More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimFabio M. Rocchi: Një mallkim bashkëkohor. Mbi përkthimin italisht të romanit të...

    Fabio M. Rocchi: Një mallkim bashkëkohor. Mbi përkthimin italisht të romanit të Andreas Dushit, “Ballata del tatuaggio”.

    Një brez i ri shkrimtarësh.

    Andreas Dushi ka lindur në Shkodër në vitin 1999. Për rrjedhojë, ai është një shkrimtar i ri i cili i përket gjeneratës Z, rrethanë e cila në Shqipëri, pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, mbart me vete kuptime të veçanta. Zëri i tij do t’i shfaqet lexuesit italian eklektik dhe tërësisht shpikës, i aftë të grisë realitetin me faqe të animuara nga talenti vizionar dhe përshkrues. Në këtë libër është evidente përpjekja – sipas këndvështrimit tim, e arrirë – për t’u distancuar nga një traditë që në Shqipëri ka përfaqësuar dhe përfaqëson ende sot një referencë stilistike konstante: atë të realizmit historik. Nuk është, siç do ta shohim, e vetmja dominante strukturore dhe tematike që ka karakterizuar skenën letrare shqiptare nga mesi i viteve Dyzetë të Shekullit të Njëzetë (pra prej marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha) e deri më sot, por, pa dyshim, alternativa e realizmit shfaqet si një zgjidhje mbizotëruese, ende e preferuar nga shumë prej rrëfyesve të periudhës së fundit.

    Së fundmi, kam patur kënaqësinë të prezantoj në dy raste një antologji tregimesh, e cila, me shumë gjasa, është e destinuar të lërë gjurmë në marrëdhëniet midis lexuesve italianë dhe shkrimtarëve shqiptarë, në cilësinë e një libri dëshmues për vitet e ardhshëm: e kam fjalën për La mamma e l’umidità, vëllim i përkthyer nga Valentina Notaro dhe botuar në vitin 2022 nga Besa Editrice, në brendësi të së cilës shprehen një grup heterogjen zërash bashkëkohorë shqiptarë si Suad Arilla, Andrea Dushi, Flogerta Krypi, Loer Kume, Liridon Mulaj, Dionis Prifti, Rigel Rizaj dhe Brajan Sukaj. Në të dyja rastet, gjatë Panairit të vitit 2022 të Librit në Tiranë, dhe, në maj të vitit 2023, gjatë Sallonit XXXV të Librit në Torino, kam patur mundësinë të reflektoja para publikut dhe para disa prej autorëve mbi veçoritë që e bënin atë libër të dukej i ri në sytë e mi krahasuar me prozën bashkëkohore të prodhuar në Shqipëri.

    Në këtë vëllim, pikërisht një fragment i Dushit, i titulluar Giochi onirici e l’invenzione del tempo, bie në sy si subversiv, veçanërisht i përshtatshëm për të përshkruar një skenar të orientuar drejt përmbysjes së logjikës hapësirë-kohë. Nëse ajo antologji trajton një nga temat më të munguara në letërsinë shqipe të fazës së pas vitit 1991, pra rrëfimin e së tashmes së një vendi që është ripërtërirë me ritme marramendëse, shkrimi i Andreas Dushit përmban një veçori shtesë; ai deklarohet i ndryshëm, pa hyrë në konflikt me asnjë nga mjeshtrit e mëparshëm, por, në të njëjtën kohë, duke instauruar një dialog autoreferencial me prozën e vet, në përpjekje për të hapur një rrugë krejtësisht origjinale brenda së cilës të rreket të rrëfejë vizionet e një imagjinari shumëformësh. Duke vepruar në këtë mënyrë, me atë tregim, e aq më tepër me këtë roman, Dushi ka hequr qafe dy etiketa, të dyja të pakëndshme: atë të rinisë dhe atë të epigonizmit. Ai ka demonstruar një pjekuri të tillë në shkrim saqë do të ishte me vend që ta konsideronim tani e në vazhdim vetëm shkrimtar, pa asnjë mbistrukturë shtesë. Dhe nuk i ka lënë hapësirë krahasimeve të mundshme, të cilat, edhe pse mund të kishin qenë të bazuara në disa raste, do ta kishin bërë më të vështirë një rrugëtim drej afirmimit, rrugëtim të cilën autori ka vendosur ta ndërmarrë në vetmi.

    Një fabul që zhvillohet nëpërmjet fragmenteve.

    Ngjarja respekton njësitë e kohës, vendit dhe veprimit, duke përmbledhur në një ditë të vetme ndodhitë e personazheve të ndryshëm të historisë: një baba, i cili ka bllokuar jetën e vet në një martesë në të cilën nuk beson, vazhdimisht i impenjuar në rievokimin e dashurisë së madhe të së shkuarës derisa, më në fund, e takon sërish në rrethana të çuditshme; një djalë, i dominuar nga ankthe të ndryshme të tipit paranojak dhe i karakterizuar nga pasiguria në vete; një gazetar e shkrimtar i vrullshëm, i cili prej pak kohësh ka krijuar një lidhje me një vajzë që e kompleton dhe i zbut aspektet më rebele të karakterit. Kësaj triade të mirëgërshetuar dhe të pranishme në skenë nëpërmjet blloqeve të dallueshme që alternohen e madje, në disa pika, mbivendosen, i shtohen figura të shumta e domethënëse, përfaqësuese të tipologjive të ndryshme antropologjike, si Mjeshtri i Kuçit apo burri misterioz që vërdalliset buzë autostradës më një zog që i qëndron në sup. Pikërisht akti i zhvendosjes, i vënies në udhëtim, përfaqëson një linjë narrative të përbashkët për shumë momente të historisë, duke konfiguruar një skemë interesante që mund të përkufizohet si e animuar nga reminishenca pikareske të përshtatura për nevojat bashkëkohore, një Wanderung e Shekullit të Nëntëmbëdhjetë e rimenduar ama në një klimë aktuale, falë së cilës jo vetëm krijohen tregime të nivelit të dytë, por edhe, dhe mbi të gjitha, momente larmie stilistike dhe shprehëse.

    Megjithëse montimi i romanit ka një teleologji të qartë, po përpiqem të përmbledh historinë në linjat e saj më thelbësore, duke qenë se vullneti i autorit nuk ka dashur që të gjendemi përballë një sistemi tradicional, në të cilin para dhe pas renditen në mënyrë preçize dhe i ofrohen lexuesit në një sekuencë kohore të sheshtë. Ngjarja zhvillohet në një ditë të vetme shtatori. Babë e bir zgjohen në të njëjtën shtëpi dhe dalin pa aguar ende dita. Fillimisht djali, i cili drejtohet për në Qendrën Tregtare të pozicionuar në skaj të periferisë së qytetit; më pas i ati, i cili, në vijim të një telefonate, ka rilidhur marrëdhëniet me dashurinë e tij të vjetër që nuk e ka harruar kurrë. Të dy hipin në makinë dhe zhvendosen përgjatë së njëjtës rrugë, një superstradë tejet e frekuentuar që përshfaq në të dyja anët peisazhe fshati e periferie post-industriale ku betoni ka shndërruar ambientin në dëm të elementit natyral. I biri takon personazhe të çuditshëm, si gjatë udhëtimit edhe në një lokal të Qendrës Tregtare, ndërsa i ati shoqëron në një udhëtim gjithnjë e më grotesk ish të fejuarën e tij, duke asistuar në një rinim të mbinatyrshëm. Në pjesën e dytë të romanit hyn në skenë Andreas, një intelektual i ri i cili konsumon me kënaqësi akte erotike me të dashurën e vet, duke jetuar plotësisht një mision personal në të cilin vlerat e kulturës dhe të përhapjes së librit janë totalizuese. Në një prej këtyre momenteve intime, që jo rastësisht ndodh në një furgon, në një rrugicë jo larg superstradës që përfaqëson një nga kronotipet e romanit, Andreas vë re shfaqjen në rrethana misterioze të një gjarpri tejet të rrezikshëm, që duket sikur është materializuar nga një tatuazh i pafajshëm në këmbën e vajzës. Nga këtu e në vazhdim, një sërë ekstraktesh të prejardhur nga kode komunikimi të ndryshëm nga ai letrar e i fiskionit (transmetime radio, lajmërime të dhëna nga aloparlantët, faqe gazetash, lajme të shpërndara në web) vazhdojnë tregimin e historisë, në mungesë të një pikëpamjeje dominuese, duke lehtësuar kështu afrimin e epilogut përmbyllës. Vetëm në këtë moment lexuesi arrin të kuptojë domethënien e prologut, një ndodhi e ambientuar në kohët e një Shqipërie arkaike e paramoderne në të cilën një gjarpër – simbol mitologjik e totemik mbi të cilin do të flas në vazhdim – ka hedhur një mallkim të hidhur mbi brezat e ardhshëm të familjes që nuk i është përmbajtur pakteve të shenjta që garantonin bashkëjetesën e paqtë mes njeriut dhe zvarranikut.

    Siç shihet, jemi në prani të një lënde të gjerë, e cila shfaq në disa kalime kyçe një hermeneutikë që lejon fitimin e një vizioni të përgjithshëm mbi seksionet e ndryshme. Pavarësisht kësaj, koherenca e librit garantohet nga një vlerë simbolike që autori ka ditur t’i veshë rrugëtimit logjiko-diegjetik nëpërmjet të cilit shpaloset argumentimi i tij. Rrethana që duhet nënvizuar patjetër, përsa i përket strategjisë kompozicionale, është se historia zhvillohet në fragmente që në pamje të parë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, fragmente të cilat, me përparimin e leximit, ribashkohen në një këndvështrim më të gjerë. Një veçori tjetër është se narratori i gjithëdijshëm është shpronësuar nga akti i rrëfimit; ky i fundit i është besuar këndvështrimeve të ndryshme dhe momenteve episodike në të cilët sistemi i zërave shprehet i pasuruar. Jo vetëm kaq: e tashmja, koha par excellence e rrëfimit live, alternohet me të shkuarën, e manifestuar përmes një obsesioni të vërtetë për ripërpunimin e ngjarjeve të kaluara që ende përbëjnë objekt analizimi të vazhdueshëm nga personazhet.

    Mekanizmi i kujtimit.

    Ai çka ndërpret shumë shpesh linearitetin e veprimit, siç e përmenda, është mekanizmi i kujtimit, nëpërmjet të cilit babai dhe i biri, e më pas edhe Andreas, nuk arrijnë të fshijnë nga mendja imazhe të largëta, të cilat vazhdojnë e i përpunojnë pandalur në kërkim të një kuptimi. Prirja konstante për të parë mbrapa, e manifestuar te tre personazhet, çon në një reflektim interesant. Nga njëra anë, diegjeza formohet nga qeliza zhvillimore minimale, të shpërndara përreth aktit të udhëtimit në makinë. Një akt i cili nuk është funksional vetëm për rindërtimin e një konteksti, kur na tregon personazhet ndërkohë që lëvizin në të njëjtën kohë përgjatë arteries që lidh qytetin me Qendrën Tregtare; spostimi krijon edhe kohezion të brendshëm mes pjesëve dhe justifikon konvergjencën e linjave të historisë drejt climax përfundimtar. Nga ana tjetër – edhe pse në një hapësirë relativisht të ngushtë dhe të kufizuar pikërisht nga rrethana e mësipërme e realitetit – është variabli i kohës ai që zgjeron hapësirat e romanit, duke rimarrë, në një dimension paralel, vende e rrethana të tjera, të cilat, edhe pse janë konsumuar dhe ezauruar kohë më parë, vazhdojnë të rimerren në virtyt të vlerës së tyre simbolike. Bëhet fjalë për ngjarje që përfaqësojnë nyje thelbësore në ato ekzistenca, por edhe për fakte pa rëndësi që, megjithatë, në atë moment të caktuar, marrin kuptime zbuluese.

    Zakoni i impenjimit në një dialog të vazhdueshëm me veten është padyshim i dukshëm në monologjet në të cilët personazhi i djalit torturon vetveten, në betejë me pavendosmërinë e tij. Shfaqet jo më pak edhe në protagonistët e tjerë, duke na lejuar ta trajtojmë besë të tatuazhit tënd edhe si roman psikologjik. Në fabulën e Dushit personazhi bëhet vetëdije; kupton limitet dhe kryen një punë individualiste brenda tyre. Përdorimi i gjerë i fjalimit indirekt arrin të zbulojë qartazi pikat në të cilat tregimi duket sikur paloset në vetvete, duke krijuar hapësira nga ku futemi në botën e brendshme të tre protagonistëve, të cilët shqyrtojnë jetën e shkuar e të tashme duke arritur në një bilanc e duke i dhënë vlerë disa momenteve që deri atëherë nuk kishin arritur t’i interpretonin me vetëdije të plotë. Në këto pika tregimi ndërpritet, duke i lënë vendin përsiatjeve të rastësishme të cilat nuk e bëjnë leximin të thjeshtë apo të menjëhershëm – tjetër rrethanë kjo që klasifikon padyshim romanin e Dushit  si më kompleks, e për pasojë të lëvdueshëm në këtë aspekt, krahasuar me mesataren e romaneve të krijuar në Shqipëri në dhjetëvjeçarët e fundit të cilët kanë ndjekur shumë shpesh një strukturë tradicionale. Krijohet, pra, një plan në të cilin kryqëzimet mes ngjarjeve aktuale dhe momenteve të së shkuarës bashkëjetojnë pa asnjë tranzicion. Këtyre ngjarjeve, si për të komplikuar më tej një sistem zërash e mendimesh mjaft të artikuluar, u shtohet dimensioni i së mbinatyrshmes, i cili krijon një tjetër plan ku perceptimi i reales është qëllimisht i shpërfytyruar, i sjellë në faqet e librit falë vizioneve onirike dhe delirante të protagonistëve. Siç mund të kuptohet, romani merr jetë mbi një destrukturim të kërkuar të rrafshit sensitiv, i cili shpesh vihet në krizë nga projeksionet subjektive të kujtdo që në atë moment ka në dorë pikën e vështrimit dhe, për pasojë, përshkrimin.

    Rëndësia e kujtimit në romanin besë të tatuazhit tënd, nuklidhet vetëm me unin e protagonistëve. Ekziston një konjukturë e dytë dhe ndoshta edhe më e fortë që nënkupton përdorimin e kujtimit jo në kuadër të kujtesës personale, por asaj historike dhe arkaike. Pra, kujtime të zakoneve të zhdukura në kohë dhe që përbëjnë themelet e një shoqërie të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me rrënjët e veta, siç lajmërohet nga prologu. Në fakt, te Gojëdhëna po priste dikë për ta treguar rievokohen rrënjë antike që konsiderojnë figurën e gjarprit si element totemik të shtëpisë, e, njëkohësisht, postulojnë pazgjidhshmërinë e aktit të hakmarrjes, prezent në trojet veriore që prej periudhës mesjetare nëpërmjet Kanunit të shkruar nga krahu i djathtë i Skënderbeut, Lekë Dukagjini. Ky i fundit kishte mbledhur me shkrim pasurinë e atyre normave të trashëguara gojarisht që synonin rregullimin – nga pikëpamja juridike – e sjelljes në ato komunitete. Pra, hakmarrja gjendet në qendër të kësaj kulture arkaike, por Dushi arrin ta rimarrë në një kontekst origjinal, qindra vite larg në kohë, në mënyrë të shpërfytyruar dhe duke i veshur momentit të llogaridhënies një konotacion semantik që arrin të mbajë në ekuilibër – në një vizion të vetëm – elementë folklorikë, letrarë dhe kapitaliste të vonë. Madje, shtohet edhe një referencë ndaj modës së artit pamor të shprehur në trupat me tatuazhe.

    Dialektika mes brezave. Romani në sistemin e zhanreve bashkëkohore.

    Edhe pse i takojmë të vendosur në një nivel të barabartë, në të cilin nuk spikat pozitivisht asnjë nga karakteret, dy personazhe – më tepër se të tjerët – jetojnë një situatë dualizmi opozitar nga e cila mund të nxirren disa sugjerime leximi. Raporti babë e bir nuk karakterizohet nga dashuria, por nga indiferenca. Ndryshe nga e bija, e cila demonstron kërkimin e një dialogu – edhe pse me interes – me prindin, babë e bir nuk kanë asnjë lloj komunikimi e duket sikur nuk janë pjesë e së njëjtës familje. Të vetmet dritare të ndërveprimit emocional mund të shihen në mërinë e ndërsjellë që të dy duket se kanë maturuar gjatë viteve. Është pikërisht në sferën e marrëdhënieve romantike, si dhe në atë të shijeve muzikore, që zbulohet një ndryshim thelbësor gjeneracional midis të dyve. Jemi përballë dy individëve që e përjetojnë dashurinë në mënyra diametralisht të kundërta. Babai e idealizon atë, si një ndjenjë e aftë t’i japë një shtysë emocionale një jete të mbushur me detyra dhe lodhje. I biri e ka frikë dhe, madje, parandalon çdo shpërthim pasioni e çdo mundësi shkëmbimi duke i zhytur ato në një mijë dyshime. Kontrasti bëhet i qartë në konceptimin e sferës seksuale dhe kulminacionit erotik: moment relaksi për të parin, vatër ankthi dhe pasigurie për të dytin.

    Kontrasti mes babait e të birit nuk manifestohet vetëm në ethos-in që udhëheq veprimet e tyre, por bëhet arsye për nënndarje stilistike në Krerët e parë (kështu ka vendosur ta titullojë pjesën e parë të romanit Dushi, duke e dalluar nga e dyta, e cila ndërtohet mbi një bazë rregullash kompozicionale të ndryshme). Kapitujve me numër tek u besohet vizioni dhe rrëfimi në vetën e parë i djalit; kapitujt me numër çift shpërfaqin këndvështrimin e babait, ku, mbështetja në një rrëfyes të jashtëm imponon rrëfimin në vetën e tretë. Kjo ndarje tekniko-formale e bën leximin të larmishëm dhe i lejon Dushit të shprehet në mënyra të ndryshme në varësi të personazhit të pranishëm në skenë. Në këtë ping-pong këndvështrimesh shfaqet edhe një aspekt tjetër, i lidhur sërish me përballjen midis brezave (ose më mirë, kësaj radhe midis anëtarëve të të njëjtit brez) dhe i shprehur në distancën që ndjen djali ndaj moshatarëve të tij. Ndjenja e fortë e diversitetit dhe mospërkatësisë, të manifestuara këto që në moshën shkollore, e bëjnë këtë personazh –qëllimisht të lënë pa emër – krejtësisht të largët e të izoluar nga komuniteti që e rrethon. Anonimiteti dhe karakteri i tij i mbyllur e transformojnë në objektin tallës të preferuar të klasës. Nga ana tjetër, ai nuk është në gjendje të marrë pjesë në mënyrë empatike në rituale gjeneracionale të tilla si festat, muzika rap dhe trap dhe një lloj i caktuar veshjesh.

    Në këtë farë rezistence ndaj aktualitetit të viteve të tij, personazhi i djalit deklarohet – pa e ditur – si bartës i vlerave të kaluara. Falë dy tipareve që karakterizojnë djalin e paaftë për t’u çliruar nga vetja e vet, pikërisht ankthit dhe frikës, romani arrin të përfaqësojë një fenomen tipik të shoqërive perëndimore dhe atyre kapitaliste të vona: çrregullimin bipolar dhe atë obsesion për të qenë performues që ka shënuar gjeneratat e fundit në virtyt të modeleve fitimtare të propozuar nga konkurrenca jashtëzakonisht e lartë. Në disa pasazhe të krijohet përshtypja se po lexon një artikull të specializuar në fushën psikologjike: sulme paniku, shqetësim dhe nervozizëm në vijim të disa ngjarjeve që duket se nuk mbartin asnjë lloj rreziku; shqetësim, çrregullime të përqendrimit, lodhje, dobësim të aftësive ndijore. Simptomatologjia e djalit është plotësisht e besueshme në retorikën e dështimit, një spektër i kohës sonë që duket se është bërë gjithnjë e më i vështirë për t’u shmangur.

    Siç përmenda në paragrafin e parë, do të doja të nënvizoja shkurtimisht për këtë roman veçantinë e mospërkatësisë, në mos tangjencialisht, në narrativën e së shkuarës së afërt shqiptare dhe asaj bashkëkohore. Përkundrazi, më duken shumë më evidente disa lidhje me rrymat e stilit dhe mendimit të rrahura sot nga romani bashkëkohor ndërkombëtar. Përveç përdorimit të autofiksionit – nuk është e vështirë të gjesh një aludim të hapur për unin biografik të autorit pas personazhit të Andreas – mund të përmendim përpjekjet për të kontaktuar me mjediset hiper-realiste dhe vizionare të narrativës më të mirë të kohëve të fundit, me, për shembull, disa ngjashmëri (nuk di sa kanë qenë të kërkuara nga Dushi) me strukturat romanceske të rumunit Mircea Cărtărescu, në të cilat një kapacitet përshkrues i hollësishëm bashkëjeton me dritaret e mëdha imagjinative që projektojnë në skenë shfaqje vizionare të një realiteti tjetër, të ndryshëm nga ai i përditshmërisë. Në vazhdimësi e përputhje të plotë me mohimin e stinës postmoderniste – në të cilën, në fillim të mijëvjeçarit të ri, falë disa përvojave të mëdha narrative të ardhura nga letërsia e Shteteve të Bashkuara (fillimisht Carver dhe më pas Franzen, Roth dhe Delillo ) ishim kthyer në një farë mënyre te realizmi, te një rikuperim i gjerë i formave të mbyllura dhe te një vëzhgim i botës më i matur e i thellë përmes aktit të hermeneutikës letrare – Dushi, pra, tregon se i përket një faze hiper-realiste, në të cilën realiteti i prekshëm shpërfytyrohet në drejtim të dimensioneve paralele e mandej akoma më tej.

    Gjarpri në kujtesën arkaike dhe kulturore të Shqipërisë. Përdorimi i së mbinatyrshmes.

    Së fundi, do të doja të rezervoja disa shënime për praninë totemike të gjarprit në rrënjët mitologjike të kulturës shqiptare. Boshti qëndror i tregimit te besë të tatuazhit tënd është krejtësisht simbolik dhe fokusohet disa herë në figurën e këtij zvarraniku i cili hyn në skenë nëpërmjet legjendës fillestare të ambientuar në kohë shumë të largëta, i shoqëruar nga një dëshirë këmbëngulëse dhe e pangopur – deri në atë moment e mbajtur nën kontroll – për të kthyer mbrapsht të keqen që kishte pësuar. Ai rikthehet drejt fundit të romanit për të justifikuar serinë e fatkeqësive që kanë prekur personazhet, pasi disa prej tyre u janë nënshtruar rinimeve të çuditshme apo vdekjeve të papritura dhe metamorfozave.

    Dushi, me ndihmën e një kodi të lashtë kulturor, kryen një operacion të dyfishtë. Sepse, nëse është e vërtetë që ka referenca të qarta për botën biblike – me një transformim që e shndërron gjarprin në personazh që flet brenda një seksioni të konceptuar sipas rregullave të romanit eseistik ku rikthehen citimet që i riferohen figurës së tij nga Testamentet – është po aq e dukshme sesi rrënjët etnografike të trojeve iliro-shqiptare rimerren e trajtohen disa herë. Në mitet arkaike të zonave ballkaniko-helenike – siç i kanë studiuar Aleksandër Stipçeviq (The Illyrian Art, 1963; Illyrians, 1966) dhe Mark Tirta (Mitologjia ndër Shqiptarë, 2004) – kulti antik i gjarprit ndeshet në shumë legjenda e përralla me origjinë stërgjyshore. Bëhet fjalë pa dyshim për rituale pagane të cilat vendosnin në qendër – qysh prej origjinës misterioze pellazgjike të këtyre popujve – figurën e këtij zvarraniku duke i atribuar atij aftësi taumaturgjike dhe mbinatyrore. Por jo vetëm. Gjarpri kishte fuqitë e një demiurgu dhe, për këtë arsye, konceptohej në një perspektivë ambivalente, siç e gjejmë edhe te Gojëdhëna që po priste dikë për ta treguar:nga njëra anë zotëronte fuqinë për të marrë jetën, e nga ana tjetër mund të mbronte dhe t’i siguronte fat dhe prosperitet individit ose grupit të njerëzve që bashkëjetonin me të në mënyrë paqësore. Gjurmët e kësaj ambivalence gjenden në një legjendë të lashtë, me rëndësi të madhe në mitologjinë shqiptaro-ilire, në të cilën thuhet se në fakt çdo shtëpi banohet nga një gjarpër i fshehur. Besohet se gjarpri mbron shtëpinë dhe banorët e saj. Gjithmonë sipas legjendës, fatkeqësi të llojeve të ndryshme mund të verifikohen nëse gjarpri vritet. Madje, edhe sot te shqiptarët gjarprin e gjejmë të emëruar si «roje i shtëpisë». Edhe në emanacione të tjera mitologjike të këtij arketipi, krijesa magjike si zanat mund të shfaqen nën formën e gjarprit, ndërkohë që ndeshet disa herë metamorfoza e natës dhe e ditës së një të riu, i cili shpesh fshihet pas pamjes së një gjarpri dhe më pas kthehet e merr fshehurazi tipare njerëzore. Një dukuri domethënëse e këtij motivi folklorik dhe mitologjik gjendet në romanin e Ismail Kadaresë Lulet e ftohta të marsit, ku një i ri i shfaqet një vajze gjatë natës, duke e pushtuar atë, në një lloj shkëmbimi flijor të kërkuar nga kreu i familja për të qetësuar zemërimin e hyjnisë së ofenduar.

    Veprimi i sinkretizmit figurativ, i kryer midis burimeve biblike dhe mitologjike, është i dukshëm në këtë pikë: Dushi mbivendos dy fije të rëndësishme kulturore dhe kërkon një ndërmjetësim krijues për to, duke i shtuar historisë elementë magjikë të dallueshëm te zogjtë që flasin dhe te shenjti eremit i Kuçit. Për këtë të fundit përdoret emërtimi Mjeshtër me konotacione që lidhen me fushat e praktikimit të riteve okulte. Fusha semantike më e përshtatshme për të përcaktuar këto individualitete, që sipas besimit popullor vendosen në kufirin mes realitetit dhe magjisë, gjendet në fjalët yshtës, yshtar, yshtare, që rrjedhin nga folja ysht, që do të thotë “të shqiptosh fjalë apo fraza nëpërmjet të cilave shërosh dikë nga të ligat”. Mite dhe legjenda, folklor, referenca biblike dhe elementë tipike të përrallës: Dushi ka arritur të zgjerojë një sistem në dukje të ankoruar në një rrethanë realiteti si ajo e udhëtimit në makinë dhe ka hapur rrëfimin në drejtim të së mbinatyrshmes, duke iu referuar faqeve ndjellëse të një modeli si ai i Mitrush Kutelit dhe mbi të gjitha duke iu referuar sharmit dhe forcës së përfaqësimit të një toposi të marrë drejtpërdrejt nga atmosferat e Shqipërisë paramoderne.

    Reflektimi mbi vendin ku bashkohen përbërësit e ndryshëm që vënë në lëvizje tekstin, në një progresion që e afron lexuesin drejt finales, është një prerogativë thelbësore për të kuptuar tekstin. Ideja e marrjes së një jo-vendi bashkëkohor si bërthamë simbolike është ndoshta intuita narrative më e lumtur e të gjithë romanit. Një qendër tregtare, depozitë dhe vitrinë par excellence për të gjitha mallrat, përfaqësuese e shoqërisë aktuale, bëhet në të njëjtën kohë një hapësirë ​​e shenjtë dhe profane në të cilën hakmarrja arkaike konsumohet së bashku me disa fenomene të destrukturimit të individualitetit. Një viktimë për të cilën është e pamundur të gjurmohet identiteti; ish e dashura e babait që pëson një regresion kohor e rinohet në tualet; metamorfozat shqetësuese të babait dhe të birit. Bëhet fjalë për zhdukje të vërteta, shpërbërje të cilat, edhe pse janë përfshirë në teatralitetin dhe trillimin e hakmarrjes së gjarprit, ruajnë një profil të dyzuar mes dimensioneve të së djeshmes dhe të sotmes, mes së lashtës dhe modernes, sipas një ndërthurjeje referencash kulturore që është kodi stilistik më i saktë për interpretimin e romanit.

    Në besë të tatuazhit tënd është një dëshmi domethënëse e kësaj aftësie për të krijuar ekuilibra midis stimujve të ndryshëm që veprojnë thellë në kujtesën e lexuesit dhe njohësit të letërsisë së këtyre vendeve. Ndoshta, nisur pikërisht nga ky shembull, mund të themi se ka çelur një stinë e re për letërsinë shqipe, në rrethana që më duken shumë stimuluese. Ndodhemi në një fazë ku, pavarësisht se është prekur vetëm në mënyrë tangjenciale faza postmoderniste, iu drejtohemi faqeve të librave me një dëshirë njohjeje autentike, dëshirë që sjell në vëmendje instancat e përfaqësimit të hipermodernes, duke e kthyer vështrimin drejt historive e rrëfimeve të distancuara nga e shkuara, histori të projektuara më në fund në drejtim të ndodhive aktuale.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË