More
    KreuForumi mbi përkthiminEvalda Paci: Rreth qasjeve ndërdisiplinore në studimet mbi tekstet e vjetra shqipe

    Evalda Paci: Rreth qasjeve ndërdisiplinore në studimet mbi tekstet e vjetra shqipe

    ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
    Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

    Vështrimet që janë kryer në vite ndaj teksteve, por dhe historikut të veprave të letërsisë së vjetër shqipe, kanë bërë të mundur të vihen në dukje jo vetëm aspekte të ndërtimit përkatës, fakt që mund të mbetet në çështje të trajtimit analitik (jo thjesht deskriptiv) të tyre, por dhe faktorë të një rëndësie parësore nëse bëhet fjalë për t’u orientuar më konkretisht ndaj historisë së secilës prej tyre.

    Për të mbetur te disiplinat që mund të përfshihen në rasë të vëzhgimeve specifike, por dhe atyre ndërdisiplinore mbi të tilla vepra, duhet vënë në dukje që detaje që mund të lidhen me periudhën e konkretizimit të secilës prej tyre janë më së pari të karakterit historik, dhe për më tepër, të orientimit sqarues për këdo që kërkon t’i kontekstualizojë këto të fundit në historinë e letërsisë së shkruar shqipe.

    Vepra të ngjashme me ato të letërsisë së vjetër shqipe, dëshmi para së gjithash të një kulture kishtare, por dhe librore e të një kuadri kompleks sociokulturor nuk janë fort të ndryshme nga ekzemplarët që përfaqësojnë letërsinë kishtare në gjuhën tonë, në shekujt XVI-XVII. Madje, mund të gjurmohen një sërë ekzemplarësh që të përafërt në tematikë, në periudhën e përpilimit, të ngjashëm dhe në tekstet përfaqësuese të brendisë së tyre, dëshmojnë lidhjen e qartë dhe ndikimet në zhvillimet e kulturës librore në gjuhën tonë pikërisht në këta shekuj.

    Nëse ka një kuadër që duhet përmbushur më së miri në lidhje me të tilla vepra, pikërisht klima historike që u reflektua në areale të veçanta të ndikimit të kishës së Romës në lidhje me praktikën liturgjike dhe me tekste të veçanta e parësore të saj, përbën të parin element për nga rëndësia dhe vlerat përditësuese për çështje të studimit të mëtejmë të kësaj panorame komplekse.

    Vitet e fundit kanë ardhur sërish në vështrim të studiuesve të periudhës e të kontekstit përkatës historik vepra që përveç se përbëjnë një bazë parësore dokumentare të zhvillimeve të kohës që përfshihet në interesat tona studimore, janë rimarrë në analiza të hollësishme të objektivave saktësuese për zhvillime që hap pas hapi, në lidhje me areale të caktuara kanë karakterizuar kulturën e librit kishtar, në veçanti atij të shtypur.

    Fakti që kur bëhet fjalë për letërsinë e vjetër shqipe, dallojmë mes dokumentesh shkrimore të një natyre fragmentare, ndaj veprash që dhe pse jo të plota në gjendjen fizike të zbulimit më të parë, janë të paracaktuara të ishin në një funksion shërbestar të përcaktuar, nuk ka zbehur interesin ndaj librit të shtypur, me gjithë diskutimet që për një kohë të gjatë kanë shoqëruar e shoqërojnë ndonjë ekzemplar në veçanti.

    Në lidhje me dokumentet që i përveçuam më sipër si fragmentare, çështja e studimit jo vetëm ka zgjatur me vite, por ka kërkuar me plot kuptimin e fjalës ndërthurje kompetencash që burojnë nga njohje të mirëfillta prej disa disiplinash studimore.

    E ka dëshmuar një fakt të tillë studimi kompleks i teksteve që kishin një domethënie kuptimplote në përbërje të korpuseve në të cilat janë gjetur të përfshira, që cek dhe studimin e dorëshkrimeve të një bote me interes të veçantë, siç është ajo e liturgjisë së ritit lindor. E njëjta gjë duhet thënë për Formulën e Pagëzimit (1462), së cilës i janë kushtuar gjithashtu mjaft studime e interpretime, të përqendruara sa në çështje të studimit të grafemave e tejshkrimit përkatës, aq dhe kontekstit në të cilin kjo e fundit u përpilua.

    Perikopeja e Ungjillit të Pashkëve në të vërtetë përbën një tekst të denjë për vëmendjen e studiuesve që ndërkohë që i kushtojnë interes çështjes së përfshirjes së gjuhëve të vendeve në praktikën e liturgjisë, do të duhet të evidentojnë dhe vendin që të tilla pjesë, të menduara për të lehtësuar brendësimin e kësaj të fundit, do të kenë në përbërje dorëshkrimesh, siç paraqitet dhe fragmenti i Ungjillit që duhej lexuar në rasë celebrimesh kishtare. Vetë pikëpamjet dhe gjykimet që u shprehën në lidhje me datimin kronologjik të saj, më tej me përkatësinë tematike dhe përfshirjen në një kodik tipik për një traditë të spikatur liturgjike, dëshmojnë interesimin e qartë në lidhje me vetë tekstin në fjalë, por dhe me çështjet e evidentimit të rendit kronologjik të dëshmive të disponueshme në gjuhën tonë. Pikërisht në lidhje me dokumentin e sipërcituar, rezultojnë të përfshirë paleografët më të mirë të kohës, interpretues të teksteve të një natyre të përcaktuar për nga destinacioni, njohësit më të mirë të traditës së teksteve kishtare të botës bizantine, por dhe studiues shqiptarë që orientoheshin ndaj rindërtimit të një historiku mbi dëshmitë dokumentare më të hershme në gjuhën tonë.[1]

    Veprat e letërsisë së vjetër shqipe në veçanti ofrojnë shtysa që në lidhje me pjesët që gjurmohen në përbërje të tyre, ndërtimin përmbajtësor, të dhënat që jepen përmes vetë autorëve të mund të ndërmerren hulumtime mbi kontekstin historik të përvijimit të tyre, duke qenë se vetë shekujt në të cilët këto të fundit kanë parë dritën e shtypit kanë qenë të shënuar ndjeshëm nga ngjarje e zhvillime të një rëndësie të veçantë në disa pikëpamje. Janë ngjarje që lidhen me vetë reformat kishtare, të domosdoshme në rasë të lindjes së rrymave të reja që u përuruan nga personalitete të dijes, por dhe të kulturës së besimit, ndër të cilët përkthyesit e lëndës biblike kanë një rol të rëndësishëm. Këto ngjarje, të lidhura me vetë gjendjen reale të vendeve ku kisha e Romës ushtronte ndikimin e saj, kanë të bëjnë gjithashtu me pushtimet e zgjatura në kohë, që fuqizoheshin ndjeshëm duke ndikuar dhe në përdorimin në rangje të ndryshme të gjuhës së vendit.

    I diktuar nga faktorë historikë, i orientuar ndaj evidentimit të një sërë çështjesh që kërkonin një institucionalizim normash për t’u përcaktuar apo nënvizuar, dhe vetë KA (1703) përbën një objekt studimi që pa asnjë dyshim duhet parë në lidhje me të tilla zhvillime, të marra në objekt të shqyrtimit nga studiuesit e historisë së periudhës përkatëse.

    Kjo ngjarje që përafron realitetin në viset tona me zhvillime të ngjashme në arealin ballkanik do të jetë një artikulim i qartë i orientimeve që dhe në ndërmarrjet e prelatëve që ne i njohim dhe si autorë veprash të rëndësishme në gjuhën tonë do të kenë një përparësi të dukshme e të shprehur në mënyrë të qartë.

    Si një vepër që reflekton pikërisht dekretet e kësaj ngjarjeje të shënuar për botën e krishterë në viset tona, përmbledhja e akteve përkatëse, e disponueshme në gjuhën latine, por dhe në gjuhën shqipe, përbën gjithashtu një ekzemplar botimi që përmban të evidentuara rrethanat historike, çështje të përshkrimit të gjendjes kishtare në vise ku ushtrohej ndikimi i kishës së Romës, por dhe problematika më të hollësishme, që lidhen drejtpërdrejt me dioqezat në të cilat ky ndikim ishte i ndjeshëm prej kohësh.

    Një brendësim i drejtë i krejt përmbajtjes së akteve të sipërcituara do të lehtësojë së tepërmi dhe vetë problematikat e parashtruara në dy koncilet e mëvona në trojet tona, të cilat ruajnë në orientim dhe më tej, në përbërje dekretesh linja të ngjashme tematike.

    Sigurisht, me diferencimin e qartë që duhet pasur parasysh kur bëhet fjalë për akte të tilla, që reflektojnë më së pari ecurinë e ngjarjeve me rëndësi për botën kishtare arbërore, në të tilla tekste do të jetë e mundur të gjurmohen raste të citimit apo ndërmendjes së vepërzave me karakter doktrinar e kateketik, ndaj të cilave vetë kureshtja kërkimore mbi tekstet e vjetra shqipe ka qenë e mbetet përherë aktive. Qarkullimi i varianteve doktrinare e i ekzemplarëve të katekizmit të Bellarminos S.I. në shekullin e mbajtjes së KA (1703) nuk ka dyshim që është realizuar në dimensione reale e konkrete, ndërkohë që të dhëna mbi një çështje të tillë mund të qëmtohen në vetë parashtresat tekstore që i paraprijnë përmbajtjes së akteve përkatëse konciliare, të botuara më së pari në vitin 1706.

    Vështrimet që mund të orientohen në pikëpamje të studimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe mund të konsiderohen mirëfilli të natyrës ndërdisiplinore, duke qenë se vetë trajtimi analitik i tyre, qoftë dhe në sprovë për të ofruar një qasje të parë njohëse, nuk mund të dalë jashtë një kornize të tillë, që ka në përbërje brendinë e përpilimit, kontekstin historik në të cilin gjeti konkretizim, përmasat e botimit si një objekt që i përshtatet dhe një kuadri kulturor tipik për vetë bibliofilinë në veçanti.

    Si përpilime që për një sërë arsyesh lidhjen me kushtet historike dhe motivimin e krijimit duhet ta përmbajnë në elemente të rëndësishme tekstore si parathëniet, kolofonet, parashtresat mbi ndreqje të nevojshme gabimesh, veprat e kësaj letërsie, dhe pse të përmasave të ndryshme dhe për nga vëllimi, janë objekte interesante studimore.

    Me të drejtë mund të thuhet që pikërisht qasjet ndaj trajtimit përmbajtësor të tyre kanë qenë shtysë për përafrimin në studimet tona të elementeve që gjurmohen dhe në sprovat mbi historinë e librit dhe të editorisë në viset evropiane, më konkretisht dhe në vatra tipike të zhvillimit të kulturës së shtypshkrimit, ndër të cilat Venediku spikat si më të përmendurit e më të trajtuarit.

    Për të konsideruar analizën filologjike si një premisë të domosdoshme për t’iu përafruar brendisë së veprave të sipërcituara, do të duhet që dhe interpretimet ndaj faktorit historik apo dimensionit në të cilin ky i fundit reflektohet në elemente të këtyre të fundit të përfshihen në objektin e saj. Vetë rrugëtimi biografik i autorit në lidhje me realizimin e botimit projektohet në të tilla elemente, në veçanti në sythe në të cilat tradicionalisht këtij të fundit i rezervohej një hapësirë shprehjeje apo interpretimi mbi ecurinë e punës me veprën.

    Në varësi të shkollave të filologjisë apo metodave specifike mbi të cilat këto vepra janë sjellë të botuara dhe të përafruara në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, qasja ndaj këtyre elementeve mund të mos jetë e njëjtë, por falë këtyre botimeve dhe vëmendja ndaj tyre do të vijë më natyrshëm e më e lehtësuar në syrin e studiuesit.

    Historiku i përvijimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe është thellësisht i lidhur me faktorë të natyrës historike dhe me rrethana që në një mënyrë ose tjetër dëshmojnë që dhe këto të fundit ishin pjesë e një panorame të gjerë jo vetëm kulturore. Në lidhje me secilën mund të dëshmohet apo të ketë vend për orientime studimore që marrin në konsiderim praninë apo ndikimin e rrethanave historike që kishin të bënin me areale të caktuara dhe me kulturën përkatëse të lëvrimit të liturgjisë, fakt që konkretizohet dhe në vepërzat me të cilat kjo e fundit aktualizohej.

    E dëshmon një fakt të tillë vetë introduktimi me të cilin filologu frëng Mario Roques pajis botimin e parë fotomekanik të Dicionarit latinisht-shqip të Frang Bardhit, vepër e cila pa dritën e shtypit në vitin 1635, duke paraprirë kësisoj një seri botimesh të një orientimi të përcaktuar në gjuhën tonë që do të gëzonin kujdesimin e Kongregacionit të Propagandës. Falë formimit kompleks në të cilin kompetenca filologjike zinte një vend parësor, Roques vlerësoi objektivisht dhe faktorët e sipërcituar, aq më tepër në vetëdijen e rëndësisë që këtyre të fundit do të duhej t’u jepte dhe në rrethana të përpilimit të një parathënieje që në vështrimin tonë do të mbetet përherë monumentale dhe model i një teksti shkencor introduktiv për një vepër si ajo e Frang Bardhit. Referimi permanent ndaj burimeve dokumentare që kanë para së gjithash vlerën e një dëshmimi historiografik dhe analitik, përbën një element qenësor të metodologjisë së filologut frëng, që nuk mungon të sjellë për studiuesit e lëndës në fjalë tituj doracakësh apo punimesh që do të jenë referenciale dhe për çështje të tjera, që mund të paraqiten të denja për interes hulumtimi në rasë ekzemplarësh për të cilët duhet të dihet më shumë e më saktësisht.[2]

    Në çdo rrethanë duhet pasur parasysh që dhe referimi ndaj faktorëve të kësaj natyre bëhet dhe në përputhje me objektivat e autorit në pikëpamje të parashtrimit të një konteksti të nevojshëm për t’u sqaruar, që në lidhje me vetë zërin që Frang Bardhit do të duhet t’i rezervohej në një panoramë studimore mbi letërsinë e vjetër shqipe duket qartë që janë shtjelluar gjerësisht.

    Njohja e kontekstit për të cilin është folur mjaft në studimet mbi letërsinë e vjetër shqipe, por dhe mbi historinë e shkrimit shqip përbën një argument që për t’u shtjelluar kërkon ndër të tjera dhe marrjen parasysh të shkallës së trajtimit të tij ndër studiues të gjeneratave të ndryshme, në të cilat do të dallojmë në veçanti emra personalitetesh si Gaetano Petrotta, Paolo Schirò, Mario Roques, Nilo Borgia, Justin Rrota O.F.M., Ndre Mjedja, Injac Zamputi, Eqrem Çabej, Selman Riza, Martin Camaj, Namik Ressuli, Luigj Marlekaj O.F.M., Willy Kamsi etj.

    Qasja ndaj këtij argumenti mund të mos jetë e njëjtë në pikëpamje metodologjie, por përbën një premisë të pranishme në dimensione të konsiderueshme, aq më tepër nëse bëjmë fjalë për studime lapidare, të përpiluara nën objektivin e trajtesave që do të përbënin referime të një rëndësie të veçantë për studimet ekësaj fushe..

    Edhe shkalla e përafrimit ndaj teksteve të veprave të kësaj letërsie nuk ka qenë e njëjtë në çdo periudhë të shfaqjes së interesimit ndaj tyre, aq më tepër që në faza të zbulimit apo rizbulimit, vëmendja ishte e përqendruar dhe në nënvizimin e aspekteve që kishin të bënin me vetë historikun e tyre. Në një mënyrë graduale, edhe qasja më e përafruar ndaj këtyre teksteve erdhi si rrjedhojë e përsosjes së shkollave të filologjisë, falë të cilave dhe vetë përmbajtja u projektua në një perspektivë konkrete, por dhe më të prekshme për orientime studimore të disa prirjeve disiplinore.[3]


    [1]  Ressuli N., I più antichi testi albanesi, Giappichelli editore, Torino, 1978, f.43.

    [2]  Burimet dokumentare që citohen në lidhje me periudhën në të cilën flitet për gjenealogjinë dhe veprimtarinë e të afërmve të Frang Bardhit mbeten të një rëndësie të veçantë dhe për studimet e posaçme historiografike, të ndërmarra dhe më vonë nga studiues të së njëjtës problematikë. Këto të dhëna dokumentare përbëjnë në masë të konsiderueshme një bazë të qëndrueshme referenciale për filologun frëng Mario Roques (1875-1961), ashtu si dhe për të tjerë studiues që nën objektivin e përpilimit të trajtesave kryesisht me vështrim historik, u referohen po atyre, duke i shoqëruar dhe me interpretime përkatëse.

    [3]  Ndërkohë në lidhje me çështje të metodës dhe aspekte të njohjes së afërt apo autoptike të teksteve të këtyre veprave dhe tradita përkatëse e studimeve ofron një panoramë për t’u trajtuar mëvetësisht dhe në një përafrim gradual që bën të mundur të dallohen kontribute, qasje dhe rezultate jo përherë të njëjta.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË