More
    KreuIn memoriamEnver Kushi: Për artistin dhe njeriun Kristaq Dhamo

    Enver Kushi: Për artistin dhe njeriun Kristaq Dhamo

    Më 14 gusht të këtij viti, u shua në Ankona të Italisë, Kristaq Dhamo, ‘një artist me A të madhe”, siç e vlerësoi atë prof. Përparim Kabo.

    Kam patur fatin të punoj disa vite në Kinostudion ‘Shqipëria e Re”, një nga institucionet më të mëdha të filmit shqiptar. Ishte mesgushti i vitit 1983, kur kapërceva portën e madhe, pastaj kalova në të majtë, mes një hapësire të gjerë, të murit rrethues dhe godinës hijerëndë të stilit sovjetik. Më bëri përshtypje gjelbërimi dhe lulet e shumta në të dy anët, një shatërvan dhe porta tjetër e madhe e hapur, holli i katit të parë, shkallët që të çonin në katin e dytë, koridori i ndriçuar zbehtë dhe dyert e mëdha të administratës, drejtorit, redaksive të filmit artistik e dokumentar. Në zyrën e kuadrit bëra veprimet rutinë dhe duke dalë, takova Fuat Çanon, i njohuri im i kahershëm, ekonomist në këtë institucion dhe njeri shumë i mirë. Pastaj Vath Koreshi, që më përqafoi dhe uroi. Ai më futi krahun dhe më ftoi të pinim diçka freskuese, në një lokal të vogël, brenda territorit të Kinostudios. Do jemi bashkë, tha Vathi, me të folurën e tij të butë, shoqëruar me buzëqeshjen karakteristike dhe mirësi. Shefi i redaksisë së skenarëve të filmit artistik është Abdurrahim Myftiu, që ti e njeh, kur ai ishte mësues në Kavajë, tha Vathi. Me ardhjen tëndë këtu bëheni tre nga ajo zonë, shtoi ai. Po, po, thashë. Ku është Nexhati Tafa, pyeta. Ndoshta vjen nesër, tha Vathi. Pastaj më pyeti se si po shkonte libri me tregime, që prej pesë vitesh e kisha çuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Unë heshta, ndërsa Vath Koreshi i mirë dhe dashamirës dhe një nga njerëzit e rrallë, që kam njohur, më tha që të mos mërzitesha dhe më uroi edhe një herë për fillimin e punës në Kinostodio.

    Kjo ishte dita e parë e punës time në Kinostudio. Në vitin 1983, ky institucion ishte në kulmin e prodhimit të filmave artistikë, dokumentarë dhe vizatimorë. Shqipëria e vogël kishte industrinë e filmit, që siç e citon prof. Përparim Kabo, të paharruarin Kristaq Dhamo: “Një shoqëri me industri filmi, është një shoqëri që mund të zhvillohet”.

    Kristaq Dhamo ishte kryetar i Këshillit Artistik dhe ishte fat, që këtë organizëm të rëndësishëm, ku diskutoheshin dhe miratoheshin skenarët e filmave, drejtohej prej një nga regjisorëve më të mirë, me kulturë të gjerë për filmin, historinë dhe gjuhën e tij. Jo vetëm kaq. Te Kristaq Dhamo si te askush tjetër ishin bashkë, në një harmoni të çuditëshme, artisti dhe njeriu me Nj të madhe. Që në takimin e parë me të(mbaj mend me poetin Ndoc Papleka, që nisi punën në redaksinë e filmit artistik), më bëri përshtypje thjeshtësia dhe mirësia e Kristaqit. Ai u çua në këmbë dhe pasi na uroi për fillimin e punës në Kinostudio, u ul përballë nesh duke na pyetur për shëndetin, familjet tona dhe punën që na priste në këtë institucion. Ishte jo shumë i gjatë. Dukej natyrë flegmatike. Më bëri përshtypje vështrimi i butë i syve të tij dhe vështrimi i zgjuar dhe zhbirues i tyre. Kishte dhe njëfarë melankolie në atë vështrim. Dhe pa dyshim buzëqeshja e natyrshme që përshfaqej në tërë portretin e tij. Ky ishte Kristaq Dhamo. Dashamirës dhe tolerant. Asnjëherë nuk e ngrinte zërin. Ai kishte një të folur të ngadaltë si të pambuktë. Kristaq Dhamo dinte të bënte mirë dhe vetëm mirë, duke mos lënduar asnjë.

    Në bisedat me regjisorin e dhjetëra filmavve dokumentarë, tashmë të ndjerin Kujtim Gjonaj, me të cilin kam realizuar disa filma, mbaj mend që ai më thoshte, se Kristaq Dhamo si udhëheqës artistik, ishte një nga personalitetet më të respektuar të filmit shqiptar. Sa herë diskutoja me të për problemet e filmit, ndjeja një kënaqësi të veçantë, shtonte Kujtimi.

    Këto ditë, në një nga dosjet e mia, krahas dy recensioneve, paraqitur në Këshillin Artistik, për skenarin e filmit artistik “Binarët”, shkruar nga regjisori i mirënjohur Kujtim Çashku dhe shkrimtari dhe skenaristi Roland Gjoza, gjeta shënimet që kam mbajtur në mbledhjen e këtij këshilli. Janë vërejtjet dashamirëse të Kristaq Dhamos, për skenarin e shkruar nga unë dhe Muharrem Fejzo. Duket, që kryetari I Këshillit Artistik e kishte lexuar me shumë vëmendje skenarin, sepse vërejtjet janë të detajuara për çdo faqe dhe episode. Ato janë shumë konkrete dhe profesionale.

    Filmi “Binarët” u shfaq për herë të parë, mos gaboj, në nëntor të vitit 1987. Ishte e zakonshme që këto premiera të jepeshin para kolektivit krijues. Mbaj mend, që ai u duartrokit gjatë, duke u vlerësuar si një nga realizimet më të mira të regjisorit Muharrem Fejzo. Ditët që pasuan premierën dhe suksesin e merituar të “Binarëve” në Kinostudio, do të ishin të zymta. Në Komitetin Qëndror, ku u pa filmi, erdhën breshëri vërejtjesh për nxirje të realitetit socialist, gabime të rënda ideore etj.etj.

    Regjisori Muharrem Fejzo, në librin “Të pathënat”, botim i vitit 2015, shkruan, se bashkë me Enver Kushin, pasi kemi rrugëtuar në gjithë viset ku kalonte treni dhe stacionet e tij dhe kemi takuar dhe biseduar gjatë me ata që lidhnin popullin e republikës me hekurudhat, u shtruam të shkruajmë skenarin letrar. Më 12 mars 1986 i dorëzohet skenari letrar Abdurrahim Myftiut. Po në këtë libër Muharrem Fejzo, ka një shënim që mban datën 12 nëntor 1987: “Mbledhje me Kristaq Dhamon, kryetar i Këshillit Artistik. Kristaqi u tregua shumë i kujdesshëm, në përçimin e vërejtjeve, në adresë të filmit. Ai e dinte shumë mirë gjendjen timë emotive dhe historinë e sëmundjes së zemrës dhe tensionit…”.

    Kristaq Dhamo është mësuesi i shumë regjisorëve dhe skenaristëve të filmit artistik dhe dokumentar shqiptar. Ai njohuritë dhe përvojën e gjatë në fushën e filmit ua dha pa kursim kolegëve të tij më të rinj. Kristaq Dhamo ishte një enciklopedi e gjallë e filmit. Mbaj mend, që me nismën e tij, në shtator të vitit 1984, pranë Institutit të Lartë të Arteve u çel për herë të parë Kursi njëvjeçar për skenaristë dhe regjisorë të filmit artistik e dokumentar. Kam patur fatin që gjatë periudhës shtator-korrik të vitit 1984-85, të specializohem në profilin “skenarist”, pranë këtij Instituti. Në programin njëvjeçar të këtij kursi, ideuar nga Kristaq Dhamo, përveç filozofisë, estetikës, kulturës së gjuhë, ishin edhe këto lëndë: teori e skenarit, reori e fimit dhe përbërësit e tij, skenari regjisorial, filmi vizatimor, filmi dokumentar, histori e kinematografisë botërorë, histori e kinematografisë shqiptare. Kristaq Dhamo u kujdes që për të na dhënë leksione në lëndët e mësipërme, të ishin emrat më të njohur të regjisë dhe skenarit të filmit shqiptar, si Dhimitër Anagnosti, Gëzim Erebara, Vath Koreshi, Todi Bozo etj. etj.

    Ai jo vetëm na jepte leksione për teorinë e filmit, por kujdesesh për ecurinë e përditëshme të këtij kursi. Jo vetëm kaq. Herë-herë, ne linim auditorët e Institutit të Lartë të Arteve dhe shkonim në një sallë të vogël në Kinostudio, ku shihnim filmat më të njohur te regjisorëve më të mëdhenj, rusë, italianë, francezë, anglezë, amerikanë, grekë etj. Këto filma ishin të ndaluar të shfaqeshin për publikun e gjerë. Profesori dhe regjisori Kristaq Dhamo, merrte përsipër rreziqet e kohës, për të na “ushqyer” ne studentëve pasuniversitarë të këtij kursi, me arritjet e mëdha të kinematografisë botërore. Për këtë, jo vetëm unë, por edhe dhjetra skenaristë apo regjisorë, u jemi mirënjohës artistit dhe njeriut të madh Kristaq Dhamo.

    Lamtumirë mjeshtër Kristaq Dhamo!

    Lamtumirë kapedan i filmit shqiptar! Shpirti yt fluturon hapësirave të Libofshës dhe fushës së Myzeqesë dhe botës së trazuar shqiptare, historinë e së cilës e bëtë të pavdekshme, nëpërmjet imazheve filmike.

    Ju ngjasoni, me atë që shkruan në shekullin e dhjetë, një poet i madh mistik i Lindjes:”

    Unë s’kam vdekur, unë s’kam vdekur

    Për Zotin s’kam vdekur

    Jam i gjallë,

    Zogu që del e që ndrit,

    Trupin në kafaz e lë, e braktis.

    Tiranë, mesgusht i vitit 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË