More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmin Azemi: Një palimsest përtej kufijve gnoseologjikë të një botimi të zakonshëm

    Emin Azemi: Një palimsest përtej kufijve gnoseologjikë të një botimi të zakonshëm

    Pasi ta kemi mbyllur kopertinën e fundit të librit “2000 vjet krishtërim te shqiptarët”, lexuesit i mbeten të regjistruar disa momente që në formë imazhi lëvizës ia bëjnë më të qartë bashkëudhëtimin dymivjeçar të shqiptarëve me një traditë të lashtë fetare e civilizuese, siç ishte krishterimi. … Ky liber është i ngritur mbi një ariktekturë solide përmbajtësore dhe problemore, duke përthithur vlerat më të avancuara të mendimit shkencor shqiptar dhe të huaj mbi fermentimin e vetëdijes identitare të shqiptarëve përmes thelbit të kulturës shpirtërore e materiale kristiane.


    Libri “2000 vjet krishtërim te shqiptarët” është një botim i veçant që ndjek metodologjinë e ndërtimit të lëndës në bazë të një tematike përmbledhëse dhe shterruese që doli nga punimet e simpoziumit shkencor me të njejtin emër, mbajtur në Arbon të Zvicrës në vitin 1998.

    Ideuesit dhe kontributorët e këtij simpoziumi kanë zgjedhur mënyrën më të mirë të mundshme që të mbledhin në një vend studiues e autorë të ndryshëm, shqiptarë e të huaj, nga fushat e albanologjisë dhe shkencave ndihmëse interdisiplinare, për të trajtuar një nga temat më fundamentale në aerealin e studimeve historike, gjuhësore, teologjike, etnologjike, arkeologjike e muzeale, përkitazi me  identitetin kulturor e fetar të shqiptarëve, me theks të posaçëm mbi vertikalen shpirtërore të shqiptarëve që identifikohet me krishterizmin në trojet e tyre iliro-arbërore, që nga shekujt e parë pas Krishtit e deri në ditët e sotme. 

    Ky liber është i ngritur mbi një ariktekturë solide përmbajtësore dhe problemore, duke përthithur vlerat më të avancuara të mendimit shkencor shqiptar dhe të huaj mbi  fermentimin e vetëdijes identitare të shqiptarëve përmes thelbit të kulturës shpirtërore e materiale kristiane. Këtu i ka rrënjët mbase edhe përpjekja e parë për formimin e elites kulturore iliro-arbërore, e cila është meritore sepse në gjeografinë e gjithmbarshme të shtrirjes së krishtërizmit, e përfshiu edhe botën shqiptare, si një fragment i rëndësishëm dhe mjaft i integruar i kësaj tradite të lashtë civilizuese.

    Nëse i hedhim një sy listës së autorëve që morën pjesë në këtë simpozium shkencor, të cilët janë edhe shtylla narrative e këtij libri (Mark SOPI, Ercole LUPINAÇI, Antonio BELLUSCI, Femi CAKOLLI, Dom Gjergj GJERGJI, Nikë UKGJINI, Noel MALCOLM, Robert ELSIE, Odile DANIEL, Peter BARTL, Kristo FRASHËRI, Mark KRASNIQI, Peter MARKUS, Jahja DRANÇOLLI, Engjëll SEDAJ, Zef CHIARAMONTE, Ymer JAKA, Murat BEJTA, Ramadan SOKOLI, Bardhyl DEMIRAJ, Armin HETZER, John MCCAFFREY, Konrad CLEWING, Enver HOXHAJ, Gjergji Kristo FRASHËRI, Hasan MUJAJ, Nue OROSHI, Bejtullah DESTANI, Besim MORINA), do të vërejmë se ata përbëjnë zërat më domethënës dhe më kompetent në fushën e mendimit shkencor, që një kohë të gjatë janë marrë me trajta të ndryshme të traditës kulturologjike, teologjike, historike, gjuhësore e etnokulturore si bazë e formimit të identitetit krishter te shqiptarët, që nga mbërritja e Shën Palit në viset e Ilirisë pas kryqëzimit të Krishtit, në kushtet e mëpastajme të një përleshjeje shumëshekullore fetare midis Perandorisë së Romës dhe asaj të Bizantit.

    Libri ka tri pjesë – pjesa e parë përfshin kumtesat në gjuhën shqipe, pjesa e dytë, ato në gjuhë të huaja, si dhe pjesa e tretë është e përbërë nga arkivi i dokumenteve dhe fotografive, si shtojcë përcjellëse dhe ilustruese e simpoziumit shkencor, gjegjësisht e librit që tani kemi në duar.

    Cilat janë vlerat dhe përfitimet e shumanshme shkencore e kulturore e nga ky libër i botuar tash së fundmi?

    Një studiues që do t’i rrekej hulumtimit të gjeografisë kishtare të shqiptarëve, do ta ketë të domosdoshme konsultimin e këtij libri, i cili jep me saktësi shkencore radiografinë e një besimi dhe civilizimi, të cilin iliro-arbërorët pasi kishin ushtruar besimin në hyjni dhe hyjnesha, krishterimin e kanë pranuar nga Shën Pali dhe nxënësi i tij, Titi. Shën Pali është i rëndësishëm për Ilirikun si Shën Thomai për Hindinë, Shën Pjetri për Romën, Shën Titi për Kretën dhe Shën Andrea për Akainë. Dhe, sikur të mos ishte me rëndësi kjo gjeografi kishtare në trevat iliro-arbërore, nuk do të merreshin as autorë të ndryshëm serioz, në mesin e të cilëve edhe Shën Gregori i Nishit, si dhe dijetari i madh ilir Shën Jeronimi. Ky i fundit madje do të konstatoj se “krishterimi është përhapur në të gjitha vendet (…) me Tomën në Indi, me Pjetrin në Romë, me Palin në Ilirik, me Andrenë në Ahaj”. Këtij konstatimi i jep mbështetje vet Shën Pali në leterën e tij drejtuar romakëve, ku ndër të tjera do të shprehet se “që nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”.

    Kjo ndërthurje e elementeve identitare iliro-arbërore në arealin e traditës së krishterë, siç rezulton edhe nga ky liber, i ka nxitur autorët dhe studiuesit e civilizimeve që të merren edhe me vet prejardhjen etimologjike të emërtimeve që i kanë ndjekur shqiptarët. Në korpusin e shumë dijetarëve të këtij fahu ishte edhe gjeografit bizantin Ptolomei, të cilit i referohet studiuesi Nikë UKGJINI, që në shek. II pas Krishtit, arbërorët i ka cilësuar më emrin albanon, të vendosur në qytetin Albanopolis, i ndodhur dikund në mes Durrësit dhe Krujës, ndonëse supozohet se mund të jetë edhe vetë qyteti i Krujës.

    Ky gërmim në indin etimologjik të shqiptarëve ka qenë i ndërlidhur edhe me vet natyrën e hulumtimit të prezencës fillestare të elementit të krishter në hapësirën iliro-arbërore, duke filluar qysh nga viti gjashtëdhjetë pas Krishtit, në Durrës, ku, sips Dom Gjergj Gjergji,  ekzistonte një komunitet krishterësh, të cilët peshkop e kishin Shën Qesarin (viti 58 pas Krishtit), njëri nga shtatëdhjetë e dy dishepujt e Krishtit, përfshi edhe edhe Shën Asti (në shqip, Shën Ashti). Durrësi si një pikë tranziti që lidhte rrugët e shtegtarëve e tregtarëve, në aksin Lindje-Perendim dhe anasjelltas,  s’kishte si të mos ishte edhe një pikë kondenzimi e besimit dhe civilizimit krishter ndër shqiptarët.

    Për të vërtetuar praninë  e këtij civilizimi, libri që kemi në duar, sjell edhe gjetjet arkeologjike të cilat kanë dëshmuar ekzistimin e disa kishave paleokristiane, siç ishin, bie fjala, në Lin (Shlini, Shën Lini), në Liqenin e Ohrit pranë Pogradecit, po ashtu edhe në Elbasan – Scampinus, në Arapaj (pranë Durrësit), etj. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre kishave, madje mbanin emra shenjtorësh të krishterë, siç e konfirmon edhe studiuesi jezuit Fulvio Cordignano (1887-1951), me veprën e tij  “Geografia Ecclesiastica dell’Albania”, në të cilën përmend mbi 266 kisha katolike në Shqipëri, të emëruara sipas gjithsej mbi dyzet shenjtorëve të krishterë.

    Ky pozicion gjeografik i vendodhjes së shqiptarëve, kishte impakt të tërthortë dhe të drejpërdrejt edhe në vet dinamikën e përhapjes së krishterimit si dhe në efektet e nduarduarta që prodhoi ky pozicion midis botës lindore greko-bizantine dhe botës perëndimore latine.  Duke u përballur me vështirësi të shumta, siç konstatojnë autorët e këtij libri, krishterizmin shqiptar e ndoqën luhatje dhe turbulenca jo të pakta, pikërisht si rrjedhojë e të qenit të shqiptarëve në këtë zonë kufitare, aty ku kalonte vija ndarëse mes Romës dhe Bizantit, gjegjësisht midis dy kishave përkatëse. Këto luhatje kishin ndikuar edhe në fërkimet konfliktuale që kishin pasur fisnikët arbërorë me Perandorinë Bizantine, me Papën, Anzhuinët, Nemanjanjiqët etj. që rezulton si pasojë e rrethanave të këtij territori,  dhe rrezikut të vazhdueshëm nga sllavizimi, helenizimi, dhe pushtimi Otoman.

    Përderisa ekzistonte një konflikt i hapur dhe i heshtur fetar me perandoritë e e kohës, një konflik i tillë mbase nuk u reflektua në mesin e vet shqiptarëve. Ndonëse ata banonin në disa rajone heterogjene me reliev të larmishëm dhe vise të fragmentuara, megjithatë solidariteti ndërshqiptar ishte tejet i theksuar. Ky mirëkuptim brendakombëtar e brendafetar erdhi në shprehje si te ordoksët, ashtu edhe te katolikët, të cilët me veprime konkrete ndikuan në ruajtjen e lidhjeve të duhura të solidaritetit jo vetëm intelektual, por edhe moral mes shqiptarëve. Këtu mbase i ka rrënjët edhe nacionalizmi shqiptar, i cili u kultivua në saje të mbrojtjes së vlerave identitare në rrethana të një përplasjeje fetare në mes të Lindjes dhe Perendimit.

    Një element tjetër i qenësishëm që del në pah në këtë liber është kufiri kohor i përhapjes së krishterimit në tokat shqiptare, i cili është për tetë shekuj përpara bullgarëve dhe dhjetë shekuj përpara serbëve. Për rrjdhojë, iliro-arbërorët e pranuan të parët në Ballkan krishterimin, fenë monoteiste, të cilën e ka predikuar vetë apostulli Shën Pali.  Te shqiptarët madje krishterimi u përhap, jo si te sllavët e jugut nga lart, nëpërmjet presionit shtetëror, por nga poshtë, si te grekët dhe romakët, në luftë me pushtetin perandorak. Për kufijt kohor të krishterimit ndër shqiptarë flet edhe Bibla, e cila i përmend trojet arbërore me emrin antik të Ilirisë.

    Sipas Selami Pulahës, të cilit në këtë libër i referohet Akademik Mark Krasniqi, me ndarjen e kishave në atë ortodokse të lindjes dhe katolike të perëndimit, kisha e lindjes kishte përmasa më të mëdha, sidomos në pjesët jugore dhe lindore shqiptare, kurse pjesa tjetër shqiptare mbeti me kishën e perëndimit, ku më 1077 në Tivar  themelohet argjipeshkvia e parë shqiptare. Pjesa lindore e Kosovës ka qenë ortodokse, kurse ajo e perëndimit, e quajtur Rrafshi i Dukagjinit, ka qenë e ritit katolik

    Kjo ka ndikuar që kishat e popujve fqinjë, sidomos ajo greke dhe serbe, të kenë prirje asimiluese ndaj shqiptarëve, duke i konsideruar ata ose për grekë ose për shqiptarë, qasje kjo që ka krijuar një gjendje të padurueshme te shqiptarët si rezultat i presionit për t’u konvertuar. Rreziku më i madh vinte nga kisha ortodokse serbe, e cila u involvua drejpërdrejt në politkat vendimarrëse të sundimtari serb Car Dushani (shekulli XIV), për të zbatuar masa drastike gjatë kalimit me dhunë të fesë katolike të shqiptarëve në atë ortodokse. Ky represion kishtar i serbëve gjente mbështetje në Kanunin e Dushanit, sipas të cilit katolicizmi shpallej herezi e rrezikshme, që rezultonte me persekutimin e  priftërinjëve katolik  dhe shndërrimin e kishave katolike në kisha ortodokse serbe. Kjo kishte detyruar edhe Papa Benediktit XI, siç na e sjell në libër autori John MCCAFFREY, të shprehte pakënaqësinë e tij për shkak të mënyrës së jetesës që po ndryshonte në mesin e besimtarëve të disa peshkopatave shqiptare që ishin në dominimin e sundimtarëve ortodoksë. Për rrjedhojë ai kishte dërguar prijësin e dominikanëve të Hungarisë, në dioqezat e Shqipërisë, Cunavia, Polatum dhe Dyrrachium, për t’u kujdesur për katolikët që jetonin në zonat e besimit kryesisht greko-ortodoks dhe për të forcuar besimin e vërtetë në mesin e besimtarëve të “luhatur”.

    Këto masa drastike i kishin zbatuar edhe sundimtarët e movonshëm sllav (serbë e malazias), të cilët me dhunë i kishin detyruar shqiptarët të kalonin nga njëri besim te tjetri.

    Teksa e citon Edith Durhamin, lidhur me temën e mësipërme, studiuesi Bejtullah Destani, sjell në këtë liber të dhëna rrëqethëse në vise të ndryshme të shqiptarëve si pasojë e konvertimeve të dhunshme. “Duket se një sistem konvertimesh të dhunshme, që mund të krahasohet me periudhat më të errëta historike, është zbatuar. Njerëzit i kanë fshikulluar me litarë me gunga, për t’i detyruar t’i pranojnë pagëzimet. U patën bërë ballë të gjithave, derisa ishin kërcënuar me vdekje. Si rrjedhojë, disa prej tyre ishin dorëzuar dhe patën pranuar të bëheshin të krishterë. Domethënë të pagëzoheshin!”

    Për shkak të pozitës gjeografike, shqiptarët u ndodhën pa dëshirën e tyre në tehun e rivaliteti të ashpër midis Papatit dhe Bizantit, kjo sidomos për faktin se, siç mund të t’iu referohemi teksteve autoriale të këtij libri, dy kishat kryesore të krishtera përpiqeshin të përfshinin Shqipërinë në sferën e tyre të ndikimit. Kjo bëri të mundur që shumë shqiptarë të bien në kontakt me besimet e tyre të ndryshme. Në rrethana të tilla, shqiptarët i përvetësuan me dëshirë zakonet kishtare të këtyre dy besimeve dhe prandaj rezulton që nuk janë aspak befasuese devijimet e shqiptarëve nga zakonet e katolicizmit dhe ortodoksisë.

    Bashkëjetesa paqësore fetare e shqiptarëve gjatë shek. XII–XV të ndarë në katolikë dhe ortodoksë si dhe fakti se Shqipëria (viset etnike shqiptarofolëse në Ballkan), sipas historianit Gjergji Kristo Frashëri, nuk u bë kufiri i dy riteve të krishtera, por trualli ku ato jetuan diku në simbiozë paqësore, diku të shkrira në një vatër familjare. 

    Duke iu referuar njohësit të historisë mesjetare të Shqipërisë M. v. Šufflay, Frashëri teksa trajton tolerancën në mes të shqiptarëve me përkatësi të ndryshme fetare, sjell këtë argument: “[…] lufta ideologjike njëmijë vjeçare midis Romës dhe Bizantit nuk mori kurrë trajta të vrazhda në tokën shqiptare. Ndërgjegjja etnike tepër e thellë e vendasve, e cila ka peshuar më tepër se ndjenja fetare dhe se egoizmi i prijësve të tyre, nuk lejoi kurrë që zelli fetar, qoftë edhe sikur të ekzistonte, të ngrihej në shkallë të fanatizmit, të cilit gjatë mesjetës te shqiptari mezi i gjendet gjurma… Me gjithë dëmin që patën nga ndarja fetare, dallimi i shqiptarëve në ortodoksë dhe katolikë nuk mori asnjëherë përpjesëtime të tilla siç ndodhi për shembull, midis serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë […].”

    Ky është një argument i mjaftueshëm për të dëshmuar se shqiptarët e dy riteve të krishtera arritën të bashkohen nën një kryq të vetëm, fenomen i tolerancës së botëkuptimit të tyre fetar, që pati udhërrëfim përpjekjet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për një bashkimi politik të shqiparëve në shek. XV, me Lidhjen e Lezhës (2 mars 1444).

    Bashkëngjitur me përhapjene krishtërimit, në viset shqiptare shohim një zhvillim edhe të qytetëtërimit, përms qendrave të ndryeshme urbane, siç ishte edhe Ulpiana, një qytet Dardan i krishterimit të hershëm. Para shpalljes së tolerancës fetare, fillet e krishëtirmit në këtë qytet, referuar burimeve që ofron  studiuesi Enever Hoxhaj, ndërlidheshin me fatin e dy vëllezërve binjak, martirëve Flori dhe Lauri. Të ardhur nga Bizanti në Ilirikun Lindor, si gurdhjendës me përvojë, ata  erdhën për të ndërtuar një tempull pagan diku në provincën e Dardanisë, mbase në Ulpianë, ku si gurgdhendës me përvojë ngritën kryqin dhe shkatërruan të gjithë idhujt në këtë tempull, të cilin më pas ia kushtuan Krishtit. Ata njëkohësisht i konvertuan në krishterim disa banorë të Ulpianës, veprime këto që ngjallën zemërimin e perandorit Valeri Liciani, i cili ishte një kundërshtar i Konstantinit të Madh dhe përndjekës i krishterëve. Për pasojë Liciani  urdhëroi që  vëllezërit binjak Flori dhe Lauri të hidheshin në një pus të thellë dhe të mbuloheshin me dhe. Nga hulumtimet e mëvonshme arkelogjike është vërejtur se në antikitetin e vonë në Ulpianë ka ekzistuar një nderim i shenjtorëve që përkujtojnë martirët Flori dhe Lauri.

    Është periudha kur popullsia e romanizuar romake, si pasojë e pushtimit të Ulpianës nga barbarët sllavë,  u detyrua ta lëshonte qytetin dhe  në këto kushte pasigurie mund t’i kenë dërguar mbetjet e dy martirëve deri në Kostandinopojë.

    Siç mund të vërejmë, përhapja e Krishterimit nuk ndodhi edhe pa sakrifica sublime që shkonin deri në kufijt e martirizimit, siç ndodhi me vëllezërit Flori dhe Lauri,, si një tregues i hershëm i përhapjes së krishterimit në Dardani, ku qyteti i Ulpianës është prova më argumentuese e ekzistimit të një komuniteti të vogët të krishterë madje qysh në periudhën para Konstantinit.

    Libri “2000 vjet krishtërim te shqiptarët” sjell të sistemuara dhe argumentuara prurjet më të avancuaar në fushën e  hultimit të besimit dhe civilizimit të krishter te shqiptarët. Një prej atyre prurjeve është edhe biografia e Gjon Françesk Albanit (i njohur si Papë Klementit XI – Albani) e sjellur nga filologu i gjuhësisë klasike Engjëll Sedaj, sipas të Papë Klementit XI – Albani është “i gjakut shqiptar», përkatësisht se është “me origjinë shqiptare», se kishte konvokuar Kuvendin e Arbënit (1703) dhe se kishte merita të tjera për çështjen shqiptare. Shqiptarësinë e tij, ai e shpërfaqi pa ngurrim, sepse nuk u hamend fare që emrit të tij të papnisë, që asocionte emrin e lavdishëm të fisit shqiptar të Kelmendit – Klementit17 (lat. Clemens), t’ia shtonte edhe mbiemrin e vet Albani, për t’u dalluar para botës se është shqiptar.Në këtë mënyrë ai praktikisht të dy emrat – Klement dhe Albani.

    Këto argumente, Sedaj i mbështet edhe në burime e referenca të autorëve të huaj, siç ishte edhe biografi francez i Klementit XI., M. Reboule, sipas të cilit “Gjon Françesk Albani, që kishte origjinë shqiptare, u kujdesua posaçërisht për fatin e kishës në vendin e paraardhësve të tij. Me iniciativën e tij u mblodh Kuvendi i ipeshkvijve katolikë të Ballkanit, nën kryesinë e imzot Vinçenc Zmajeviqit. Kështu filloi rekrutimi i djelmoshave shqiptarë që mësuan për priftërinj në Kolegjin e Asisit”.

    Kjo inisiativë e Papë Klementit XI – Albanit prodhoi efekte integruese brendakombëtare dhe iluministe në hapësirën shqiptare, sidomos me konvokimin e Kuvendit të Arbënit, me dërgimin e misionarëve në Shqipëri, me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, me botimin e librave në gjuhën shqipe. Në këto rrethana u krijua edhe letërsia e vjetër shqipe, kurse klerikët katolikë ishin të parët që filluan të shkruanin në gjuhën shqipe amtare dhe të krijonin monumentet e para të letërsisë shqipte, siç ishin autorët Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Lekë Matrenga etj.

    Një kontribut të çmuar në ruajtjen e kuatova të besueshmërisë dhe kredibilitetit të këtij libri, kanë dhënë edhe autorët joshqiptarë, Noel MALOLM, Peter BARTL, Konrad CLEWING , John MCCAFFREY, Ercole LUPINACCI, Robert ELSIE,  Markus W. E. PETERS, Armin HETZER,  të cilët, me kumtesat e tyre i japin një vlerë të shtuar mendimit shkencor  evropian e botëror mbi shqiptarët. Pjesëmarrja e këtyre autorëve në simpoziumin shkencor “2000 vjet krishtërim te shqiptarët” si dhe në librin me të njejtin emër, flet për një strategji të mirë menduar të organizatorëve të këtij simpoziumi (ing. Ahmet Asani, Kristë Coli, Gjon Lluka) që me gojën dhe mendjen e studuesve të huaj të ofrohen disa argumente shkencotre për historinë e forimit etnokulturor të shqiptarëve. Pas përtkthimit të këtij libri në gjuhë të huaja, ky kujdes i përfshirjes së autorëve joshqiptarë do të merr një dimension edhe më doamethënës, sepse më me rëndësi është çka thuan të tjerët për ne, se sa çka themi ne vet për veten.

    Pasi ta kemi mbyllur kopertinën e fundit të librit “2000 vjet krishtërim te shqiptarët”, lexuesit i mbeten të regjistruar disa momente që në formë imazhi lëvizës ia bëjnë më të qartë bashkëudhëtimin dymivjeçar të shqiptarëve me një traditë të lashtë fetare e civilizuese, siç ishte krishterimi.

    Pa pasur nevojë për sforcim tezash, apo për mbivendosje arbitrare të argumenteve të stisura, autorët e këtij libri po i sjellin botës sonë kulturore e shkencore një margaritarë mendimesh të kondenzuara brenda këtij libri, i cili përpos që do të jetë një pasuri e shtuar për biobliotrekat akademike e universitare, ai do të jetë edhe një palimsest që shkon përtej kufijve gnoseologjik të një botimi të zakonshëm.

    Shkup, tetor 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË