More
    KreuLetërsiBibliotekëFeride Papleka: Petro Zheji, avanguardisti i përkthimit hermeneutik

    Feride Papleka: Petro Zheji, avanguardisti i përkthimit hermeneutik

    Një portret në gjenezë  

    Drita që e udhëhiqte dhe e shoqëronte në punën prej përkthyesi Petro Zhejin ishte frymëzimi. Ai nuk e kërkonte dhe as e priste atë që të vinte ; frymëzimi ishte pjesë e personalitetit të tij. Jehonat e këtij frymëzimi ndihen në të gjitha veprat e përkthyera prej tij që i zbukuron një shqipe e re dhe e freskët, me tingëllime pothuajse simfonike.

    Ai kërkonte përsosuri në punën e vet dhe e quante melankolinë një gjendje të trishtuar që shoqërohet me ëndërrime apo ashtu si e poetizonte Bodleri : një gjendje lumturie mes fatkeqësisë.  Në pasqyrën e tij shpirtërore shihej një ndarje me botën e jashtme për të tejkaluar vetveten. Mbyllja e tij në një botë të panjohur për njeriun e zakonshëm, bëhej për të transmetuar pastaj te lexuesi një kumt në të cilin si brenda një objekti heteroklit, përzjeheshin ëndrrat, introspeksioni dhe sajimet ku dukeshin qeniet prej mishi që transformoheshin në qenie virtuale nga autorët. Shpeshherë atij i duhej ta dallonte këtë transformim e të zbërthente kuptimet e mistershme që ktheheshin në aspekte të ekzistencës duke hetuar vazhdimisht shkëlqime të errëta pranë vegimeve përherë e më të ndërlikuara. Dhe kjo donte përqendrim të madh dhe vëzhgim të hollësishëm deri në kufijtë e shpirtit e të materies për të hedhur në letër një botë të veçantë.

    Puna e Petro Zhejit si përkthyes pasqyron një qëndrim të vetëdijshëm qoftë nga pikëpamja teknike, qoftë nga pikëpamja gjuhësore. Ai kishte ndërtuar një metodë pune që i ka dhënë mundësi të sjellë me tejdukshmëri gjendje shpirtërore, lëvizje të mendimit dhe personazhe të mishëruara, mes  të cilëve mund të sillen shembuj të panumërt nga Tolstoï, nga Cervantes, nga Goethe, nga Uells, nga Asturias, nga Brink, nga Diderot, nga Steinbeck… 

    Kur mbaronte një vepër, si përkthyes i rrallë, ai gjendej në një situatë që shndërrohej në makth ; sepse e ndiente veten të distancuar nga teksti origjinal. Pastaj niste menjëherë punën përgatitore për një vepër tjetër. Pema metaforike e punës së tij lartohej pambarimisht ; janë njëqind e ca vepra të përkthyera prej tij, të ardhura nga të gjitha kontinentet.

    Çdo tekst i përkthyer nga dora e tij, bëhej përvojë e aftësisë krijuese të gjuhës shqipe. Studiuesit e përkthimit mund ta vënë re sesi ka përfituar gjuha nga puna e tij e vazhdueshme me fjalën dhe mendimin duke shfrytëzuar pasurinë leksikore të shqipes, por edhe duke e pasuruar atë me fjalë të reja, të krijuara sipas ligjeve të brendshme të saj. Ata që merren me sinoniminë do të shohin se shumë fjalë të harruara të shqipes, ai i ka ringjallur duke u dhënë jetë dhe mundësi për të lulëzuar. Eshtë e kuptueshme se edhe ata që kanë lexuar përkthimet e tij kanë përfituar nga mesazhi i veprës, i transmetuar saktë, qartë dhe bukur nga një mjeshtër i përkthimit, por kanë përfituar edhe në pikëpamje të vetëdijes gjuhësore, e cila është pasuruar me bukurinë e fjalës shqipe. Sepse në shumicën e veprave, si për çdo përkthyes, ka ndërtime gjuhësore të ngjeshura që lypin zbërthim, ka zona të veçanta të gjuhës që duhen njohur e që paraqiten gjithnjë si një kontinent i errët, ka situata të cilat mund t’i shpjegosh duke hyrë në thellësi të mendimit. Prandaj ligjërimi i tij edhe në një bisedë të thjeshtë shpesh ishte i ngarkuar me koncepte letrare, me tipat e marrëdhënieve tekstore, me diferencat kulturore mes nesh dhe vendeve nga vinin tekstet. 

    Ai ka arritur të japë në tekstet e përkthyera, barasvlerën e kuptimit të origjinalit duke bërë që ajo që thuhet në gjuhën burim, të ketë po atë kuptim edhe në gjuhën e përkthyer. I mbështetur në barazinë kuptimore (semantike) dhe shprehëse të gjuhëve të ndryshme, ai ka përkthyer mendimin, kuptimin origjinal të frazës dhe të veprës duke shprehur në mënyrë pak a shumë të drejtpërdrejtë kuptimin fillestar të saj me mjetet e gjuhës shqipe. Për Petro Zhejin mund të thuhet ajo që shkruan Théophile Gautier për Baudelaire-in: “Ai ka dhënë nga Edgar Poe në frëngjisht përkthime “aq të shkëlqyera sa duken si vepra origjinale”. Por regjistri i veprave të përkthyera nga Petro Zheji është i madh. Dhe gjuhët nga të cilat ka përkthyer ai gjeni janë të shumta.

    Pak histori për përkthimin

    Qysh në fillimet e veta diskutimi për përkthimin është përqendruar rreth dy kundërshtive : gjuhë burim / gjuhë e shenjuar ose tekst origjinal / tekst i përkthyer. Me përfundime të ndryshme : ose përkthim literal (fjalë për fjalë ) / ose përkthim i lirë. Por, duhet pohuar se asnjë përkthim krejtësisht fjalë për fjalë i një teksti nuk do të jetë kurrë i mundur, për shkak të pangjashmërive në sistemet gjuhësore.

    Thënia e famshme e Ciceronit « përkthim i kuptimit për kuptim », është përdorur nga përfaqësuesit e të dyja rrymave përkthimore. Duhet thënë se terminologjia « riprodhimi i kuptimit » nuk ka qenë tepër e qartë që në krye të herës dhe ka lënë vend për keqkuptime. Me shtimin e përvojës praktike u arrit në përfundimin se përqendrimi te fjala dhe fjalia duhej t’ia linte vendin përkthimit të njësive ligjërimore më të mëdha, por kumtimi të mbetej brenda kufijve kuptimorë të njësive ligjërimore. Fakti që vëmendja është përqendruar historikisht te teksti i përkthyer, lidhet me arsye të ndryshme. Kur Ciceroni këshillonte « latinizimin » e teksteve greke, motivi ishte njëherësh politik dhe kulturor : nevoja për të vënë në dukje epërsinë romake. Nuk mund të mohohet vetëdija e tij e mprehtë për ndryshimet e sistemeve gjuhësore. Në Mesjetë, përkundrazi, kur nocioni i pasurisë letrare nuk ishte ai i ditëve tona, teksti i përkthyer konsiderohej një krijim më vete, me statut pavarësie ndaj veprës origjinale. Megjithatë, fakti që përshtatjet dhe njëvlerësia bashkekzistojnë në të gjitha përkthimet, cilido qoftë tipi i ligjërimit, ai mund të konsiderohet si një nga ligjet universale të veprimtarisë përkthimore.

    Edhe pse ndahet në tri etapa : kuptimi i tekstit, nivelimi ose krijimi i disa emrave nga foljet dhe riformulimi, veprimtaria përkthimore mbetet përherë një kombinim i bashkëpërkimeve (korrespondencave) dhe i barasvlerësisë së kuptimeve. Polisemia (shumëkuptimësia) dhe dykuptimësia që përmenden shpesh në studimet për përkthimin janë elemente problematike, sepse shumica e fjalëve edhe pse janë polisemike brenda një sistemi gjuhësor, në një kontekst të dhënë e humbasin poliseminë.

    Shtresa që dallohet mirë në një tekst është një seri sinekdokash (figurë retorike e krijuar bashkë me të folurën). Duke qenë se gjuhët ndryshojnë jo vetëm në fushë të leksikut dhe gramatikës, por edhe nga mënyra se si folësit e një gjuhe amtare i shprehin mendimet e tyre, kombinimi i pjesëve të shprehura qartë dhe i atyre të nënkuptuara nuk është i njëjtë për të dyja gjuhët. Madje edhe atëherë kur ato mund të emërtojnë të njëjtën gjë.

    Në të kaluarën përkthimi shpesh ka qenë perceptuar si një kalim normatif nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Në këtë pikëpamje, respekti dhe besnikëria ndaj origjinalit kanë qenë paradigma të gatshme konceptuale që ishin pikë referimi për përkthyesit. Kjo paradigmë konceptuale është orientuar së pari nga përkthimi i Biblës, por edhe nga disa qëndrime individuale.

    Shekulli XX solli ndryshime të mëdha në fushën e praktikës së përkthimit, në bazë të së cilës është ngritur një teori e tërë. Edhe gjykimi për veprat që zgjidhen mbështetet kryesisht te vlerat origjinale estetike dhe gjuhësore. Në këtë vështrim, përkthimi përvijohet si një depozitë tekstore njohjesh estetike dhe kulturore për t’u zbuluar.

    Disa përkthyes kanë folur për një liri të plotë në gjuhën e përkthyer. Saussure, studiues i gjuhëve indoeuropiane, ka pasur një koncept origjinal për tekstin letrar si rrjet marrëdhëniesh që dëshmohen në nivelin e kuptimësisë. Duhet pohuar se si kudo në fushat e dijes njerëzore praktika e ka pasuruar teorinë, e cila nga ana tjetër i ka qartësuar dhe i qartëson çdo ditë përkthyesit mbi funksionimin e gjuhës dhe të komunikimit. Në këtë rrugë, me qëllim për të ndriçuar marrëdhëniet  mes teorisë dhe praktikës, sipas terminologjisë së Pierre Bourdieu-së, duhet një punë e veçantë me referimet teorike.  

    Qasja hermeneutike

    E vështruar nga lartësia e viteve mund të themi se karakteristikë e përkthimeve të Petro Zhejit është qasja hermeneutike, e mbështetur në një tërësi njohurish që lejojnë interpretimin e shenjave dhe simboleve tekstore për të zbuluar kuptimin e tyre. Kjo qasje, nga përkthyes të shquar, bazohet sot mbi punën teorike të George Steiner, intelektual i shquar, gjeni që i përket kulturës botërore; ai ka mbajtur leksione në katër universitete të globit në katër gjuhë të ndryshme.

    Steiner mendon se çdo komunikim njerëzor është përkthim. Në librin e tij After Babel (Pas Babelit, poetika e përkthimit,1975, por që teksti përfundimtar i të cilit doli në Oksford, më 1998), shpjegon se përkthimi nuk është shkencë por “art i përpiktë” (art exact). Dhe vazhdon: “Megjithatë, vetëm një lexim i imët zbulon hollësitë dhe shumësinë e forcave ndërvepruese në një tekst letrar […], gjithë problemi mbetet te ngjyrimi”. A ruan teksti i përkthyer po atë tonalitet që ka teksti origjinal? Sipas Shtajnerit “përkthyesi i njëmendtë” duhet të jetë i aftë “të bëhet shkrimtar për të kuptuar atë që thotë autori […]”.

    Përkthyesi ynë Petro Zheji që mund të krahasohet me përkthyes të shquar që kanë lënë gjurmë në gjuhët e mëdha, i ka përkitur qasjes hermeneutike para se kjo teori të përpunohej nga George Stenier, i cili i kushtoi një jetë të tërë studimit në fushën “e poetikës, kritikës letrare, historisë së formave kulturore për të vëzhguar disa aspekte të ligjërimit njerëzor”. Përkthimi, në veprën e tij studimore ka qenë si qendër graviteti, i kuptuar si mjeti kryesor i komunikimit mes mijëra gjuhëve të folura në botë. “Akti i fjalës së thjeshtë dhe paradoksi i Babelit janë shumë pranë”, thotë ai. Mbështetja mbarëbotërore e studimit të tij dëshmon edhe tërheqjen intelektuale që ushtron gjuhësia shkencore bashkëkohore për ta vendosur analizën e ligjërimit në zemër të filozofisë, të psikologjisë e të logjikës.   

    Mendoj se për metodën e punës së Petro Zhejit hedh dritë një bashkëisedim që kam pasur me të shumë vite më parë, prandaj po e sjell në gazetën ExLibris, drejtuesit e së cilës kanë një koncept bashkëkohor lirie për botimet: 

    “PETRO ZHEJI – MAGJISTARI I GJUHËS

    Tani ai nuk është këtu. Është larg, në Detroit të SHBA-së, midis shqiptarëve e miqve të huaj. Iku prej këtej atëhere kur rinia kërkonte të njihte horizonte të reja. Edhe atë e pushtoi vrulli i saj, e ndjeu veten të ri.

    Fillimisht shkoi në Itali. Gazetat e atjeshme shkruan: “Një shqiptar i jashtëzakonshëm”. E si mund të mos i mahniste Petro Zheji, përkthyes virtuoz nga disa gjuhë të botës, njohësi i vlerave të qytetërimit bashkëkohor, studiuesi i historisë së gjuhës shqipe dhe mjeshtër i zbulimit të pasurive të saj?

    Duket se kulturës shqiptare i mungon diçka nga mosprania e tij. Por ai do të kthehet. Mbase kjo është një dëshirë e hershme për të parë ato vende me gjuhën e të cilave është marrë, duke “rikrijuar” në shqip vepra të autorëve të shquar : Tolstoi, Gonçarov, Gorki, Servantes, Aragon, Gëte, Asturias, Simenon, Gollsuorth, Shasha, Brink, Stoun, Shtainbejk, Uells, Didëro e shumë të tjerë, përfaqësues të letërsisë gati nga të gjitha kontinentet.

    E mrekulluar nga bukuria e librave të përkthyer prej tij, por edhe e prekur nga një vërejtje që i bëhej njëherë për zgjedhjen e romanit “Një stinë e thatë dhe e bardhë”, u ndala një ditë për ta përshëndetur e i thashë se nuk pajtohesha me atë mendim e se do të shkruaja. Për çudi atij nuk i kishte bërë përshtypje vërejtja. Ai ishte i vetëdijshëm për çka përkthente.

    Kisha vendosur që më parë të shkruaja diçka për të, por një çast ngurova t’i thosha. Ishte e vështirë të bëje portretin e tij. Sidoqoftë i thashë se njëherë tjetër do të kisha kënaqësi të bisedoja për ndonjë problem të përkthimit. Me mirësjelljen e tij karakteristike, ai pranoi menjëherë. E lamë që të takoheshim mbas dy-tri ditësh. Ndërkohë unë doja të saktësoja disa tituj dhe emra autorësh, sepse vepra e përkthyer e Petro Zhejit është si një godinë e pafund. Janë njëqint e ca tituj. Tridhjetë e pesë e më shumë vite punë. Ditë e net vetmie, larg kënaqësive të jetës private. Vërtet një sakrifikim. Fjalës përkthyes do t’i shkonte sinonimi: martir. Përkthyesi është transmetuesi i drejtpërdrejtë i mjetit më sublim për përpunimin e shpirtrave njerëzorë. Doja, gjithashtu të përgatisja edhe ndonjë pyetje.

    Ditën e caktuar ai erdhi i përpiktë. Ishte pranvera e vitit ’87. Një pranverë e vonuar. Lulet dhe zogjtë sikur kishin harruar të shfaqeshin dhe sheshi para Pallatit të Kulturës që nga dritaret e katit të tretë, nuk e di se pse m’u duk aq i shkretë. Isha e brengosur dhe në ankth si të isha para një provimi. Të bisedoje me Petro Zhejin ishte lumturi, por edhe përgjegjësi e madhe. Midis ngurrimit dhe kurajës, i thashë me gjysmë zëri se doja të shkruaja për të. Ai më buzëqeshi çiltër duke shuar me atë gjest diferencat intelektuale e më tha: “Më mirë meri mendimet e mia e trajtoji vetë, se sa të shkruash për mua. Do ngrihen kundër meje.” Unë e vështrova me habi, e çliruar disi nga romantizmi im naiv. Kush mund t’i bënte keq Petro Zhejit? Ai më dukej si një “gjeneral” në armatën e njerëzve të letërsisë. Nuk po ia ndaja shikimin për të kuptuar nëse e kishte seriozisht, por syzet e tij të errëta nuk më linin t’ia dalloja qartë sytë që i përfytyroja gjithmonë të lodhur. Sapo kisha mbaruar së lexuari “Fluturim natën” të përkthyer mjeshtërisht nga ai dhe kisha pyetur veten përse nuk i vendosnin emrat e përkthyesve në kopertinë. Me atë mënyrën e vet të rrjedhshme e imponuese ai foli për temën që ishte dashuria dhe mundimi i tij: përkthimi. E kuptova se “Lufta e ftohtë” zhvillohej mjaft e ashpër në sferat intelektuale.

    Pyetjet m’u ngatërruan në mendje përmes një mjegullnaje që herë dendësohej e herë shpërndahej. Gjurmët e kurtheve që kishte ngritur mediokriteti dukeshin qartë. Një kthjellim i çastit më dha zemër dhe e pyeta:

    – Me ç’vepër e keni filluar përkthimin, profesor?

    -Me romanin “Bruski” të Panferovit. Në art s’ka fillestarë.

    – Po nga Asturiasi përse nuk keni përkthyer më?

    – Nga Asturiasi kam dashur të përkthej shumë. Kërkova kryeveprat, “Papa jeshil” bën pjesë në një triologji. Ka edhe një libër tjetër të mirë, e kërkova, por nuk më erdhi. Një përkthyes specializohet për një autor dhe ka dëshirë ta përfaqësojë atë, të transmetojë mesazhin e tij. Si përkthyes dua libra të vështirë. Të vështirë nga ana stilistike. E lexoj librin dhe akumuloj. Pas kësaj, në kantieret e mia fillon një punë e madhe. Por nuk më jepet mundësia të zgjedh. Energjia ime mund të investohej më mirë. Ka dalë “Don Kishoti” pjesa e dytë. Kam ndërmend të përkthej edhe pjesën e parë. Kur e paraqita, u treguan skeptikë. U prish gjuha, thanë. E di ç’më ndodhi? Pasi kisha përkthyer njëqind faqe, e kuptova se kisha gabuar në frymë. Kisha kapur vetëm anën bufoneske dhe jo atë tragjike. Unë zbulova personazhet, gjeta gjuhën e përshtatshme dhe ia nisa nga e para. I grisa ato njëqind faqe, “Don Kishoti” ka thekse të forta kritike shoqërore. Dhe mora vërejtje pse s’kisha realizuar normën. Fati i atyre që krijojnë me të vërtetë është i hidhur. Kur kapërcehet caku i mediokritetit, diçka do të ndodhë.

    – Kohët e fundit është botuar libri “Etja për jetë”, rrëfim për Vinsent Van Gogun. E vërtetë është se e keni përkthyer para njëzet vjetësh?

    – Po. Nuk e njihnin, prandaj s’e botonin. Edhe “Nipi i Ramosë” ka njëzet vjet që fle gjumë letargjik të pamotivuar.

    – Kemi folur njëherë për çështjen e autorit. Mund të thoni edhe diçka më tepër.

    – Çështja e autorit bëhet çështja jote kur përkthen. Çdo kërkesë e autorit është kërkesë për liri. Unë dal si anarkist. Personazhet i lë të përplasen siç i përplas autori.

    – Ç’mendim keni për përkthimin: a duhet të jetë i lirë apo besnik?

    – Përkthim i lirë apo përkthim besnik, kjo çështje ka ngjallur debat. Ata që janë anemikë, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Ata janë skllevër të gërmës. Por gërma vdes. Shpirti ngjall. Kjo kërkon lodhje, depërtim. Fjala është simbol. Krijuesi ka një moment fuqie. Ti duhet ta interpretosh. S’ka vepra arti objektive. Vepra e artit është subjektive. Duhet të gjesh formën për ta dhënë. Të kuptosh personazhet, t’i fiksosh me personazhet që njeh. Janë edhe probleme të forta linguistike, shumë të thella. Nëse ti e do atë vepër, atëherë arrin ta kuptosh. Dashuria është e mbushur me sakrifica.

    – A mund ta duash çdo vepër?

    – Kur autori është magjistar i gjuhës, atëherë të fut në punë. Përkthimi është magji. Sepse kur përkthen, fiton, pasurohesh. Përkthyesi duhet të jetë selektiv.

    – Keni përkthyer Rabëlenë? Hasët vështirësi?

    – Me “Gargantua dhe Pantagryel” frëngjishtja u bë gjuhë letrare. Është kryevepër. Ka krijimtari verbale të jashtëzakonshme. Doja të provoja shqipen aty. Ishte një betejë e madhe.

    – Diçka për metodën tuaj të punës…

    – Kur isha i ri, punoja natën. Përkthimi kërkon përqendrim. Çdo libër ka gjëzën e vet. Po e gjete, ke fituar.

    – Ju jeni vetë magjistar i gjuhës…

    – Fjala s’ka referencë kuptimi në letërsi. Fjala në gjuhë është e zhytur në një kuptim afektiv. Fjalori ndonjëherë të ngut. Një fjalë e vogël ngjall një botë. Nëse e jep me sinonim ajo s’vlen.

    – Ç’mendoni për përkthyesit?

    – Përkthyesit, duhet të kenë ambient të madh pune. Atyre duhet t’u lihet dorë e lirë.

    – Keni mbaruar për matematikë. Ç’vend zë ajo tani në jetën tuaj?

    – Matematika më ka ndihmuar për të krijuar disiplinën e sintaksës. Kombinimi mes matematikës dhe përkthimit është diçka interesante. Matematika është ishulli ku shkoj të prehem pas pune. Kam edhe një tabelë të zezë në dhomën time për t’u zhytur herë pas here në ushtrime.

    – Çfarë mund të thoni tjetër për përkthimin?

    – Dëshira ime s’është thjesht të përkthej një libër, por edhe të zbuloj potencialin e gjuhës. Kur gjërat bëhen me dashuri, suksesi është i siguruar.

    Shtojcë

    Kur isha duke e përfunduar këtë shkrim, të cilit i dha jetë biseda që e ruaja si një kujtim të çmuar, u njoha me disa fakte të reja që munda t’i kapja midis rreshtave të një letre plot mall që Daniela Ogranaja i dërgonte nga SHBA-ja, këtë fundnëntori, së motrës, Zhanetës, poetes së martirizuar. Një mik i Danielës, austriak, pasi ishte njohur me Petron, i kishte thënë: “Petroja është një gjeni absolut.” Dhe Daniela shkruan: “Nuk mund ta imagjinosh se çfarë kënaqësie është kur një i huaj flet kështu për një shqiptar, sepse veshët tanë janë mësuar të dëgjojnë vetëm keq, dhe le të tregohemi të drejtë, ne jemi populli më i përçarë përsa i përket marrëdhënieve me njëri-tjetrin.”

    Këtu është vendi të pohoj se Daniela, kjo shqiptare energjike, patriote dhe e zgjuar, është subjekt për një portret më vehte. Duke parë përpjekjet e saj për të bërë diçka të mirë për Shqipërinë, Petroja e këshillon: “Gjëja që do t’i vlente më tepër Shqipërisë në këtë moment dhe në çdo kohë është nxjerrja në dritë e traditave të saj të lashta e rrënjëve të thella të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar.”

    Çështja e lashtësisë së shqipes e ka interesuar që herët Petro Zhejin. Ai ka shkruar edhe një studim për afëritë e shqipes me sankristishten, por s’mundi ta botonte në Atdhe.

    Sipas një informacioni më të ri, i palodhuri Petro Zheji kërkon t’i dërgojnë në Detroit disa materiale nga fondi i vjetër i albanologjisë që gjendet në Bibliotekën Kombëtare. Emrat e albanologëve të hershëm të huaj: Schneider, Wedekenes, Gatto, nuk i kanë shpëtuar syrit të tij, ashtu si nuk i kanë shpëtuar emrat e albanologëve të hershëm shqiptarë: Sami Frashëri, Billota, De Rada, Konica. Pra, s’ka çlodhje. Çlodhja për të mbase është “kalimi” i përkohshëm në një fushë tjetër veprimtarie. Por ne që jemi mësuar të marrim në duar herë pas here përkthime të magjishme nga dora e tij, ndiejmë trishtim kur s’ia shohim emrin mbi kopertinat e librave. S’ka dyshim se emri i tij do të rishfaqet ndonjë ditë si një befasi e bukur pas një “heshtjeje” të përligjur.

    Personalitetin poliedrik të Petro Zhejit nuk mund ta nxënë kufijtë e një shkrimi. Le të jenë këto radhë një përpjekje modeste për t’i bërë homazhe (nderime) njërit prej atyre (mendjeve të ndritura)që hedhin vazhdimisht dritë (në jetën tonë) (mbi mendjet tona, me mesazhet humane të lirisë, drejtësisë e kulturës që kumtojnë veprat e përkthyera prej tij, dhe me mesazhin e dashurisë e të punës së palodhur për Atdheun që vjen nga zëri i tij prej qindra kilometrash larg.

    Tiranë, 24 dhjetor 1992

    NJË KOMENT

    1. Vertetë së njeriu ngadonjëherë ndjen të nevojshëm të ,, derdhet”emocioni dhe kjo pikërisht ndodhë kur lexon autor t’përkthyer, të zot në fushën kulturore, mbase kjo me ndodhi duke lexuar : Pér Petro Zhejn, njërin nga përkthyesit më të çmar, të spikatur në Shqipet. Çka tjetër veç: FLM, FLM,FLM Sigurisht edhe nga zonja intervistuese. Q. Foniqi, Rotterdam

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË