More
    KreuOpinionEkspozita ndërkombëtare “Onufri”, GKA dhe Ministria e kulturës

    Ekspozita ndërkombëtare “Onufri”, GKA dhe Ministria e kulturës

    Nga Suzana Varvarica Kuka

    Në 2018 nuk do hapet EKSPOZITA NDËRKOMBËTARE “Onufri” dhe kjo i revoltoi disa artistë shqiptarë, porse asnjë artist të ri. Ajo ishte veprimtaria më e krahasueshme e artit bashkëkohor me situata të njëjta arti në vendet e rajonit dhe të Europës. Ishte një mjedis tërheqës për artistin me qëndrim të ndryshëm nga ai tradicional dhe modern; ishte një ekspozim, që nxiste debatin ndërmjet artistëve me mentalitete të kundërta. Ishte një shtytje përpara, për të ditur rreth asaj që po ndodh me botkuptimin e një artisti, që jeton e krijon në shek. XXI; një proces njohjeje rreth një brezi të ri, që ndërton një pjesë të antropologjisë së kulturës shqiptare. Mos i kishte ardhur koha të përfundonte qëllimin e vet, sepse mbase organizimit të kësaj e ekspozite ndërkombëtare i kishte përfunduar misioni?  Kështu duket deri tani. 

    Duke mos u nisur nga asnjë kah politik, por nga hapat e veprimeve të tyre në këto 23 vite, kuptojmë se kjo ekspozitë ndërkombëtare pak e nga pak shkon të mbyllet në kutinë e traditës me mision të kryer. Me projekt ligjin e ri për Artin dhe Kulturën, që nga koriku i vitit 2017, GKA ka marrë emrin e ri: Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura (MKAB). Emri i ri i jep të drejtën të përmirësojë qëllimin dhe misionin e vet, duke u përshtatur sa më afër me format e muzeve të artit në botën e huaj. Deri më sot, Muzeu, rrjedhojë e Galerisë, ka të publikuar në faqen e web-it të tij emrin GKA dhe jo MKAB si dhe përshkrimin e qëllimit dhe misionit pa asnjë lloj ndryshimi si: “GKA është institucion kombëtar, qëndror, muzeor, studimor, shkencor, me qëllim të vetëm ruajtjen, prezantimin, promovimin e trashëgimisë kombëtare të shtetit shqiptar në fushën e arteve pamore. GKA, ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkohor kombëtar e ndërkombëtar”. Nëse në misionin e vet nuk e zhduk fjalën “studim”, MKAB ka sot një strukturë të re, e cila ka “fshirë” Sektorin e Edukimit përmes Kulturës, quajtur më parë Sektori i Studimeve të Veprave të Artit, sektor i cili përpos shumë të tjerave, mbante peshën e organizimit, në disa pika kyç të kësaj ekspozite ndërkombëtare. Ky fakt strukturor e njehëson GKA – në Tiranë me GKAK në Prishtinë, e cila në segmentet e saj nuk ka sektor të studimeve, ku atashohen studiues arti dhe kuratorë. Është bërë mirë apo keq, koha do ta tregojë. Gjithësesi praktikat muzeore i njohin të dy strukturat dhe kjo varet nga sasia e veprave që ruajnë në fondet e tyre, periudhave historike që i`u përkasin, artistëve me emër e shumë detajeve të tjera. MKAB i përket të riformulojë dhe të ketë sa më parë, brenda saj sektorin e studimeve dhe të kuratorëve ose jasht saj projekte të përkohëshme, të cilët përfshijnë punën e studiuesit dhe kuratorit të artit, që punojnë të pavarur e të angazhuar në zhvillimet e artit e të historisë së tij. Nëse “fshirja” bëhet realitet do të ishte gabim, i cili i kushton shtrenjtë trashëgimisë kulturore, duke mos harruar se në fondin e GKA-së ndodhen vepra të rëndësishme të artit kombëtar dhe ndërkombëtar të disa periudhave.  Gjithësesi, duke parë ekspozitat e këtij viti dhe kapacitetin intelektual shqiptar në fushat e kurimit duket se drejtori aktual ka zgjedhur të vërë në funksion përfshirjen e kuratorëve të huaj, e drejtë që i`a jep procedura e funksionimit të muzeve të artit në vende të tjera, që kanë treguar se këto përvoja kanë dhënë rezultate me zhvillim profesional. Ky lloj strukturimi i ri, që është ende në zhvillim, bëhet një nga shkaqet që pse kjo ekspozitë ndërkombëtare nuk u propozua.  Nëse ekzistenca e këtyre specialistëve, studiues e kuratorë në mjediset e MKAB ose jashtë tij, do të ishte aktive, natyrshëm do të sillte kërkesën legjitime të shpalljes së kuratorit, të konceptit të tij, të njohjes së artistëve pjesëmarrës, të buxhetit financiar dhe të detajeve të tjera. Mungesa e specialistëve të fushës, studiuesëve, kuratorëve, senjor kuratorëve, konservatorëve, estetëve e filozofëve të artit në brendësi të GKA-së, si rrogëtarë apo si freelance forever në Shqipëri është piku i dështimit të kësaj ekspozite Kam bindjen se specialistë të përgatitur në këtë fushë dhe kryesisht për artin bashkëkohor, siç dhe kjo veprimtari i përket, disi mungojnë.  

    Një pse e dytë lidhet me sistemin e edukimit dhe të gradave të specialistëve shqiptarë, të cilët me gjasa duhet të kenë titullin doktor në fushat e arteve pamore. Por a janë të besueshëm, të aftë, profesionistë dhe me përvoja kuratoriale në veprimtari bashkëkohore ndërkombëtare? Të tillë janë diplomuar disa dhjetra dhe e kanë fituar gradën “Doktor”. Mos ndoshta MK dhe MKAB nuk kanë besim të angazhojnë këta dhjetra doktorë të arteve pamore, të diplomuar si brenda dhe jashtë? Mosbesimi është evident. Ai rrjedh nga mosfunksionimi i ndërsjelltë institucional, i cili është shkaktuar nga politikat dhe vizionet e paqarta të drejtimit në edukim, kulturë dhe art, që nisin nga vizioni i drejtuesve institucional deri tek ai i drejtuesve të lartë politik në kulturë. Dhe jo sot në 2018, por vite më parë, që nga fillimi i viteve 2000, ky shkak themeltar e ka burimin në mos interesimin institucional për të punësuar në GKA specialistë të rinj, të cilët kanë interesa kuratoriale apo studimore, qofshin këta edhe freelance.  Kjo e varfëroi dhe e vjetërsoi vet GKA-në. Hidhini një sy emrimeve me kah politik e jo profesional; hidhini një sy qindarkave të arkës së shtetit, që nuk ka shpenzuar asnjë të tillë për rritjen profesionale të specialistëve të emruar. Si mundet një institucion arti i një Shqipërie ish komuniste të përmirësohej nëse nuk ndihmohej sinqerisht nga shteti i vet, por zhytej nga emrime nepotike e politike? Kjo është edhe një pse tjetër që kjo ekspozitë kishte gjasa të dështojë. Mundet që politikat e reja të drejtorit aktual ta ndryshojnë këtë? Mbase po të jetë pjesë e vizionit të tij.   

    Një pse tjetër lidhet përsëri me komunikimin institucional të GKA-së dhe specialistëve të saj me Muze Arti, Institute dhe Qendra të Artit Bashkëkohorë në vende të tjera të globit. Mungesa e binjakëzimeve dhe lidhjeve të ndërmjeta ka shkaktuar një degradim total të funksionimit profesional të kësaj ekspozite e cila u lind dhe u zhvillua në kësi parimesh komunikimi qoftë me individë aktivë, qoftë me sisteme publikimi apo me huazime të koncepteve mbi artin, që gjeneroheshin nga qendra aktive të ekspozimit të artit bashkëkohor ndërkombëtar në vende të tjera.  

    Pas viteve `90-të, në anë të të gjitha ndryshimeve thelbësore të shoqërisë shqiptare u radhit dhe GKA me dukjen e kësaj veprimtarie, që lindi prej artistëve më aktivë, ku Gazmend Leka konsiderohet iniciatori. “Onufri” ishte ndryshimi i ekspozitës së nëndorit komunist të jubileve të PPSH.

    Në këtë vit 2018, në MKAB janë çelur tri ekspozita të artit bashkëkohor. Mungon kjo ekspozitë që ishte në pritje të artistëve, për t’u përfshirë. Tri ekspozita shumë të mira, që kushtojnë shumë financiarisht. Ato për MKAB janë OK, por janë pak për artistët që i mësuan me hapjen e 10-të apo më tepër të tilla. Tirana ka vetëm një galeri kombëtare të financuar nga shteti. Numri i saj i ekspozitave varet nga cilësia. Dhe cilësia nga buxheti financiar dhe kapaciteti njerëzor i specializuar, të cilët janë të lidhur ngushtësisht me vizionin manaxherial të drejtuesit të saj. Deri më sot çdo drejtues i GKA-së ka shpalosur si unik vizionin artistik dhe manaxherial.  Pavarësisht vizionit të çdo titullari, në çdo ndryshesë katër vjeçare, ai mbetet i varur më parë nga kahu politik, ndërkohë ka ardhur koha që në një shoqëri të hapur, duhet të jetë i varur nga politika artistike ekspozuese të lidhura me artin gjithëpërfshirës kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar dhe i shkëputur nga ndikime politike. Drejtori aktual funksionon sipas politikave ekzistuese, pa ndryshim nga të tjerët më parë. Ai realizoi tri ekspozita me një cilësi të lartë, por për artistët shqiptarë janë pak për të plotësuar ushqimin e tyre shpirtëror figurativ. Me mbylljen e kësaj ekspozite varfërohet arena kombëtare e artit, ndalet një traditë, agresivizohen kundërshtitë politike mbi artin, por psetë e lartëpërmendura e justifikojnë mbylljen e tij. Nuk më befason mbyllja e kësaj ekspozite, përpos që më vjen shumë keq. Gjatë këtyre 23 viteve GKA dhe politikat kulturore indiferente përgatitën kohën e keqe të kësaj ekspozite dhe MK nuk ndërhyri në kohën e duhur. Le të thuhet kjo me zë si nga Drejtori aktual i MKAB ashtu dhe nga MK me argumenta se: nuk mbështesin një veprimtari, e cila profesionalisht nuk arriti të zhvillohet ashtu siç duhej.  Le të thuhet që kjo ekspozitë humbi rëndësinë e tij, sepse filloi t`i kishte përherë e më të pakta kontaktet me artin më të thekshëm e më të njohur bashkëkohor në rajon, Europë dhe botë. Le të thuhet se kjo ekspozitë doli nga sistemi aktiv i një arti në aksion që lëviz e ekspozohet nga specialistë të mirëedukuar dhe nga artistë aktivistë që flasin gjuhën e tyre bashkëkohore.  Le të pranojnë se kjo ekzpozitë u nepotizua, u privatizua, u kthye në një grup veprash të vjetra, jo origjinale, në një grup artistësh që i përkiste drejtorit, kuratorit dhe artistit mik, shok apo të njohur. Nëse duam një publik të rritur cilësisht duhet informim real, edhe kur është i hidhur.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË