More
    KreuOpinionElif Shafak mbi çfarë do të thotë t’u përkasësh njëkohësisht shumë vendeve

    Elif Shafak mbi çfarë do të thotë t’u përkasësh njëkohësisht shumë vendeve

    Ky qytet do të të përndjekë gjithmonë,” shkroi poeti grek Constantine Cavafy, edhe kur shkon në një shtet tjetër, në një breg tjetër. Qyteti që më përndjek gjithmonë është Stambolli.

    Në zemër jam nga Stambolli, edhe nëse nuk mund të kthehem më aty. Dashuria dhe përzemërsia ime për këtë qytet është e thellë, dhe besoj se është mjaft e dukshme në romanet e mia. Kudo që shkoj ndihem sikur Stambolli më shoqëron. Ne nuk heqim dorë nga vendet që duam vetëm sepse shkëputemi fizikisht prej tyre.

    Mëmëdheu është kështjellë prej xhami. Që të largohesh prej tij, duhet të thyesh diçka – një mur, një traditë shoqërore, një normë kulturore, një kufi psikologjik, një zemër. Ajo që ke thyer do të të përndjekë. Si pasojë, të jesh një emigrant, do të thotë të durosh përgjithmonë copat e xhamit në xhepin tënd. Është e lehtë të harrosh që janë aty, aq të lehta e të vockla sa janë, dhe të vazhdosh me jetën tënde, ambiciet e tua të vogla dhe planet e rëndësishme, por me prekjen më të lehtë copëzat do të të kujtojnë praninë e tyre. Do të të presin thellë.

    Mëmëdheu të cilit i jemi larguar u ngjason betimeve që kemi bërë si fëmijë. Mund të mos i besojmë më, mund dhe të mos i mendojmë më aq shumë, por sërish na i lidhin gjuhët. Ato janë të fshehtat e mbajtura, përgjigjet e pathëna, lëndimet e pashprehura, plagët e vjetra të hapura sërish, dashuritë e para të paharruara. Edhe pse mund të jemi të palëkundur për të braktisur mëmëdheun tonë, sepse Zoti e di që jemi të lodhur prej tij, të lodhur nga budallallëqet, absurditetet, armiqësitë dhe mizoritë, e vërteta është se nuk do të na braktisë kurrë. Janë hije që na ndjekin në të katër cepat e tokës, ndonjëherë ecin përpara nesh, ndonjëherë pas, por nuk janë asnjëherë shumë larg. Prandaj, edhe pasi ka kaluar kohë nga migrimet dhe shpërnguljet, nëse dëgjon me kujdes, mund të dallosh ende gjurmë të mëmëdheut në theksin tonë të thyer, në buzëqeshjet gjysmake, në heshtjet e sikletshme.

    Kështu pra, po, jam nga Stambolli.

    Por jam gjithashtu thellësisht e lidhur me Ballkanin. Më tako me një autor grek, bullgar, boshnjak, shqiptar ose rumun, dhe do të habitesh se sa shumë të përbashkëta kemi. Po kështu, mbaj shumë elementë në shpirtin tim nga Lindja e Mesme. Kështu që këtë herë më lër ngjitur me një autor sirian, libanez, jordanez, egjiptian, izraelit, palestinez apo tunizian. Sërish, do të habitesh kur të shohësh se sa të ngjashëm jemi.

    Në të njëjtën kohë, unë jam londineze, qytetare britanike dhe ndihem e lidhur thellësisht e me pasion me këtë shtet ku kam gjetur lirinë për të shkruar. Jam europiane – nga lindja, zgjedhja dhe vlerat që unë mbaj. Dhe pavarësisht se çfarë na kanë thënë politikanët së fundmi, unë do të doja ta mendoja veten time si qytetare e botës, qytetare e këtij planeti, një shpirt global.

    Kam përkatësi të shumëfishta.

    “Epo, ky është luks”, thonë populistët. “Jo të gjithë mund të udhëtojnë”.

    E vërtetë, jo të gjithë mund të udhëtojnë përmes kulturave, dhe jo të gjithë që e bëjnë janë medoemos “elitë”. Si pasojë e pandemisë më pak turistë do të kenë mundësi të udhëtojnë jashtë shtetit, më pak studentë ndërkombëtarë do të aplikojnë dhe më pak punonjës emigrantë do të mirëpriten. Më shqetëson pafundësisht, të shoh muret që ngrihen lart e më lart.

    Përkatësitë e shumëfishta nxiten nga takime kulturore, por nuk janë vetëm sferë e njerëzve që udhëtojnë. Është një qëndrim, një mënyre të menduari, sesa numri i vulave në pasaportën tënde. Është të mendosh për veten dhe qeniet e tjera njerëzore, në terma më fleksibël se kategori të ngurta.

    Ndoshta je lindur dhe rritur, edukuar dhe martuar, të gjitha brenda perimetrit të të njëjtit qytet. Përmes historive të familjes tënde, përkatësive kulturore, preferencave shoqërore, pikëpamjeve politike, lidhjeve me sportet dhe artet, e kështu me radhë, ti përsëri ke përkatësi të shumëfishta.

    Ekzistojnë më shumë ngjashmëri, ekzistojnë mundësi më të mëdha për të gjetur pika takimi ndërmjet njerëzve të përkatësive të ndryshme. E megjithatë, pse ndodh që në shkolla, në familje dhe në shoqëri, rrallëherë u mësojmë fëmijëve që ata kanë përkatësi të shumëfishta dhe mund t’i duan shumë të dy shtetet e tyre dhe komunitetet, duke mbajtur mend njëkohësisht se janë qytetarë të njerëzimit.

    Shkëputur nga “How to Stay Sane in an Age of Division”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË