More
    KreuOpinion“Është një bisedë në heshtje”: Autorët dhe përkthyesit flasin për lidhjen e...

    “Është një bisedë në heshtje”: Autorët dhe përkthyesit flasin për lidhjen e tyre unike

    Natën e ceremonisë së çmimit të vitit të kaluar Man Booker International dy fituesit u ngjitën në podium, romancierja Olga Tokarczuk dhe përkthyesja e saj Jennifer Croft, por i treti qëndroi në tryezën e tyre duke duartrokitur më shumë se të gjithë. “Isha shumë e ngazëllyer dhe e emocionuar, dhe vazhdoj të jem,” thotë Antonia Lloyd-Jones. E pazakontë në këtë rast është fakti që Lloyd-Jones është përkthyesja tjetër e autores polake, e cila ka bashkëpunuar me të për një kohë shumë më të gjatë, por nuk ishte përkthyesja e romanit fitues, Fluturimet (Flights). Ndërsa përkthyesja tjetër u shpërblye me gjysmën e shumës prej 50.000 paunds, a nuk të ngjall kjo sadopak zili? “Jemi një skuadër, nuk diskutohet, fituesit janë Olga dhe Jennifer-i, jo unë, por gëzohemi të gjithë ne që i kemi kushtuar vite njohjes gjithnjë e më të madhe të librave të saj jashtë Polonisë, dhe është arritje edhe për letërsinë e përkthyer polake,” thotë Lloyd-Jones. “Kjo është një arritje e madhe pas gati 30 vite punë, dhe ka ndikuar që të ecin në treg edhe përkthimet e mia.” Plani i botimeve të autorit-botues Fitzcarraldo përfshin romanin Tokarczuk Plugoji kockat e të vdekurve (Drive Your Plow Over the Bones of the Dead), një eko-thriller i çuditshëm shumë i ndryshëm nga Fluturimet, e cila e përfshiu Tokarczuk për herë të dytë në listën e gjatë të autorëve konkurues për Man Booker International.

    “Çështje besimi”… Përkthyesit Antonia Lloyd Jones, majtas, Jennifer Croft, në mes dhe romancierja Olga Tokarczuk.

    Nuk janë vetëm romanet e autorëve polakë që po përhapen gjithnjë e më shumë. Shitjet e letërsisë së përkthyer kanë njohur rritje prej 5.5% në Britani të Madhe vitin e kaluar, dhe shitjet e letërsisë artistike të përkthyer u shtuan 20%. Ndërsa Britania po kthehet nga vetvetja, e kapur në rrjetën e debatit gjithnjë e më të ashpër mbi largimin nga BE, lexuesit po hedhin sytë tek letërsia nga Evropa kontinentale gjë që shpjegon deri diku arsyen e kësaj rritjeje.

    Jacques Testard, botuesi i autores Tokarczuk, është pjesë e një vale të re të botuesve të pavarur, të cilët shpresojnë për shndërrimin e mëtejshëm të letërsisë së përkthyer në pjesë të pandashme të letërsisë që shkon tek publiku, duke theksuar se vetëm në Britani letërsia e huaj vendoset në seksione të ndara nga ajo e shkruar në gjuhën angleze. “Në Francë, ku një e pesta e të gjithë librave të botuara janë përkthime, lexuesi gjen librat e Balzakut dhe Bolzanos, Italo Kalvinos dhe Emmanuel Carrère-s në të njëjtin raft të librarisë. Vetëm në vendet anglosaksone ato veçohen.”

    Kjo ndarje është mëse e dukshme në botën e çmimeve letrare, ashtu si dhe në librari, me Man Booker International si çmimi më i rëndësishëm ndër shumë grante dhe çmime për letërsinë e përkthyer. Si vendosën Croft dhe Lloyd-Jones se cila do të merrte përgjegjësinë për përkthimin e romanit të Tokarczuk që përfundimisht doli të jetë romani fitues? “Është çështje besimi,” thotë Tokarczuk. “Nuk diskutohet që unë nuk jam përkthyesi i duhur për romanin Fluturimet,” thotë Lloyd-Jones, “por kur erdhi puna tek romani tjetër Plugoji kockat e të vdekurve, Olga tha se duhet ta përktheja unë. Duke bërë shaka, tha se unë dhe Duszejko, rrëfimtarja e çuditshme, 57 vjeçare e romanit, kishim më shumë gjëra të përbashkëta, dhe në njëfarë mënyre kishte të drejtë.”

    Pjesëtarët e skuadrës Tokarczuk mund të jenë të afërt me njëri-tjetrin, por nuk janë aq të lidhur ngushtë sa janë romancieri kinez Ma Jian dhe përkthyesja e tij Flora Drew, e cila është gjithashtu nëna e katër fëmijëve të familjes së tyre. “Flora është personi i vetëm që ka përkthyer librat e mi në anglisht. Erdhi për të më intervistuar në Hong Kong atëherë kur gati nuk kisha asnjë shpresë se mund të përkthehesha në anglisht. Gjuhën kineze e zotëronte shumë mirë, i dhashë kopje të librave të mi dhe i thashë, si me shaka, se mund t’i përkthente në anglisht, nëse kishte dëshirë. E çuditshme ta thuash, por kisha ndjenjën se ky ishte fati i tyre i paracaktuar,” thotë romancieri. Bashkëpunimi i tyre më i fundit ishte për romanin Ëndrra kineze (China Dream), satirë e ashpër që përshkruan kolapsin mendor të një zyrtari të korruptuar qeveritar të pushtetit vendor. U botua në anglisht vjeshtën e kaluar por nuk ka gjasa të lexohet ndonjëherë në gjuhën kineze, të cilin Ma e sheh si versionin origjinal sepse censura në Kinë tani është aq ekstreme, sa botuesit e Hong Kongut nuk guxojnë të kundërshtojnë ndalimin që iu bë para shumë kohësh botimit të romaneve të tij.

    Flora Drew me shkrimtarin kinez author Ma Jia

    Ma flet pak anglisht, kështu që ai flet nëpërmjet Drew si në jetë, ashtu edhe tek vepra e tij. A është sfidë ta ndash çështjet e profesionit nga ato të shtëpisë? “Ma Jian-i që përkthej është qenie shumë e ndryshme nga Ma Jian-i me të cilin jetoj,” thotë Drew. “Nuk ngatërrohen asnjëherë. Asnjëherë nuk kam ndjesinë se po i përkthej fjalët e personit me të cilin sapo kam darkuar, apo i cili sapo ka çuar fëmijët në park. Duke e njohur kaq mirë do të thotë që në një mënyrë të çuditshme mund të shndërrohem në Ma dhe ta bëj përkthimin jo si mike apo përkthyese, por siç do ta bënte ai nëse do ta shkruante librin në anglisht. Ka raste kur gjatë përkthimit ndjej se po bëjmë një bisedë në heshtje me njëri-tjetrin, bisedë për të cilën nuk gjejmë kohë ta bëjmë në jetën reale. Shumë nga librat e tij bëjnë fjalë për vende ku kemi qenë së bashku, ëndrra që i kam treguar për gjëra që kanë thënë thënë fëmijët tanë.”

    Marrëdhëniet midis shkrimtarëve dhe përkthyesve nuk janë zakonisht kaq të afërta, dhe jo vetëm sepse mund të jetojnë mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Sam Taylor, specialist francez që tani jeton në SHBA, është gjithashtu në listën e gjatë të Man Booker International me romanin Katër ushtarë, (Four Soldiers) me autor Hubert Mingarelli, ngjarjet e të cilit zhvillohen afër kufirit rumun në ditët e fundit të luftës civile ruse. Ai ia propozoi vetë librin botuesit “Granta”. Botime të tij në dy vitet e fundit përfshijnë edhe dy romane që kanë ngjallur debat, Ninulla (Lullaby) dhe Adela (Adèle) të shkrimtarit marokeno-francez me banim në Paris, Leïla Slimani. Në asnjë rast nuk u takua me autorët përpara se të merrte për përkthim romanet e tyre. “Nuk më kujtohet të kem patur ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë me Leïla-n gjatë përkthimit të romanit Ninulla, megjithëse ajo më shkruajti një e-mail shumë të bukur falenderimi më vonë,” thotë ai. “Për Adela, kisha një listë prej afro 15 pyetjesh që ia dërgova pas përkthimit të librit (dhe para se ta rishikoja). Iu përgjigj atyre pyetjeve dhe shkëmbyem disa e-maile.

    Në dyshen e krijuar me Slimanin bie menjëherë në sy se Taylor-i është mashkull, ndësa vepra e Slimani-t është shumë e përqendruar tek seksi dhe trupi femëror. A e vuri në dyshim ndonjëherë ndonjëri prej tyre nëse ishte punë që mund të bëhej nga një femër? “Sigurisht që jo!” thotë Slimani. “Littérature është universale. Shkruaj për gratë por shpresoj që burrat mund të identifikohen me personazhet e mia. Dhe Sam-i e zotëroi menjëherë botën e personazheve ashtu si edhe stilin, atmosferën, muzikën që doja të krijoja me fjalë. Është e magjishme kur ti ndjen se dikush tjetër e ka kuptuar dhe e respekton kaq shumë veprën tënde. Kur e lexoj librin në anglisht gjithmonë mendoj se ato janë fjalët e sakta që do të kisha zgjedhur edhe unë.”

    Leïla Slimani, majtas, and Sam Taylor

    Taylor-i ishte i vetëdijshëm për gjininë si një problem i mundshëm, megjithëse, thotë ai,  “as Leïla dhe as redaktorët femra të librit nuk e përmendën kurrë. Në frëngjishten origjinale, të gjitha organet gjenitale, të mashkullit ose femrës, quhen thjesht “seksi”, e cila është një fjalë shumë asnjanëse. Nuk ka fjalë asnjanëse për organet gjenitale në anglisht, gjithçka ka gjasë të tingëllojë ose si fjalë shkencore, ose si pornografike, ose komike, prandaj unë përdora atë fjalë e cila në çdo rast, dukej se i shkonte më së miri kontekstit. Por nuk doja të isha një burrë që imponon pikëpamjen ose ndjeshmërinë e tij tek një protagoniste autore femër, kështu që nënvizova shumicën e fjalëve të zgjedhura në tekst dhe pyeta Leïla-n dhe redaktorët e mi nëse mendojnë se ishin fjalët e duhura. Nuk mendoj se ndonjë nga ato zgjedhje u ndryshua apo madje u vu në dyshim, por më dukej e rëndësishme që të ngrihej si çështje për diskutim.”

    Romancieri dhe përkthyes, i cili u mor me përkthime pasi hoqi dorë nga karriera në gazetari për të shkruar libra në Francë, Taylor-i nuk merr gjithçka që i ofrohet. “E e hodha poshtë mundësinë të përktheja Nënshtrimi të Michel Houellebecq sepse sulmi ndaj Charlie Hebdo-s ndodhi disa ditë pasi mora ofertën. “Nuk ndjej keqardhje,” thotë ai (përkthimin e mori përsipër Lorin Stein, ish redaktori i Paris Review, i cili më pas vazhdoi të përkthejë dy romane nga djali i ri plangprishës, Edouard Louis).

    Letërsia franceze dhe angleze mund të jenë të ndryshme, por siç thekson Taylor-i: “Shumica e gjuhëve evropiane (dhe sigurisht frëngjishtja) mbështeten në një grup deri diku i barasvlefshëm vlerash filozofike si dhe nga një histori e përbashkët.” Po çfarë mund të themi për ato gjuhë që janë produkt i kulturave që kanë pak gjëra të përbashkëta? Përgjigja tradicionale ka qenë se ato rrallë përkthehen, megjithëse hulumtimi i kryer nga Man Booker International tregoi se situata po përmirësohej ngadalë, me një kërkesë në rritje për përkthimet nga gjuha kineze, arabe, islandeze dhe polake.

    “Gjuha kineze dhe angleze janë më larg njëra-tjetrës se çdo gjuhë tjetër,” thotë Drew. “E lexoj lehtësisht një libër në frëngjisht, por pas gjithë këtyre viteve, gjuha kineze ende më mundon, ka shumë personazhe që nuk i njoh ose i kam harruar, ashtu si shumë aluzione  klasike që më shpëtojnë pa i vënë re. Ajo nuk ka kohë foljesh dhe është më e thukët sesa anglishtja, kështu që kuptimi shpesh jepet me anë të kontekstit. Por megjithëse kinezët nganjëherë ndjehen si një univers tjetër, gjithmonë befasohem nga mundësia e madhe e përkthimit, imazhet dhe metaforat mund të përcillen nga njëra kulturë në tjetrën.”

    Ndër nismat që nxisin një gamë më të gjerë veprash të përkthyera është çmimi i ri i BERZH-it, e cila jep 20.000 euro për një libër nga vendet e saj anëtare që propozohet nga sponsorizuesi i veprës, (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shtrihet nga Baltiku në Azinë Qendrore dhe vendet mesdhetare të Afrikës). Çmimi përurues i vitit 2018 iu dha shkrimtarit kurd/turk Burhan Sönmez të përkthyer nga Ümit Hussein. Këtë vit u fitua nga romani i parë uzbek i përkthyer në anglisht, Vallja e Djallit (The Devils’ Dance).

    Autori i saj është Hamid Ismailov, gazetar gjenial 64-vjeçar që erdhi në Londër pak kohë pasi u detyrua të largohej nga Uzbekistani më 1992 dhe që nga ajo kohë ka punuar për BBC-në. Ai dhe përkthyesi, Donald Rayfield, profesor i njohur i rusishtes dhe gjeorgjishtes, u kombinuan prej një shtëpie botuese e re, “Tilted Axis”, e krijuar më 2015 për të mbështetur gjuhët e lënë pas dore. Kur takohem me ta në selinë e BBC-së në Londër, marrëdhënia që ata kanë është mbresëlënëse.“As që e çoja ndër mend të merresha me këtë punë” bën shaka Rayfield-i, “por siç thonë rusët: “Kur s’ke peshk, ha gaforre.”

    Rayfield-it jo vetëm që iu desh të mësonte gjuhën uzbeke për ta përkthyer romanin, por duhej të merrte mësime për gjuhët tartare, farsi, taxhike dhe kirgistanisht. Sa gjuhë flet Ismailov? “Kur flet gjuhën uzbeke” – shpjegon qetësisht romancieri, “kupton shumë nga turqishtja dhe kur njeh rusishten mund të kuptosh shumë gjuhët sllave.” Ai është përkthyes që punon në dy drejtime, midis rusishtes/uzbekishtes dhe gjuhëve të ndryshme evropiane. Disa nga romanet e tij janë përkthyer nga rusishtja në anglisht, por pamundësia e leximit një romani uzbek nga një shkrimtar i ndaluar e pengoi përhapjen e tij në gjuhën amtare derisa interneti e zgjidhi problemin. Ai publikoi kapituj të “Vallja e djallit” në Facebook dhe ato qarkulluan me shpejtësi në pesë vende ish-sovjetike në Azinë qendrore për të cilat personazhi i tij kryesor, shkrimtari i fillimit të shekullit të 20-të, Abdulla Qodiriy, i ekzekutuar në 1938, shihej si hero. Dyshja e përkthyesve është më pak e prirur për të folur për një emër të tretë që shfaqet në faqen me titullin e romanit, John Farndon, të cilit i është besuar përkthimi i poezisë në roman. “Nuk u bisedua për këtë. U zura në befasi nga ndryshimet në përkthimet e mia origjinale,” kujton Rayfield.

    Lindja e vështirë e Vallja e djallit në anglisht nënvizon masën në të cilën përkthimi nuk është vetëm marrëdhënie e dyanshme, por një marrëdhënie e treanshme, e cila përfshin edhe botuesin – personin që merr përsipër rrezikun financiar si partneri i tretë. Shtëpia botuese Tilted Axis u krijua nga Deborah Smith duke përdorur pjesërisht paratë e fituara nga çmimi Man Booker International 2016, për përkthimin e romanit Vegjetariania të autores korean Han Kang.

    Han Kang (djathtas), autore e Vegjetariania, dhe përkthyesja e saj Deborah Smith

    Smith bëri shkurtime të rëndësishme tek Vallja e djallit (megjithëse ende kontrollon më shumë se 400 faqe). Vendimi i saj për të përfshirë një përkthyes të poezisë ishte në përputhje me një traditë të nderuar nga koha në të cilën një poet i caktuar bën më shumë një përkthim të fjalëpërfjalshëm sesa krijues.

    Smith është në pozicionin më të përshtatshëm se shumica për të kuptuar kërkesat e përcjelljes së një vepre letare në një kulturë tjetër. Si përkthyese e tre romaneve të Han, ajo duhej të hulumtonte sistemet koreane të besimit fetar, marrëdhëniet familjare dhe regjistrat gjuhësor. Edhe ajo e mësoi gjuhën posaçërisht për t’i përkthyer romanet dhe e gjeti veten në qendër të një stuhie debatesh kur përkthimi i saj i Vegjetariania u vu në dyshim në aspektin e saktësisë.

    “Një skenë ku personazhi kryesor e mbyll derën me këmbë, dhe jo me dorë, normalisht ngrihet si çështje nga studiuesit korean të letërsisë”, thotë ajo. “Kishte 67 [gabime], meqë ra fjala. Më pëlqen ta them që publikisht në rast se dikush gabimisht hamendëson se është diçka që dua ta fsheh.” Gabimet u korrigjuan në botimet e mëvonshme dhe besimi i Han Kang tek Smith është i palëkundur. Smith aktualisht jeton në Korenë e Jugut dhe po përkthen romanin e një tjetër romanciereje koreane, Bae Suah, e cila do të botohet nga Jonathan Cape vitin e ardhshëm. Ajo nuk është gati të provojë përkthimin në gjuhë të tjera. “Po përpiqem të gjej mënyra të ndryshme për të përhapur ungjillin e përkthimit me anë të botimit, të mësuarit, këshillimit. E bën edhe duke shkruar për të gjitha aspektet e përkthimit: të përbashkëtat midis gjuhëve, debatet për këto çështje, diskutimi me të gjithë njerëzit që merren me procesin e përkthimit.”

    Besnikëria ndaj saktësisë është gjithmonë një çështje e vështirë, siç e pranon romancieri Tim Parks. “Mendoj se zakonisht gabohet tek dhënia e ngjyrimeve të duhura në faqet e çdo libri dhe nganjëherë në mënyrë skandaloze,” thotë ai. Si autor dhe përkthyes ka përvojë në të dyja drejtimet, dhe thekson se përkthyesit shpesh janë lexuesit më të mirë. “Unë kam një përkthyes holandez, i cili vazhdon të më shkruaj dhe të më vërë në dukje gabimet që kam bërë në librat e mi. Mund të jetë gabim drejtshkrimor ose në lidhje me vazhdimësinë, dhe gjithmonë ka të drejtë. Edhe pse herë pas here është diçka shumë e sikletshme, njerëz të tillë skrupuloz të japin mundësinë ta përmirësosh veprën në botimin tjetër.”

    Parks ka shkruar se: “Përkthyesi duhet të bëjë punën e tij dhe më pas të zhduket. Shkrimtari i madh, karizmatik, krijues dëshiron të jetë në të gjithë globin. Dhe gjëja e fundit që ai dëshiron të pranojë është se shumica e lexuesve të tij nuk po e lexojnë me të vërtetë atë. Lexuesit e tij ndjejnë të njëjtën gjë. Ata duan kontakt të ngushtë me madhështinë e vërtetë. Nuk duan t’ia dinë se kjo prozë u shkrua mbi pagat që u duheshin disa njerëzve për të mbijetuar në një garsionerë në Bremen, apo në një apartament shumëkatësh në periferi të Osaka-s. Cili fëmijë dëshiroka të dëgjojë që JK Rowling-u i saj është në të vërtetë një duhanpirës i thekur pensionist?

    Por përkthyesit, sipas kritikut të gazetës New Yorker, James Wood, ndahen në dy kampe të ndryshme, në “origjinalistë” dhe “aktivistë.” “Të parët nderojnë cilësitë origjinale të tekstit dhe përpiqen t’i riprodhojnë ato sa më saktë që të jetë e mundur në gjuhën e përkthyer. Të dytët shqetësohen më pak për saktësinë dhe më shumë për atmosferën muzikore të veprës së re,” ka shkruar ai.

    “Çdo përkthyes i mirë duhet të ketë pak nga të dyja.” Ose, siç e ka shprehur kritikja e kulturës Marina Warner: “A duhet që një përkthyes të veprojë si me një harpë Eoliane, t’u bie telave muzikorë në përputhje me tekstin origjinal për të përcjellur muzikën origjinale, apo duhet që përkthimi të lexohet sikur të ishte shkruar në gjuhën tjetër?”

    “Padyshim ky kategorizim është i thjeshtëzuar, por them se unë jam më afër kampit aktivist,” thotë Taylor, qasja e të cilit duke qenëmë pak Eoliane e vendosi në konflikt me shkrimtarin francez, Maylis de Kerangal. Titulli francez i romanit të saj ishte Réparer les Vivants, dhe Taylor-i e përshtati me titullin Zemra, ndërsa poetja dhe përkthyesja kanadeze Jessica Moore zgjodhi një titull më besnik Mend the Living për këtë histori për jetën e një zemre të dhuruar e cila kalon me nxitim nga një person tek tjetri.

    Përkthimet janë porositur njëkohësisht nga botuesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA dhe të dyja fituan çmime, (Mend the Living rrëmbeu çmimin Welcome ndërsa Zemra fitoi çmimin e Fondacionit francez-amerikan), por De Kerangal u shpreh se Moore është më besnike ndaj romanit, prandaj ajo duhet të jetë përkthyesja e të gjitha romaneve të saj në të ardhmen. “Është mrekulluese të shohësh zgjedhjet e bëra në çdo faqe libri. Fjalia fillestare, për shembull, më jep ndjesi krejt të ndryshme në secilin version përkthimi,” thotë Moore. “Edhe mbiemri i djalit të vdekur është i ndryshëm, dhe është interesante të shohësh që Taylor mbajti mbiemrin “Limbres” që përdor De Kerangal, ndërsa Moore zgjodhi trajtën “Limbeau.”

    Sipas një përkthyesi tjetër të zënë me punë, Frank Wynne, problemet shpesh dalin atëherë kur shkrimtari mendon se e zotëron anglishten më mirë sesa e njeh në të vërtetë. Një nga përvojat e tij më të këqija ishte ajo me regjisorin francez, Claude Lanzmann, i cili  “ndërhynte jashtëzakonisht” në përkthimin e kujtimeve të tij për vitin 2012 me titull The Patagonian Hare. “Ai e hodhi në kosh të plehrave përkthimin fillestar në italisht dhe ripërktheu timin rresht për rresht. Këmbënguli të përdorte frazën “kontratë unilaterale” për një kontratë në të cilën njëri person merr pjesën e luanit. Nuk arrita ta takoj dhe takimi mund të kishte qenë i dobishëm për të krijuar ndjenjën e besimit.”

    Përkthyese nga frëngjishtja dhe spanjishtja, me romane në të dyja gjuhët në listën e gjatë të Man Booker International të vitit të kaluar, Wynne, tani me banim në Meksikë, ka prirjen që marrëdhëniet me shkrimtarët t’i ketë dinamike. “Disa shkrimtarë nuk përgjigjen fare. Çështja është se sa më i suksesshëm është shkrimtari, aq më i madh është numri i gjuhëve në të cilat duhet të përkthehet. Një nga autorët e saj më të shitur, romancieri francez i librave me detektiv Pierre Lemaitre, e zgjidh këtë problem duke i grumbulluar të gjitha pyetjet që kanë 35-40 përkthyesit e tij.

    Jay Rubin, një nga katër përkthyesit që e ka bërë romancierin japonez Haruki Murakami një yll të gjuhës angleze, thotë se mësimi që nxori nga fillimet e veta si përkthyes ishte që të komunikonte me masë me autorin. “Gjëja më e keqe që bëra ishte kur përktheva Kronikat e zogut kurdisës. E takova në Tokio dhe nuk diskutohet që e tërbova duke i bërë pyetje pas pyetje gjatë gjithë ditës. Kjo nuk është diçka e mirë për t’ia bërë një autori.”

    “Mosmarrëveshja më e madhe që kishim ishte nëse të përdornim fjalën “banjë” (bathroom) apo “tualet” (lavatory)… Jay Rubin dhe Haruki Murakami.

    Rubin bashkë-përktheu me Filip Gabriel-in Kronika e zogut kurdisës, sepse kishte tre vëllime, dhe gjatësia e tij e rraskapiti. A bashkëpunuan? “Mosmarrëveshja më e madhe që kishim ishte nëse do të përdorim fjalën “banjë” (bathroom) apo “tualet” (lavatory)…” (Murakami vendosi në favor të fjalës “banjë.”) Por, thotë ai, “Të gjithë ne përkthyesit e përcjellim afërsisht njëlloj tonin dhe stilin e shkrimeve të Murakamit, dhe kjo jo pak falë thjeshtësisë së stilit, zërit të pandryshueshëm rrëfimtar. Nuk ka shumë mënyra për të thënë: “E Diela ishte një ditë tjetër e mirë, e kthjellët.”

    Nëse kjo tingëllon sadopak si qortim duke lëvduar, komplimentin na e ktheu Murakami, kur shkruajti hyrjen e një antologjie me tregime japoneze të pritura mirë nga lexuesi, botuar dhe përkthyer nga vetë Rubin-i. “Disa [prej tregimeve], natyrisht, mund të shihen si vepra “përfaqësuese” por, sinqerisht, numri i atyre që nuk janë përfaqësuese është më i madh,” shkroi romancieri. Si u ndje Rubini? “U mërzita kur lexova “sinqerisht” thotë ai. “Por s’ke ç’farë bën sepse je duke marrë pikëpamjen jo të stisur të Murakamit për librin.”

    Për Ann Goldstein-in, përkthimi i veprës së Elena Ferrante-s, një ylli tjetër të kohëve të fundit, nuk ishte kaq i ndërlikuar. Nuk pati asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me autoren, identiteti i vërtetë i të cilës është një sekret që ruhet me fanatizëm. U zgjodh si përkthyese pas dorëzimit të disa faqeve të një romani të mëparshëm të Ferrante-s, dhe komunikoi me anë të e-maili-it me botuesin e saj. Megjithëse romanet nuk ishin shkruar me dialekt napolitan, dialogu në përshtatjen që ka bërë TV HBO, shkruar pjesërisht nga Ferrante, e përdor atë. “Roli im ka qenë të bëj një përkthim që mund të lexohet në TV HBO,” thotë Goldstein.

    Se sa e vështirë mund të jetë dialekti napolitan, madje edhe për dikë që e njeh me rrënjë italishten, u bë e qartë për autoren Jhumpa Lahiri kur ajo mori përsipër përkthimin e dy romaneve të një shkrimtari tjetër të qytetit jugor të Italisë, Domenico Starnone-s. Lahiri u zhvendos me banim nga SHBA në Romë dhe iu përkushtua shkrimit në gjuhën e vendit pritës, zotërimin e së cilës ajo dokumentoi në një libër tërheqës dygjuhësh, Me fjalë të tjera. Njohuritë e thella të italishtes standarde nuk i vlejtën për gjuhën që përdor Starnone. “Për një pjesë të gjuhës së shkruar në dialekt përdora intuitën. Shprehje të tjera, të mbushura me dhunë dhe errësirë, u përkthyen me mirësjellje në italisht për mua nga vetë Starnone,” tha ajo. Marrëdhënia e punës së Lahirit me Starnone-n është një bisedë pasionante ndër-kulturore, e cila nëbashkëpunimin e tyre të fundit për romanin Kurthi (Trick), përfshiu diskutimet për Kafkën dhe Henry James-in. Në promovimin e organizuar në Londër vitin e kaluar, një lexues i frikësuar pak si tepër e pyeti nëse ishte e nevojshme të kishe njohuri të gjera për ta lexuar librin.“Aspak,” u përgjigj Lahiri. “Për shumicën e lexuesve është thjesht historia e një gjyshi të cilit i është besuar përkujdesja për nipin katër vjeçar.”

    Jhumpa Lahiri dhe Domenico Starnone

    Starnone tani do të përkthejë në anglisht për Lahir-in, hyrjen për botimin italisht të librit të saj të ri të Tregime italiane që do të botohet nga Penguin Books. Por sfidën më të madhe do ta ketë ajo: përkthimin në anglisht të romanit të saj të parë të shkruar në italisht Dove mi trovo të botuar tashmë në disa gjuhë të tjera. “Ideja e një vepre që e kam shkruar vetë e cila nuk ka marrë jetë në anglisht mbetet interesante,” thotë ajo. “Problemi është si ta përkthej veten përsëri? Mendërisht duhet të shkoj në një vend ku brenda meje janë dy njerëz.”A është vetë-përkthimi marrëdhënia më e ngushtë midis një shkrimtari dhe një përkthyesi? Mbase jo. “Në gjuhën kineze,” thotë Ma Jian, “shpirti binjak përshkruhet si zhiyin, dikush që “e kupton muzikën tënde” dhe për mua e tillë është Flora.”

    Përktheu: Granit Zela

    Shkrim i gazetës britanike “The Guardian”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË