More
    KreuLetërsiBibliotekë"Excelsior", poezi nga Jolanda Kodra

    “Excelsior”, poezi nga Jolanda Kodra

    SHPIRTI

    Ka një kopsht të mistershëm
    Që për të pamaturin vështrim
    Rrugën e ka të mbyllur.
    Ka një kopsht të mistershëm
    Që ia ruan të fshehtën
    Porta e jashtme e hyrjes.

    Po, ashtu si na thotë përralla
    Që me fjalën “Sezam” u çel
    Shpella e magjepsur e thesaret
    Dritëplotë zbuloi, mendojmë
    Se me një fjalë magjike
    Dyert e mbyllura do të hapë
    Lulet e veta dhe do të shfaqet
    Së fundi kopshti enigmë.

    Zemrës po t’ia lypim fjalën
    Që të hapë gardhin magjik
    Do të pëshpërisë ajo: “Dashuria
    shpesh e ka këtë fuqi”.
    Fjalë e ëmbël kjo
    Që shpesh e ka zgjidhur enigmën.

    Veç jo gjithmonë. Ka raste
    Që hyrja e ruan të fshehtën
    (kështu i fshihet vjollca vështrimit)
    Gati me një të pamposhtur
    Mur rrethues ai na shfaqet.

    Ka një kopsht të mistershëm
    Që quhet “shpirt njerëzor”.
    Gjithkush e ka në vetvete.

    Ka një kopsht të mistershëm
    Që shpesh edhe ai që na do
    S’arrin dot t’ia çelë dyert.

    ***
    Endet
    në ajrin e vjeshtës
    floriri
    i gjetheve të dridhshme
    që era
    larg i shpërndan,
    si ëndrra
    të paarritshme,
    megjithatë ndonjëra
    ulet pranë nesh
    me një t’ëmbël
    pëshpërimë
    si një i vogël gëzim
    që vjeshta na dërgon
    që të na japë ngushëllim
    për verën që iku, fluturuese.

    ***
    S’je më, s’je më në zemër tani,
    Ëndërr e largët që në rini m’u ndez,
    Po mendimi im ende me dhëmshuri
    Po të thërret, kujtim që kurrë s’vdes.

    Dhe në të kaltrën e shpëlarë të gjërave
    Dikur të shtrenjta që nuk janë më,
    Ti vjen, e ëmbël dhe ende s’më lë,
    Më ngushëllon në orët më të errta*

    FATAMORGANA

    Ku je, ku je ti vallë, fatamorganë,
    Ti nga artistë e poetë e ëndërruar,
    Vegim ajror bukurie të paanë,
    Që i bën të lumtur shpirtrat e munduar?

    Nga shkëlqimi i diellit e rrethuar
    Apo nga mjegulla dhe melankoli,
    Ti je mbretëria e Muzës së amshuar,
    Atdheu i atij që do t’ëmblën poezi.

    Na tregon tisin e bruztë që mbështjell
    Auxhelikën e bukur tek po rend
    Mes pyjesh të errta dhe të qartit qiell
    Majë kalit, drejt fatit që e pret.

    Ti e bën xhindin e ajrit, Arielin
    Të shkëlqejë me të pastrën bukuri,
    Ti bën çdo gjë, të vërtetë a legjendë
    Të marrë jetë e t’perhershme rini.

    Ti ia shton gëzimin atij që është
    i lumtur
    dhe atij që vjen tek ti i pangushëllim
    vegimi yt i thotë aq shumë
    sa shpirti i tij larg ngrihet fluturim.

    Dhe unë në të largtat vite që s’janë
    Ndiqja ëndërrën e ëmbël që je ti
    Të shihja e të doja ty, fatamorganë.
    Tash të kërkoj e s’të gjej kurrsesi.

    ANKTH

    Në të natës heshtjen aq të thellë
    Shpirti ndjen një shtrëngim që e ndan
    në mes.
    Bien iluzionet që dita të sjell,
    Dynden mendimet si kuaj të zes.

    E ardhmja ngjan e pasigurt dhe e zbetë.
    E tashmja porsi gur në gjoks rëndon,
    “sot” e “nesër” të vështrosh s’guxon
    Që dhimbja mos të bëhet më e mprehtë.

    E atëherë strehë gjen në një të
    kaluar,
    Në kohën e ikur që s’e kthen asgjë
    Dhe që larg ngjan më e gëzuar.

    Të ngushëllon atëherë ai vegim
    Gjërash të bukura që s’të qeshin
    më,
    Fantazmash që thërret plot përgjërim.

    EXCELSIOR

    Në të errtën kupë të jetës
    Ndrin fshehtësia mijëvjeçare e yjeve
    Ashtu si ka ndritur përherë
    Nga thellësia e kohërave.

    Po tash që njerëzit njohën
    Të papërfytyrueshmen heshtje të kozmosit
    Dhe panë poshtë të vërtitet
    Planetin tonë të shtrenjtë.

    Vështrimin sërish ngulin lart,
    Ëndërrojnë përralla të reja
    të mrekullueshme
    Dhe shohin tek yjet
    Atdheun e ri të njerëzimit
    tëardhshëm.

    Dhe koha atëherë s’do të jetë
    më tirane
    dhe njerëzit mbase do të mund
    të realizojnë
    të lashtën ëndërr të rinisë
    së përjetshme.

    1963

    MELANKOLI

    Aromë gjërash të largëta,
    Të tretura në kohë
    E që mandej,
    Nga koha zbutur, zbukuruar,
    Si hije fluide i rikthehen
    Kujtesës.

    Vajtim për çka nuk qe,
    Për çka për ne s’do t’jetë më,
    Për çka shkëlqen më kot,
    Përtej rrethit që i ve cak
    horizontit tonë.

    Hi akoma i nxehtë
    Dëshirash që u dogjën
    Në zemrën tonë rinore
    Dhe, pa lëshuar dritë flake,
    Dalëngadalë u shuan,
    Të panjohura, të pakuptuara.

    Hije të vagëlluarash, jetëshkurtërash
    Shpresa që më s’i besojmë,
    Po që zemra jonë u ngjitet,
    Të rrojë, të mos vuajë.

    Ëmbëlsi si qeni i trishtuar
    Dhe në shpirt ta ndjesh
    Një frikë të pakuptuar
    Nga njëmendësia e padashuruar.

    Muzg i ngadalshëm drite
    Që tretet me butësi
    Duke lënë në hijen që zbret
    Një të ndritshëm refleks.
    1963

    LIQENI

    Pasqyrë e kthjellët e qiellit dritëplotë,
    Liqen, janë ujërat e tua plot qetësi
    Dhe blerimi që pasqyron, një joshje
    Të veçantë merr brenda në atë gji.

    Mes dantellave të lëngëta të blerta
    Mos fshihet vallë një floçkëzë bionde
    Që, e hijshme, magjiplotë dhe e sertë,
    Këdo që afrohet do që ta pushtojë?

    S’e di të fshehtën e ujërave të tua,
    Veç di që rrezaton një të tillë qetësi
    Që si magnet në çast më tërheq mua
    më bën të tretem në këtë kthjelltësi.

    Sa do të desha të ishte ajo qetësi
    Në shpirtin tim përherë të trazuar
    Dhe të prehesha e qetë porsi ti
    Nën atë dritë hëne të praruar.


    JOLANDA KODRA (1910-1963)

    Kritike, përkthyese, poete, me origjinë italiane, ka qenë një nga autoret e njohura të viteve 30-40-të. Pas lufte iu kushtua kryesisht përkthimit. Shkroi edhe një komedi me një akt, të pabotuar, “Tabloja”.
    Në fund të jetës (gusht 1963) shkroi dy lirika që qenë si “Kënga e mjellmës” së saj, “Excelsior” dhe “Melankoli”. Si poete lëvroi lirikën meditative me një ngjyrim romantik. Temat e saj të parapëlqyera qenë natyra dhe enigmat e jetës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË