nga Behar Gjoka
Dëshmi e shkrimit me dy zhanre dhe variante gjuhësore, si dhe me dy versione letrare, është rasti i romanit OH që, në fakt, është një bartje e situatës estetike me realitetin e prozës Eklips [1]. Këto tipare të afrive shkrimore, ndërmjetshëm, dalin në pah nga një përqasje formale e prozës Eklips, që me shumë gjasa sendërton tipologjinë e novelës me tekstin e romanit OH [2]. Kuptohet se, ndërkaq, romani OH është shkruar fillimisht në variantin e gegnishtes, pastaj është kaluar në situatën e konverguar me variantin e njësuar, gjë që të përkujton gegnishten e Camajt, si një refuzim gjuhësor dhe letrar, gjithnjë si një rrugëtim vetjak në shtjellat e letrares. Teksti Eklips [3] vetiu krijon premisë diskutimi mbi zhanrin letrar që përfaqëson, sepse është përfshirë te vëllimi me tregime, e cila zbulohet e përshkallëzuar si formësim përmbajtësor dhe shprehësi letrare. Prozat e paraqitura në librin Glantina, botuar të bashkëlidhura me pjesët e tjera në vitin 2005 nga shtëpia botuese “Faik Konica”, janë paraqitur në këtë formë:
Më tej, ku gjenden dhjetë proza dhe dy tekste me dy variante gjuhësore dhe versione letrare.
Pakëz më tej, që përmban gjithsej njëmbëdhjetë tregime, por edhe pjesën më të madhe të varianteve të tregimeve, sepse janë përfshirë pesë tekste në prozë në këtë larmi shkrimi.
Edhe pakëz më tej, ku përsëri janë venduar njëmbëdhjetë tregime, si dhe katër proza të shkruara në dy variante gjuhësore dhe versione letrare.
Sall edhe pakëz më tej, ku janë përfshirë dhjetë proza, një tekst, Vdekja solemne, në dy variante, si dhe proza Eklips, që përkon me zhanrin e novelës.
Nga ana tjetër, nga njohës të jetës dhe veprës letrare të Anton Pashkut, e sidomos të kësaj proze, ka pohime të ndryshme, që në mënyrë eksplicite shënojnë novelën, pra një zhanër që dukshëm e tejkalon tregimin. Kështu, Shaip Beqiri në përcjelljen që i bën librit Glantina, shkruan: …dy variante të botuara të novelës Eklipsi (1968), përkatësisht të romanit OH (1971)[4], duke larguar përfundimisht mëdyshjen se Eklips, që është paratekst i romanit OH, është një prozë që lëvron novelën si lloj letrar. Teksti i novelës Eklips përpunohet dhe rishkruhet si roman, me titullin OH (po flasim për variantin e përfunduar), si një ligjërim që tipologjinë e shprehjes së gegnishtes e ka parësore, por, megjithatë, shpesh ka ndërfutur elemente të gjuhës së njësuar, parë si një akt refuzimi dhe pranimi, pra diçka më shumë, si energji fjale dhe jo si një akt jashtëletrar. Megjithatë, në shkrimin e prozës së gjatë, që materializohet me tekstin e romanit OH, kemi disa momente që luajnë rol parësor në sendërtimin e letrares:
A. Teksti Eklips, pra parateksti i romanit OH, që ka pasur një situatë të përveçme gjuhësore dhe letrare, sepse është shkruar në variantin e gegnishtes, e mandej teksti romanor, që shkruhet në një situim konvergues të gegnishtes dhe gjuhës së njësuar, mundëson shansin e përqasjes, brenda së njëjtës situatë, si frymë dhe teknikë shkrimi, por edhe si zhanre të ndryshme. Kjo ndërlidhni e një situate të mirëfilltë paratekstuale të sendërtimit të romanit në formën përfundimtare hetohet në të gjitha elementet formësuese të etosit dhe pathosit të veprës. Prania e paratekstit, me gjasë e një varianti romanor të shkruar në gegnisht, ku në krye të herës shkruhet novela dhe në një moment të dytë rishkruhet si roman (Ky tekst nuk më ka rënë në dorë dhe prandaj do të mjaftohem vetëm me përmendjen e këtij fakti.), mandej shkruhet teksti me dy trajta gjuhësore dhe letrare. Në pamje të parë, ky akt shkrimi i dy llojeve letrare sa të befason, po kaq e ndërlikon vetë procesin e leximit dhe interpretimit të dukurisë që shpaloset në prozëshkrimin e autorit, sidomos në ndërkomunikimin e këtyre dy teksteve, që pasojnë mënyra dhe trajta të ndryshme shkrimi. Kjo rrethanë e aspektit përpunues dhe ndryshues e vendos krijimtarinë e Pashkut në piketat e poetikës moderne të shkrimit letrar si variante dhe versione letrare.
B. Ndërmjet novelës Eklips dhe romanit OH, dy tekste që pasojnë njëri-tjetrin në marrëdhënie paratekstuale dhe hipertekstuale, gjë që e thellon mundësinë e zbërthimit, të bashkëlidhnisë në rrjedhat subjektore, si dhe në skicimin e personazheve, ndërkaq vihet re edhe ndryshimi në ligjërimin gjuhësor, krahas versionit letrar të rrokshëm, qoftë edhe si prani e dy zhanreve të prozëshkrimit në letrat shqipe. Kjo rrethanë e ndërlikesës së varianteve të ndryshme zhanrore, gjuhësore dhe letrare, si dhe ndërlidhnia paratekstuale, përplotëson përmasën e lëvruesit modern të prozës. Në shkrimin e romanit kemi parë gërshetimin e gegnishtes me shkrimin në gjuhën e njësuar, pra situatën e konvergimit letrar të formave të ligjërimit gjuhësor. Në tekstin e prozës Eklips ndryshimi parak është në zhanrin e lëvruar, gjithashtu shkrimi i prozës së gjatë, me anë të gegnishtes, që ruhet në variantin e parë të romanit. Në anën tjetër, romani OH, pra teksti përfundimtar, e ka thelluar kahen konverguese me gjuhën e njësuar pa e bjerrë variantin e gegnishtes.
C. Dy tekstet, Eklips si novelë dhe romani OH, pra dy dëshmitë e lëvrimit të prozës, në dy tipa zhanrorë, njëherit përfaqësojnë dy versione letrare, që tashmë duhet të shqyrtohen edhe në këtë situatë të dhënie-marrjes së ndërsjellë. Ndryshimet në mes tyre janë thelbësore, së pari për zhanrin e lëvruar, të novelës dhe romanit, prej shkrimtarit, së dyti, mbase edhe prej shkrimit në dy variante gjuhësore të shqipes, një risi që nuk është trajtuar nga studimet gjuhësore dhe letrare, sa i përket trashëgimisë së prozës së Pashkut. Së fundi, nga zgjerimi i hapësirës tekstologjike në faqet e romanit OH, gjithsesi duke mbetur stilistikisht në vatrën e novelës, që krijon një situatë tjetër të kumtit letrar, tashmë të një romani, të shtrirë në linja dhe përshkrime, realizuar me dy versione letrare dhe gjuhësore, që përbën një veçanësi në letrat shqipe, në harkun e bashkëkohësisë.
Prania e disa çështjeve të ndryshme, sidomos të situatës së përveçme të kapërthimit dhe ndërlidhjes hipertekstuale dhe ndërtekstuale, të sendërtimit të prozës, njëherit në dy zhanre dhe versione letrare, si dhe të dy a më shumë varianteve gjuhësore, përbën një moment më vete të teorisë letrare mbi ngjyresat e secilës formë zhanrore, por edhe të aspekteve të stilistikës gjuhësore dhe letrare. Po kaq, teksti i novelës dhe romanit, pra i dy zhanreve të ndryshme të prozëshkrimit, bartin edhe problematikën e lëvrimit gjuhësor, sepse shqiptohen edhe në dy variante gjuhësore, gegnisht dhe të konvergimit të këtij varianti me gjuhën e njësuar. Prania e rrokshme e dy zhanreve dhe dy versioneve letrare, po ashtu e dy varianteve gjuhësore, megjithatë, kërkojnë përgjigje më të thelluar nga ana e studimeve gjuhësore dhe letrare. Kjo rrethanë shkrimi, e lëvrimit në gegnisht dhe në variantin e konverguar, në përqasjen dhe vijimësinë ligjërimore, në lidhje me lëvrimin e tregimeve fantastike, kryesisht aty ku ndeshet larmia e shkrimit me variante gjuhësore dhe versione letrare, tashmë duhet verifikuar dhe zbërthyer si cilësi e shkrimit letrar të autorit. Në radhë të parë, vështrimi dhe sqarimi në rrafshet gjuhësore të sistemit të shqipes merr një peshë specifike, sepse proza e Pashkut shënon kapërcyellin e momentit kur diskutohet për ta ndaluar variantin e gegnishtes si ligjërimi letrar. Megjithëse ky variant me veprën e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj. pati hedhur themelet e shkruara të gjuhës shqipe, në kohët moderne po binin për të kambana alarmi. Prozën e shkruar prej autorit në variantin e gegnishtes, që përfaqëson kulmim letrar të njëmendtë, autori e pati përmbushur në tregimet për fëmijë dhe të rritur, duke e dëshmuar kështu vijimësinë e lëvrimit të këtij varianti. Pra, për të mos dalë nga sistemi i gjuhës shqipe, autori shkruan edhe në gjuhën e njësuar, madje duke konverguar gegnishten me këtë formë shkrimi, prirje që e ndeshim edhe në shkrimin e poezisë dhe të prozës nga ana e Martin Camajt, ku ndeshim një identifikim më të plotë të gegnishtes, madje edhe të shenjave të arbërishtes.
Momenti i kapërcimit të pragut i cili, sipas studimeve gjuhësore dhe letrare, hap një kapitull tjetër të shkrimit të letërsisë së njësuar, detyrim që sërish Pashku e përmbushi me sukses, përbën një situatë që kërkon hulumtime të thelluara mbi variantet gjuhësore, tashmë duke rishkruar në variantin e njësuar disa tregime fantastike të prozës për të rritur, por edhe të prozës për fëmijë. Shkrimi i prozës në dy variante gjuhësore, gegnisht dhe e njësuar, përmbush tiparet gjuhësore dhe letrare për të përfaqësuar versionet letrare, gjë që përqaset në dy tekste, novelën dhe romanin, të realizuara në kohë të ndryshme. Tipologjia e versionit letrar, përgjithësisht e painterpretuar nga studimet letrare dhe gjuhësore, del në disa proza të autorit, mjaft e qartë në rastin e novelës Eklips që është një paratekst i romanit OH, ku madje spikatet prania e variantit gjuhësor dhe letrar. Duke bartur shenjën e dyfishtë, novela Eklips, si variant gjuhësor dhe version letrar, si dhe paratekst i romanit OH, ka rëndësi interpretimi i këtij fakti, për tiparet që përçon vepra letrare e Pashkut. Pavarësisht vështirësisë së shkrimit, ligjërimi në dy variante gjuhësore dhe versione letrare do të duhet kthjelluar për tregimet e Pashkut. Këto tregime, plasuar me dy variante dhe versione, gjuhësore dhe letrare, në dymbëdhjetë tregime fantastike, përbëjnë një fakt unik të shkrimit letrar bashkëkohor. Teksti Eklips, si lëvrim i novelës, si rast i shkrimit në gegnisht, ka vlera në përqasje me romanin OH, i cili e ka si paratekst novelën dhe romani sendërgjohet me dy variante gjuhësore, në gegnisht dhe në një përpunim të shkrimit të konverguar të këtij varianti me gjuhën e njësuar. Në qendër të novelës janë dy personazhe, një femër dhe një mashkull, ashtu si në romanin OH, që mendohet se janë bashkëshortë që, megjithatë, kanë mbërritur në zgripin e marrëdhënies së tyre, mbase në përfundimin e plotë të saj. Në rrethanat absurde, ku asnjëri prej tyre nuk ka emër, janë Ajo dhe Ai, gjë që e bën situatën e realitetit letrar edhe më enigmatik. Të dy jetojnë në botën e mbyllur dhe të mistershme, sepse pothuajse kanë ikur nga komunikimi. Prandaj, le t’i besojmë Bartit se:
Të lexosh, do të thotë ta dëshirosh veprën, do të thotë të duash të jesh vepra, do të thotë ta refuzosh ta dyfishosh veprën jashtë çdo të foluri tjetër pos të folurit të vetë veprës (…) Të kalosh nga leximi në kritikë, do të thotë ta ndryshosh dëshirën, do të thotë ta dëshirosh jo më veprën, por ligjërimin e vet (…) [5]
Në ato raste, ndonëse tepër të rralla krahasuar me kohën e qëndrimit bashkë, kur e shkëmbejnë ndonjë fjalë, më shumë e gërgasin dhe e shpotijnë sho-shojnë. Nga njëra anë, del e plotë qenia njerëzore, paraqitur me të dyja anët e medaljes, femra dhe mashkulli, që në morinë e tipareve të përbashkëta dhe dalluese janë afër, njëherit janë po kaq larg, të ngujuar në këtë afrim paradoksal, kur janë tepër larg, prej kohësh. Kur kemi mbërritur në hapësirën e tekstit, në çastin kur mashkulli dhe femra largohen nga njëri-tjetri, madje deri në moskthim, ikja prej lidhjes dhe komunikimit të një situate përfundimtare. Megjithatë, shpeshherë femra dhe mashkulli kanë nisur të kërkojnë brenda vetes, diku në thellësi të nënvetëdijes, ka gjasa si një mënyrë e mjegullt për ta zbehur disi ikjen prej njëri-tjetrit. Prandaj, mund të thuhet se në këtë rebus të beftë të novelës, në femrën dhe mashkullin, të dy protagonistët sërish janë dy anë dhe nivele, ku njëra është e dukshme, ndonëse sipërfaqësore, tjetra ka mbetur më në hije. Ana tjetër gjendet e fshehur në padukshmëri, që nxjerr krye në formën e siluetës apo hijeve të kohërave të ndryshme. Dyzimi, ku secili prej protagonistëve, pra mashkulli dhe femra, të cilët janë kredhur në pezulli dhe ekstazë, ku qenia është dhe nuk është aty, përbën bazën e kumtit të kësaj proze të përveçme të autorit. Shumëfishimi i ekzistencës së qenies, në skalitjen e botës përqark, në figurimin e mashkullit dhe femrës, shënon thelbin e poetikës së rrëfimit të novelës Eklips, që më vonë do të bartet në hapësirat e romanit OH, një tekst me natyrë moderne dhe fantastike. Prania e shkrimit të prozës, në dy tipologji zhanrore, pra novela Eklips, dhe teksti romanor, duke ardhur që të dy tipat në nivel të ngritur estetik, është një tregues i shkrimit të prozës prej Pashkut, pra e të tria zhanreve të saj, por edhe dëshmi e vlertë e lëvrimit të versionit letrar.
__________________
[1] Botohet për herë të parë si novelë dhe shkruhet në variantin e gegnishtes.
[2] Romani që botohet me titullin OH, që shkruhet në gegnisht fillimisht, dhe rishkruhet duke ndërthurur gegnishten me gjuhën e njësuar.
[3] Eklips është paratekst i romanit OH, duke sjellë një përvojë dhe një model artistik të realizimit të versionit letrar.
[4] Beqiri, Shuaip: Glantina, “Faik Konica”, Prishtinë, 2005, faqe 414.
[5] Barthes, Roland: Aventura Semiologjike, “Dukagjini”, Pejë, 2008, f. 208.