More
    KreuOpinionEduardo Galeano: Pse shkruaj

    Eduardo Galeano: Pse shkruaj

    Dua të flas pak për si dhe pse u bëra shkrimtar.

    Në fillim një pohim: Qysh fëmijë, jam përpjekur të bëhem futbollist. Jam ende numri një. Më i miri nga më të mirët, por vetëm gjatë gjumit, ndërsa fle, sepse porsa zgjohem, pohoj që kam këmbë prej druri dhe s’kam asnjë mundësi tjetër përveçse të përpiqem të jem shkrimtar.

    Kam bërë dhe bëj gjithçka mundem të them më shumë me më pak, duke kërkuar fjalë që janë më të mira dhe më të mençura se heshtja, fjalë të zhveshura nga retorika. Shkrimi ka qenë, dhe ende është, mjaft i vështirë, por shpesh më bën të përjetoj ndjenja të thella dhe kënaqësi të madhe, larg vetmisë dhe harresës.

    Kam bërë dhe bëj gjithçka mundem të jem i aftë të mësoj si të fluturoj në errësirë, të vjell gënjeshtrat që jemi të detyruar të gëlltisim çdo ditë, dhe të jem i pabindur kur zotërit e botës japin urdhëra që i kundërvihen ndërgjegjes time dhe gjykimi të shëndoshë.

    Kam bërë dhe bëj gjithçka mundem të mendoj se s’mund të jem asnjanës, dhe s’ mund të jem objektiv sepse nuk dua të bëhem objekt, shpërfillës ndaj pasioneve njerëzore.

    Kam bërë dhe bëj gjithçka mundem të denoncoj atë proverbin e vjetër që thotë se Njeriu është ujku i Njeriut. Gënjeshtër. Ujqërit nuk vrasin kurrë ujqër, dhe ne jemi kafshët e vetme që specializohen në shfarosjen e ndërsjelltë.

    Kam bërë, bëj gjithçka mundem, të shkruaj për zbulimin e grave dhe burrave që kanë vullnet për drejtësi dhe për të bukurën, ata janë bashkëatdhetarët dhe bashkëkohësit e mi, pavarësisht se ku u lindën apo kur jetuan, përtej kufijve të kohës.

    Kam bërë, bëj gjithçka mundem, të jem aq kokëfortë sa të vazhdoj të besoj, pavarësisht të gjitha dëshmive se ne njerëzit jemi krijuar keq, sepse jemi ende të papërfunduar.

    Kam bërë gjithçka mundem, dhe shpresoj se do të përpiqem gjithmonë, të zgjedh anën e duhur, e cila ndodh të jetë në luftën e përjetshme të zemëratës kundër zemëratës.

    Kam bërë, bëj gjithçka mundem. Ia vlen, më besoni. Ne mund ta ndryshojmë atë fjali të famshme të shkruar nga shoku im, Billi…Bill Shekspiri: “Jeta është përrallë e rrëfyer prej një të marri, plot bujë dhe tërbim, pa kurrfarë kuptimi!


    Pse u bëra shkrimtar

    Dua t’ju tregoj historinë e sfidës sime të parë të vërtetë si rrëfimtar, herën e parë kur pata frikë se mos ndoshta nuk isha në lartësinë e detyrës. Ndodhi në qytetin bolivian të Llallagua-s. Kalova ca kohë atje, afër minierës. Ishte vendi ku ndodhi masakra e San Juanit, kur diktatori Barrientos urdhëroi trupat të hapnin zjarr nga lartësitë e kodrave përreth, ndaj minatorëve që ishin duke pirë dhe vallëzuar në vigjilje të Shën Gjonit.

    Mbërrita rreth një vit më vonë, në vitin 1968-të, dhe qëndrova për ca kohë falë aftësive të mia si artist. Gjithmonë kisha ndjerë një nxitje për të vizatuar, megjithëse skicat e mia kurrë nuk arritën të mbyllnin hendekun midis vetes dhe botës.

    Humnera më e madhe ishte midis aftësive dhe synimeve të mia, megjithëse disa nga portretet e mia dolën mirë dhe isha i mirë në vizatimin e gërmave. Në Llallagua vizatova portrete të fëmijëve të minatorëve dhe pikturova postera për karnavale, për ngjarje publike, çfarëdo gjëje që duhej. Kështu që qyteti më birësoi, dhe kalova shumë mirë në atë botë të mjerë, të ngrirë, ku të ftohtit e bën më të ashpër varfërinë.

    Nata e largimit tim mbërriti. Minatorët ishin miqtë e mi dhe më organizuan një festë lamtumire me shumë pije. Rrëkëllyem chicha dhe singani, një lloj grape e shijshme por disi e padurueshme. Po festonim, këndonim, bënim shaka, dhe gjatë gjithë kohës e dija që në orën pesë ose gjashtë të mëngjesit, sirena do të shpërthente, duke i thirrur ata të nisnin punën në minierë, dhe do të mbaronte gjithçka. Do të ndaheshim.   

    Kur u afrua çasti, më rrethuan sikur po më akuzonin për diçka. S’po më akuzonin për asgjë, por më thanë: -Tani, na trego për detin.

    Mbeta pa fjalë. Minatorët u dënuan me një vdekje të hershme nga silikoza në thellësi të tokës. Në ato kohë jetëgjatësia në puset e minierës ishte 30 ose 35, jo më shumë. Ata kurrë nuk do ta shihnin detin, do të vdisnin pa asnjë mundësi për t’i hedhur sytë nga ai, ishin paracaktuar të mbeteshin në qytezën e mjerë të Llallagua-s. Detyra ime ishte ta sillja detin tek ata dhe të gjeja fjalë e duhura që të zhyteshin në të.

    Kjo ishte prova ime e parë si rrëfimtar dhe më bindi që përballja me të ia vlente. 

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË