nga Ballsor Hoxha
Përmbledhja me poezi “Enciklopedia e mërgimit” është poezi si gjendje, si asnjanësi, si jetë prapa çarjes së saj në dy pjesë. Ku nuk arrin të kalosh kurrë matanë, as në vendin mikpritës e as në vendin e lindjes. Apo ku sa herë kalon matanë, prapa në vendlindje apo prapa në mërgim, ke lënë prapa gjysmën tënde të jetës. Dhe pikërisht kjo të neutralizon dhe të mbanë në një gjendje të përhershme reminishence. Në të vërtetë ke vetëm një shpëtim: ta duash arritjen, azilin, mërgimin, duke e lënë të tërën në duart e fëmijëve, dhe pastaj të klithësh “ pse me të fillojnë fëmijët e mi” (poezia nën “country of destination”). E “fëmijët fillojnë” vetëm se ishin të pamundur matanë! Në vendlindje!
Apo, kjo gjendje, kjo asnjanësi, ky neutralizim krijohet sepse je gjithmonë me një “përbri” përbrenda, ka një përbri, ka një rrjedhë tjetër, cilado që është përpjekja jote
/sa herë kam shëtitur kështu/ buzë këtij lumi/ kam pritë me iu shkri akujt…
/dhe rrjedh/ rrjedh gjithmonë/ një lum tjetër/ përbri (poezia nën “acculturation”)
Më tutje po e shpalosim atë që fatthotë “Enciklopedia e mërgimit”, nëpërmes disa prej fjalëve të saj më të dhembshme:
Azili,
/pse askush nuk do ta mbarojë byrekun e nënës/
…/(a është ky azili babi)/ (poezia nën “asylum”).
Pse askush nuk do ta mbarojë byrekun në poezinë nën “asylum” derisa e kanë marrë rrugës për në mërgim? Derisa ai është prishur dhe kundërmon, nën intervistat e shumta të vendit ku kanë ikur familja? Apo ndoshta kjo do të thotë ta mbarosh – kopshtin e gjyshes, shiun e verës mbi strehë, aromën e ftonjve – ta mbarosh thyerjen e jetës, ta gëlltisësh të ndarë dhe të lënë prapa.
Apo pikërisht kjo të bën ikanak, i ikur, ikës.
Apo, që është më e dhembshmja “mbaron byreku” përgjithmonë!
Sipas etimologjisë Asylum, buron nga shprehja për statusin e njeriut pa të drejt prone, që kaloi deri tek sinonimi për – strehë -, strehimore, etj. Azil ishte edhe burgimi, e edhe burgimi i të sëmurëve mendor.
Prej këtu azil ka mbetur një simbolikë e të qenit i ikur, në ikje, por a ndalet kjo ndonjëherë. Apo ndalet në ‘izolim’. “Një herë mërgimtar, tërë jetën mërgimtar” thonë poetët në këtë përmbledhje me poezi mbi azilin. Një herë i dalë prej vendit, vendlindjes, atdheut, mëmëdheut, a e gjen një tjetër ndonjëherë?
Mërgimi,
fjala Mërgim, në gjuhën tonë është edhe emër personi, për të kujtuar familjarët e mërguar, apo edhe fenomenin e të qenit të mërguar dhunshëm, ndarjen e familjes etj.
Në të vërtetë Mërgimi është ndarje, ikje dhe ndarje, dhe kalim i të njohurës në të panjohur, ku çdo gjë e jotja, prej gjuhës e deri tek ëndrrat janë të huaja, dhe të dallueshme nga të tjerët.
Kjo ndarje është jo vetëm ikje, por edhe lënie, e një jete të plotë, një jete të tërë, një përhershmërie të pandalshme.
Kjo ndarje është çarje, në dy jetë, jetën e natës – ëndërrimit ku je shqiptar, dhe jetën e ditës ku je nëpunës i një “atdheu”, një strehe të panjohur. Siç thuhet në “fatthënie” të përmbledhjes mbi Mërgimin.
“Burra Gra Fëmijë shtrëngojnë ujin “ (poezia nën “migration”
Por është e njëjta gjë, është fenomen kur Burra Gra e Fëmijë shtrëngojnë ujin, për t’u kapur, për t’u mbajtur, për të jetuar tutje. Por prej ku? Dhe ku?
Ndoshta kapur për uji, gjen!, edhe atdheun e ri, mëmëdheun e ri, dhe edhe strehën, azilin e ri. Në ujë! Në fundin e tokës, dhe fundin e gravitetit, fundin e rrënjëve, dhe për këtë fundin e të ardhmes.
Zvogëlimi,
pak më tutje jeta në Azil, Mërgim, është jetë e cila nuk të njeh “mbahem për vedi e për çfarë kam në duer/… gjithmonë e huej/”, është jeta, si jeta e poezisë nën “alien”. Ndoshta është gjendje në zvogëlim, në përhumbje, në të mbetur të pandalshëm/në mbetje të përhershme.
“Unë nuk e di si e ballafaqon ti vogëlsinë tënde të paskajshme”, i thotë kolegu kolegut pikërisht në poezinë nën “border” (Kufi), e kufiri vetë kuptesa “se e kemi vetëm njëri tjetrin: se askush prej nesh s’do të kthehet më kurrë në shtëpi”.
Ky zvogëlim, kjo përhumbje, të mbetur të pandalshëm vjen si mungesë. Mungesa është “si diell i fortë që vret”, në poezinë nën “certificate of identity”. Metaforë mjeshtërore ku mungesa është dielli, vetë e paikshmja dhe jeta, e jeta mungesë.
Pikërisht sikur në romanin Identity të Milan Kunderës, ajo, e mërguara ka identitetin e vet në tjetrin, është vet tjetri, i dashuri, por jo në jetë, jo në realitet, por me emrin tjetërsues – Lars. Në një azil pleqësh. Në një dementia/Alzheimer të pleqërisë. Në të vërtetë , gjithnjë në ngjashmëri me Identity të Kunderës është në një ankth ëndrre, parathënëse apo parandjenje.
I huaji,
Ky është stacioni i fundit ku përfundon azilanti, i mërguari. Është fundi i identitetit siç e dimë, dhe është fund i cili të gjen sikur në poezinë nën “foreigner”
“e gjeta më në fund stacionin/ me shumë vonesë/ treni më iku përpara këmbëve/ u ula në stol me pritë tjetrin/ më mori gjumi nga lodhja/ më zgjoi zani i një fëmije/ “babë, babë”, ku je?/”. ( “foreigner” sipas përshkrimit në anglisht në “Enciklopedia e mërgimit” (e që është fjalëzim i Enciklopedisë ndërkombëtare mbi Migrimin përpiluar nga Organizata Botërore për Migrim) është: “Një person që i takon… një shteti tjetër.”
Pra në një shtet tjetër, një person i cili ka mbetur në stacion, mund të zgjohet vetëm duke përkitur dikund! E ai përket në fjalën, në emrin e tij: baba.
Expatriate/ i çatdhesuar,
dhe brenda-lidhja
brenda-lidhja (Interteksti) në “Enciklopedia e mërgimit” si zanafillë, fije lidhëse, si tjerrje e jetëve, të gjithave, para dhe pas thyerjes, ndarjes dhe Azilit, është tërësia e një jete të parë, të thyer para dhe prapa azilit, mërgimit dhe tëhuajsimit. Është mbijetesë, qoftë edhe unike shqiptare:
“… endet tash vetëm hija e besës sate/ … një ditë do të kthehesh/ Konstantin” (poezia nën “expatriate”)
Poetja e ka gjetur strehën, azilin e mërgimit të saj në hijen e besës së Konstantinit. Aq më shumë ajo e vulos kthimin e tij – një ditë -. Kështu, diku në ndërmjetësinë në mes ëndërrimit dhe realitetit, dëshirës dhe pamundësisë, ajo rikthen Konstantinin, zanafillën e mërgimit shqiptar, në vendlindje. Është brenda-lidhje aq e thellë psiqike që kërkon deri në kockën e të mërguarit të parë, deri në vdekje e tutje në besë, e në hijen e besës, deri në “kush i pari bani”!
Poezia e “Enciklopedia e mërgimit” është një tmerr i cili shprehet me tërë vetëbesimin e një azilanti, dhe në këtë është komedi e zezë në momente të saj. Poezia mbi mërgimin këtu del si asnjanësi, tëhuajsim, dhe pafundësia e mundësisë së tëhuajsimit si antidot, si në poezinë nën “culture”: poeti “merr veten me të mirë” dhe shkon aty ku shkohet për të blerë “gjëra edhe më të huaja se vetja”.
Brenda – lidhja në të vërtetë është fuqia dhe shpresa vet, që shpërfaqet dhe ndërhynë në meditimet mbi azilin, përmes tregimeve popullore mbi udhëtimin/mërgimin, si në poezinë nën “biometrics”
/Ura Sirat që shpie në xhenet është më e hollë se floku/ më e mprehtë se shpata/ më pëshpëriste im gjysh/… Ahmet, dëgjo nipin tënd: xheneti e xhehenemi/ janë këtu: në honet mes nesh/ në tokat e askujt/… dëgjo Ahmet, atje ku je: ura Sirat qenka ndryshe? Edhe kur kalon në anën tjetër/ plagët prapë të kullojnë gjak.
Pastaj brenda – lidhja në poezinë e “Enciklopedia e mërgimit” është e ngritur si strehë brenda azilit, përmes mënyrës së – dëshirores – së gjuhës shqipe. Në dëshiroren e shqipes, e cila shfaqet në dy poezi, si në poezinë nën “costummary law”
“e mira ta gjettë rrugën, e të kaptë për qafe”
apo në poezinë nën “bona fide” (Shq. Gjendje mendore që shprehë sinqeritet në besim dhe qëllim)
/u gëzofsh/ u trenofsh/ rënsh e mos u qofsh/ të daltë flaka/… / Dëshirorja, kjo kullë e shqipes në mërgim/
Poezia e “enciklopedia e mërgimit” është poezi e cila ka dy kohë: të ditës kur njeriu, azilanti është nëpunës, dhe kohën kur azilanti është shqiptar, në ëndrrat e saj/tij. Dhe kjo është prezenca e tokës së lënë, atdheut dhe mëmëdheut, jetës së thyer, në prezencën e realitetit. Kështu azilanti duke bartur në realitetin e tij me vete një botë të tërë. E me këtë në jetën e tij duke u ndërlidhur interteksti i çdo gjëje, dhe çdo detaji, në çdo moment. Brenda – lidhja duke ndërhyrë nga jeta e kaluar, asaj të ndarë, në realitetin e prezencës, mbetur matanë, brenda dhe jashtë saj, në përhershmëri.
fatthënie
/ Dhe gjindja pyesin, çka je ti në të vërtetë. E njeriu u thotë: unë jam./
/Si totem i lashtë: Jahue: jam./
/Ky që jam./ (nga pjesa e hyrjes titulluar “fatthënie”)
Ç’ është kjo fjalë “Mërgimtarësh” – fatthënie? Ndoshta ata mbesin peng i fatit të thënë, fatit të ndryshuar, fatit të parë, fatit të dytë dhe panumër fatesh që radhiten në jetët e tyre, mbesin matanë dhe nuk arrijnë kurrë askund, mbesin në një gjendje. Dhe pikërisht kjo i fikson, i obsesionin me fatin.
Por, ndoshta në azil, në mërgim gjejmë atë që na e fshehin, kufijtë, atë që nuk e njohim kurrë jashtë kufijve tanë, se jemi, dhe aq, jemi. Apo se ne jemi “aty ku fillojnë fëmijët tanë”.
Apo se ne jemi të pandryshueshëm në tërë thyerjet, ndarjet, etj. Se ne jemi shqiptar në Shqipëri, apo shqiptarë në Suedi , e Finlandë si furrtarë me një këmbë çalë. Apo se jemi shqiptarë në retrospektivë: prej vajzës së llastuar të prindërve, bëhemi shqiptar vetëm në vendin e mërguar (poezia nën “diasporas”), dhe ecim lakuriq, se vetëm i huaji, ecën lakuriq. Por në të vërtetë, kjo thuhet ndryshe në poezinë nën “nationality”
/Prej nga je, më pyesin/…përgjigjem/ jam shqiptar/ thjesht pse s’kam më forcë t’ia shpjegoj prapë dikujt/ dhembjen time/
Dhembja e të qenit shqiptar (apo edhe kosovar) është aq e madhe sa poeti shqipton fjalën si asteroid brenda territorit të gjuhës dhe kulturës së huaj, pa asnjë kokëçarje për të gjetur një mirësi shpjegimi se ç’ është shqiptar. Pa asnjë kokëçarje se çka shkakton shqiptimi i kësaj fjale në azil.
Fundi,
përmbledhja me poezi “Enciklopedi e mërgimit” është e shkruar nga Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku, dy autorë, por asnjë nga poezitë nuk shfaq autorësinë e tyre, janë asnjanëse në këtë aspekt. Sikur poetët/autorët nuk duan të japin një emër mbi nocionet e enciklopedisë së mërgimit, duke qenë se mërgimi, nuk ka emër, nuk ka kombësi, as përkatësi, se ai është një e huaj që është, Jehau, Jam, cullak. Se, në të vërtetë mërgimi është universal dhe i njëjtë për secilin që e provon dhe e jeton.
Paqja
Poezia nën “green border”
/mërgimi sonte është një plak që shëtit qenushin/ nëpër një park ndripuar nga drita të verdha/…
Është plakur në mërgim ky personazh, dhe beftë i vjen në mendje një grua, të cilën, si në aurë të përbashkët, e ndien edhe qeni i tij të cilin ka dalë për ta shëtitur. “Por këto degët e mështeknave gjithmonë më hutojnë” thotë plaku, thotë mërgimi i plakur. Thotë se paqja nuk është e fundme asnjëherë.