More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEnver Kushi: Qemal Draçini, pavdeksia e krijuesit

    Enver Kushi: Qemal Draçini, pavdeksia e krijuesit

    KOHËT E QEMAL DRAÇINIT

    Qemal Draçini është prologu i krijuesit shqiptar në vitet e diktaturës komuniste dhe shpirti i lirë i vrarë pabesisht, ose thënë ndryshe zhgënjimi i atyre që besuan në një botë të re. Ai lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1922. Në këtë qytet të kulturës dhe artit kreu studimet e para në shkollë dhe në vitet 1941–1943, ndoqi studimet universitare për drejtësi në Firence. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë në Tiranë e Shkodër dhe më vonë në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, për tekstet  e reja shkollore. Që i ri, pra në fillim të viteve ’40 u shqua në fushën e krijimtarisë dhe të mendimit letrar. Ai shquhet për studimet mbi Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Migjenin, Gaspër Palin, Kol Mirditën, Veli Stafën, Sterjio Spassen. Qemal Draçini edhe në shkrimet për disa autorë të huaj bien ë sy për origjinalitetin, erudicionin, mprehtësinë e gjykimit dhe të analizës.

    Ai u arrestua në vitin 1946, dhe vdiq në qeli nga torturat e tmerrshme më 1947.

    Kam patur fatin të marr pjesë në promovimin e përmbledhjes së veprës së tij ‘Era”, që është botuar në Shkodër , në vitin 1995. Mbaj mend, që në këtë promovim kam shkuar bashkë me professor Ramadan Sokolin, që ka qënë nga miqtë e rinisë së Draçinit.

     Zëri i kohës  në këtë libër vjen pak i ngjirur dhe herë -herë i qartë dhe kumbues… Ndjehet kjo kur shfleton edhe revistën “Fryma”, e përmuajshe letrare dhe kulturore, numri i parë i të cilës ka dalë në Shkodër në janar të vitit 1944. Drejtues i revistës ishte Myzafer Pipa dhe kryeredaktor dhe redaktor Qemal Draçini.

    “Fryma” është ndoshta revista e fundit e shtypit të lirë shqiptar në prag të vendosjes së diktaturës komuniste. Në një atmosferë të rëndë pushtimi nazist, llogoresh dhe gjaku që kishte përfshirë jo vetëm Shkodrën dhe Shqipërinë, por tërë Evropën dhe botën. Qemal Draçini me botimin e revistës sfidonte pushtimin, duke u përpjekur të sillte frymën e ngrohtë të kulturës dhe artit. Dhe Draçini 22 vjeçar, në kryeartikullin e numrit të parë, do të shkruante: “Ishte nevoja e një tribune si kjo jona, për me çelë sytë kah horizonte të reja. U pa e dobishme kjo lidhje mendimesh e gjykimesh për shprehjen e ndjesive në botën e letrave”.

    Nuk është aspak e rastit që Qemali, po në të njëjtën numër, në artikullin “Një grishje”, do të ftonte shoqet tona intelektuale, që të bashkëpunojnë me ne pa dallim për me rrahë së bashku mendje të reja -problemet e ndryshme kulturore në dritën e nën prizmin e pamjes  së qytetnisë moderne perëndimore” Në tetë numrat e revistës “Fryma”, Draçini shpalos kulturë të gjerë, thellësi gjykimi, përgjithësime të sakta për probleme të ndryshme të procesit  letrar apo krijues: Vlen të përmendim shkrimin e botuar në numrin dy “Për një system të përkthimeve”, ku ai parashtron disa kërkesa dhe kritere në përkthimin e veprave të letërsisë dhe kulturës botërore, studimin “Vepra poetike e Migjenit” (në numurin 3 dhe 4), që do ta kishte zili edhe sot çdo studiues serioz për poetin tonë të madh, apo shkrimi “Romani i një mësueseje”, për “Afërditën” e Sterjo Spasses.

    Me botimin e revistës “Fryma”, Draçini shpalos kredon e tij artistike, thënë në një letër, që i dërgon shokut të fëminisë të shkollës Ramadan Sokoli, në dhjetor të vitit 1940: “Ti e din ma mirë se unë se një artist i vërtetë duhet të krijojë, të krijojë o të shkallmojë. Amull nuk rrihet”.

    KUJTIMI I MUZGJEVE TË KALUEME…

    Nuk kam jetuar në Shkodër, por jam i bindur se në atë qytet muzgjet, veçanërisht ato të vjeshtës, duhet të jenë një mrekulli..Atje edhe shiu, edhe erërat, edhe aroma e pranverës apo vetëtimat dhe bubullimat, duhet të jenë të veçanta. Sepse ky qytet, ndoshta si askush tjetër  në Shqipëri e më gjerë, ka pranë edhe malet, edhe kodrat e buta, edhe fushën, edhe lumenjtë, edhe liqenin, edhe detin… Në prozën e shkurtër të Draçinit, Shkodra me natyrën e saj të çuditshme, zë vend kryesor. Natyra shihet nga shkrimtari nga e njëjta pamje: nga dritarja. Dritarja e shtëpisë e lidh atë me botën përreth, me “kopshtijet e jeshilta të Shkodrës sime rrahin në mallime stinësh të dekuna”. Qemal Draçini është mjeshtër i përshkrimit të natyrës dhe detajit. Vëzhgues i mprehtë, me një ndjeshmëri të hollë, stil të rrjedhshëm, frazë elegante, ai fikson tablo të ndryshme të natyrës, shiun dhe erën, fillimin e pranverës, gjëmimet e bubullimave. I paisur me dhuntitë e artistit, i ndjeshëm dhe herë-herë melankolik. Draçini parapëlqen veçanërisht vjeshtën. “Muget vjeshte”, “Lotvjeshte”, “Kopshtije të Shkodrës s’ime” etj., të shkruara në shtator – tetor 1939, pra në moshën 17 -vjeçare, fiksojnë me mjeshtëri tablo të veçanta të natyrës shkodrane. Ato të rrëmbejnë  me vërtetësinë e tyre, të bëjnë të ndjesh të rrahurat e zemrës djaloshare të Draçinit, shpirtin melankolik të tij. Në këtë funksion është edhe leksiku i zgjedhur, fjalët me ngarkesë të veçantë emocionale si mugeti, mugëti ugur-zeza, mugëti të zeza, mugëti orë-zezë, mugëti vjeshte, zhvarrime, gjamët e bubullimave, rropama e bubullimave, parafolje ugur-zezë, stinët e dekuna prandvera të vyshkuna, kohë të mbarueme, silueta të çmenduna, gjamë e ulërima të shkyeme…

    … Rilexoj prozën e shkurtër të Qemalit dhe ngadalë, fare ngadalë zhytem përmes  gërmadhave të kohës dhe një dorë e padukshme më hap një dritare nga ku veshtroj “muzgjet e kalueme” të Shkodrës dhe ndjej “gjamën e bubullimave që vjen tue u langue”…

    VARRET E VETMUAR 

    Në krijimtarinë e Draçinit mbizotëron grija e kohës, grija e mbyllur dhe hapësirat e gjëra të jetës shqiptare, tragjizmi karakteristik shqiptar dhe ai ballkanik. Le të ndalemi vetëm në njërin prej tregimeve, shkruar në gusht të vitit 1939. Titullohet “Ligjet e malit” dhe nuk është më shumë se një faqe. Mund të ishte edhe më i gjatë. Sepse tregimi ka shtratin e një novele apo drama…

    Që në fillim, me një frazë ku ndjehet ftohtësia, vetmia e një peisazhi të gurtë, shfaqet varri. Është një vend ku fryjnë erëra dhe netëve me siguri edhe gurët nisin e tregojnë historinë e varrit të vetmuar… Draçini 17 vjeçar na fut në një atmosferë të rëndë. Personazhet lëvizin në peisazhin e thatë e të gurtë, që shtrihet mes dy katundeve pa emër. Edhe ata janë pa emër: një vajzë e re, e bukur si dielli, e hijshme si nata e pranverës, me dy sy të thellë si vetë thellësia e dritës, së parë të agimit e dy vetulla të holla si vijat e gjurmës së gjarpnit dhe një djalë i pashëm. Ata e duan njëri-tjetrin dhe takohen netëve në kufirin midis dy fshatrave, ndoshta në vendin me gurë e të zhveshur. Janë të vetmet krijesa të gjalla, gjatë gjithë tregimit, që mbushin me dritë dhe ngrohin  natyrën e egër dhe të gurtë… Por atë, vajzën e bukur si dielli, e vrasin. Ndoshta e mbysin vëllezërit natën ose ia shtypin kokën me gurët e kodrës së zhveshur. Sepse nuk dëgjohej asnjë krisme arme. Vrasësit, shkruan autori i dhanë me kuptue së ndër malet tona, nuk ka vend butësia fisnike e dashunisë, pse, vetë të ashpra, ato male, nuk durojnë me rritë në gjiun e tyne bustin e paraqitun në rrahje zemrat e kreatyrave të reja. Pastaj vjen varrimi. Edhe ai i fshehtë, ndoshta natën dhe larg varrezave të katundit, sa më larg, duke mbyllur turpin. Dhe … vetëm kaq. Fundi i tregimit është tronditës: varret e vetmuar shtohen. Ata shfaqen mbi kodra të zhveshura e të thata. Përfytyroni një peisazh të thatë me varre të vetmuara që shtohen e shtohen vazhdimisht. Djaloshi 17 vjeçar që quhet Qemal Draçini, në gusht të vitit 1939, kur ka shkruar frazën e fundit të tregimit: “Pushofshi në paq viktima të pafajë të ligjeve të shkrepave!.. Pushofshi në paqë, heroina fat-zeza të dashurisë bujare…”, me siguri ka rënë përmbys në dhomën e tij, duke qarë në heshtje, në vetminë e një adoleshenti.

    PËRTEJ REVE…

    “Përtej reve” është poezia e Lame Kodrës (Sejfulla Malëshovës), shkruar në vitin 1942. Nuk e di ku është  botuar poezia dhe si është njohur me të Qemal Draçini. Gjithashtu nuk kam lexuar ndonjë fakt për njohje personale të tij me Lame Kodrën. E them këtë, sepse në shkrimin kritik ose më saktë në analizën që Draçini bën për poezinë “Përtej reve” të Lame Kodrës, nuk jepet asnjë fakt për takim ose njohje me të. Në këtë analizë Draçini duket se ka lexuar krijimtarinë poetike të Lame Kodrës të botuar në mërgim, në organe të ndryshme të kolonive shqiptare nëpër botë si në “Dielli”, “Bashkimi”, “Shqipëria e lirë”, etj. Kjo del që në fillim të analizës për poezinë “Përtej reve” ku ai shkruan: “Përgjithësisht poezitë e Lame Kodrës janë vargje të vrullta, në të cilat pasqyrohet vullneti heroik i turmes shqiptare për liri” Pra Draçini është njohës i mirë i krijimtarisë së Lame Kodrës. Mendoj se nuk është rastësi analiza që autori i bën poezisë së Lame Kodrës. Jemi në vitet e luftës botërore, në vitet e përgjakjes së madhe të botës, të mijëra e mijëra  varreve, të kampeve të përqëndrimit, të egërsisë shtazarake nazi-fashiste. Edhe Shqipëria ishte përfshirë në këtë lufte. Draçini nuk është jashtë këtij realiteti. Përkundrazi, Ramadan Sokoli, në kujtimet e tij shkruan se në verën e vitit 1944. Qemalin dhe mua me disa bashkëmoshatarë, na patën lajmëruar se ishim përfshirë në listën e kampit nazist të Prishtinës, prandaj përkohësisht u fshehëm diku sa për t’i shpëtuar atij rreziku.

    Analiza e thellë, depërtimi në nënshtresat kuptimore të poezisë, përqasjet në kohë duke shaplosur dramën e madhe njerëzore, e bejnë këtë studim nga më seriozet të Draçinit. Konkluzioni në mbyllje të analizës se e bamë në një natë të qetë pushimi të 1942-ës, ndërsa mbi Atdheun tonë vinte tue u ndezë përherë ma e fuqishme e tue marrë gjithmonë përpjestime ma të gjana lufta çlirimtare e popullit shqiptar kundër hordhive zaptuese të fashizimit Italian, “Përtej reve” asht pa dyshim poezia ma sugjestive e letërsisë sonë të re, tregon simpatinë e Draçinit për luftën çlirimtare dhe respektin për Lame Kodrën, që vite më vonë do të pësonte nga diktatura komuniste burgun dhe internimin…

    …Qemal Draçini vështronte përtej reve. I rritur në idealet e humanizmit, me një formim kulturor perëndimor, idealist i kulluar, shpejt parandjeu se bota e re e premtuar dhe nuk u thye, duke u bërë symbol i antikonformizmit. Në qelitë e errëta, atë e rrahën, e masakruan barbarisht për 12 muaj me radhë…

    Ditët e fundit, duke lexuar kujtimet e prof. Sami Repishtit, më kanë  rënqethur përshkrimet e çasteve të fundit të Qemal Draçinit: “Nga dhoma e studentit vinin tashti të qarta gjamët e dhimbjes e zhurma që bante shtrati nga lëvizjet e tij pa pushim. Thirrte nanën i mjeri, dukej se i kërkonte të falun… Më vonë nisi të përpiqej në shtrat, të kolleje randë e të villte me aq fuqi që u lëkundte shtrati…”

    Kriminelët, në një natë të errët, do të nxirrnin nga qelia trupin pa jetë të Qemalit. Dhe po atë natë ata do ta zhduknin atë duke menduar se në këtë mënyrë mund të zhduknin emrin dhe veprën e tij. Por harruan se kishte një qytet legjendë që quhej Shkodër dhe një kujtesë që nuk vdiste e që quhej popull, harruan se kishte një nënë, që me mallin e pashuar të saj sa jetoi, linte hapur derën dhe dritaren e shtëpisë për të hyrë shpirti i Qemalit. Dhe shpirti i Qemalit vërtetë vinte. I lirë, pa pranga. Sepse shpirti nuk mund ta bëjë këtë. Qemal Draçini vjen në ditët tona me shpirtin e tij të madh. Krijimtaria, ku ai derdhi botën e tij të trazuar, është tregues i pavdekësisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË