More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatlum Meholli: Neoklasicizmi në tragjedinë “Abeli” të Etëhem Haxhiademit

    Fatlum Meholli: Neoklasicizmi në tragjedinë “Abeli” të Etëhem Haxhiademit

    Tragjedia me titull Abeli e Etëhem Haxhiademit është antologjike në kuadër të dramës shqipe në përgjithësi. Intertekstualiteti, arkitekstualiteti, ndërtimi i kompozicionit dramatik, i karaktereve dramatike, përdorimi i gjuhës e kështu me radhë, janë vetëm disa prej veçorive të kësaj vepre.

    Sa i përket intertekstualitetit, duhet të theksojmë se miti biblik i vëllavrasjes është tejet i lashtë. Atë e hasim qysh në Dhjatën e vjetër, gjegjësisht në kaptinën e katërt të librit të parë, Librit të gjenezës, që ka të bëjë me bijtë e Adamit, pra Kainin dhe Abelin. Pikërisht mbi këtë bazë Haxhiademi harton tragjedinë e tij. Madje, këtë e pohon edhe në parathënien e librit, në të cilën njëherë fut subjektin e shkurtër biblik dhe më pas shton: “Ja kjo asht landa e përkthyëme fjalë për fjalë nga bibla dhe te këto rradhë të pakta u zhvilluë kjo tragjedi”.[1] Andaj, tragjedia Abeli ka edhe karakteristika intertekstuale, me ç’rast merret teksti biblik dhe rikrijohet në një mënyrë të veçantë. Ndërkaq, në aspektin krahasues në mes mitit biblik dhe tragjedisë së Haxhiademit mund të vihet në pah edhe arkitekstualiteti, sepse kemi të bëjmë me një transformim zhanror. Në këtë kontekst ndalemi në aspektin strukturor, me ç’rast te teksti biblik hetohet një narracion i pastër (diegesis), ndërkaq tragjedia e Haxhiademit ndërtohet mbi bazën e veprimit (mimesis), siç e kërkon edhe zhanri dramatik në përgjithësi. Po ashtu, te Abeli kemi të bëjmë edhe me shpërfaqjen e botëkuptimeve të personazheve, dialogë, monologë, didaskali e kështu me radhë që janë krejt specifikë nëse shihen në krahasim me tekstin burimor.

    Haxhiademi boton tragjedinë Abeli më 1938 për herë të parë. Po e përmendim këtë fakt, sepse miti biblik që trajton vepra ka funksion social dhe politik nëse shihet në relacion me Shqipërinë e asaj periudhe që ishte krejtësisht e destabilizuar, me ç’rast vrasjet mes shqiptarëve ishin mjaft të shpeshta.

    Sidoqoftë, përveç dimensionit politik që mund të jetë hipotetik, Haxhiademi në kuadër të Abelit trajton një çështje sociale-familjare me një rëndësi të veçantë: pra raporti i prindërve me fëmijët. Kjo tematikë i jep dramës, ndër tjerash, edhe karakteristika didaktike. Madje dhe studiuesi Sabri Hamiti tragjedinë Abeli të Haxhiademit e konsideron si veprën me shtrirjen më të madhe moralizuese.[2] Mitit biblik që ndërtohet mbi bazën religjioze, Haxhiademi i jep karakter social-aktual, duke e zhveshur kështu paksa nga religjioziteti. Kjo lëndë që ka të bëjë me zanafillën e njerëzimit, te Abeli trajtohet në mënyrë më komplekse sesa në Bibël. Sepse, siç dihet, në tekstin biblik determinimi tragjik vjen drejtpërdrejt nga Zoti, për shkak se ai nuk ia pranon frutat Kainit, ndërsa qengjin e Abelit po. Më pas, nga zilia, Kaini vret vëllain. Haxhiademi këtë subjekt e ndryshon në një masë, andaj në vazhdim, ndër tjerash, do ta trajtomë më gjerësisht këtë karakteristikë.

     Veprat dramatike të Etëhem Haxhiademit konsiderohen neoklasike për nga natyra – njëjtë edhe tragjedia Abeli. “E reja” e dramës së tij mund të konsiderohet gjuha, karakterizimi i personazheve, konteksti, ndërkaq  “e vjetra” qëndron në ndërtimin kompozicional duke i qëndruar besnik poetikës antike, pastaj rimarrja e përmbajtjeve klasike e kështu me radhë.

    Etëhem Haxhiademin mund ta shquajmë si mjeshtër të tragjedisë, andaj edhe te Abeli e shohim se me sa mjeshtëri i zhvillon ngjarjet duke iu përgjigjur formulës klasike të ndërtimit të këtij zhanri dramatik. Tragjedia Abeli është klasike qoftë për nga kompozicioni i jashtëm, qoftë për nga kompozicioni i brendshëm.

    Për nga kompozicioni i jashtëm, Abeli ndërtohet nga pesë akte të cilat përbëhen me nga tri skena të ndryshme. Ndërkaq, modelin kompozicional të brendshëm në vijim do ta ilustrojmë edhe me shembuj (gjithnjë duke iu referuar tragjedisë së Haxhiademi dhe jo tekstit biblik).

    Modeli i brendshëm kompozicional i tragjedisë Abeli i përgjigjet modelit klasik aristotelian. Shohim që ekspozeu ndërlidhet me pjesën kur nis diferencimi i vëllezërve, gjegjësisht Kainit dhe Abelit nga ana e prindërve, pra Adamit dhe Evës, të cilët janë të vetëdijshëm për një anim të tillë. Kjo më së miri vërtetohet përmes këtyre vargjeve, kur Adami i drejtohet Evës:

    Ndëgjo, o Ev’, nga çunat t’on’ të dy,

    Abeli muë ma shum’ më hyn’ në sy.

    Dhe ti atë ma tepër përgëdhel

    E goj’ e jote thot’ gjithnji Abel. (fq.160.)

    Pastaj, thurja e veprimeve ka të bëjë me mërinë e Kainit, i cili për një diferencim të tillë kërkon llogari, qoftë nga prindërit, qoftë nga vet Abeli, me ç’rast u shtron pyetje të shumta prindërve, me theks, pse ata e çmojnë Abelin më shumë se atë? Megjithëse, nuk merr përgjigje konkrete në fillim. Thurja e veprimeve, ndër tjerash, ka të bëjë edhe me dhuratat që djemtë u bëjnë prindërve. Pemët e Kainit, Adami dhe Eva nuk i pranojnë, ndërkaq flinë e Abelit e mirëpresin me gjithë zemër, madje edhe i thurin urata të shumta dhuruesit. Ky është ndryshimi i mitit biblik që e përmendëm më lart. Teksa te kapitulli biblik dhuratat i drejtohen Zotit, në kuadër të tragjedisë së Haxhiademit, dhuratat u drejtohen prindërve, sepse synohet që fokusi të bie mbi kontekstin social para se atij religjioz. 

    E gjithë kjo ndikon në tërbimin e mëtejmë të Kainit, duke e çuar kompozicionin drejt kulminacionit, i cili ka të bëjë me aktin e vëllavrasjes – pra Kaini vret Abelin. Këtu shënjohet edhe fundi, gjegjësisht shthurja, me ç’rast me vrasjen e Abelit konkretizohet akti i shëmtuar, andaj edhe përfundohet me mallkimin që Adami e Eva i bëjnë Kainit dhe gjithë pasardhësve të tij.

    Sa i përket personazheve, tragjedia Abeli, sikundër edhe miti biblik, ndërtohet prej katër personazhesh që njëkohësisht shenjojnë bashkësinë e parë familjare, nëse shihet në kontekstin religjioz. Pra, kemi të bëjmë me Adamin, Evën, Kainin dhe Abelin.

    Adami dhe Eva përveç në hyrje, gjegjësisht në skenën e parë të aktit të parë, gjatë rrjedhës së tragjedisë, janë të ngjashëm në veprimet dhe botëkuptimet e tyre. Simpatia për Abelin është e pranishme gjithnjë, për të cilën ata gjejnë arsyetime të njëpasnjëshme. Por, mbi të gjitha ato që i dallojnë ndjeshëm dy vëllezërit, nga perspektiva e Evës, janë sjellja, kujdesi ndaj prindërve dhe zemërgjerësia, arsye këto që pohohen/miratohen edhe nga Adami. Kjo dashuri asimetrike bëhet shkas kryesor për fundin tragjik. Madje, Adami dhe Eva janë të vetëdijshëm që një dukuri e tillë do të çojë drejt një zemërimi ndërvëllazëror, me ç’rast fundi medoemos do të jetë i hidhur. Në çastet kur Adami me Evën vendosin që tash e tutje Kainin ta përkëdhelin dhe ta lavdërojnë, ngjarja tragjike veçse kishte ndodhur.

    Kaini, si fëmija/djali i parë i familjes, ka një barrë të dyfishtë. Përveçse duhet të përkujdeset për prindërit, ai duhet t’i rrijë gati edhe vëllait të vogël, Abelit. Andaj, nëse bëjmë një analizë psikologjike të karakterit, mund të konkludojmë që jeta e vështirë, me punë të rënda në vazhdimësi e kështu me radhë, ndikojnë ndjeshëm në psiken e individit. Njëjtë ndodh edhe me Kainin. Kur ai ndodhej në një gjendje të tillë mendore, prindërit ia shtojnë vuajtjet duke mos e inkurajuar me fjalë të mira e përkëdhelje.

    Sidoqoftë, përtej kësaj, Kaini gjithsesi se ka tiparet e ziliqarit, smirëziut e egoistit. Është interesante se si karakteri i Kainit pëson ndryshim prej shfaqjes së tij e deri në fund të tragjedisë. Fillimisht, ai u drejtohet prindërve me fjalët më të ëmbla si: nënë e dashtun, at me vlerë e kështu me radhë, por në vazhdimësi, armiqësia përveç ndaj Abelit iu referohet edhe prindërve. Madje, kjo vërtetohet në fund kur Kaini i thotë Abelit se në këtë botë është i pavarur dhe nuk ka nevojë aspak për dashurinë e prindërve: Dhe po t’më dojë muë nana e im at’/Nuk do t’më bahet jeta ma e gjat’/ I vetëm jam e vetëm do të rroj… (fq. 200.)

    Në anën tjetër kemi personazhin e Abelit, karakteri i të cilit merr tiparet e njeriut pa të meta. Faji tragjik i tij nuk është i brendshëm, sepse Abeli nuk jep asnjë shenjë për të merituar një fat të tillë. Andaj, ky faj vjen si pasojë e faktorëve të jashtëm, gjegjësisht prindërve, të cilët ndaj Kainit shfaqin hapur antipati. Abeli është i vetëdijshëm për këtë dhe në njëfarë mënyre qorton prindërit për një vlerësim të tillë. Po japim një dialog të shkurtër mes Abelit, Evës e Adamit që na e vërteton këtë:

    ABELI

    Nuk asht Kaini kshtu si e gjykoni;

    Ju çdo gabim të vogël ja madhoni.

    Ay më do muë tepër porsi vlla,

    Dhe dashunin me prova ja kam pa.

    Por dhe të ftohët zemrën po t’a ketë

    Për muë, fajin e madh e keni vetë.

    EVA

    Ç’far the? Edhe ky faj po ne na ngel?

    ADAMI

    Pse na ngarkon me faj ti ne, Abel?

    ABELI

    Ndoshta ju prisha zemrën me kët’ fjalë,

    Prandaj ju lutem tepër me m’a falë.

    Kainin me sy t’keq ju e shikoni,

    Se fort ma pak nga unë atë e doni.

    T’a doni ju atë në rradh’ të par’

    Edhe ay muë s’do t’më ket’ nakar. (fq. 194-195.)

    Nga e gjithë kjo, shihet që Abeli si pasojë e këtij vlerësimi të pabarabartë parandien një të keqe që mund të vjen nga Kaini.

    Nëse ndalemi te veprimet dhe botëkuptimet e tyre, atëherë Kaini merr tipare të materialistit, i cili preokupohet vetëm për jetën tokësore: do që gjërat e mira t’i ruajë për vete, t’i shmanget punës, të lavdërohet nga prindërit e kështu me radhë, ndërsa në anën tjetër Abeli i ri ka mendësinë e idealistit, i cili gjithnjë e mendon botën e përtejme, frikohet se mos po bën mëkat, mbron të vëllain verbërisht, madje del mbi fjalët e prindërve sa i përket kësaj çështjeje.

    Një karakteristikë e veçantë është edhe diferenca në moshë mes dy vëllezërve, gjë që e përcakton edhe dukjen e tyre. Kaini është më i vjetër dhe përshkruhet si djalë i fuqishëm me trup të madh e muskuloz. Ndërkaq, Abeli shfaqet si djalë i ri me krah të njomë. Kjo nënkupton edhe dominimin e të madhit ndaj të voglit, gjegjësisht pushtuesit dhe të mjerit. Është rrëqethëse pjesa kur Abeli i ri i lutet Kainit që t’ia falë jetën duke iu përulur para këmbëve. Pastërtia shpirtërore e Abelit te kjo pjesë shkon aq larg saqë i kërkon Kainit që para aktit të vrasjes t’i jap pakëz kohë që t’i lutet Zotit që t’ia falë mëkatet vëllait të tij – kjo gjë e acaron edhe më tej Kainin. Fuqia trupore dhe mosha përcaktojnë edhe punën e tyre, me ç’rast Kaini bën një punë më të rëndë, pra është bujk, ndërkaq Abeli riosh është bari.

    Haxhiademi aktin e vrasjes së Abelit e lë të nënkuptohet, me ç’rast nuk jepet skena e qartë. Megjithatë, para këtij akti jepet një skenë tejet rrëqethëse që ka të bëjë me përshëndetjen e fundit të Abelit me prindërit e tij. Duke ditur kërcënimin me vdekje nga vëllai, ai kërkon nga i ati të dijë më shumë rreth këtij fenomeni. Ndonëse Adami e Eva në fillim habiten nga këto pyetje të çuditshme, i dëftojnë se sa e tmerrshme dhe e dhimbshme është vdekja. Abeli pas kësaj, edhe pse frikohet shumë, nuk tërhiqet mbrapa. Pra, nuk u tregon atyre për kërcënimin, madje mbron Kainin dhe në fund niset drejt vdekjes me vetëdije.

    Sa i përket hapësirës, Haxhiademi në fillim na njofton që ngjarjet zhvillohen në një pyll të Ceilanit, ndërkaq kategoria temporale prej fillimit e deri në fund është e paidentifikuar sikundër që është në mitin biblik. Por, te kjo pjesë, si modelim i brendshëm temporal mund të përmendim se fokusi bie mbi një episod të veçantë të jetës së kësaj familjeje. Akti tragjik ndodh kur Adami dhe Eva janë të moshuar dhe të pa aftë për punë; Kaini i dërrmuar nga puna shumë vjeçare dhe Abeli i ri që bënte një punë më të lehtë në përputhje me moshën. Megjithatë, kohën dhe hapësirën Haxhiademi nuk i ndryshon nga miti biblik, sepse do që fokusi të bie mbi personazhet dhe veprimet e tyre si dhe t’ia ruajë tragjedisë karakterin universal.

    Tragjedia Abeli ka një mesazh të qartë, përmes së cilit synohet ngritja e vetëdijes së familjeve shqiptare në veçanti. Bazuar mbi shkrimin e shenjtë, Haxhiademi në njëfarë mënyre u bën thirrje prindërve që mes fëmijëve mos të bëhen dallime sepse kjo gjë ngjall zilinë dhe smirën, të cilat çojnë drejt shkatërrimit të një familjeje. Andaj mund të themi që kjo vepër ka edhe karakter moralizues e didaktik.

    Si përfundim, mund të shtojmë që, Haxhiademi tragjedinë Abeli e ndërton siç e kërkon tragjedia klasike, përmes një gjuhe krejt të veçantë dhe poetike, me ç’rast vargjet e saj i përgjigjen një rime të puthur të skemës AABB që veprës i japin një ritëm të shpejtë dhe një dramaticitet tejet të madh.

    Literatura

    ARISTOTELI: Poetika, Enti i botimeve të teksteve i Republikës Socialiste të Serbisë, Prishtinë, 1968;

    ELSIE, Robert: Histori e letërsisë shqiptare, Sh.B. “Dukagjini”, Pejë, 2001;

    HAMITI, Sabri: Letërsia moderne; Vepra letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2002;

    HAXHIADEMI, Etëhem: Vepra 2, Faik Konica, Prishtinë, 2000.


    [1]  Etëhem Haxhiademi: Vepra 2, Faik Konica, Prishtinë, 2000, fq. 156. (vargjet e cituara në vijim do të merren nga i njëjti botim)

    [2]  Sabri Hamiti: Letërsia moderne; Vepra letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2002, fq. 564.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË