More
    KreuArte pamoreFerid Hudhri: Stefan Çapaliku me “Imago & Verbum”

    Ferid Hudhri: Stefan Çapaliku me “Imago & Verbum”

    Midis krijimeve dhe veprimtarive të larmishme (poezi, tregime, romane, drama, regji teatri, regji filmi, ese, ekspozita etj.) me “Imago & Verbum” Stefan Çapaliku këto ditë na ka sjellë një nga botimet më të veçanta në bibliotekën shqiptare. Një marrëdhënie të bukur artistike midis imazhit dhe fjalës.        

    Ndërsa për shfaqjet teatrore apo filmike Çapaliku (autor dhe regjisor) herë pas here i krijon vetë edhe imazhet e skenografive, kostumeve dhe elementeve të tjera figurative (disa herë edhe posterat apo kopertinat), në këtë libër paraqitet me një raport krejt të ndryshëm në marrëdhënien midis imazhit dhe fjalës (tekstit).

    Nga vështrimi i parë i kopertinës “Imago & Verbum” mund të vihemi në dilemë nëse kemi të bëjmë me një shkrimtar që shkruan për fotografinë apo me disa fotografi që e frymëzojnë të shkruajë një artist. Çapaliku duket se e ka ndërtuar hierarkinë që në titull, duke vendosur në fillim imazhin dhe më pas fjalën. Libri na kujton gjithashtu se vitet e fundit edhe te ne ka nisur të flitet diçka më shumë se dikur rreth kujtesës kulturore. Madje po bëhen përpjekje për të zgjeruar dhe thelluar të kuptuarit e mënyrave se si funksionon memoria personale në sferën kulturore. Cilat janë tiparet e saj dalluese? Si, ku dhe kur prodhohet ajo? Si e përdorim atë në jetën e përditshme? Si lidhet kujtesa personale ose individuale me format e përbashkëta të kujtesës? Dhe çështje të tjera si këto.

    Autori përpiqet t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve duke përdorur fotografitë personale dhe familjare, që figurojnë të kenë një rëndësi të madhe në zbulimin e kujtesës kulturore. Ai e shqyrton kujtesën kulturore me anë të fotografive, duke ofruar një rrugë veçanërisht produktive për të kuptuar aspektet sociale dhe kulturore të epokës sonë.

    Ekziston në fakt një histori e gjatë e marrëdhënieve të fotografisë me antropologjinë. Reflektimi mbi një foto dhe zhbirimi i përmbajtjes së saj është një shtytje drejt kërkimeve antropologjike. Çdo kush e kupton se duke u mbështetur në shembuj konkret mund të hetohet historia e marrëdhënieve të këtyre fotografive me çështje të ndryshme antropologjike. Vihet re lehtësisht edhe ndikimi i fotografisë në një mënyrë të caktuar të rrëfimit të historisë.

    Mbështetur edhe në studimin e profesorit Christofer Pinney (Photography and Anthropology, London, 2011), Çapaliku na zbulon sesi antropologjia siguron mjetet për të ri interpretuar fuqinë dhe magjinë e të gjitha praktikave fotografike. Aty paraqitet historia e joshjes së antropologjisë nga fotografia, duke artikuluar kësisoj edhe një teori antropologjike të fotografisë.

    Libri i Çapalikut ndahet në pesë ese (për kosekuencë me titullin, edhe ato paraqiten me emra latinë), si: Imago historiae (Imazhi i historisë), Imago somnium (Imazhi i ëndrrës), Imago mundo (Imazhi i botës), Imago dei (Imazhi i zotave), Imago temporis (Imazhi i kohës). Nëpër faqet e librit ai ndalet më gjatë me disa foto të familjes Marubi, të Dedë Jakovës, të fotografit francez Michel Setboun dhe të tija vetë.  

    Ngjarjet e librit lëvizin në një periudhë prej më pak se njëqind vjetësh duke na sjellë ndër mend pika kyçe të raporteve të njeriut me veten, lirinë, politikën dhe ëndrrat.

    Kjo qasje individuale, stili i lirë dhe i hapur, thirrja për bashkëpunim me lexuesin e cilësi të tjera si këto e bëjnë librin një doracak të çmuar estetik veçanërisht për studentët e artit dhe të antropologjisë kulturore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË