More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatlum Meholli: Ekzaminimi psikanalitik i individit

    Fatlum Meholli: Ekzaminimi psikanalitik i individit

    Psikanaliza moderne fillon me punën e jashtëzakonshme të Sigmund Frojdit, i cili konsiderohet edhe si nismëtar i aplikimit të metodës psikanalitike nëpër tekstet letrare.

    Siç thekson edhe studiuesi i mirënjohur Tomas Shmitz, nga psikanaliza frojdiane del një ndër hipotezat më të njohura që ndërlidhet me interpretimin e një teksti të lashtë, sigurisht, teorinë e tij mbi kompleksin e Edipit.

    Sipas Frojdit, njerëzit fillojnë jetën pa asnjë ide për subjektivitetin e tyre; për një fëmijë nuk ka kufij të qartë midis “unë” dhe “jo unë”. Në veçanti, në këtë fazë të hershme të jetës së tij ai jeton në një marrëdhënie simbiotike me nënën. Derisa të bëhet i vetëdijshëm që ai dhe nëna janë dy njerëz të ndryshëm, ai e drejton dëshirën e tij drejt saj. Por vendi i të dashurit të nënës është zënë tashmë, nga babai i tij, i cili kërcënon fëmijën me kastrimin (imagjinar). Prandaj, fëmija duhet të braktisë dëshirën e tij erotike për nënën dhe ta shtypë këtë impuls.[1]

    Të tjerat dhe këto konstatime nga shumë studiues të kohës u konsideruan kontroverse dhe nuk gëzuan aplikim të gjerë, por më vonë psikanaliza e Frojdit ndikoi ndjeshëm edhe në studimet letrare.

    “Hoteli i bardhë” i D. M. Thomas, publikuar më 1981, është një vepër letrare komplekse me ndërtim shumështresor që shtron para lexuesit përmes një qasjeje psikoanalitike ngjarje historike, luhatje psikike, dëshirat seksuale të njeriut, traumat e kështu me radhë.

    Romani është i ndarë në shtatë pjesë të ndryshme të emërtuara tematikisht. Si fillim kemi “Prologun”, që ka karakter epistolar, pastaj kalohet te “Don Zhuani”, “Frau Ana G.”, “Qendra e kurimit”, “Vagoni i fjetjes” dhe romani mbyllet me pjesën “Kampi”.

    Siç theksuam më lart romani nis me “Prologun” në të cilin kemi të bëjmë me shkëmbime letrash mes Sandor Ferenzit, Hans Sachsit dhe Sigmund Frojdit – tre psikanalistëve të mirënjohur në botën reale. Letrat në theks të veçantë kanë “Hotelin e bardhë”, gjegjësisht historinë e pacientes së Frojdit, Elizabeta Erdmanin. “Prologu” mbyllet me letrën e Frojdit drejtuar Sekretarit të Komitetit të 100-vjetorit të Gëtes dhe Këshillit të qytetit të Frankfurit, ku ndër të tjerash, kërkon që të botohen krijimet e pacientes në fjalë, me miratimin e saj, dhe një pjesë e punës së tij të inkuadruar brenda:

     Pacientja ime e dikurshme nuk ka ndonjë kundërshtim që ju të botoni krijimet e saj së bashku me punimin që kam futur brenda. Shpresoj që të mos alarmohesh nga shprehjet e pahijshme që janë përhapur gjatë gjithë vargjeve të mjera si edhe nga ato pjesë që janë më pak fyese, por ende pornografike, në shtjellën e fantazisë së saj. Duhet të kihet parasysh që (1) autorja vuante nga një histeri e rëndë seksuale dhe (2) krijimet i përkasin fushës së shkencës ku parimi nihil humanum është pranuar edhe zbatuar universalisht dhe jo më pak nga poeti që i këshillon lexuesit të mos frikësohen e të mos largohen nga “ajo që është e panjohur apo e shpërfillur nga njerëzia, pasi gjatë natës ajo depërton përmes labirintit të zemrës.”[2]

    Prandaj, prej kësaj letre e tutje, romani paraqet historinë e Liza Erdmanit, hebrejes ukrainase, që trajtohet psiqikisht nga Frojdi. Nga seancat e shumta klinike lexuesi njoftohet me fantazinë, ëndrrat, kujtimet e pacientes. Përmes një loje narrative (modeluese) dhe diskursive gjurmohet jeta reale dhe imagjinare e Lizës.

    Një ndër karakteristikat kryesore që na dalin në roman, sa i përket personazhit të Lizës, është shqyrtimi i libidos, që në psikanalitikë ka të bëjë me epshin seksual, ose me instinktin e jetës. Lexis-i i Lizës është i mbushur me shprehje që shpërfaqin skena erotike, me anë të së cilave forcohet ngjizja mes dëshirës së zjarrtë për marrëdhënie seksuale dhe vdekjes.

    Meqë romani gërsheton personazhe reale dhe fiksioanle, atëherë kjo kushtëzon analizën përmes një qasjeje kontekstuale/kohore. Pra, ndonëse jo linear, modelimi temporal përfshin distancën mes vitit 1909 e deri më 1939-1945 – periudhë që brenda vetes ka Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, dhe një sërë ngjarjesh të tjera të rënduara socio-politike dhe socio-ekonomike.

    Këtë fakt e theksuam për shkak se një tjetër veçori e romanit është edhe trajtimi i traumës, e cila si një efekt i fituar ndikon në dekompozimin e sistemit psikologjik të individit/njeriut. Pikërisht një efekt të tillë përjeton Liza. Gjendja e rënduar shoqërore, luftërat e shpeshta, Holokausti, mbijetesa etj., janë eksperienca reale popullore që D. M. Thomas arrin t’i shpërfaq si përjetime karakterologjike. Me fjalë të tjera në mënyrë të përhumbur gërshetohet fakti/realiteti dhe fiksioni. Madje, duke u ndalur në traumat e përjetuara nga individi (Liza), Thomas synon që të analizojë pasojat e ngjarjeve në shoqëri si një tërësi.

    Shkrimet me nuanca pornografike të pacientes Liza, që Frojdi dëshiron t’i botojë, janë “Don Zhuani” dhe “Ditari i Gastainit”.

    I pari ndërtohet në frymën e poemës me vargje narrative. Rrëfehet para profesorit (Frojdit) ngjarja e një gruaje (Lizës) që takon një oficer të ri në tren. Ata menjëherë rrëshqasin në çaste erotike përgjatë udhëtimit për te hoteli i bardhë, i cili në roman na shfaqet si një vend onirik përtej kufijve real. Veçantia e pjesës, ndër tjerash, qëndron në identitetin e oficerit riosh. Ai paraqitet si djali i Frojdit, me emrin Martin.

    Te “Don Zhuani”, dhe jo vetëm, hapësira dhe koha janë krejt universale që shfaqen përmes impulseve të brendshme, duke i dhënë diskursit një karakter onirik të përzier mes sekuencave empirike përpunuar në laboratorin imagjinar të individit.

    Gjersa këngëtarja vagneriane dhe djali i Frojdit kryejnë marrëdhënie seksuale, më vonë nga larg vështrojnë që në hotelin e bardhë ndodhin fatkeqësi të mëdha që sjellin vdekje të shumta.

    Pra, nga kjo që thamë deri tani hetohet se si simultanisht/paralelisht zhvillohen dy kategori: seksi dhe vdekja (Erosi dhe Tanatosi); njëra si dëshirë e ngulitur në instinktin njerëzor, dhe e dyta si një determinim natyror.

    Nga ajo çka dëgjon Frojdi te “Don Zhuani” mbetet i shtangur, pastaj kërkon nga Liza ta analizojë këtë pjesë poetike. Dhe nga kjo kalohet te pjesa tjetër, pra te “Ditari i Gastainit” që dallon krejtësisht nga i pari strukturalisht, por jo aq përmbajtësisht. Themi kështu sepse “Ditari…” mund të merret si një variant në prozë i “Don Zhuanit”. Tashmë rrëfehet nga një pozicion tjetër narrativ, ka zgjerim ngjarjesh e kështu me radhë, duke u përgjigjur veçorive prozaike. Por, vlen të ritheksohet që te “Ditari i Gastainit” kemi të bëjmë me historinë e njëjtë, që ndërlidhet me takimin e Lizës me djalin e Frojdit, bisedat e tyre për të ardhmen, çastet erotike, arritja në hotelin e bardhë e kështu me radhë.

    Pjesa tjetër e romanit vjen pas dy shkrimeve të Lizës, dhe tutje kemi të bëjmë me interpretimin që Frojdi i bën të kaluarës së saj në përputhje me rastet e mëhershme të trajtuara. “Frau Ana G.” nis me rrëfimin e personazhit-karakter, Frojdit, që përshkruan takimin e parë me pacienten Liza:

     Në vjeshtën e 1919-ës një mjek që njihja më kërkoi të vizitoja një grua të re që kishte katër vjet që vuante nga një dhimbje e madhe në sisën e majtë dhe në zonën e legenit, si edhe nga një gjendje kronike në sistemin e frymëmarrjes. Kur bëri kërkesën, ai shtoi së ndoshta kishin të bënin me një gjendje histerike, megjithëse kishte disa shenja të kundërta që e kishin detyruar ta kontrollonte me shumë kujdes me qëllim që të përjashtonte mundësinë e ndonjë organi të sëmurë. Gruaja e re ishte e martuar, por jetonte në shtëpinë e tezes larg nga i shoqi. Ajo kishte pasur një karrierë muzikore shumë premtuese, por të ndërprerë nga sëmundja. (f.107.)

    Nën emrin e fshehur Frau Ana G. (Zonja Ana G.), Frojdi rrëfen biografemat jetësore të Lizës, duke filluar nga mosha e hershme, vështirësitë familjare e kështu me radhë. E lindur në Odesa të Ukraniës, nga një baba hebre dhe nënë katolike, ajo përjeton gjëra tejet të rënda. Fillimisht i vdes nëna në një zjarr të madh brenda hotelit, pastaj raportet e ftohta me babanë, martesa e dështuar e më vonë sëmundja, bëjnë që Frau Ana G. të ketë çrregullime mendore; Ajo gjithnjë sheh përmbytje, zjarr, vdekje, që reflektohen edhe në rrëfimet e saj nëpër seancat klinike.

    Siç tregon narratori-karakter, gjegjësisht Frojdi, Frau Ana G. (Liza) ishte 17-vjeç kur braktis shtëpinë në Odesa për të vijuar shkollimin për balet në Shën Petersburg, ku lidhet dhe mbetet shtatzënë me Aleksin. Por, kjo lidhje konsiston të jetë e dështuar, me ç’rast Liza aborton fëmiun dhe pas një kohe të shkurtër shpërngulet në Vjenë.

    Qëndrimi i Lizës në Vjenë mund të konsiderohet si periudha më e suksesshme e karrierës së saj, sepse arrin të bëhet këngëtare e famshme operistike, por gjithashtu martohet me një avokat po ashtu të suksesshëm. Vjena bëhet vend shumë i përshtatshëm për Anën, për shkak se aty jetonte edhe motra e nënës së saj, Tezja Magda. Ajo çka e mundonte më së shumti Lizën, ishte vdekja e dyshimtë e burrit të tezes. Siç thekson Frojdi, ajo ngulte këmbë që burri i tezes nuk kishte vdekur nga ndonjë krizë zemre, por në të njëjtin zjarr në hotel së bashku me nënën e saj. Andaj, Frojdi në fund të kësaj pjese, pra “Frau Ana G.”, thekson:

     Ka ardhur koha që të përmbledhim çfarë dimë për këtë paciente fatkeqe. Rrethanat nga vitet e hershme kishin bërë që ajo të ngarkohej me një barrë të rëndë faji. Çdo vajzë e re, kur arrin fazën e Edipit, fillon të ushqejë impulse shkatërruese ndaj nënës së saj. Ana nuk bënte përjashtim. Ajo e dëshironte të ëmën të “vdekur” dhe, sikur të kishte fërkuar llambën magjike, nëna e saj vdiq. Në sajë të gjarprit-penisit të burrit të tezes – në parajsën e saj, fusha ishte e lirë për Anën, dhe ajo mund të bënte atë që dëshiron çdo vajzë e vogël, të lindte një fëmijë me të atin. (f. 158.)

    Frojdi konstaton që ndër simptomat kryesore të sëmundjes së Anës janë stërmundimet përsiatëse sa i përket çështjes së nënës dhe vdekjes së saj, duke përmendur gjithnjë hotelin, zjarrin, varrimin, burrin e tezes e kështu me radhë.

    Për të mos rrëshqitur në përshkrime përmbajtjesore, po përmendim shkurtimisht që pas “Frau Ana G.”, te “Qendra e Kurimit” Liza i kthehet karrierës si këngëtare në Milano të Italisë. Bën miq të ri si Viktorin, Verën, mentorin Kedrova. Por, kur këta dy të fundit vdesin, Liza prapë përjeton dhimbje të madhe. Më vonë ajo merr një letër nga Viktori i cili kërkon të martohet me të. Ashtu ndodhë. Liza martohet me bashkëshortin e Verës, Viktorin, dhe së bashku me djalin e tyre të parë Koljën, jetojnë në Kiev të Ukrainës. Raportet e njerkës Liza me Koljën ishin relativisht të mira, dhe gjithçka shkonte në rrugën e duhur.

    Por, te pjesa e parafundit, gjegjësisht te “Vagoni i fjetjes” kemi të bëjmë me kthesën tragjike të Lizës dhe familjes së saj te re. Ngjarjet vendosen dhjetë vjet më vonë – atëherë kur Liza përjeton një krizë financiare, Viktori zhduket si pasojë e qeverisjes sovjetike. Ajo së bashku me Koljën tentojnë mbijetesën nga vrasjet e shumta të hebrenjve, por nuk shpëtojnë dot, sepse ata së bashku me mijëra të tjerë ekzekutohen në Babi Yar nga forcat SS.

    Pjesa e fundit “Kampi” ka një diskurs surrealist që ndërlidhet me botën e përtejme. Ambienti konsiston të jetë Hoteli i bardhë, sikur një kamp për të pastrehët që kërkonin Tokën e Premtuar. Aty Liza së bashku me Koljën, takojnë nënën e saj, pastaj Aleksin (ose A-në) gjithashtu Verën.

    Në romanin “Hoteli i bardhë” të D. M. Thomas, konsiderojmë që psikanaliza luan një rol kyç, sidomos përmes Frojdit si personazh me funksion të veçantë. Gjithashtu përfshirja e koncepteve dhe ideve frojdiane, si kompleksi i Edipit e interpretimi i ëndrrave, na thellojnë në botën e brendshme të Lizës, e cila nëpërmjet terapisë gjurmon kompleksitetin e psikikës humane dhe na bën me dije rolin e psikanalizës për shërim emocional.

    Për fund, ndalemi shkurtimisht edhe te figura e Sigmund Frojdit, që në roman na del si një personazh fiksional i ndërtuar në fakte reale, roli i së cilit është shumështresor. Ai është kyç për zbulimin e thellësive psikike të Lizës duke e ndihmuar atë të përballet me të kaluarën e saj të rëndë. Përveç si terapist i Lizës, Frojdi në roman përfaqëson edhe psikanalizën si fushë e veçantë dhe teoritë e saj. Dy prej teorive kryesore, siç janë kompleksi i Edipit dhe interpretimi i ëndrrave janë të ndërthurura në tekstin romanesk – i pari, siç kemi theksuar sipër, ndërlidhet me raportin e saj me nënën/babanë, pastaj i dyti ndër tjerash lidhet me shkrimet erotike të Lizës e kështu me radhë.

    Gjithashtu, jo më kot, D. M. Thomas ngjarjet e romanit i vendos në fillimet e shek. XX, atëherë kur Frojdi zbatonte në mënyrë rapide fushën e psikanalizës, përmes së cilës kërkohej kuptimi i mendjes njerëzore dhe gjurmimi i të pavetëdijshmes. Andaj, romani ka edhe veçori historike.

    Literatura

    D. M. Thomas: Hoteli i bardhë, OMBRA GVG, Tiranë, 2013;

    Thomas Schmitz: Teoria moderne letrare dhe tekstet antike, Sh. b. Albas, Tiranë, 2019.


    [1]  Thomas Schmitz: Teoria moderne letrare dhe tekstet antike, Sh. b. Albas, Tiranë, 2019, f. 252.

    [2]  D. M. Thomas: Hoteli i bardhë, OMBRA GVG, Tiranë, 2013, f. 23. (Përkth. Pirro Dollani.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË