More
    KreuArte pamoreEnver Kushi: Një letër nga piktori i madh Fatmir Haxhiu

    Enver Kushi: Një letër nga piktori i madh Fatmir Haxhiu

    Kjo letër, që botohet për herë të parë, mban datën 25 gusht 1997 dhe është dërguar nga Fatmir Haxhiu dhe Leti(Farzileti), bashkëshortja e piktorit të madh. Ata në atë periudhë të trazuar dhe nga më dramatiket e tranzicionit shqiptar ndodheshin në Bilbao, ku prej vitesh jetonte Artani, djali i tyre, bashkë me Karminën, bashkëshorten e Tanit dhe Olisën dhe Editn, vajzat, që unë i kisha njohur fare të vogla, kur shkoja në familjen e tyre. E gjeta këtë letër në mesditën e 2 majit 2021, kur u ktheva nga varrezat e Sharrës. Mëngjesin e kësaj dite, që kishte shenjtërinë e Pashkës së Madhe, mora rrugën për në Sharrë. Mëngjesi ishte i lagësht, nga shiu i padukshëm, ardhur siç dukej nga qiej mistikë. Dhe teksa hyra në qytetin e të vdekurve, befas qielli u kthjellua. Kisha ardhur në këtë qytet të përjetshëm, të të vdekurve, për vizitë e për të biseduar me miqtë e mi, shkrimtarin Ylli Xhaferri, varri i të cilit është në krahun e djathtë, jo shumë larg nga hyrja e këtij qyteti, regjisorin Kujtim Gjonaj, shkrimtarin dhe kurturologun Moikom Zeqo… Qëndrova gjatë pranë tyre, u fola, duke vështruar portretet e ngrira në pllakat e mermerta të varreve. Rrallë më ka ndodhur, që të ngarkohem me ca emocione krejt të veçanta, që nuk di sesi t’i quaj, siç më ndodhi kur u ngrita nga banesa e përjetshme e mikut tim të paharruar Moikom Zeqo. Atje lashë një letër, fshehur nën një gur, që disa javë më pas e gjeti vajza e tij Kleitja. Dhe kur dola në një nga rrugët e qytetit të të vdekurve, hodha vështrimin lart, ku ca re të bardha lëviznin si me përtim në qiellin blu.

     Kërkova në parcelën, ku mesa mbaja mend, ishte varri i Vath Koreshit, njeriut të mrekullueshëm dhe shkrimtarit, që më ka ndihmuar në hapat e mia të para si prozator. U enda gjatë por nuk e gjeta. Edhe prof. Dhimitër Shuteriqin nuk e gjeta. As prof. Alfred Uçin dhe as shkrimtarë e artistë të tjerë që kisha njohur.

     Pastaj këmbët më çuan në parcelën, ku ishte varri i Fatmir Haxhiut: një varr i thjeshtë, punuar bukur nga miku i tij, skulptori Mumtaz Dhrami. Përkëdhela autoportretin e Fatmirit dhe më pas edhe portretin e bukur të Farziletit, vepër kjo e Fatmirit. Në heshtje dhe më pas me zë, u thashë se u jam mirënjohës të dyve për mikëpritjen, miqësinë, që më kanë falur në vite, se e ndjeja shumë mungesën e tyre dhe se vazhdonin te jetonin gjallë në kujtesën time. E ndërsa po largohesha, i dërgova sms Arianës, vajzës së tyre, ku i shkruaja, se u çmalla me ta. Ora ishte 11. Dielli digjte, ndërsa nga lugina e Erzenit, erërat dukej sikur sillnin hingëllimat e ngrira të kuajve, që piktori i madh Fatmir Haxhiu, ka hedhur në tablotë e tij të papërsëritshme. Këto hingëllima kuajsh më shoqëruan, kur hyra në shtëpi, bashkë me një ngarkesë të çuditëshme emocionesh, ose më saktë re malli, që dyndeshin vrullshëm, ardhur nga varrezat e Sharrës.

     E dija që e kisha ruajtur si sytë e ballit, letrën që më kish dërguar Fatmir Haxhiu, nga Bilbao e largët. Dhe kur e hapa dhe nisa ta lexoj, nga fjala në fjalë dhe përmes rreshtave, më dukej sikur dëgjoja zërin e Fatmirit dhe të Farziletit. Letra është shkruar në dy faqe. Dallohet kujdesi i mikut tim, jo vetëm në kaligrafinë dhe saktësinë e shkrimit të shqipes, por edhe dëshira për të dhënë sa më shumë informacion, për Artanin, Karminën, mbesat, që “janë rritur e zbukuruar dhe janë bërë zonjushe”, për Bilbaon, “qytet i madh dhe i bukur,  ndërtuar mbi nje terren të thyer, me kodra gati malore, që së bashku me arkitetkturën e bukur të ndërtesave, u japin larmi peisazheve befasuese…” Për t’i bërë më konkrete këto imazhe, bashkëngjitur me letrën, është edhe një kartolinë, ku janë 4 foto të vogla me ngjyra. Në pjesën e pasme të saj, poshtë emrit me gërma të mëdha BILBAO, janë këto diçitura për fotot: Ria, Teatro Araga, Casade Juntas (Garnika), y Basilica de Nuestra Senora de Begona).

     Nuk po ndalem në hollësira të tjera, që Fatmiri shkruan në këtë letër, që kanë të bëjnë me jetën e gjallë artistike e kulturore, në Bilbao, por dua të nënvizoj dy konstatime që do t’i lexoni në këtë letër”

    Së pari, atij i kanë bërë përshtypje, jo vetëm kultura e ndërtimit në Bilbao, Madrid, Gernika, San Sebastian etj, por edhe muzetë e pasur dhe kujdesi që tregohet për trashëgiminë kulturore në Spanjë, vend që i ka dhënë Europës dhe botës, shkrimtarë, piktorë, artistë, arkitektë të jashtëzakonshëm. Pas këtij konstatimi, vjen një frazë që nuk ka nevojë për koment! “… ndjej keqardhje për vendin tonë, që edhe pas pesëdhjetë vjetëve pune e djerse të lodhshme që bëmë, këto vitet e fundit, siç e di ti, e larguan Shqipërinë edhe më shumë nga bota e qytetëruar”.

    Së dyti, piktori i madh Fatmir Haxhiu, siç shkruan në këtë letër: “Që kur kam ardhur, pothuaj çdo ditë kam punuar edhe pikturë, që t’i lë Artanit disa kujtime, sepse nuk  dihet, jeta bën të vetën dhe ma merr mendja, do ta kemi të vështirë të vimë përsëri”, ai ka vazhduar punën e tij krijuese, me të njëjtin ritëm , si në Shqipëri.

    Ishte viti 1997, një nga më dramatikët dhe të mbrapshtët për Shqipërinë postkomuniste. Në qytetin e bukur të Bilbaos, ai atë vit, ishte në prag të 70 vjetorit të lindjes dhe punonte pa pushim, duke jetuar dhe me hallet e Shqipërisë dhe ngjarjet tragjike, që përjetonte Kosova martire, në atë periudhë. Mbaj mend, që kur u kthye në Shqipëri, në shtator të 1997, më foli gjatë për qytetërimin e madh ispanik dhe dhimbjen, që përjetonte Shqipëria. Tre vite më pas, në fundvitin 2000 dhe fillimvitin 2001, piktori i madh Fatmir Haxhiu, do të vizitonte Kosovën e çliruar nga pushtuesi mbi një shekullor serb. Ai ishte i mbushur me emocione dhe po hidhte bocetet e një piktutre murale, për betejën e Fushë Kosovës të vitit 1389.

    Të dashur Neta dhe Enver,

    Dëshirojmë të jeni të gjithë mirë me shëndet dhe me punë!

    Neve këtu po e kalojmë mirë. Po çmallemi me Artanin-Karminën dhe mbesat. Ato janë rritur e zbukuruar dhe janë bërë zonjushe.

    Qyteti është i madh dhe i bukur, i ndërtuar mbi një terren të thyer, me kodra gati malore, që së bashku me arkitekturën e bukur të ndërtesave u japin larmi peisazhesh befasues Bilbaos. Jeta është tepër intensive, fillon në mëngjes gati dy orë më vonë se në Shqipëri (pasi këtu dielli lind dhe perëndon dy orë më vonë nga tek ne), por vazhdon deri në ora dy mbas mezit të natës, sidomos në këtë periudhë, që janë dhe festa e gushtit, njerëzit dëfrejnë, kërcejnë e këndojnë në mënyrë massive, të shoqëruara me aktivitete të gjera artistike e kulturore në shumë pika të vendit.

    Artani është përpjekur të na argëtojë dhe të na kënaqë. Përveç Bilbaos, kemi parë dhe qytete të tjera, si Madridin, Gernikën, San Sebastianin e të tjera qytete, të cilat na kanë lënë mbresa të mëdha, për kulturën e ndërtimeve, pastërtinë shembullore, për muzetë e pasura dhe kujdesin që tregojnë për mirëmbajtjen e tyre. Bashkë me kënaqësinë ndjej keqardhje për vendin tonë, që edhe pas pesëdhjetë vjetëve, pune e djerse të lodhshme që bëmë, këto vitet e fundit, siç e di ti, e larguan Shqipërinë edhe më shumë nga bota e qytetëruae.

     Që kur kemi ardhur, pothuaj çdo ditë kam punuar edhe pikturë, me qëllim që t’i lë Artanit disa kujtime, sepse nuk i dihet, jeta bën të vetën dhe ma merr mendja, do ta kemi të vështirë të vimë përsëri. Më 3 shtator do të shkojmë në Venecia. Do Zoti ta kalojmë mirë. Në Shqipëri do të kthehemi më 21 shtator, pasi edhe vizën ma dhanë deri në këtë datë.

    Urojmë t’u gjejmë shëndoshë e mirë. Të fala të gjithëve.

    Të fala keni nga Artani-Karmina dhe mbesat.

                              Ju përqafojmë

    Leti, Fatmiri

    Bilbao, 25 gusht 1997

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË