More
    KreuMuzikëEnver Kushi: Hapësirat e këngës shqiptare

    Enver Kushi: Hapësirat e këngës shqiptare

    Mbi librin “Probleme etnomuzikologjike” të Rexhep Munishi

    Në vend të hyrjes

    Rexhep Munishi u lind më 20 qershor të vitit 1945 në Gmicë të Kamenicës (Kosovë). Pasi kreu shkollën e mesme të muzikës në Prizëren, në vitin 1969 u diplomua në Akademinë e Muzikës në Beograd, në Degën e Teorisë. Në kryeqytetin e ish Jugosllavisë, ndoqi studimet edhe në Degën e Etnomuzikologjisë. Në vitin 1971 u punësua në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Sektorin e Etnomuzikologjisë.

    Rexhep Munishi është specializuar në Paris me etnomuzikologë të njohur europianë e botërorë.

    Nga librat e tij të botuara përmendim: “Këndimi i femrave të Podgurit” (1979), “Këngët malësorçe shqiptare” (1987), “Krijimtaria korale shqipe në Jugosllavi”(1988), “Probleme etnomuzikologjike” (1997), “Identiteti muzikor” (2001), etj.

    Mbaj mend që në Festivalin Folkrorik Kombëtar, që u organizua në Berat në shtator të vitit 1995, Rexhep Munishi, ishte anëtar i Jurisë të këtij Festivali.

     Në maj të vitit 1995, Teodor Laço, që ishte ministër i Kulturës, më rikthen në atë dikaster, pasi në vitin 1992, në zbatim të Ligjit 74/1, më kishin larguar. Isha me fat që ai më ngarkoi të ndiqja përgatitjet për Festivalin Folkrorik Kombëtar dhe më pas edhe si skenarist të kësaj veprimtarie të madhe, regjisor i të cilit ishte aktori dhe regjisori i njohur Dhimitër Orgocka. Ministri Laço, bëri edhe një zgjedhje të mençur e të duhur: President të Festivalit Folkrorik Kombëtar të Beratit vendosi prof. Ramadan Sokolin, personalitet i shquar i entomuzikologjisë shqiptare.

    Ndoshta ishte shtatori i vitit të mbrapsht 1997, kur prof.Ramadan Sokoli më telefonoi duke më thënë se më priste në shtëpinë e tij. Shkova menjëherë. Dhoma e punës ose studioja e tij ishte një muze i vërtetë. Atje më dha për të lexuar librin e Rexhep Munishit “Probleme etnomuzikologjike”. Është libër me shumë vlera, më tha profesori. Lexoje dhe përpiqu të bësh një shkrim për të. I premtova se do ta lexoj, por i thashë se nuk jam i kësaj fushe . . . Kosova po vlon nga brenda, tha profesori. Libri i Munishit është shkruar nën okupimin serb. Ai shtron në këtë libër disa probleme të rëndësishme jo vetëm të etnomuzikologjisë shqiptare, por edhe të muzikës, trysnisë serbe për deformimin dhe banalizimin e muzikës dhe këngës shqipe në Kosovë. Profesor Ramadan Sokoli kishte të drejtë. Librin e Rexhep Munishit e lexova me shumë vëmëndje, duke mbajtur edhe shënime apo shkruar ndonjë ide për të.

    Mbaj mend që shkrimin e mbarova në nëntor të vitit 1997. Profesor Sokoli e pëlqeu.

    Tani që kanë kaluar shumë vite nga botimi i librit të Rexhep Munishit dhe Kosova është një vend i pavarur dhe i lirë, libri mbetet aktual. Shkrimi im modest që botohet në “Ex libris”, është një homazh për jetën dhe veprën e etnomuzikologut Rexhep Munishi.

    Këngë e britma

    Vite më parë, në një nga skedarët e Bibliotekës Kombëtare, nën shifrat e zakonshme orientuese, do të lexoja titullin “KËNGË E BRITMA NGA QYTETI i DJEGUR” dhe më poshtë shënimin” “I mblodhi Mitrush Kuteli”. Titull paksa i çuditshëm, ku fjala këngë e lidhur me fjalën britma, më krijuan ndjesinë e të jashtëzakonshmes…

    Ishtë një libër më këngë popullore, të mbledhura nga Mitrush Kuteli në qytetin e Pogradecit, siç thotë autori, “midis datës 26 gusht dhe 7 shtator 1943” dhe të botuara po nga ai në Tiranë, më 1944.

    Rrethanat e mbledhjes së këngëve, si dhe ato të botimit, janë të jashtëzakonshme. Mjeshtri i madh i prozës shqiptare, në momentet dramatike të pushtimit fashist, u kap fort pas këngës së popullit. Ai e ndjeu se kënga ishte një nga kështjellat e ekzistencës dhe të rezistencës shqiptare. Sepse mund të pushtosh hapësira të tëra dhe mund të mbash nën terror për vite një popull, por është e pamundur të okuposh atë që quhet shpirti i kombit: këngën. Prandaj nuk është e rastit mbledhja dhe botimi nga Mitrush Kuteli, në harkun kohor të okupimit italo-gjerman, të një libri me këngë popullore me titullin kuptimplotë “Këngë e britma nga qyteti i djegur…”

    E mbajta gjatë këtë libër, duke shfletuar fletët e zverdhura nga koha dhe duke ndjerë peshën e viteve, si dhe këngët dhe britmat nga qyteti i djegur… Dhe sa herë lexoj veprat e shkrimtarëve apo studiuesve kosovarë, nuk e di pse ndjej këngë e britma jo të një qyteti, por të një krahine të tërë, të asaj që quhet KOSOVË. E njëjta gjë më ndodhi, kur mbarova së lexuari veprën e etnomuzikologut Rexhep Munishi “Probleme etnomuzikologjike”. E botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, vepra e Rexhep Munishit është shkruar në kushtet e okupimit fizik e shpirtëror të shqiptarëve. Botimi i veprave, që kanë të bëjnë me traditat, historinë, folklorin, etnografinë, letërsinë etj etj, por edhe një varg i ri, që sapo hidhet në letër shqip, një melodi e re, që sapo këndohet shqip, një tingull i ri çiftelie apo fjalët e para të gjuhës shqipe, që sapo nis e thotë një fëmijë i Kosovës, janë gurë, që zenë vend në atë që quhet kështjellë e shpirtit. Kosova, si asnjëherë tjetër në historinë e saj tragjike, ka nevojë për kështjellën e madhe të shpirtit: arsimin dhe kulturën. Është pikërisht arsimi dhe kultura në shënjestër të goditjes së makinës shtypse serbe. Që këtej, mendoj se buron rëndësia e librit të Rexhep Munishit “Probleme etnomuzikologjike” dhe shtrirja shumëdiminsionale e tij. Trajtesat jo vetëm shkencore të materialit folklorik, por dhe shqetësimi intelektual dhe qytetar për shumë nga problemet që lidhen me fatet e kulturës kombëtare, me vendin që zë folklori në jetën e popullit, rolin e muzikës dhe të institucioneve kulturore në kushtet e okupimit dhe mbi të gjitha, për të ruajtur të pastër traditën muzikore shqiptare nga bastardimet dhe banalitetet e kohës, e bëjnë veprën e Rexhep Munishit interesante dhe solide në llojin e vet dhe mbi të gjitha, të lexueshëm për një kategori të gjërë njerëzish.

    Krahët e erës dhe kënga

    Vepra e Rexhep Munishit, duke rrokur hapësirat e këngës e të folklorit shqiptar ka shtrirjen e hapësirave mbarëshqiptare. Këndvështrimi i autorit është i gjerë, siç janë të gjera hapësirat e këngës shqiptare, që nuk njohin kufij artificialë, sepse siç shkruan Mitrush Kuteli në parathënien e veprës së cituar më lart, kënga s’ka kufij që ta ndalojë. Ajo lind diku dhe, në qoftë se përmban brënda saj ndonjë thërrime arti të vërtetë, shkon gojë pas goje në krahët e erës.

    Rexhep Munishi, duke qenë njohës shumë i mirë i foklorit të Kosovës, grumbullues në terren i këtij folklori, është edhe analizues dhe interpretues i tij. Jo vetëm kaq. Ai e sheh këngën element të qënësishëm të ekzistencës së popullit dhe gurin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar. Në këtë vështrim, vepra “Probleme etno-muzikologjike” fiton hapësira të gjera mbarëkombëtare. Në këtë vepër gjen studime për këndimin polifonik shqiptar në Kosovë e Maqedoni, për të kënduarit dyzërësh në disa fshatra të rrethit të Kaçanikut, për instrumentistë dhe mjeshtër të rrallë popullorë, për folklorin muzikor në rrethin e Gjakovës dhe të Deçanit, për manifestimet e mëdha folklorike në Kosovë e deri në atë të Shqipërisë, siç është Festivali Folklorik Kombëtar Berat 1995. Në to ndihet pasioni i madh dhe dashuria e jashtëzakonshme e autorit për popullin, kombin dhe kulturën e lashtë shqiptare.

    Mendoj, se nuk është aspak e rastit përqëndrimi i vëmendjes në theksimin e stilit kombëtar në shkallën e etnomuzikologjisë, për të cilin autori nënvizon aktualitetin dhe rëndësinë e veçantë në studimet komplekse të muzikës së një populli. Rexhep Munishi, me qartësi dhe thellësi të admirueshme, depërton në indin e këngës: melodinë (kujtojmë këtu substratin “Stili i tingullit popullor”). Me ineteres është evidentimi (krahas disa studiuesve të tjera si etnomuzikologu i shquar prof. Ramadan Sokoli), i disa mënyrave këndimi tek shqiptarët: këngët e vajzave (bareshave) ose këngë fyti, këngët malësorçe) me gisht në vesh) dhe polifonia, që paraqesin relikte të trashëguara nga të parët tanë.

    Është me interes hulumtimi i Rexhep Munishit për këndimin polifonik shqiptar në Kosovë e Maqedoni, të dhënat për shtrirjen gjeografike të kësaj forme të lashtë të këndimit. Polifonia, siç dihet, është bërë objekt studimi jo vetëm i studiuesve vendas, por edhe atyre të huaj. Tek popujt ballkanikë, me kulturë nga më të lashtët e më të begatët e Europës, polifonia ruhet ende. Por tek shqiptarët ajo të befason dhe të mrekullon me origjinalitetin e saj, me format e lashta dhe me larminë me të cilën ajo paraqitet e që të kujton koret antike… Rexhep Munishi sjell të dhëna interesante në dobi të tezës së shtrirjes gjithëkombëtare të këndimit polifonik. Ai analizon materiale konkrete për shtrirjen e polifonisë më trevën e Opojës, disa fshatra të Kaçanikut, në rrethet e Tetovës e të Gostivarit, të Kërçovës, të Ohrit dhe të Prespës.

    Vepra “Studime etnomuzikologjike” fiton hapësira të gjera edhe me studimin për Festivalin Folklortik Kombëtar të Beratit. Sepse në këtë Festival madhështor, krahët e erës, sollën në kalanë e lashtë të Beratiit, relievin e jashtëzakonshëm të folklorit shqiptar, që nga skajet më veriore të Kosovës, deri në ato më jugore të Çamërisë. Për 30 orë shfaqje, në mbi 400 numra, konkludon Munishi, pamë e dëgjuam muzikën e trashëguar nga të parët tanë ilirët, të shtrirë në fise, në konfiguracionin gjeografik, ku dhe sot jetojnë shqiptarët. Nga ana tjetër më duket i drejtë dhe shumë i saktë mendimi se në materialin e paraqitur dhe në fizionominë e përgjithshme të Festivalit Folklorik Kombëtar, vërehej fryma dhe ideja e etnomuzkologut tonë të nderuar, prof. Ramadan Sokolit. Prania dhe kontributi i rij e bëri edhe më cilësore madhështor këtë festival.

    Nga vera e shkuar shqiptarët ranë në zi (A po hesht muza e muzikës?)

    Nuk është varg balade. As fillimi i ndonjë kronike. Ndoshta do t’i shkonte fillimit të kronikës për vitin 1990, vitin kobëzi të Kosovës. Thëniet e mësipërme, të shkëputura nga njëri prej shkrimeve të kapitullit “Akulturimi, komercializmi aktual i muzikës”, tingëllojnë si vargje të baladave të lashta shqiptare. Pikëllimi tronditës i autorit në shkrimet dhe studimet e këtij kapitulli, të kujtojnë herë-herë vajet e njohura të popullit tonë. Shkrimet apo studimet e këtij kapitulli janë më tepër se vaje, më tepër se kuje, më tepër se shqetësim qytetar, më tepër se brengosje. Sepse njeriu dhe qytetari Rexhep Munishi, sepse patrioti dhe qytetari Rexhep Munishi, nuk mund të jetë i qetë, kur sheh zbrastësinë në krijimtarinë dhe veprimtarinë muzikore të Kosovës, kur e sheh muzën hyjneshë muzikë, të përgjakur. Kapitullin “Akulturimi, komercializmi aktual i muzikës”, e përshkon shqetësimi për erërat e acarta të atij që quhet uzurpim, dhunë ndaj institucioneve audio, audiovizuale, shoqëruar me veprime të tjera rrënuese e shkatërruese të institucioneve kulturore- artistike të Kosovës.

    Autori konstaton se procesi i akulturimit të muzikës sonë popullore, që po ndodh kohëve të fundit, është i pranishëm në shkallë të lartë dhe i kanoset seriozisht identitetit të kulturës muzikore nacionale. Duke u ndalur në shfaqjen në dy rrafshe të akulturimit, si në atë që lidhet me interpretimin dhe me imitimin e elementeve të materialit muzikor (ritmi, motivi, stili i të kënduarit e i melodisë, përgjithësisht tingëllima, përmbajtja), Rexhep Munishi ndalet dhe analizon rrjedhojat e këtij procesi. Sipas tij, në këtë zbrastësi emocionale dhe për përfitime komerciale, u arrit prodhimi i kasetave të këngëve të reja popullore të kompozuara. Në këtë këngë u krijua një atmosferë patetike, romantike, pikëlluese e vajtuese, vend e pa vend, që më shumë ishte i dëmshëm sesa paraqiste ndonjë kontribut emocional e artistik.

    E shoh me vend të ndalem shkurt edhe në studimin e gjatë “Aspekte sociologjike të muzikës së kafesë”. Tek ne sociologjia e muzikës jo vetëm është e panjohur, por deri më sot asnjë nga studiuesit tanë nuk është marrë me të. Rexhep Munishi ndoshta nga të parët muzikologë shqiptare, hidhet në një fushë të panjohur më parë. Me profesionalizëm të admirueshëm, ai trajton një aspekt të jetës muzikore në Kosovë në kushtet e okupimit dhe dezistucionalizimit, atë të komercializmit. Mungesa e institutcioneve kulturore dhe lufta për ekzistencë materiale, i detyroi individët krijues dhe interpretues, të lënë mënjanë kriteret shoqërore, që përcaktojnë rolin e muzikës në shoqëri. Në Kosovë, sipas autorit, tërë jeta muzikore u reduktua në dy forma manifestimi: në muzikën e incizuar në kaseta dhe në muzikën e kafenesë. Rexhep Munishi analizon strukturën e grupeve socio-muzikore të muzikës së kafenesë dhe pasojat që u sjell muzikantëve të shkolluar muzikimi në kafene. Është tejet i rëndë konstatimi se në këto kushte, në shumë prej tyre, në vend të muzikës së vërtetë, bëhet më shumë një zhurmë apatike e denjë për ta shoqëruar mendjen e turbulluar nga pasioni i alkoolit. Në një ambient të tillë, muzikantët e vërtetë, ekzekutuesit, shndërohen në animatorë, diç ngjashëm me lojën skenike me kukulla.

    Ramadan Sokoli dhe veprimtaria e tij shkencore

    Studimi i Rexhep Munisht,”Mbi veprimtarinë hulumtuese e shkencore të Ramadan Sokolit”, ia shton vlerat librit “Probleme etnomuzikologjike”. Për mendimin tim, Ramadan Sokoli me veprën e tij, përbën një institucion më vete. Autori i 14 librave, i filmave, kumtesave në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, si dhe i disa këngëvë të bëra popullore, bëjnë që Ramadan Sokoli të jetë një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare. Rexhep Munishi përpiqet të japë përmasat e vërteta të këtij personaliteti, duke u ndalur veçanërisht në synimin e përhershëm të tij, që dëshmojnë shtresimin tonë kulturor, atë substrat, të cilin vetëm me punë dhe angazhim të këtillë mund ta qartësojë e argumentojë. Sipas Munishit, këtë profesor Sokoli e bën duke hyrë në etnogjenezë, histori, shtrirje, strukturë, funksion, rëndësi, krahasim të cilitdo problem muzikor, që qaset nga e kaluara ose jo aktuale. Në mënyrë kronologjike jepet veprimtaria e shumanëshme e Ramadan Sokolit për ngritjen dhe afirmimin e kulturës dhe shkencës së popullit shqiptar dhe kontributi i padiskutueshëm i tij si nismëtar i gjurmëve dhe studimeve folklorike dhe etnomuzikologjike. Sipas autorit, Ramadan Sokoli depërton në mjegullat e kohës, duke ndriçuar në skutat e saj më të errëta, të dhëna për historinë, arkeologjinë, gjuhësinë.

    Me të drejtë Munishi e lë të hapur studimin për veprimtarinë e Ramadan Sokolit, për t’i shtuar në të ardhmen kapituj të tjerë për jetën dhe veprën e profesorit të nderuar.

    Dy fjalë për mbyllje…

    Këngët dhe britmat që vijnë nga Kosova, të kujtojnë se në fundëshekullin e njëzete plagët tragjike, që iu hapën kombit në fillimshekull, janë ende të hapura. Në mbijetesën e tyre tragjike, shqiptarëve u është ndodhur vazhdimisht pranë kultura e tyre e madhe dhe e lashtë. Intelektualët kosovarë jo vetëm në ditët tona, por prej kohësh e kanë kuptuar domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe evidentimit të vlerave të kulturës shqiptare. Rexhep Munishi është njëri prej tyre, që me të drejtë krenohet: “Unë, një etnomuzikolog, me ngulm jam lidhur vetëm me tokën tonë”.

    Këto lidhje të autori me tokën dhe kulturën e popullit, i japin veprës së tij vlerat dhe dimensionin e trazuar të kohës. Prandaj tingëllon si thirrje për të gjithë njerëzit e kulturës në Kosovë, mendimi i Rexhep Munishit: “Duhet të ngremë moralin dhe vetëdijen kombëtare në shkallën më të lartë të përgjegjësisë dhe të ndihmojmë me të gjitha forcat tona intelektuale ruajtjen e identitetit tonë kombëtar e kulturor”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË