtarisë.
Rexhep Qosja, një nga personalitetet më të shquara të kulturës e të historisë së letërsisë shqipe, në prozën letrare ka zhvilluar një shkrimtari moderne dhe postmoderne, duke shtuar vëmendjen dhe duke nxitur diskutime në rrethet intelektuale, në kritikën letrare e te lexues të ndryshëm.
Romani postmodern Të fshehtat e treguara ka një titull provokues që krijon në vetvete një oksimor. Gjithashtu, teksti nis në një mënyrë provokuese. Aty thuajse gjithçka jepet në kuptimin e kundërt. Huysmans, një shkrimtar francez i shekullit XIX, ka një roman me titull À rebours (Së prapthi) ku nuk ndodh pothuajse asgjë dhe tërë rrëfimi i tij përqendrohet te personazhi kryesor, një antihero. Edhe romani i Qosjes integrohet natyrshëm në universin heteroklit të postmodenizmit dhe i jep atij një ngjyrim dhe tingëllim origjinal me elementet atipikë dhe me vështrimin e mistershëm të rrëfimtarit dhe shkrimtarit.
Palimpsest
Nuk është e lehtë të bësh analiza kritike, pa u kthyer disi prapa në historinë e shkrimtarisë sonë që të shohësh pragun apo shkallën e kapërcyer. Sidoqoftë, letërsia një lloj rrezatimi shqiptar, po e quaj, është vazhdim i dritës që lëshojnë brezat paraardhës letrarë, që nga De Rada, Naimi e Pashko Vasa, e duke vazhduar me Migjenin e Fan Nolin dhe më tej me Koliqin, Kadarenë e ndonjë tjetër, dhe një lloj rrezatimi ndërkombëtar me emra autorësh të shekujve të ndryshëm letrarë. Me të drejtë një nga studiuesit e shquar të letërsisë franceze, Gérard Genette e quan krijimin letrar “palimpsest”, figurativisht mbivendosje; fjala vetë vjen nga palimpsestus, pergamenë, në të cilin është fshirë një shkrim për të shkruar një tjetër.
Qosja si prozator sa herë që merr penën në dorë, ka një vullnet për t’i përzier gjinitë me qëllime letrare, për t’i ngatërruar perspektivat, dhe madje për të gjetur sekretin e lëvizjes së përhershme që mban gjallë ligjërimin dhe na mundëson ta shoqërojmë leximin e veprës duke shpikur një ligjërim të ri.
Intriga e romanit Të fshehtat e treguara është në të vërtetë shumë më e thellë nga sa duket: mospajtim duke përqeshur që përmblidhet në jetën e një antiheroi të ditëve tona, të quajtur Bardh Dynjaja, një funksionar arkivist dhe përkthyes, pa histori, me një anomali psikologjike tip, që shpalos një jetëshkrim banal.
Autori i shoqëron me buzëqeshje njerëzit që shndërrohen në personazhe dhe tregon se mediokriteti dhe madhështia e rreme janë rrezik real për shoqërinë. Mund ta fillosh romanin ku të duash, sepse të lexuarit e tij është fillim dhe vazhdim, një lloj pesimizmi muzgor dhe ironie të tërthortë, tragjikomedi e rënies së personalitetit.
Proza e Qosjes paraqet shkallë të ndryshme interpretuese duke e vendosur analizën e botës në një teksturë të re rrëfimtare:
“Edhe historia e Tokës ruhet në arkiva.
[…]
O, sa shumë do të doja të isha specie njerëzore e atij trupi qiellor, emri i të cilit ende s’dihet, që do të përshkruante në vepra letrare, do të filmonte në filma artistikë e do të pikturonte në piktura gëzimet e dhembjet, shpresat e dëshpërimet, ngadhënjimet e tokës me njerëzimin e saj të përmortshëm.
Qoftë i përjetshëm emri yt, Tokë!” (f. 42).
Në romanet postmoderne ajo që duket nga afër ose nga larg nuk përbën më një tërësi të qëndrueshme e të rregullt, në kuptimin tradicional. Dhe kjo ndodh se ata i braktisin me qëllim disa lidhje kryesore, për t’i vënë në pah me mungesën e tyre. Megjithatë, në fillimet e vrullshme postmoderne të romanit që në kritikën franceze shënohen si vitet ’70 të shekullit të kaluar, parashtesa post u përdor për të treguar gjithçka që lidhej me kulturën pasindustriale e me ultraliberalizmin (liberalizmi i skajshëm), të ardhura nga kontinenti i ri si: post-teori, post-histori, post-ekzotizëm. Në shkrime kritike fillimisht u shmang përdorimi i drejtpërdrejtë i fjalës. Madje një ese e asaj kohe, botuar në një të përjavshme letrare mbante titullin Barbari postmoderniste. Por më vonë disa autorë e akuzuan kritikën si të paaftë për të studiuar ndryshimet themelore në strukturën e prozës. Jean-François Lyotard u dha fund këtyre dyshimeve e hamendësimeve me librin La Condition postmoderne dhe bashkë me Perry Anderson dhe Fredric Jameson, që të tre studiues të shquar të letërsisë dhe kulturës bashkëkohore që vijnë nga tri vende të mëdha të zhvillimit të kulturës dhe letërsisë siç janë : Franca, Anglia dhe Amerika, e kanë shpjeguar postmodernizmin të lidhur ngushtësisht me kontekstin historik të shoqërisë së hapur si një logjikë kulturore, një paradigmë estetike.
Postmoderniteti në letërsi është vëzhguar sidomos te romani, mbreti i prozës, i cili ka fushë të gjerë për ta përdorur transtekstualitetin. Hipoteza që u hodh ishte e dyfishtë. E para: romani postmodern u quajt kapërcyell letrar. Dhe e dyta: romani postmodern u quajt simptomë kalimtare. Në Francë, disa autorë, madje, kundërshtuan të quheshin postmodernë, pavarësisht nga shenjat e dukshme të mungesës së një vazhdimësie klasike të ngjarjes dhe pavarësisht nga përdorimi i citimeve si dhe i elementeve të tjera formaliste në veprat e tyre. Pra, me gjithë ndërtekstin dhe nëntekstin e larmishëm.
Tërë lënda e romanit Të fshehtat e treguara që është pothuajse ana e prapë e realitetit, formon një oksimor me anën e mbarë, të nënkuptuar ose të fantazuar nga lexuesi, ashtu si dhe titulli, dhe kjo përbën një risi në letërsinë shqipe. Megjithatë ky pohim do të merret në mënyrë relative se është e vështirë të njohësh gjithë prurjen në prozë, të paktën në këta njëzet vjetët e fundit, pas rënies së kufizimeve në formë e përmbajtje dhe pas shkrirjes së akujve që krijonte autocensura (vetëcensura).
“Fillo të shkruash! Rrëfe për veten fare pak dhe rrëfe për të tjerët, shumë, për disa tepër të njohur, disa më pak e disa aspak të njohur ende. Mos u sikleto nëse do t’i bëjë të njohur apo të çnjohur rrëfimi yt dhe rrëfimi mbizotërues i protagonistit tënd” (f. 12).
Autori i qaset një forme që e ndryshon lehtësisht drejtimin, madje që të shtyn edhe për hipoteza të ndryshme. Përmes lojës ndërtekstuale ai e ndriçon ndonjëherë tunelin, por edhe peshën e padukshme që rëndon mbi krijimtarinë e një shkrimtari me artin për të pohuar dhe me artin për të mos pohuar, sipas shkrimtarit Samuel Beckett.
Fragmentarizmi
Në veprat postmoderne shkrimtarët i kushtojnë kujdes rrëfimit fragmentar. Fragmenti letrar është shfaqur qysh në Antikitet kryesisht me Karaktere të Teofrastit dhe Fabula të Ezopit, ka vazhduar me Mendime të Mark Aurelit, me fabulat e Lafontenit, me esetë e Montenjit me Karakteret të La Bruyère-it, me fragmentin romantik të shkollës së Ienas, me fragmentin klasik të Francës. Sot, Pascal Quignard, me një vepër nga më të rëndësishmet e letërsisë bashkëkohore franceze, mbahet si mjeshtër i shkrimit fragmentar. Libri i tij Hijet që enden, i kurorëzuar me çmimin më të madh letrar, Goncourt 2002, është botuar edhe në gjuhën shqipe.
Autori i fragmentit dëshiron që teksti i tij të përftojë ngjyrime të shumta, të cilat shkojnë drejt një kuptimi të projektuar. Fragmenti në një farë mënyre kalon mbi kufijtë e gjinive. Është në natyrën e tij të jetë i paqëndrueshëm, i vetvetishëm, ironik. Sipas kritikës franceze ai lidhet edhe me melankolinë, sepse të kujton thyerjen, është një ligjërim me reliev, në të cilin pjesa nënkupton të tërën. Roland Barthes për fragmentin thotë se ai prodhon efektin e një vetëtime që tërheq vëmendjen dhe mbetet në kujtesë. Barthes-i flet edhe për një shkrim imagjinar. “Imagjinarja e shkrimit” është vënia në përdorim për qëllime stilistike i korrespondencave gjuhësore dhe i shenjave shkrimore si kaligramet, anagramet, këmbimi i shkronjave të drejta e të pjerrëta, i kllapave, i vijave, i vendeve bosh midis paragrafëve… e që formojnë në vetvete një seri shënjuesish të shndërruara në sistem. Qëllimi i autorit është që ta bëjë për vete lexuesin për të hyrë në labirintet e kuptimit të veprës së tij. Ai mund të jetë transpozimi në stil i një bote. Sigurisht, fragmenti në vetvete e shfaq unicitetin e tij me tekstin, kur pasqyrohet brenda një tërësie dhe fiton domethënie duke krijuar marrëdhënie të figurshme apo edhe të thjeshta me fragmentet e tjera të rrëfimit. Ai është edhe një lloj fryme dekadente ku intriga shfaqet në formën e ironisë:
“Dua frymën, ajrin, kur s’e ndien fare, kur s’e sheh fare, kur s’lëviz fare, kur fryn fort, kur bëhet shtrëngatë, kur është valë, kur të zë frymën, kur të merr me vete, kur bëhet shtjellë e të mbështjell si të ishe leckë, si të ishe leckë, që fluturon me të e nuk e di se ku do të çojë – në qiell lart a në tokë thellë! Në xhenet a në xhehenem!” (f. 76).
Të shkruarit e një romani është ajo kohë e çuditshme përpara faqes së bardhë në vetmi, kur bota uturin si një stuhi në largësi. Merret me mend se ai që shkruan jeton me iluzione duke ngritur dekore, duke organizuar mendimin spontan, duke përshkruar emocione. Me anë të fragmentit një autor postmodern arrin të krijojë një botë me fjalët e një subjektiviteti të pastër dhe ndonjëherë lirik të rrëfimtarit, protagonistit, autorit, citimeve nga vepra të ndryshme, që i flasin subjektit. Lexuesi zbulon vazhdimisht territore imagjinare për një gjetiu ose siç e quajnë anglosaksonët hinterland dhe kështu realizohet një vepër e hapur. Autori e vendos subjektin në realitet dhe bashkëbisedimi i heshtur me lexuesin shndërrohet herë-herë në një meditim rreth raporteve tona me botën që na rrethon dhe mbresave të shumta që sjellin vëzhgimet e holla. Si rrjedhim tabloja e pjesshme e një epoke shkrihet me historinë e transfigurimeve që sjell ajo. Kontrasti midis reales së romanit dhe imagjinares së lexuesit sjell ndjesinë e një ëndrre me sy hapur. Dhe kështu arrin të krijohet një moment i jashtëzakonshëm. Lexuesi e imagjinon si rrënohen iluzionet lirike të cilitdo, në një epokë pa ideale të larta njerëzore. Autori dhe narratori bëjnë një pakt për të qenë atje ku nuk i pret. Ata hedhin një vështrim ironik mbi botë, e cila zbulohet nëpërmjet fuqisë së rrëfimit. Protagonisti i romanit tonë, Bardh Dynjaja shfaqet edhe si shkrimtar mediokër, nga ata që krijon përditë mendësia konsumiste, e cila nuk lë që të zhvillohet origjinaliteti, por në më të shumtën e rasteve promovon (përuron) mediokritetin. Ai merret edhe me grumbullimin e materialeve të disa jetëshkrimeve. Ja se çfarë thuhet në njërin prej tyre:
“Garipi ka një fytyrë të rrumbullakët, ndoshta jo bash si topi i futbollit, por si e thonë miqtë e tij si kungulli i Misirit, i ka sytë e mëdhenj, të zinj futë, vetullat e trasha të harkuara bukur lart mbi sytë, si telat e poçave elektrikë…” (f. 254).
Teksti pasurohet me copëzimet stilistike, të cilat mund të vihen re edhe në nëntitujt: Kush sot e kush nesër; Ata që i shkruajnë letra vetvetes; Përpjetë e teposhtë; Këtu e atje, brenda të cilëve lulëzon një ndërtekst i pasur me dialogë e fjalime; me letra e biseda; me kaligrame; me citime nga Martin Luter King, Vargas Losa, Gynter Gras, Filip Rot, Konrad e të tjerë. Kodet e padukshme shndërrohen në të dukshme e anasjelltas. Kufijtë midis imagjinares dhe reales doemos që mjegullohen në një realitet të shformuar.
Autori nuk harron të krijojë edhe një lidhje formaliste me romanin e tij të parë duke përmendur emrin e Xhezairit të Gjikës:
“U zgjova i frikësuar mos do të përsëritet prapë! Ëndrra!
Dhe, mos sundimtari do ta shpjegojë jo si ishte po si do të dëshirojë vetë, për nevojat e veta, ëndrrën time. Siç kishte shpjeguar vetë, siç kishte dashur udbashi ëndrrën e Xhezairit të Gjikës në vitin 1972! (f. 140).
Me një stil të përpunuar Qosja vendos që jetën familjare të protagonistit ta japë nëpërmjet një dialogu të herëpashershëm që shkon deri në fund të tekstit, si një vijë e vazhduar, në të cilën shfaqen përgjithësisht katër anëtarët e familjes Dynjaja, çifti: Bardh / Hava dhe dy fëmijët: Lik / Anila. Stili minimalist i dialogut plotëson kuadrin e jetës intime të protagonistit dhe këtu tërë romani ngjason me një pasqyrë të thyer, sepse duhet lexuar edhe ajo që është e padukshme midis rreshtave.
“NXENESIT
Njëzëri: Për ty mësuese na këndojmë,
Sepse kurrë nuk të harrojmë.
Emrin tënd në zemër e kemi.
Në Europë, në Amerikë kur të vemi.
HAVAJA
Kush, kush ua ka mësuar këtë këngë?
NXENESIT
Njëzëri: Mësuesja Arbnorë. Mësuesja Arbnorë. Mësuesja Arbnorë” (f. 146).
Me një shikim të hollësishëm ky dialog, që sigurisht ka dy funksione: së pari ta bëjë sa më të larmishme formën shprehëse të romanit, por edhe të plotësojë në mënyrë sa më të përmbledhur e më elegante një anë të jetës së protagonistit, është nyjëtim dramatik, domethënë një teatër, me ngjyrime të theksuara komike brenda romanit:
“HAVAJA
E çka s’të bie ty prej dorës?
BARDHI
Nuk ndodh të më bjerë prej dorës gota me ujë, me qumësht apo pjata me sarma! E sidomos alltia!
HAVAJA
E çka megjithatë ndodh të të bjerë prej dorës ty?
BARDHI
Ndodh të më bjerë prej dorës shtatorja e vogël plastike e Haile Selasit (f. 64).
Autori shkon larg në konstatime me prekje të lehta, por që herë-herë bëhen të pamëshirshme. Përfundimi filozofik se ne i ngjajmë shumë epokës, transmetohet në mënyrën më elegante, me ironinë, karakteristikë thelbësore e prozës postmoderne. Në tekst me parashtrimin, në të cilin rrëfimtari flet për qëllimet e shkrimtarit dhe për disa veçori të subjektit, pjesë të veçanta të romanit kthehen në leksion. Pistat, për arsye stilistike këmbehen dhe herë flet krijuesi, herë krijesa e tij dhe herë rrëfimtari. Në tërë lëndën vihet re një forcë vëzhgimi për probleme që nuk u vihet rëndësi në jetën e përditshme. Larja e padukshme e trurit dhe mjegullimi i së ardhmes shoqërohen me idenë e hidhur se koha jonë nuk ka vend për pyetje dhe kjo po kthehet në një sëmundje të pashërueshme. Autori do të donte t’i kontrollonte personazhet e tij, por ata vazhdojnë jetën e tyre “pavarësisht” nga ai.
Sigurisht kritika do të zbulojë në këtë roman një shqetësim letrar dhe një dëshirë për ta bërë lexuesin për të qeshur, por edhe për ta shtënë në mendime. Aty hasen edhe njerëz të vërtetë që shndërrohen në personazhe. Shkrimtari nuk është restaurues (ndreqës) i realitetit. Ai është vrojtues. “Kur gjërat flasin vetë nuk ka ç’bën autori”, thoshte Balzaku.
Me një përmbledhje mendimesh prej disa faqesh, kuptohet, nuk mund të përfshihen pesëqind faqe roman, por duhet theksuar se libër pas libri në prozën letrare Qosja si strukturalist e përpunon shumë skemën. Kur ke përpara një subjekt të madh të përbërë nga dhjetëra minisubjekte të hedhura nëpërmjet fragmenteve si një yjësi shumëngjyrëshe, mund të vihet re edhe ndonjë përsëritje në strukturë. Sidoqoftë, vepra të tilla shpesh ngjasojnë me një ëndërrim që synon bashkimin e pjesëve në një të vetme. Këtu qëndron edhe poetika e fragmentit. Romani i Qosjes Të fshehtat e treguara mund të quhet sot manifest i shpirtit dekadent shqiptar në fillimet e shekullit XXI, ashtu siç u quajt dikur romani À rebours i Huysmans-it.
P. S.:
1. Rexhep Qosja, në një shkrim të botuar në Gazeta shqiptare e dhjetorit 2020, pyeste dhe pastaj shtronte një ide që duhet t’i shqetësojë kritikët dhe administratën kulturore në Shqipëri. Kur është fjala për të analizuar veprat e letërsisë shqipe, koncepti duhet të jetë gjithëpërfshirës, vepra të shkruara nga shkrimtarët shqiptarë kudo që ndodhen, pra, edhe në Kosovë. Kosovë, Shqipëri, vërtet jemi dy shtete, por jemi një komb. Kuptohet, ose duket saktësuar më tej terminologjia ose duhet ndryshuar struktura e mendimit kritik. Ndonjë kritik letrar e ka të qartë këtë ide, por me një lule s’vjen pranvera.
2. Romanet e Qosjes nuk janë nga ato vepra që kanë kryesisht vlera kombëtare, por ato kanë ngjallur interesin e lexuesve e të studiuesve ndërkombëtarë. Në Universitetin e Venecias, më 11.12. 2020 u bë përurimi virtual i romanit të tij Vdekja më vjen prej syve të tillë, përkthyer në italisht nga Anila Alhasa, profesore dhe përkthyese e njohur e letërsisë shqipe në italisht. Konferencën e përurimit e udhëhoqi profesoresha e Universitetit të Venecias Giuseppina Turano. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Anselmo Roveda, profesor i letërsisë së përgjithshme, i cili ka shkruar pasthënien e librit si dhe Alessandro Scarsela, profesor i letërsisë krahasuese, i cili foli për veçantinë e romanit të përkthyer duke theksuar sidomos karakteristikat e tij postmoderne. Në përurim, ndër të tjerë, morën pjesë edhe dy studente, njëra prej Shqipërisë dhe tjetra prej Kosovës.
Në një vidiokonferencë autori iu përgjigj që nga Prishtina disa pyetjeve që iu bënë prej të pranishmëve.