“Anjeza nuk u zgjua”, është një roman që të kënaq shijen e leximit dhe në të njëjtën kohë, përçon edhe mesazhe universale. Aty personazhet duket sikur janë viktimë e kohës që po jetojnë, por në fakt janë peng të një keqkuptimi universal. Diktatura qëndron si hije në këtë roman, ajo shfaqet aty vetëm nëpërmjet bijve; ajo në fakt, më shumë se e frikshme, na del si dekompozuar; ndonëse dekadenca e saj, nuk i shpëton dot personazhet e Zogajt nga gjykimi i historisë. Kjo, me sa duket, është një zgjidhje autoriale për të legjitimuar periudhën e gjatë të tranzicionit shqiptar.
Më shumë sesa një akuzë për diktaturën dhe shërbëtorët e saj, ky roman është një fishekzjarr në qiellin e paepur të burrërisë shqiptare. Femra, pikësëpari është nëna, pastaj motra, vajza dhe e dashura hipotetike e jona; nëse ne duam të ndërtojmë një botë më të mirë për fëmijët tanë, shoqëria shqiptare, burrat kryesisht, duhet të ndryshojmë qasje ndaj femrës. Ky është mesazhi thelbësor i veprës së Preç Zogajt. Rrethanat janë të përkohshme, qoftë edhe ato më diaboliket; kurse ajo që ngelet është mesazhi universal. Dashuria është diçka që kërkon dy vetë, të dy në të njëjtin nivel dhe me respekt reciprok për njëri-tjetrin; në këtë këndvështrim, femra, as mund të ngrihet në olimpin sureal të romantizmit, as mund të mund të konsiderohet si aksesor për të përmbushur nevojat selsuale të mashkullit.
E gjitha kjo, transmetohet në mënyrë të natyrshme te lexuesi, si duke sjellë në kujtesën e bashkëkohësve të autorit vitet e bukura të rinisë së tyre, ngyrthyer me ngërçet djallëzore që kurdisnin autoritetet e kohës; ashtu edhe duke ravijëzuar para brezit më të ri, një botë të panjohur, sa idilike aq edhe paksa sureale për këndvështrimin e sotëm. Aty personazhet ndjejnë, dashurojnë, mëdyshen, si në të gjithë botën dhe si në të gjitha kohërat; por kurthet që u ngre pushteti, janë tipike staliniste dhe anadollake në të njëjtën kohë. E keqja e përkohshme që ka kaplluar Shqipërinë, paraqitet si një vazhdimësi e një të keqeje më të madhe, e cila nuk na shqitet nga sholli i këpucës, edhe pasi supet nuk e ndjejnë më peshën e diktaturës. Anjeza vendos të mos zgjohet, pasi ajo nuk e pranon mëshirën, bile as dashurinë e tjetrit; ajo kërkon të ndihet e dashuruar dhe e gjithpranuar në zgjedhjet e saj. Atë, më shumë sesa dhuna e bijve të etërve me pushtet, e vret kujdesi i fisit për emrin e vet e të sajin, e vret frika dhe paragjykimet e njerëzve të mirë, e vret kujdesi i të dashurit që kërkon të ndërtojë një ekulibër mbi këtë sistem të kalbur vlerash.
Davidi është ndoshta, përsonazhi më i pambrojtur i këtij romani, ai dashuron e dashuron me gjithë shpirt, ai është gati të sakrifikojë edhe dashurinë e tij për hir të femrës që dashuron, për hir të avenirit të saj. Ky është një hap shumë i madh përpara, në rrugën e emancipimit të mashkullit apo burrit shqipëtar, por kjo nuk mjafton. Kjo nuk mjafton, pasi ai nuk shkëput dot fijet e nëndheshme që e lidhin atë dhe fisin e tij, fisin e shqiptarëve pra, me sistemet e ashpra të kodeve që u siguruan atyre mbijetesën, në botë akoma më të ashpër, ku fise e kombe “shuhen permbi dhe”. Davidi duket si pararendës i njët epoke të re të shoqërisë shqiptare, ai e tund pareshtur flamurin e modernizmit, qoftë edhe kur hesht apo kur fshihet; megjithatë, sakrifica e tij nuk vlen për asgjë. Ai arrin të anashkalojë vetveten, biles edhe të kapërcejë vetveten, por nuk kapërcen dot traditën; kjo është një peshë shumë e rëndë për gjunjtë tij. Pikërisht kjo dobësi, është ajo që e vret Anjezen; ndonëse Davidi nuk ka faj, atij po i kërkohet më shumë sesa mund të mbajnë shpatullat e tij. Ai dështon, por rizgjimi i kombit shqiptar është rrugës, askush nuk e ndal dot emancipimin e mëtejshëm të tij. Davidi është një hero i ndërmjetëm, një hero pa emër; ky është fati i trishtë i tij, kjo është tragjedia e burrave shqiptarë të kësaj kohe.
Duket sikur autori ka rënë në pesimizëm, por duke studiuar vetjet e tij të personalizuara, më rezulton se, më shumë kudo tjetër, ai gjendet i personalizuar në personazhin e Anjezës dhe jo në personazhin e Davidit, siç mund të mendojë lexuesi natyrshëm. Dihet se personazhet, janë të gjitha produkt i mendjes krijuese të autorit, por sidoqoftë, në njërin prej tyre, autori shpërfaqet më lirshëm dhe ngërthem më tepër gjendjet e veta emocionale. Në analizën që i bëhen prozës së Marsel Prustit, janë zbuluar deri në katër vetje që përsonifikojnë autorin; njëri është përsonazhi kryesor dhe mendimet e tij, pastaj është personazhi që po tregon, qëndrimi i autorit dhe së fundmi një tjetër qëndrim autorial, përtej autorit të asaj proze. Të të katërt këto vetje, i gjen edhe te proza e Zogajt; por le të kthehemi tek vetja e parë: Pse Anjeza e jo Davidi ???
Njihet në letërsinë botërore, kompleksi i të vërtetës. Nuk ka perëndi më të adhuruar se “e vërteta”, por, në të njëjtën kohë, nuk ka demon më vetëshkatërrues se ajo E vërteta fle diku brenda nesh dhe arrin të dalë në publik, vetëm nëpër disa filtra të komunikimit me publikun, nëpërmjet të cilave ne shpëtojmë marrëdhënien tonë “tjetrin”, domethënë me shoqërinë ku jetojmë. Në këtë koncept, Zogaj ngjan më Davidin, kurse në gjithë të tjerat ai gjendet te Anjeza. Kur autori i këlthet në fytyrë shoqërisë shqiptarte, duke i kërkuar të ridimensionohet duke i dhënë femrës vendin e respektin që i takon; ai në fakt, fsheh një mesazh akoma më të fuqishëm mes rreshtave: Respektin ndaj njeriut e vlerave njerëzore. Dhunimet janë të shumëllojshme e të natyrave të ndryshme, ku ajo fizikja nuk është as më tmerrshmja, as ajo që lë gjurmë më të thella. Se çfarë ndodh me ndërgjegjien e njeriut të dhunuar, trysnuar apo qoftë edhe vetëm të flustruar, është e vështirë të imagjinohet; e njëjta gjë mund të thuhet edhe për imagjinatën krijuese, muzën apo magjinë e artit. Një kumt duket sikur godet mes rreshtave; Anjeza, apo Zogaj nëpërmjet saj, ka një mesazh për njerëzimin dhe ky mesazh, përtej respektit ndaj femrës, përrtej respektit ndaj hirearkisë së vlerave; ka edhe një mesazh më të rëndësishëm, që ka të bëjë me dashurinë për njeriun, ashtu i papërsosur siç ai është.
Gjuha e Zogajt është gjuha e personazheve, në kohë e në hapësirë; por edhe gjuha e kohës, në standartin e pranuar apo të imponuar. Koherenca e kohezioni janë si ylli i polar në një qiell që nuk mbulohet kurrë me re; ashtu siç rimarrja e temës është lajtmotiv kryesor i këtij romani, duke rezikuar deri në kufinjtë e lodhjes së dëshirës, por pa e humbur elementin hedonist të leximit, të ruajtur me mjeshtëri prej autorit. Padyshim që ky roman, përbën një nga majat e prozës shqipe, qoftë përsa i përket stilit, gjuhës e formës; por sidomos, përsa i përket mesazheve që përçon dhe shpirtrave që trazon.
Lezhë, 18.12.2019