More
    KreuLetërsiBibliotekë"Epitafi i munguar", tregim nga Florenc Shaini

    “Epitafi i munguar”, tregim nga Florenc Shaini

    Hë, çfarë po ndodh? – pyesnin burrat, sapo njëra prej grave hynte në dhomën e tyre me një tabaka në duar, mbi të cilën mezi gjenin vend të mbanin ekuilibrin dhjetë filxhanë kafeje.

     – Akoma asgjë, – thoshte gruaja tërë pikëllim dhe i lëshonte kafetë mbi tryezë.

     Të gjithë burrat psherëtinin dhe zgjatnin duart nga filxhanët, duke vështruar plot nënkuptim njëri—tjetrin.

     – Shumë e zgjati, – tha njëri prej tyre kur gruaja doli.

     – E pra, – ia ktheu një tjetër, i cili nuk e kuptoi thelbin e fjalëve të shokut. – Po vuan shumë, i shkreti!

     – Sa shkoi ora? – pyeti një burrë plak, i ulur në qoshe.

     – Nëntë e gjysmë, – u përgjigj me padurim dikush nga fundi. – Vajti vonë.

     – Po, vonë, – tha plaku dhe nxori një cigare të dredhur.

     – Nuk po pushon edhe ky i uruar shi, – u përpoq të hapte një bisedë tjetër një burrë ndonja dyzetepesëvjeçar. Gjithsesi kjo dukej diçka e pamundur, sepse askush nuk u përgjigj, veç kthyen kokat nga korridori.

     Për disa çaste ra një heshtje e thellë, dëgjohej vetëm zhurma e shiut që përplasej pas xhamave dhe hapa të lehtë në dhomën tjetër, ku gratë, me lëvizje të mësuara në kushedi sa raste të tilla, vërtiteshin të shqetësuara rreth njeriut të shtrirë në krevat.

     – Kështu pra, kështu, – u dëgjua një përgjigje e vonuar, kushedi për cilin nga burrat e ulur në dhomë.

     – Po i biri ka ardhur? – pyeti për herë të dytë ai plaku i ulur në qoshe.

     – Ka ardhur, – iu përgjigj i njëjti zë dhe gogësiu. – Njëra nga gratë e thirri matanë.

     – Aha, – ia bëri gjithë nënkuptim plaku dhe vazhdoi të thithte cigaren.

     Dikush prej burrave hapi një bisedë për zgjedhjet e afërta dhe debati politik u ndez keqas, por pa armiqësi. Në dhomë hyri përsëri gruaja e mëparshme, duke i lutur të mos bërtisnin. Të gjithë heshtën dhe vështruan orën, pastaj kthyen kokat nga dera e hapur.

     – Vajti vonë, – pëshpëriti përsëri ai zëri nga fundi i dhomës, ndërsa të tjerët rrudhën supet, sikur shiu i errët që binte jashtë t’u kishte hyrë në trup.

     – Po heq, i ziu, – tha dikush.

     Asnjëri nuk iu përgjigj këtyre fjalëve që kërkonin respekt, të cilin vetëm heshtja mund ta jepte. Në korridor kishte gjallëri më shumë se në çdo vend tjetër të shtëpisë. Gra dhe burra që dilnin të heshtur secili nga dhoma e tyre, shkëmbenin aty fjalë me zë të ulët dhe pasi jepnin një gjykim të shpejtë, largoheshin duke ngushëlluar me pikëllim njëri—tjetrin.

     – Hë pra? – pyeti njëri prej burrave që kishte dalë në korridor. Dy nga gratë që qëndronin aty me duart kryqëzuar mbi gjoks, me fytyra të zbehta ku dallohej hija e një nënqeshjeje të pakuptueshme, tundën kokat në shenjë mohimi, domethënë asgjë nuk kishte ndodhur akoma. Burri vazhdoi hapat në drejtim të dhomës tjetër, ku edhe po zhvillohej e gjithë ngjarja e kësaj dite kaq të gjatë, së cilës ende nata nuk po arrinte t’i jepte dot fund. Burri zgjati kokën brenda derës dhe vështroi katër gra bashkë me të birin e njeriut që lëngonte, të mbledhur rreth shtratit të tij. U dëgjua zhurma e një rrobe që u gris.

     – Çfarë po bën? – pyeti njëra prej grave shoqen, kur pa se tjetra po nxirrte disa shiritë prej një bluze të vjetër, të cilën po e priste me gërshërë.

     – Po bëj disa fasho, për t’i lidhur këmbët dhe nofullën, – pëshpëriti ajo duke treguar nga njeriu që po lëngonte. Kjo nënkuptonte momentin kur ai do të vdiste. U duk sikur ai reagoi pas këtyre fjalëve dhe lëvizi paksa në shtrat.

     – A merr frymë? – pyeti një grua tjetër. Pastaj, pa pritur përgjigjen u afrua pranë të sëmurit dhe i vuri veshin pranë hundës dhe gojës. – Nuk më duket, – tha dhe vështroi gratë e tjera.

     Njëra prej tyre ndezi një qiri tjetër dhe dhoma ndriçoi akoma më shumë.

     – Mirë bëre, – i tha gruaja më e vjetër. – Iu prehtë shpirti!

     Për një çast u duk sikur i lënguari reagoi dhe pothuaj lëvizi padukshëm. I biri, i verdhë limon vështronte gjithçka me sy të çoroditur dhe të lodhur, pas udhëtimit prej dymbëdhjetë orësh me autobusin më të parë, që vinte prej vendit të huaj ku ai punonte.

     – Ja, edhe djali të erdhi! – i foli të lënguarit më e moshuara prej grave. – Ja ku është, të keqen motra! Hajde bir, merre babanë në krahë!

     I biri vështroi nga tre gratë e tjera dhe pasi ato i bënë shenjë të shkonte, u afrua pranë të atit.

     – Merre babanë në krahë, që t’i dalë xhani.

     U duk sikur i lënguari reagoi pas këtyre fjalëve. Gjithsesi mjekët atë ditë i kishin lajmëruar familjarët që ta merrnin prej spitalit në shtëpi të sëmurin, pasi orët i kishte të numëruara.

     Djali e kapi të atin për krahësh dhe e ngriti ndenjur, duke e afruar pranë vetes. Të lënguarit i gërrhiste gjoksi.

     – Ashtu bir, ashtu! – tha e motra e të lënguarit. – Ashtu mbaje, që t’i dalë xhani.

     Në dhomën tjetër ku qëndronin burrat kishte hyrë një shqetësim i padukshëm, që kishte lidhje me atë që po ndodhte në dhomën matanë. Diçka ishte duke ngjarë, ajo që pritej gjithsesi dhe po ndodhte pikërisht në atë moment. Dikush rregullonte këmishën, një tjetër shuante cigaren, dikush i jepte fytyrës seriozitetin e atij çasti për të cilin kishte ardhur qysh në mëngjes. Pas gjithë këtij orientimi dhe rregulli të dhimbjes së padukshme, që pritej të shpërthente, në shtëpi ra heshtja. Pritej që dikush nga dhoma tjetër të vinte dhe të lajmëronte të pashmangshmen, që do t’i çlironte të gjithë.

     Në fakt, dhe askush nuk e vuri re, hyri brenda burri i vetëm që kishte shkuar në dhomën e të lënguarit për të parë ç’po ndodhte. Ai shkoi te karrigia e tij dhe mori aty pallton, të cilën e veshi pa teatralitetin e nevojshëm në të tilla raste. Vetëm kur u mat të dilte nga dhoma nervoz dhe pa gjëmë në sy, plaku i ulur në qoshe u kthye drejt tij tërë vëmendje.

     – Ku shkon? – e pyeti.

     Burri ktheu kokën dhe vështroi të tjerët përreth, të cilët qenë sistemuar sa më mirë të ishte e mundur dhe po prisnin të ngurosur. U mat të përgjigjej hollësisht, pastaj mori frymë dhe tha vetëm:

     – Ai kërkoi ujë.

     Në dhomë s’pipëtinte asgjë.

     – Çfarë? – pyeti plaku i ulur në qoshe, pasi nuk e dëgjoi.

     – Ai kërkoi të pijë ujë, – tha burri për të sëmurin dhe doli jashtë.

     Dëgjohej vetëm zhurma e shiut që përplasej pas xhamave. Ata që e kishin shtëpinë më larg u ngritën të parët, uruan natën e mirë dhe shërim të shpejtë, e dolën me një pamje të pakënaqur për sakrificën e kotë të gjithë asaj dite. Më vonë dolën edhe të tjerët dhe në fund fare ata më optimistët, se ndoshta gjendja do të keqësohej sërish. Midis tyre ishte edhe një djalë i ri. Ai hapi çadrën dhe nën shiun që binte nisi të mërmëriste një strofë, të cilën nuk mbante mend ta kishte lexuar diku, e që më e mundshmja ishte ta kishte menduar vetë atë natë: “Jemi racë njerëzore të gjithë,/ plot frikë, që veç vdekja prej shpirtit do na e shkulë-/ e atëherë do jemi me të vërtetë të lirë,/ pa ankthe, pa pasione, pa ëndrra, pa zinxhirë!”

     Ky ishte ndoshta epitafi i munguar për mbrëmjen që qëndronte pezull mbi kokën e secilit prej tyre.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË