More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ende gjallë", nga Marita van der Vyver

    “Ende gjallë”, nga Marita van der Vyver

    Përktheu nga origjinali: Sidita Hoxhiq- Dano

    Marita van der Vyver, [1958], shkrimtare afrikane, autore e shumë romaneve, është diplomuar në vitin 1978 në degën e gazetarisë dhe ka punuar në disa revista dhe gazeta të ndryshme.
    Është fituese e shumë çmimeve të rëndësishme dhe ka qenë e ftuar të marrë pjesë në programin e shkrimtarëve të njohur të Universitetit të Iowa-s në SHBA. Librat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.


    Për miqtë e mi më të vjetër,

    përfshirë edhe ata që na kanë lënë

    por që jetojnë në mendimet tona.

    Foto grupi

    1 janar 1995

    Është një foto me ngjyra, e stilit të vjetër, me një letër me shkëlqim, e mbledh lehtësisht në dorë, përthyhet e griset fare lehtë, relike e epokës para telefonave inteligjentë.

    Do të ishte hera e fundit që bëheshin të gjithë bashkë, në fermën e vogël të Adrianit dhe Ivetës në dalje të Stellenbosch-it. Hareja e natës së mëparshme, festimi i natës së Vitit të Ri kishte lënë gjurmë në fytyrat e tyre, bashkë me disa shenja më të gjata në kohë, shenja që lë pas inati apo emocionet e tjera të ndrydhura, rrudhat e para, flokët e rëna. Mosha kishte filluar të bënte të vetën, por ata ishin akoma të rinj, aq sa të bënin sikur nuk e ndjenin ftohtësinë e saj.

    Iveta qëndronte e ulur në mes të divanit të kuq. Kishte veshur këpucë prej sateni me të njëjtën nuancë ngjyre si tapiceria. Rastësi. Ajo nuk është nga ato gra që zgjedh rrobat e saj bohemiane për t’i kombinuar me mobiliet e përdorura që ka në shtëpi. Liana dhe Maksi i ulen në krah, secili në njërën anë dhe të tre mbajnë nga një foshnje. Liana dhe Maksi mbajnë djemtë e tyre binjakë, Aleksandri në prehrin e së ëmës dhe Nelsoni në gjunjtë e të atit, edhe pse asnjë nuk arrin të bëjë dallimin mes dy foshnjeve zeshkane. Dyponti dhe Dypondi i Tintinit, të veshur mirë, me këmisha me jakë marinari të kombinuara, flokët e zinj të krehur mirë e fytyrat e pastra që shkëlqenin. E kundërta e tyre ishte Frida, e tëra lakuriq, vetëm pelenat kishte në trup, rrinte mbi prehrin e Ivetës, me tufën e flokëve kaçurrela lëmsh. Në fytyrë i dallohen njolla kafe në njërën faqe, ndoshta çokollatë,  baltë, ose edhe bojë nga studioja e babait të vet.

    Poli është ulur në krahun e divanit, ngjitur me Lianën, me të cilën ka qenë dikur i martuar. Në ato vite ishin çifti magjepsës i rrethit të miqve, Getsbi dhe Dejzi i tij. Pas ndarjes, ata vazhdojnë të jenë tërheqës, secili më vete, por nuk e kanë më atë shkëlqimin që të bën të pulitësh sytë kur i shikon.

    Ishin si pasqyra që reflektonin vazhdimisht tek njëri-tjetri dhe më pas ky pasqyrim u venit. Sytë e tij duken të trishtuar, goja e saj duket e lodhur. Dihet arsyeja. Ai akoma nuk e ka marrë veten nga vdekja e njeriut të dashur, kurse ajo ndjen ndonjëherë se lindja e binjakëve e ka lënë si të shushatur.

    Në krahun tjetër të divanit, ngjitur me Maksin, është Mila, mban veshur një fustan të kuq, ka vënë buzëkuq të kuq me një nuancë më të hapur se divani dhe këpucët e Ivetës. Pas saj, është i dashuri i ri flamand, Hermani, që ka vënë dorën në qafën e saj të gjatë. Ai është më i madh në moshë, më i madhi i të gjithë grupit. Ka flokë argjendi, ka veshur një këmishë klasike me vija blu dhe të bardha me kopsa të vogla. Elegant, ky kishte qenë vendimi i Lianës kur e kishte takuar një ditë më parë dhe ata e kishin besuar. Të gjithë ia vinin veshin gjykimeve të saj për modën.

    Adriani ishte ulur në shesh, mbi tapetin shumëngjyrësh përballë divanit, veshur me pantallona të shkurtra dhe kapele prej kashte. Ai nuk ua vinte veshin shumë rregullave të Lianës. Rrinte me këmbë të kryqëzuara dhe zbathur, njësoj si vajza e tij nëntë vjeçare e cila qëndronte përballë tij. Mona është vërtet bija e të atit të vet, me pamjen e shkujdesur sikur po vjen nga rruga, me të njëjtin qëndrim të sertë. Ajo nuk është e kënaqur me qëndrimin në foto, ulur përballë të atit, sikur e kanë marrë vetëm për pozë, kur në fakt mund të ishte e ulur së bashku me dy fëmijët e tjerë në fund të rreshtit, përballë divanit.

    Dilani vështron i vrenjtur në boshllëk, krahët i ka të mbështjellë rreth gjunjëve tërë gunga. Motra e tij e vogël, Kejtlina, një bukuroshe bionde vocërrake, përdridhet para kamerës sikur po bën prova për t’u bërë yll kinemaje.

    Kjo ishte pikërisht dita kur filloi historia e Monës dhe Dilanit, megjithëse ata vetë do ta kuptonin këtë gjë vetëm disa vite më vonë.

    Bobi dhe Zelda ishin ulur në të dy krahët e Adrianit, secila me nga një qen në prehër.

    – Shiko, – kishte thënë Zelda, – nëse do të jenë edhe fëmijët e të ftuarëve në foto, atëherë do të ishin edhe qentë dhe këlyshët e tyre. Përfaqësimi ishte i rëndësishëm. Ajo e dinte mirë. Fytyra e saj ishte e vetmja ngjyrë kafe në grup.

    Mona ishte përpjekur ta bënte të merrte poza edhe qenin e saj labrador, por u mërzit dhe u largua në minutën e fundit. I duket vetëm bishti në këndin e poshtëm majtas pranë Dilanit, i cili duket sikur do të donte të bënte ashtu si qeni dhe të largohej. Ai është njëmbëdhjetë vjeç, i sëmurë, por i mësuar me trupin e tij dhe nuk ka fare qejf të buzëqeshë para një aparati fotografik.

    Ralfi qëndron pas divanit, i gjatë dhe i ngrirë si një kolonë, thjeshtri i tij pesëvjeçar në njërin krah dhe krahun tjetër ia ka hedhur mbi sup Leslit. Ajo ka zënë vend aq mirë nën shpatullat e tij, trupi i mbledhur ka zënë rehat pas kolonës dhe sytë i ka fshehur pas syzeve të rënda. Nana Muskuri, ky ishte emri i tyre me përkëdheli për këtë grua me flokë të zinj, që mban syze me skelet të zi, e cila kishte arritur të zbuste zemrën e Ralf luanit. Ajo e kishte zbutur, e kishte shpërblyer me fëmijë dhe me një shtëpi në periferi, atëherë kur miqtë e tij kishin filluar të besonin se nuk do të ndodhte kurrë më një gjë e tillë.

    Oskari, djali i vogël në krahun e Ralfit, i ka zgjatur diçka vogëlushes në radhën e pasme, ka diçka që do t’ia japë në dorë, mbase një biskotë ose ndonjë copë ëmbëlsire. Sasha qëndronte e qetë mbi ijën e Emës, e pavetëdijshme për uverturën e Oskarit, ndërsa gishtat topolakë i ka të ngatërruar në kaçurrelat e egra që rriten rreth fytyrës së nënës së saj si një kaçubë e rrëmujshme. Ema është një kokë më e gjatë se Lesli, ndoshta edhe pak më e gjatë se burri që buzëqesh mes tyre. Ai duket aq i çuditshëm, sa një vizitor i rastësishëm që ka përfunduar rastësisht në një foto familjare.

    Kur e panë fotografinë vite më vonë, disa prej tyre e kishin vërtet të vështirë t’i mbanin mend emrin. Ai është Çarli, me të cilin Ema kishte kaluar natën e Vitit të Ri, një aventurë seksuale që i kishte habitur të gjithë, më së shumti Emën se këdo tjetër.

    “Shiu i parë pas një thatësire të gjatë” e kishte ngacmuar Adriani. Por thatësira do të kthehej shumë shpejt.

    Ema e kishte ngritur deri në ijë engjëllin e vogël bjond, fëmijën e saj dhe të burrit të ndjerë. Ishte e vështirë të besohej se Filipi me cinizmin e tij të zymtë mund të kishte ngjizur një fytyrë të tillë të pafajshme. Ajo thoshte se ishte e vetmja gjë e mirë e marrëdhënies së befasishme që kishin pasur.

    Ajo e ngjiti foton e grupit në mur mbi tavolinën e shkrimit, më mirë të themi, mbi disa tavolina shkrimi gjatë atyre viteve dhe ndonjëherë ia ngulte sytë për disa minuta deri kur gishtat e saj ndalonin mbi tastierën e kompjuterit.

    Liana e kishte vënë fotografinë në një album fotografik të stilit të vjetër me faqe të zeza të forta, të mbajtura  me katër qoshe fotografish ngjyrë floriri.

    Vetëm ajo e dinte se ku mund të gjeje ende albume kaq elegante e të vjetra. Ndonjëherë e shfletonte, me Maksin ose binjakët.

    Poli dhe Mila e ruajtën foton në një re digjitale sepse fotografitë e printuara dhe albumet prej letre zinin shumë hapësirë në kontejnerët e transportit në të cilat pasuritë e tyre transportoheshin në shtëpi të reja në kontinente të tjera.

    Zelda e ngjiti foton mbi derën e frigoriferit në kuzhinën e saj dhe të Bobit në Cape Town pasi i kishin zëvendësuar qentë me fëmijë të vërtetë, e kështu u tregonin pasardhësve një fotografi të jetës së prindërve të tyre. “Ne para se të vinit ju”. Diçka e tillë.

    Ralfit i kishte dalë nga mendja fotoja. E kishte hedhur në një sirtar diku, derisa e gjeti kur iu desh të paketonte plaçkat e shtëpisë pas zhdukjes së Leslit. Papritur i rrëshqiti nga një pirg letrash, një dhuratë e papritur që i solli ngushëllim papritur.

    Iveta e vendosi foton në studion e Adrianit, që ishte bërë lëmsh kohët e fundit. Thjesht e ngjiti në mur me një thumb kancelarie, mes qindra fotove të tjera, fotove të miqve dhe të panjohurve, prerje gazetash me ndërtesa të famshme dhe vepra arti, kartolinave, skicave dhe ilustrimeve. Me gjithë atë lëmsh që kishte para syve, vështirë se mund ta dallonte. Ajo shpresonte të paktën që një ditë do ta vinte re, edhe pas disa muajsh.

    Një foto grupi krejtësisht e zakonshme që rrëfente një histori prej mijëra fjalësh. Ose, më mirë le të themi, një mozaik historish. “Ishte thjesht çështje këndvështrimi”, do t’i thoshte vetes Ema, “sigurisht varej me sytë e cilit prej tyre po e vështroje”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË