More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Kushi: Rreshpja, poeti që kyçi shirat

    Enver Kushi: Rreshpja, poeti që kyçi shirat

    Në vend të një sqarimi

    Më 17 shkurt të vitit 2006, ndërroi jetë Frederik Rreshpja. Mbaj mend, që gazeta “Drita”, kryeredaktor i së cilës ishte Zyhdi Morava, në “Dosier Trederik Rreshpja”, krahas jetëshkrimit, botohen shkrime nga Myftar Gjana, Shpëtim Kelmendi, Granit Zela, si dhe poezi të zgjedhura nga Rreshpja.

    Më 5 mars të po këtij viti, në gazetën “Drita” u botua në formë  letre shkrimi “Përtej thirrjes njerëzore”, ku mes të tjerash nënvizoja: “Ky poet i rrallë, i denjë për të qëndruar në krah të mëdhenjve të letrave shqipe dhe asaj botërore, shkoi në mjerim dhe braktisje ekstreme. Sa ishte gjallë, ai i sfidoi të gjitha, duke na dhënë me poezinë e tij, por edhe me prozën e përrallat, shumë dritë, shumë dashuri, shumë embëlsi, shumë gjelbërim jete, ylbere gëzimi e trishtimi, dhimbje njerëzore”.

    Mendoj, se duke u risjellë këtë shkrim lexuesve të shumtë të gazetës Exlibris, i bejmë një homazh Frederik Rreshpjes, si dhe jetës dhe veprës së tij.

    Nuk ndjej asgjë, tha Frederiku. Më ka ikur nuhatja për gjërat e kësaj bote. Nuk ndjej asnjë aromë… As aromat e luleve nuk i ndjej më… As aromën e grurit dhe të bukës. As aromat e jetës. Ndjej vetëm aromat e dheut e të shirave…

    Këtë shënim e kam hedhur në një nga blloqet e mi, menjëherë pasi jam kthyer në zyrën e katit të tretë të Muzeut Historik Kombëtar. Duket nga shkrimi i keq, që fjalët e mësipërme i kam shkruar me nxitim, ndoshta për të riprodhuar me saktësi ato që më tha Frederik Rreshpja. Shënimi nuk ka datë të saktë. Sipër kam shkruar këto fjalë: “Mesditë. Dhjetor 2005”, ndërsa poshtë “Fjalët e Frederik Rreshpjes, teksa thithte cigaren ulur në një nga stolat e korridorit të katit të dytë, të pavionit të kardiologjisë, spitali Nr.1 ku kisha shkuar me Moikom Zeqon”.

    Mbaj mend që atë ditë në Tiranë binte shi dhe në malin e Dajtit borë. Nuk e di pse nuk kam shkruar hollësira të tjera për atë ditë, kur Frederik Rreshpja u shtrua për herë të fundit në spital. Në bllokun tim nuk kam shënime as për takimet pas Vitit të Ri 2006, ku si gjithmonë kam shkuar me mikun tim Moikom Zeqo… Fjalët e sipërpërmendura janë të fundit që janë shkruar në bllokun tim… Më vjen keq që nuk kam hedhur asgjë me shkrim nga takimet dhe bisedat me të gjatë viteve 1992-1993 ose 1993-1996, por veçanërisht në vitet 2000-2005. Sepse në vitet 1992-1996 ose më saktë në fundfillimvitet ’92-’93, kur unë provoja papunësinë dhe një vetmi që nuk do ta harroj kurrë, Moikom Zeqo i dha mikut të tij të vjetër Frederik Rreshpja për të lexuar tregimin tim “E hëna e vitit zero”. Dhe atë tregim Frederiku e botoi në numrin e parë të gazetës “Evropa”, botim i firmës me të njejtin emër, që drejtohej nga poeti i madh… Nuk do ta harroj kurrë 10 janarin e vitit 1993. Ishtë një ditë e ftohtë, por plot dritë dhe me një bardhësi ëndrre. Me gazetën në dorë, hyra në lokalin pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, ku gjeta Frederikun me Moikomin. I ndrojtur dhe me një ngazëllim të brendshëm u ula pranë tyre, duke dëgjuar, pas falenderimeve të mia, fjalët e Frederikut. Dhe po atë ditë, Rreshpja i madh më tha: “Tregimi ka shtratin e romanit. Shkruaje romanin se do ta botoj unë me shpenzimet e mia…” Unë i thashë se nuk kisha provuar të shkruaja ndonjëherë prozë të gjatë, se… Por ai ngulte këmbë dhe disa herë tha se romanin do ta botonte shtëpia botuese “Evropa”, se tregimi me gjarpërinj lodra ishte i goditur, se… Pa dashur të futem në hollësira e të rrefej gjatë për emocionet e asaj ditëjanari me bardhësi ëndrre dhe të tjerat më pas, romani “Hëna e vitit zero” u shtyp në shtypshkronjën e shoqërisë “Evropa” sh.p.k. me adresën rruga “Muhamet Fortuzi” nr.46, me drejtor Frederik Rreshpen. Pas rrugës “Bardhyl”, në një apartament të vogël ku Fredi kishte nisur punën e më pas diku prapa ish godinës së gazetës “Bashkimi”, adresa e mësipërme ose shtëpia e vjetër tiranase tek vendi i quajtur “Kodra e Kuqe”, ishte qendra e shoqërisë “Evropa” me shtypshkronjën, zyrën e pronarit të saj, Fredit, zyrat ku punonin redaktorët si dhe shtëpia ku edhe banonte poeti Rreshpja. E në këtë shtëpi, ku unë kam hyrë dhe dalë sa e sa herë, kam parë kulmin e shkëlqimit financiar të Rreshpjes, siç kam parë vite më vonë, veçanërisht në vitet 2000-2005, kulmin e varfërisë së tij, humbjen e çdo gjëje, revoltën ndaj atyre që e lanë me gisht në gojë, trokitjet e tij në kryeministri, ministri të ndryshme, telefonatat me politikanë, ministra, juristë. Pesë vitet e fundit përbëjnë epilogun tragjik të jetës së poetit. Dhe po t`i shtosh edhe sëmundjen e rëndë që e goditi fillimisht në zemër dhe më pas në tru, do të thoja pa hezitim, se Rreshpja po përjetonte çuditërisht vetminë dhe varfërinë e De Radës dhe udhëtimet halucinante të Serembes, dy nga idhujt e talentit të papërsëritshëm nga Shkodra… Njëkohësisht në këto vite ferri të vërtetë për poetin e rrallë, kam parë nga afër edhe kujdesin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit dhe enciklopedistit Moikom Zeqo. Ky përkushtim i Moikom Zeqos i kalon kufijtë e atij që quhet humanizëm ose dashuri njerëzore dhe përbën një shembull të gjallë në marrdhëniet mes krijuesve, ndoshta unikal në letrat shqipe. Moikom Zeqo i dha Frederik Rreshpes ngrohtësi njerëzore, dashuri, i lehtësoi dhimbjet duke e ndjekur kudo që poeti shkonte dhe duke ndjerë e ndarë edhe vetë shumë nga drama e poetit… Dhe falë miqësisë sime të kahëmoçme me Moikom Zeqon dhe disa rrethanave që i përshkrova më lart, shto këtu edhe punësimin tim në Muzeun Historik Kombëtar, aty nga vitit 2000, kam patur fatin që edhe unë të kem qënë pranë Frederik Rreshpes, të rri me të, të shkëmbej mendime për letërsinë, të dëgjoj dhe përfitoj nga mënçuria dhe thellësia e gjykimeve të tij, të ndjek bisedat mes tij dhe Moikomit apo edhe me krijues të tjerë… Delikat në sjellje dhe në të folur, i thellë dhe i qartë në gjykime, njohës i shkëlqyer i letërsisë botërore dhe asaj shqipe, nuhatës i talenteve të vërteta dhe me shije aristokrati në letërsi, i tillë ishte Frederik Rreshpja në biseda me kolegë.

    Por vitet e fundit herë-herë ai ishte ndryshe, jo vetëm në pamjen e rrënuar dhe plakjen e parakohshme, ecjen nëpër rrugët e Tiranës duke i tërhequr këmbët zvarrë (ndoshta pas mesnatave të qeta e më hënë të plotë, rrugët dhe rrugicat pranë qendrës së kryeqytetit shqiptar, do të ndjejnë gjatë zvarritjen e këmbëve me ca këpucë të vjetra apo sandale pa rrypa të poetit brilant Frederik Rreshpja). Frederik Rreshpja ishte ndryshe edhe me bisedat e tij halucinante, të mjegullta, rrëfimet absurde, ngatërrimet të kohëve. Dhe tani, që ai nga data 17 shkurt i këtij vitit ka shkuar për të mos u kthyer më fizikisht, kam kuptuar psenë e atyre bisedave të çuditshme, të denja për penën dhe fantazinë e Borhesit … Frederik Rreshpja të paktën që nga viti 2001, sapo binte muzgu, ashtu si në rrëfimet fantazmarike ballkanase e shqiptare, shkonte në botëra të tjera, përtej asaj reales, dhe kthehej në botën e të gjallëve befas në mëngjes, para lindjes së diellit. Më besoni, isha i bindur se po ta pyesja Frederik Rreshpjen ku kishte qenë gjatë natës, do të përgjigjej lehtësisht: “Kam qenë në Kinë dhe jam kënaqur duke pirë raki orizi me Li Bonë… Kam qenë në Trojë, ku takova Homerin e verbër dhe bashkë me grekun e madh Kavafis, pashë kuajt e Akilit që qanin e qanin mbi kufomën e Patroklit… Tutje në Kalabri me De Radën e vetmuar, folëm për Shkodrën…”

          Frederik Rreshpja e ndjente vetën mirë atje, në botën e vdektarëve të mëdhenj. Ndoshta atje ishte më i qetë, larg prapësirave, delireve, çmendurisë , ligësisë , thashethemeve, zhurmës mediatike, varfërisë ulëritëse, imoralitetit të politikanëve shqiptarë, etjes për para, para , para çekuilibrit dhe marrëzisë së botës reale…

    Dhe pas 17 shkurtit duke kërkuar në arkivin tim modest e shumë të vafër, në ca copa letrash , me një shkujdesje të pafalshme , kam gjetur shënime të shkurtëra, dialogë, fjalë të shkëputura, ndonjë mbresë të çastit hedhur me nxitim, herë me data, por në të shumtën e rasteve pa asnjë datë, që kanë të bëjnë më Frederik Rreshpjen. Por çuditërisht shkurtin e vitit të kaluar (përse vallë në shkurt?), në bllokun tim të shënimeve kam hedhur me saktësi takimet dhe bisedat me Frederikun.             

    Mars 1993. Vetëm në shtëpi

    Shfletoj “Hamletin” e Shekspirit. Pastaj marr stilolapsin dhe shënoj në letrën e bardhë fjalët: “Në tërë Danimarkën s’ka përveç zuzare dhe kalorës vagabondë” … E le “Hamletin mbi tavolinë dhe dal në ballkon. Bie shi i butë… Kam dite që mendoj për romanin… Duhet ta filloj, them me vete. Tovin (Moikomin) kam ditë pa e takuar. Ka qënë i zënë me shumë punë në Parlament. Frederikun dua ta takoj kur të kem shkruar të paktën kapitullin e parë të romanit… Pas pak ditësh kam datëlindjen…. Në këtë ditë me shi marsi dhe pragdatëlindjeje vetmie, ia vlen të fillosh të shkruash. Eci nëpër shiun e heshtur dhe paqësor me një dosje nën sqetull e i ulur në tavolinën e fundit të sallës shkencore të Bibliotekës Kombëtare, shkruaj në fletën e bardhë të letrës gri A-4, prodhim i fabrikës së Lezhës, frazën: “Në pjesën ballore të njërit prej piedestaleve pa monument, krahas fjalëve mbreti, Bushi, poshtë sigurimsat, çdo njeri i vëmendshëm mund të lexojë: Ruhuni nga gjarpërinjtë. Dhe më poshtë:”E HËNË. 1 MARS. VITI ZERO”… Dal vonë nga biblioteka. Këmbët më çojnë për nga lagja e Brrakës. Atje do të lëvizin disa nga personazhet e romanit… Është natë dhe ajo lagje e vjetër tiranase më trishton… Nga kanalet e rrugicës së Brrakës vjen një duhmë e rëndë dhe nga shtëpitë e vogla dëgjohen ca këngë të trishtuara jevgjish…

    Pa datë. Viti ’93.

     I veshur bukur, me kostum të shtrenjtë, papion, kapele republike, këpucë të modës së fundit Frederik Rreshpja del nga zyra e tij e punës. Qëndron pak çaste në hyrjen ose sallonin e shtëpisë dhe me një ton autoritar, u jep porosi punonjësve të tij. Punëtori që drejton makineritë e shtypshkronjës, një burrë i gjatë e i dobët, e dëgjon me vëmendje… Pastaj një djalë i ri, roja i shoqërisë “Evropa”, për të cilin Frederiku më ka thënë disa herë se natën fshehurazi, hap frigoriferin e madh dhe ha të paktën një kilogram salçiçe, vrapon për të hapur portën e madhe e të vjetër të shtëpisë tiranase. Një tjetër nxiton me çantën e madhe të parave (është bodigardi i Fredit) dhe pret para makinës shefin e tij, ndërsa shoferi rri me qëndrimin gatitu dhe pret që shef Fredi të thotë fjalët “Shkojmë”… Unë i kam sjellë romanin e shtypur që ai pasi i hodhi një vështrim të shpejtë , më tha se na priste Tovi. Tovin e takojmë diku në qendër dhe nisemi për të përfunduar në një nga lokalet më të shtrenjta të Tiranës… Frederik Rreshpja është në kulmin e fuqisë së tij ekonomike. Boton revistën “Evropa”, qindra fletë porosi recetash mjeksore, mijëra etiketa pijesh alkolike. Ka në plan të botojë edhe një gazetë të mbrëmjes si dhe një tjetër letraro-artistike… Kërkon punëtorë të tjerë, njohës të shtypshkrimit, të rinj që njohin mirë kompjutetin, gazetarë të shkathët…

    Gjatë bisedës me Tovin, thotë se së shpejti do të punësojë një kinez të zotin në shtypshkronjë… Pastaj, duke pirë një pije shumë të shtrenjtë, biseda kalon tek Migjeni, De Rada, poezia e sotme shqipe….

    I njëjti vit. Maj

    Fredi e ka lexuar romanin tim . Në zyrën e tij, ku ai edhe fle , gjysmë i shtrirë në një krevat portativ unë dëgjoj vlerësimet, por edhe vërejtjet e tij… Vonë marr vesh se romanin para ca ditësh ua ka dhënë për ta lexuar një vajze dhe një djali, nxënës të shkollës “Sami Frashëri”.

    Kohë tjetër. Vjeshtë e vitit 1994

    Tirana është gri. Një gri e hapur e rrëmujshme. Kaloj shkollën “Sami Frashëri” dhe kthehem në rrugicën që të çon tek shtëpia e Frederikut.

    Kam ditë pa shkuar atje dhe nuk e di se ç’është bërë me shtypjen e romanit… Nxitoj duke parë herë-herë orën dhe muret e avllive. Kudo parulla, ku shkruhet “Po Kushtetutës” Afrohem pranë portës së madhe dhe bëj të trokas, por një zë i fortë, me një theks dialektor, thotë:

    Zotëri! Ç’kërkon aty? Unë shtang. Pak metra më tutje është një makinë e madhe e mbuluar, brenda së cilës shoh ushtarë a policë të armatosur. Kërkoj Frederik Rreshpjen, them unë. Ç’të lidh ty me të…Kam një libër në shtyp…. Fredin e kam shok. Zotëri! Kthehu mbrapsht… Ai miku jot asht në arrest shtëpiet… Si në arrest shtëpie, pyes i tronditur. Zotëri! Mos e zgjat ma… Si të quajnë ty? Unë them emrin tim. Polici qesh me të madhe duke përsëritur fjalët: “Aha! Vojo Kushi… Vojo Kushi” Dhe qesh e qesh me të madhe…

    Unë largohem me nxitim. Me shoqëron e qeshura e policit dhe fjalët e tij “Vojo Kushi . Vojo Kushi…” Nuk dua ta besoj: Frederik Rreshpja në arrest shtëpie? Sa është data, them me vete. Po viti. Në ç’vit jemi? Kohë gri , them me vete. Kohë gri e vjeshtës 1994. Kohë gri arrestesh shtëpie… Poetëve rrebelë çdo kohë përpiqet t’ua mbyllë gojën… Pastaj takoj Agim Cergën, që flet me hollësi për ngjarjen tek Kodra e Kuqe….

    Fredi qendron rreth një muaj në arrest shtëpie dhe pati humbje të mëdha financiare. Mijëra copë afishe “Jo Kushtetutës”, shtypur në shtypshkronjën “Evropa” u dogjën … Mbi një muaj u pezullua veprimtaria e firmës “Evropa” …

    Viti 1996. Ndoshta prill….

     Shkrimtari Faruk Myrtaj më thotë se Frederikun duhet ta presim para Ministrisë së Kulturës, se ai do të vijë në orën 13.00dhe se pret me padurim takimin dhe drekën me të. Dhe Fredi vjen saktësisht në orën e caktuar. Si gjithmonë, i veshur bukur , me një kostum stofi blu me viza, me kollare të kuqe dhe një kapele republike shumë të madhe. Mbaj mend, se ai na çoi për drekim në një lokal që ishte ndërtuar në anën tjetër të Liqenit Artificial. Faruku, fjalëpak e i qetë , unë gjithashtu, dëgjuam gjatë gjithë kohës Fredin, gjykimet e tij për letërsinë rrëfimet tërheqëse, me një kolor të çuditshëm të Fredit….

    Shënime të ndryshme

    Fredi ka zënë një dhomë në një nga pallatet e rrugës “Bardhyl”.Pastaj në një shtëpi të vjetër tiranase, në një rrugicë pas ish redaksisë së gazetës “Bashkimi” Në rrugën “Muhamet Fortuzi” nr. 46 ose tek Kodra e Kuqe. Zhvendoset me shtypshkronjën në një hapësirë shumë të madhe pas Ambulancës Qëndrore. Në rrugicën që të çon tek stacioni i vjetër i Tiranës. Tek kryqëzimi i “ 21 Dhjetorit” në katin e dytë të një pallati të vjetër. Në unazë, përballë hotel “Diplomatit”. Shkon në Shkodër. Në Tiranë , i sëmurë në spitalin nr.1 dhe atë neurologjik. Prapë në Shkodër. Kthehet dhe strehohet në një azil privat, nga më të mirët në Tiranë… Nuk dihet ku është, sepse zhduket papritur… Shfaqet rrugëve të Tiranës i sëmurë rëndë… Gjen strehë në një hotel pas “Veve”-së.

    14 Shkurt 2005

    Ecim përmes shiut Shën Valentinas dhe trishtimit gri, për të shkuar tek poeti që edhe dashurisë, edhe jetës, edhe gëzimit njerëzor, i ka shkruar me dhimbje Dhoma ku fle Fredi më duket më me hapësirë. E takojmë. Duket mirë. Pastaj dalim përmes shiut për të shkuar tek lokali pranë. Isha në burg, kur Enver Hoxha foli në Moskë, thotë Fredi. Mbledhja e Moskës është bërë në vitin 1961, thotë Moikomi. Më 1969, ngul këmbë Fredi. Atje ka marrë pjesë edhe Regani, edhe Papa Vojtila … Pastaj erdhi Katovica. Atje i mori udhëzimet Ramiz Alia…. Ai rrufis kafenë. Ndez edhe një cigare tjetër. Kam hapur kurse për mësimin e kompjuterit, thotë ai papritur. Vinë fëmijë të vegjël e u mësoj kompjuterin. Të paguajnë, pyes unë. Unë u marr pak, përgjigjet ai. Katër mijë lekë në muaj. Me se të ushqehem? Janë fëmijë shumë të mirë. Ti e di Tovi sa i dua unë fëmijët. Do të hap edhe kurse për mjeshtërinë letrare, shton. Për ç`moshë, pyes unë. Për 18-19 vjeçarë, përgjigjet ai. Pastaj biseda kalon tek Ismail Kadareja. E kam dashur shumë atë, thotë Fredi . Ti ke shkruar një ese të shkëlqyer për romanin “Kronikë në gurë”, thotë Moikomi. E kam atë gazetë, them unë. E sulmojnë kot këta çunat e ri Ismailin, thotë Fredi. Pastaj thotë se Visar Zhiti dhe Dritëro Agolli janë çuna tezesh. Jo, thotë Moikomi nuk e di të jenë çuna tezesh….

        Unë dshe Moikoni çajmë përmes shiut dhe bubullimave . Fredin e lëmë në lokal , me gotën e vogël me grapa, paketën e cigareve dhe turbullimin e tij të vazhdueshëm.

    21 shkurt 2005. E hënë . Ora 9.30’

    Me kanë pyetur se pse mbaj kapele republike kineze, thotë Fredi. Kush të ka pyetur, thotë Moikomi. Disa shkrimtare që mblidhen tek lokali poshtë Bibliotekës Kombëtare, përgjigjet Fredi. Ata janë shkrimtarë gjeni. Të gjithë e mbajnë veten për gjeni. Seriozisht e kanë? Unë njoh greqishten e vjetër, thotë papritur Fredi. E kam mësuar që në moshën pesë vjeç. Li Bo është poet i madh. Më i madh edhe se Dante Aligeri . Dante Aligeri noton në temjanin kristian. “Ferri” është vepër e madhe, thotë Moikomni. Nuk duhej që Profetin Muhamet dhe Imam Aliun t’i vendoste në Ferr. Ne në Shkodër e njohim mirë Kuranin, thotë Fredi . Dante Aligeri është pararendes i Rilindjes Evropiane, ndërhyj unë. Engelesi e ka thënë bukur, thotë Moikomi. Aligeri qëndron me njërën këmbë në Mesjetë e më tjetrën në Rilindje.

    14 qershor 2005 E martë. Ora 9.oo

    Tirana ka qiell shumë të pastër dhe pas shirave ajri duket i pastruar nga pluhurat dhe smogu. Me Moikomin, Fredin e gjejmë në të njejtën lokal. Është ulur i vetëm. para ka filxhanin e kafesë dhe gotën me konjak. Vështrimi i tij është tejet i përhumbur. Flet përçart. Do të largohem nga ky vend , thotë. Ku do të shkosh e pyes unë. Në Kosovë, thotë. Shko në Shkodër, thotë Moikomi. Atje ke motrën dhe vëllezërit. Atje nuk shkoj. E kam vendosur . Do të shkoj në Kosovë.

    Pastaj vazhdon të flasë gjëra pa kuptim . Frederik Rreshpja fluturonte në ca qiej me re gri dhe dukej sikur fliste nga botëra ireale.

    … Dhe solla ndërmend poezitë e tij brilante , muzgjet , shirat e vona të vjeshtës, bubullimat e largëta, karvanet e ciganeve, ylberet … Një qiell trishtimi dhe dhimbjeje, botë e trazuar rreshpjane, përtej kufijve të çdo dhimbjeje njerëzore.

    … E ndërsa dalim me Moikomin në rrugë, në kokë më gjëmojnë fjalët e poetit:

    “Do të dal për të blerë një pistoletë. Dua të vras veten”.

    Jashtë është i njeti diell dhe qiell i pastër, por m’u duk më e errët se kurrë ndonjëhetë tjetër bota, Tirana ime… Bota rrotullohej e mbështjellë me brengën dhe dhimbjen e poetit Rreshpja… Ndoshta edhe me mijëra dhimbje të tjera njerëzore. Por dhimbjet e poetëve janë sa mijëra e miliona dhimbje njerëzore… Sepse ato befas shfaqen në formën e vetëtimave dhe bubëllimave vjeshtrave të vona.

    Pa datë. Vjeshte 2005

    Rreshpja është kthyer nga Kosova. Flet papushim për Prishtinën, Prizrenin. Përmend poetët kosovarë, veçanërisht Ali Podrimen dhe piktorin e shkrimtarin Rexhep Ferri. Rexhep Ferri i ka qëndruar më pranë se kushdo, e ka sistemuar në hotel, i ka dhënë edhe ndihmë monetare…

    Pastaj ai thotë se ka shkruar një shkrim për Moikomin, se në Kosovë kudo flisnin në simpati për të… E kërkojmë shkrimin. Unë hap sirtarin e komodinës, marr në duar një bllok të madh, kontrolloj nën jastëk. Është e kotë. Fredi e ka grisur shkrimin. Pronari i hotelit thotë se ishte një shkrim i shkëlqyer për Moikomin. Sa keq! E ka zhdukur krejt papritur Fredi.

    Shënimi i fundit: 20 shkurt. Natë e vonë.

    Bie zilja e telefonit. Është Moikomi. Duket i lodhur dhe ka një të folur prej vetmitari të madh. Unë i them se shkrimet që ka bërë për Frederik Rreshpen janë të shkëlqyera… Ai hesht. Pastaj se ç`thotë me zërin e tij prej vetmitari. Në mungon Frederiku, shton pastaj. Më mungon shumë. Dhe mbyll receptorin… Është vonë. Natë e vonë dhe e qetë. Unë dal në ballkon dhe shoh qiellin e pafund.

    Po shkoj dhe shirat po i le të kyçura, përsëris e përsëris vargun e një prej vjershave më të bukura të Frederik Rreshpjes… Por unë do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua… Në çdo stinë që të dua… Dhe pastaj unë marr receptorin e telefonit dhe i them Moikomit: “Nesër do të shkojmë të takojmë Fredin. Do të flasim me të për shirat e kyçur dhe stinën e ringjalljes së poetëve…”

    Tiranë, më 23 shkurt 2006 – shkurt 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË