More
    KreuIn memoriamEnver Kushi: Vikamat e tingujve të Feim Ibrahimit

    Enver Kushi: Vikamat e tingujve të Feim Ibrahimit

    Dhe do të vijë heshtja

    Se çdo vikamë fillon

    Dhe mbaron me heshtje…

                                              Migjeni

    Shënimet për librin e Vera Ibrahimit “Vikama e tingullit”, i gjeta rastësisht, teksa shfletoja librin e saj… Mbaj mend, që në shtator ose në tetor të vitit 1997, Vera do të më jepte për të lexuar, faqen e parë të librit. Ishin orët e paradites dhe unë në këmbë, në zyrën e saj të vogël në Ministrinë e Kulturës, e lexova dhe rilexova disa herë atë faqe. Më bëri përshtypje kultura e të shkruarit dhe emocioni që përcillej në ato pak rreshta. Dukej një dorë e stërvitur. Ja thashë menjëherë këtë. Ajo, si gjithmonë modeste dhe fisnike, më falenderoi. Pastaj shkova në zyrën time dhe nga dritarja, hodha vështrimin jashtë. Dukej godina e Qeverisë, bulevardi i pluhurosur dhe ushtarë të armatosur në trotuarin përballë. Ishte vjeshtë e trishtë, me pluhur, krisma, netë dhe ditë ankthi, lajme absurde nga një Shqipëri absurde, katandisur kështu fatkeqësisht nga një politike tej absurdes. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, ishin me plagë. Por Vera ishte shumëfish e plagosur. Fillimgushtin e 1997-ës, në Torino, kishte ndërruar jetë, bashkëshorti i saj, një nga kompozitorët më të shquar e më fisniku i racës së artistëve shqiptarë, Feim Ibrahimi… Ishte një humbje tronditëse për Shqipërinë e më gjerë… Vera Ibrahimi me dinjitet përballoi gjëmën dhe po me aq dinjitet, diti që plagën e madhe ta mbante brenda vetes. Ishte një stoicizëm i admirueshëm ballkanik, që padyshim kishte në të edhe nga stoicizmi dhe fisnikëria e grave shkodrane. Në sytë e mi ( dhe jo vetëm), kjo e fisnikëroi më shumë atë…

    Dhe kur lexova atë ditë fillimin e librit për Feimin, m’u duk sikur preka plagën e saj të madhe e të pashërueshme dhe ndjeva edhe mall të papërballueshëm e ca vikama tingujsh, po aq të papërballueshëm e hyjnorë. Vera Ibrahimi, si në rrëfimet mitologjike të të parëve të mi thesprotë, që pasmesnetëve të pagjuma, flasin me të vdekurit brigjeve të lumit tim mitik Aheron, në qendër të Tiranës, thërriste shpirtin e Feim Ibrahimit. Dhe ai vinte menjëherë, ashtu siç ka qenë: me të qeshurën karakteristike  dhe i zbehtë.

    …Sepse ky libër nuk mund të shkruhej ndryshe, veçse në këtë atmosferë mistike, ku i gjalli me të vdekurin natyrshëm flasin me njëri-tjetrin.

    Shënimët për librin “Vikama e tingullit”, janë mbajtur gjatë ditëve kur e lexova atë. Ato janë impresione të çastit dhe botohen ashtu siç kam shkruar në ato ditë të nxehta korriku.

    Pa datë. Korrik

    Kam ditë që lexoj librin e Vera Ibrahimit “Vikama e tingullit”. Është nga librat e rrallë, botuar vitet e fundit, që e lexoj me emocion të veçantë dhe çdo faqe e tij më drithëron. Mos ndoshta kjo ka të bëjëj me faktin se Verën e njoh prej vitesh dhe tani jam në një zyrë me të? Apo që edhe Feimin e kam njohur dhe me aq pak njohje, kam parë tek ai vazhdimisht nga të rrallët fisnikë të racës së artistëve? Nuk e besoj… Libri i Verës është det ndjenjash dhe emocionesh. Vërtetë kam kohë pa lexuar një libër kaq drithërues. Nuk është kuartet harqesh. As orkestër e vogël… Libri i Verës më duket se është një orkestër madhështore, me qindra orkestrantë dhe me një dirigjent të çuditshëm, që komandon ose dirigjon mrekullisht fjalën, këtë magji të shpirtit njerëzor. Vera, këtë magji që quhet fjalë, herë-herë i jep drithërimën dhe ndjeshmërinë e notave muzikore. Këtu fjala është edhe tingull drithërues njerëzor, edhe dritë, edhe muzg, edhe natë, edhe… Edhe amshim.


    24 korrik. Bibliotekë. Pasdite.

    Libri i Vera Ibrahimit, i kalon caqet e një libri thjesht kujtimesh. Ai i ka të gjitha: edhe kronikën e jetës, edhe kujtimet, edhe të përditshmen, botën artistike shqiptare me arritjet e padiskutueshme, por edhe me provincializmin, mediokritetin, ligësitë vulgaritetin e kohës që lamë pas, edhe anatominë e procesit krijues ose laboratorin e kompozitorit të madh Feim Ibrahimi… Ajo njeh mirë edhe muzikën, duke zbërthyer estetikisht, me profesionalizëm, veprat muzikore të bashkëshortit të saj.


    E njejta ditë. Afër mesnatës. Shtëpi.

    Kjo grua fisnike, që unë kam patur fatin të punoj vite më parë në Ministrinë e Kulturës dhe më pas në një zyrë në Muzeun Historik Kombëtar, në këtë libër shfaq talentin e saj si shkrimtare e vërtetë. Ajo mund të mos shkruajë më… Ndoshta edhe mund të shkruajë… Kjo s’ka rëndësi. Ky libër, me një tekst të ngeshur emocional, ku shpaloset  një epokë dhe një kompozitor i shquar, duhet të futet në programet e shkollave të muzikës në Shqipëri dhe Kosovë. Në të do të prekni dhe njiheni me punën e palodhur të kompozitorit. Në të gjitha vitet, që kam kaluar me Feimin,shkruan Vera, kohë-jeta e Tij ka një skemë të pazakonshme me jetën e njerëzve të profesioneve të tjera. Ushtrime në piano, pastaj kompozim, lexime të panumërta partiturash, poezishë, biografishë të njerëzve të shquar, shkrime teorike rreth muzikës nga teoricienë arti, librash filozofike. Letërkëmbime, përkthime. Vazhdimisht përsosje në gjuhën frënge e ruse, madje edhe mësime në anglisht. Pothuajse asnjë orë para televizorit, sepse dëgjon vetëm lajmet në stacionet më kryesore, ose kur transmetohet muzikë simfonike, instrumentale, balete, opera… Punë, punë shumë e madhe do të jetë deri në fund të jetës motoja udhërrëfyese e Feimit.


    Muze. Zyrë. Ora 10 e datës 25 korrik. Vapë e madhe.

    Vetëm ajo mund të depërtojë aq mjeshtërisht dhe thellësisht, në jetën e njeriut me emrin Feim Ibrahimi dhe kompozitorit të shquar me emrin e pavdekshëm Feim Ibrahimi… Kur lexon Verën thua: “Jo fjala, por tingulli tronditës, që më shumë se fjala depërton në misteret e jetës dhe shpirtin e njeriut, është i pari…”. Ndoshta njeriu i parë, para se të artikulonte fjalën e plotë, me siguri, ka “folur” me tingujt muzikorë… Libri i Verës, më rikthen në vitet e rinisë time të hershme, atëherë kur dëgjoja këngën e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen” apo qershorin e vitit 1978, kur i mbërthyer pas ekranit të televizorit, dëgjoja zërin tronditës të Rikard Larjes dhe muzikën epike, po aq tronditëse të Feim Ibrahimit. Mbaj mend se isha mësues i letërsisë në shkollën e mesme të Rrogozhinës dhe 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nëpërmjet edhe poemës vokalo-simfonike “Tan Shqipnia asht betue” të Feim Ibrahimit, erdhi e prekshme, dramatike, e gjallë si asnjëherë tjetër… Ishte një muzikë himn. Ndoshta do të mjaftonte vetëm ajo, për të ngritur mijëra shqiptarë të Kosovës për liri e pavarësi. Faleminderit Vera, që me librin tënd, më riktheve emocionet e rinisë sime.


    E njëjta ditë. Ora 1400

    I qetë në dukje, me një mirësi e buzëqeshje të përhershme në portretin e tij, Feim Ibrahimi në brendësi dallgëzonte. Dhe s’mund të ishte ndryshe njeriu Feim Ibrahimi nga kompozitori Feim Ibrahimi. Vera, në librin e saj, ka dhënë botën e dallgëzuar të njeriut dhe kompozitorit. Dallgëzimet në muzikën e tij janë të brendshme, në thellësi. Dhe dallgëzimet në thellësi janë më të fuqishme, më tronditëse se ato në sipërfaqe. Kjo është veçori e artit të vërtetë të të gjitha kohërave. Feim Ibrahimi jetoi në një kohë të trazuar dhe krijoi një muzikë të trazuar, thënë ndryshe, në të ndjehen dallgët e brendshme të saj.Vera Ibrahimi, në këtë libër homazh e të rrallë, e jep bukur këtë anë të jetës dhe veprës së bashkëshortit të saj. Libri i Verës, për ata që dinë të lexojnë, dallgëzon nga brenda. Nuk është i rastit tituli i librit. Sipas “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”, fjala VIKAMË ka këtë kuptim: britmë, thirrje, vigmë. Dhe fjala VIGMË ka kuptimin: klithma që njerr njeriu në rast fatkeqësie, nga dhimbja që ndjen etj., britmë e madhe, sokëllimë. I tillë është ky libër, fund e krye një dhimbje dhe britmë e madhe për ndarjen para kohe nga jeta të kompozitorit Feim Ibrahimi, krijimtaria e të cilit është vikamë më vehte e mijra tingujve…

    Kompozitori Aleksandër Peçi në shkrimin “Biografia e Vikamës së një Epoke”, botuar në gazetën “Drita”, më 10 gusht të vitit 1979(cituar i plotë nga Vera Ibrahimi, në librin e saj), i bën një analizë të thellë, duke shkuar më tej, “Trios Vikamë për violinë, për violë, violonçelë”,  premiera e së cilës u dha më 21 maj 1996, në Akademinë e Arteve: “E tillë është vikama me të cilën kompozitori Feim Ibrahimi përshëndeti botën muzikore të viteve ’60-’70. Ishte klithmë e një lindje të re si kompozitor e që do të zgjonte mëngjese të reja për botën muzikore shqiptare…ajo do të piskante fuqishëm për një identitet kombëtar modern e drejt rireformimeve bashkëkohore…si fenomen sonor, por edhe si fenomen estetik, sinonimati vikamë-piskamë-klithmë e Ibrahimit, formuloi gjatë gjithë jetës tek ai profilet e një krijuesi antidogmë e antikonservator…vepra e Feimit është një refleksion i vikamës së madhe të Atdheut, që thyen e përtyp klithma tragjedish, që lind e varros bijtë e vet, që e bëjnë t’i fryjnë erëra lotëndjellëse e që ëndërron t’i vesëzojë mëngjeset e shpresave”.

    Më emocionojnë edhe marrëdhëniet e Feimit dhe Verës me vajzën e tyre të vetme, Etrin, tashmë pianiste e talentuar. Etri, shkruan Vera, me tingujt e saj na krijoi një botë të dytë, tepër të mundimshme, por që asaj dhe ne, shumë herë na blatoi kënaqësi të jashtëzakonshme, mosqënie në Tokë dhe fluturime qiellore… Ai donte të nderohej edhe me kryeveprën e Tij, Etrin, dhe prandaj bëhet kujdestar, petagog, kritik I rreptë, bashkëpunëtor, konsulent…


    Intermexo: Kronika e jetës

    Feim Ibrahimi lindi në 20 tetor 1935 në Gjirokastër.

     Në vitin 1962 në Konservatorin e sapokrijuar të Tiranës, nisi studimet nën drejtimin e Tish Daisë, që e përfundoi në 1966.

    Në vitet 1966–73 dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni, në Konservator, e më pas mbajti postin e Nëndrejtorit të Institutit të Lartë të Arteve. Në vitet 1977–1991 emërohet Sekretar për Muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe më vonë  edhe Drejtor i Pergjithshëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, (1991–92).

    Nga viti 1992 -1997 ishte profesor i teorisë dhe kompozicionit në Akademinë e Arteve.

    Gjatë të gjithë karrierës së tij, ai u përpoq të çonte muzikën shqiptare në skenën muzikore europiane.

    Nga viti 1978-1991, punoi pa reshtur për pranimin e muzikës shqiptare në UNESCO dhe në 1991 ai u bë presidenti i parë i Këshillit Kombëtar të Muzikës, duke arritur më në fund, ta bënte atë, anëtar të Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës në UNESCO.

    Për të rritur zhvillimin e kompozicionit shqiptar,në vitin 1992, Ibrahimi themeloi festivalin “Mbrëmje të Muzikës së Re Shqiptare”.

    Në 1994 themeloi shoqatën artistike “Pentaton” (sot Fondacioni Kulturor “Feim Ibrahimi”), me synim organizimin e veprimtarive kulturore, si edhe ngritjen e një konservatori privat për fëmijë të talentuar. Disa nga veprat e tij janë botuar në Angli prej Emerson Edition.

    Për meritat artistike, në 1989, shteti shqiptar i akordoi titullin “Artist i Popullit”, titulli më i lartë artistik i Shqipërisë.

    Në vitin 2000, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Mirënjohje e Tiranës”, për kontributin e tij në kulturën shqiptare dhe veçanërisht për kulturën e kryeqytetit.

    Në 2001, Bashkia e Durrësit (qyteti ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij), i dha titullin Qytetar Nderi.

    Në 2008, Bashkia e Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes, i akordoi titullin “Qytetar Nderi” dhe i vuri emrin e tij shkollës së mesme rajonale të muzikës.

    Emrin e Feim Ibrahimit e mbajnë  rrugët në qytetet Gjirokastër, Durrës dhe Prishtinë.

    Ibrahimi ka fituar shumë nga çmimet kombëtare dhe ato të “Koncerteve të Majit “(aktiviteti kryesor muzikor i përvitshëm që prej 1967-s).

    Ka fituar dy herë “Çmimin e Republikës” – çmimi më i rëndësishëm për veprimtarinë krijuese.

     Në 1990, në Aalto Theaterfoyer, në Essen (Gjermani), u organizua një koncert-portret, që përmbante edhe një leksion mbi muzikën e tij.

    Në 1994, me ftesën nga Brahms-Gesellschaft, Ibrahimi ishte composer-in-residence në Brahmshaus të Baden-Baden-it (Gjermani) dhe menjëherë pas kësaj studioi muzikë elektro-akustike në Mozarteum në Salzburg (Austri).

    Në 1995 vepra e tij “De Profundis”,  kompozuar gjatë qëndrimit të tij në Salzburg, u përzgjodh për festivalin e muzikës elektro-akustike në Bourges, Francë.

    Muzika e Ibrahimit shtrihet thuajse në të gjitha zhanret: miniatura instrumentale, muzikë filmash, muzikë dhome, koncerte për instrumente solo dhe orkestër, simfoni, balete dhe vepra vokale. “Dialogo” për violonçel dhe piano, si dhe romanca “E la tua veste è bianca” (sipas një poeme të S. Quasimodo-s) për soprano, violonçel dhe piano, (të dyja të kompozuara në qershor të 1997-s), janë veprat e fundit të kompozitorit, i cili u largua nga jeta në 2 gusht 1997, në Torino, Itali.

    Pa datë

    Ky libër është shkruar gjatë netëve të tëra dhe natyrisht, si çdo libër apo krijim artistik, në vetmi. Vera, e ngarkuar emocionalisht me qindra dhe mijëra orë dhe ditë të së kaluarës, si një magjistare, i ka thirrur ato, ditët dhe netët e shkuara të Feimit e të sajat. Dhe si në artin e madh surealist, befas, ka rizgjuar kohën e shkuar. Duket sikur ato rrëfejnë, herë-herë me radhë në mënyrë kronologjike, por në të shumtën e rasteve, ato dalin nga radha. Vitet 1969-1971.  Pastaj 1983. Prap viti 1971. 1978. Është një vit ulëritës ky. E më pas, i shpërfytyruar vjen gushti i 1997-ës: i verdhë, meit, hënor, me pak fjalë, me sy të tharë nga dhimbja, i ngrirë me një kohë pa kohë…

    Vera lë menjanë fletën e bardhë dhe ndez cigaren. E thith ngadalë. I hedh një vështrim të shpejtë derës, pastaj telefonit, prap derës dhe orës së madhe në mur… Ka kaluar mesnata… Është koha kur vjen Ai, me të njejtën buzëqeshje dhe mirësi… Ajo ka kohë që e pret. Ka nevojë për rrëfimin e tij. Dhe Vera nis e shkruan: “Mirëpo në mes të ëndrrave, në orën 2-3 pasmesnate, dikush e zgjon. Është një zë i brendshëm, që  e urdhëron të ngrihet. Pa ndezur abazhurin , duke mos dashur të më prishë gjumin, hedh diçka krahëve dhe shkon në studio. I afrohem vjedhurazi derës. Asnjë zhurmë. E hap ngadalë dhe pamja e tij me mbetet e fiksuar përjetësisht: i ulur në piano, me laps në dorë, e i përkulur mbi partet e lëna ashtu, të hapura…

    … Kur ka ndodhur kjo? Në ç’natë? Në ç’muaj? Në ç’vit? Nuk e di. Se përcaktoj dot, sepse ishte e shpeshhershme, madje më duket se edhe tani. Ai është përsëri aty, në studio, megjithëse piano hesht…”

    I tillë është ky libër: shkruar me shpirt ose rrëfim për një shpirt, që ka fituar përjetësinë.

    Këtu është pak a shumë historia e një kompozitori, që edhe pranë vdekjes hodhi në partiturë nota muzikore. Luftoi të shpëtonte, shkruan Vera, por nuk arriti dot. Atëhere hapi krahët dhe u zhduk drejt të panjohurës. Është një histori, që flet për jetën dhe bukurinë e saj, për shortet dhe qëndrueshmërinë, për mundësitë e jetës së vërtetë dhe vdekjen…


    Shënimi i fundit: Brenda dhe jashtë tekstit

    Tirana në të gjitha stinët, ka ditë që qiejt e ngarkuar me retë gri, derdhin shira të rrëmbyer zemrak, inatçorë. Ndoshta të tillë kanë qënë këto shira, që nga fillesat e këtij  qyteti, por nuk e di pse, më duket se kohërat e fundit ato janë si shpërthime dufesh për të rizgjuar shpirtin dhe kujtesën e këtij qyteti. Këto mendoja fundshkurtin e këtij viti, pasi kishim përcjellë për në banesën e fundit Fuat Çanon, një gjirokastrit të mënçur dhe të heshtur. Ai u varros, sipas amanetit që i kishte lënë të shoqes, Natashës, në një varr me nënën, që vinte nga derë e Shapllove. Varri ishte ne fillim të varrezave të Sharrës, ose mos gaboj, në parcelën e parë, ku ndryshe nga të gjallët, që jetojnë në lagje, ajo e të vdekurve nuk quhet lagje, por parcelë.

     Që nga mëngjesi i asaj dite, në Tiranë derdhte dufin e tij shiu i vrullshëm. Dhe ndërsa kthehesha përmes varreve, për të dalë në rrugën kryesore të qytetit të të vdekurve, befas syri më zuri portretin e qeshur të Feim Ibrahimit. U afrova pranë tij dhe preka me dorë, në fillim fotografinë e vendosur në pjesën e sipërme të mermerit dhe më pas notat e pentagramit, që ishin hedhur në një pjesë tjetër mermeri, që ngrihej lart. Ky nuk është varr i zakonshëm, thashë me vehte, është më shumë se vepër arti. Skulptori, Mumtaz Dhrami edhe këtu, për mikun e tij Feim Ibrahimi, ka ngritur një monument, që flet shumë. Sipas skulptorit, pjesa e ngritur e mermerit, është një krah ëngjëlli dhe notat muzikore të pentagramit të ngrira në këtë krah janë të romancës “Lamtumirë miku im, lamtumirë”. Feim Ibrahimi këto nota muzikore i hodhi në letër, pak kohë para se të ndrronte jetë, frymëzuar nga vargjet e mrekullueshme të poetit të madh rus, Esenin.

    Kujt u flasin këto nota muzikore të gdhendura në këtë krah ëngjëlli, që vazhdon të rrihet nga shiu i vrullshëm: të gjallëve, apo të vdekurve? E ndërsa u largova, nuk dëgjoja asgjë: as shiun, as zërat e njerëzve që kalonin, as lutjet e fëmijëve romë që zgjatnin duart, as… Më pas, teksa autobusi u nis, hapa perden, duke parë varret e parcelës nr.1. Dhe përmes shiut që binte, nga varri monument i Feim Ibrahimit, krahas tingujve të romancës “Lamtumirë miku im”, më ndiqnin nga pas edhe mijra tinguj, ose vikama tingujsh, që kompozitori i madh kishte lënë pas. I telefonova Verës dhe i tregova për shiun e rrëmbyer që binte në varrezat e Sharrës, për portretin e qeshur të Feimit dhe pentagramin si krah ëngjëlli të varrit të tij… Atëhere mendova për vdekëtarët e medhenj të këtij qyteti, që nuk janë më, shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kineastë, artistë të tjerë, e midis tyre edhe Feim Ibrahimi, që edhe i vdekur vazhdon të na japë gëzime, sa herë dëgjojmë këngët e veprat  muzikore të tij…dhe m’u kujtuan vargjet e një poezie të Xhevahir Spahiut kushtuar kompozitorit të madh, që nuk është më:

    Ti buzëqesh pa thënë asnjë fjalë,

    Tingujt janë kthyer në fllad a rrebesh.

    Tiranë, vjeshtë e dytë 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË