More
    KreuOpinionEdmond Cane: Çfarë po ndodh me arbërishten?

    Edmond Cane: Çfarë po ndodh me arbërishten?

    Përgjatë dekadave të fundit, dhe përgjatë edhe shqetësimeve në rritje për bjerrjen e arbërishtes në komunitetin italo-shqiptar në Itali, po artikulohet për një kohë të gjatë futja e mësimdhënies së arbërishtes në shkolla. Ndjesitë në hapësirën shqiptare janë kryesisht pozitive për orientimin e favorshëm të shtetit italian për mbështetjen dhe inkurajimin e arbëreshëve, promovimin e gjuhës, kulturës, trashëgimisë dhe identitetit të tyre etnik. Në 1999 Italia aprovoi edhe një ligj në mbështetje të minoriteteve gjuhësore në Itali (12 komunitete të tilla), mbi bazë të të cilit këto minoritete gjuhësore mund të kërkojnë dhe të përfitojnë vëmendjen dhe mbështetjen shtetërore italiane. Kjo vëmendje përkthehet në projekte të rëndësishme, dhe më tej, në rezultate që përbëjnë një kontribut me vlerë lidhur me vijimësinë e arbërishtes dhe arbëreshëve në tokën italiane. Sidoqoftë, kjo ka funksionuar përgjithësisht në sferën kulturore,

    Sa më sipër është një tablo ndërtuar mbi perceptime, konstatime, informacione dhe të dhëna të përgjithshme, që pak a shumë e ndajnë shumica e arbëreshëve (në Itali) dhe shumica e shqiptarëve (në hapësirat përkatëse etnike në Ballkan). Në këto vlera, kjo tablo konfirmohet edhe në krahasimin horizontal, ndër rastet paralele të minoriteteve shqipfolëse në shtete të tjera, si dhe në krahasimin përgjatë aksit historik të kësaj çështjeje.

    Nga ana tjetër, në dritën e qasjeve gjuhësore, si dhe të disa zhvillimeve të sotme, kjo tablo nuk duket sot aq e rëndësishme. 

    Katastrofa e sotme gjuhësore

    Gjuhë të ndryshme janë shuar ndër shekuj dhe ky fenomen nuk do të përbënte ndonjë çudi. Por, zhdukja e tyre me këtë ritëm të përshpejtuar, përbën, sipas gjuhëtarëve, një katastrofë humane. Ky është të menduarit në sferën e gjuhësisë duke filluar nga vitet 1990’. Nëpërmjet argumenteve të qarta, mbështetur mjaftueshëm me studime dhe të dhëna të shumta, të shumë-konfirmuara, vlerësimeve të shumanshme – gjuhëtarët kanë konfirmuar shkallën e jashtëzakonshme dhe të përshpejtuar të kësaj zhdukje masive dhe sensibilizuan autoritetet përkatëse, shtetet përkatëse. Edhe super-institucionet u vunë në lëvizje: UNESCO, BE, platforma ndërkombëtare, europiane, rajonale. Ligji që mbron minoritetet gjuhësore në Itali në 1999, më tepër se një iniciativë italiane, duket se është “vijim i kësaj komete”. Në këtë krahasim, përveç konceptimit dhe zhvillimit, edhe stadi i zbatimit në Itali, kundruar me shumë situata dhe procese të gjuhëve të tjera minoritare, lë shumë për të dëshiruar, pavarësisht se kjo nuk vë në pikëpyetje vullnetin dhe qëndrimin dashamirës të autoriteteve italiane.

    20 vjet pas vlerësimeve të para, të dhënat janë më të shumta dhe më të plota. Gjuhëtarët kryesorë[1] kanë vlerësuar dhe provuar se vazhdon tendenca bjerrëse. Më shumë se 75 për qind e gjuhëve minoritare në Australi, Kanada, SHBA, të cilat lëvroheshin të paktën deri në 1950, janë ose të shuara ose në fazën e parafundit të shuarjes së tyre. Por, në Afrikën Sub-Sahariane janë vetëm 10 për qind. Po konstatohet tashmë se 19 për qind e gjuhëve të botës nuk po transmetohen tek fëmijët.[2]

    Në dokumentin e UNESCO-s 2003, përcaktohen nëntë faktorë për të vlerësuar vitalitetin e gjuhës (ose në të kundërt, bjerrjen e saj)

    • Transmetimi ndër breza
    • Numri absolut i folësve
    • Proporcioni i folësve kundrejt popullsisë në fjalë
    • Përdorimi i gjuhës brenda domeneve dhe konteksteve ekzistuese
    • Reagimi në përdorimin e gjuhës në domene të reja dhe në media
    • Disponueshmëria e materialeve për arsimimin gjuhësor
    • Politikat gjuhësore institucionale dhe qeveritare
    • Qëndrimi i komunitetit kundrejt gjuhës së tyre
    • Sasia dhe cilësia e dokumentacionit

    Për secilin faktor janë një grup treguesish që ndihmojnë drejt një vlerësimi sasior dhe cilësor më të saktë, duke mundësuar edhe një referim apo vlerësim krahasues ndër gjuhëve minoritare. Studimet e shumta, veçanërisht, përgjatë tre dekadave të fundit kanë krijuar një tablo të pasur për të parë dhe për të kuptuar më mirë si planin e kërcënimit aktual ndaj gjuhëve specifike, shkallën masive të kësaj humbje, perspektivat reale, por edhe vitalitetin aktual, si dhe atë potencial për një numër të konsiderueshëm të këtyre gjuhëve për të mbijetuar.

    Lidhur me arbërishten nuk ka pasur studime të organizuara përgjatë këtyre linjave. Pamundësia e informacionit, e dijes në sasi dhe në cilësi nuk na lejon të përcaktojmë qartë çfarë po ndodh dhe në cilat nivele është arbërishtja, dhe në vijim, çfarë specifikisht mund të bëhet, kush mund apo duhet të bëjë çfarë,  cilat janë prioritetet apo urgjencat më të mprehta, cilat janë pikat e dobëta dhe cilët faktorë të vitalitetit do të duhet të jenë në qendër të politikave për rigjallërim të gjuhës.

    Bazuar në vëzhgimet në shumë raste studimore, hapi i parë përcaktues drejt vdekjes së gjuhës është rrezikimi potencial, për shkak të presionit të jashtëm, por ndërkohë komuniteti i folësve vazhdon të transmetojë gjuhën në familje. Faza më tej është rreziku real (definitely endangered), i konfirmuar, kur pakësohet numri i folësve dhe fillon të rrezikohet transmetimi i gjuhës te fëmijët. Më pas vijon faza e rrezikut kritik. Këtu, gjuha nuk ka shumë gjasa të mbijetojë tek brezi tjetër i folësve dhe shpejt do të shuhet. Ka një fazë të katërt që në gjuhën e ekspertëve referohet “moribund” që është gjallimi i fundëm, duke shkuar drejt fazës 5 – humbjes së gjuhës. Në fazën e parafundit nuk ka më folës të rinj të gjuhës pasi gjuha ka pushuar së transmetuari. Në këtë fazë ka një numër të kufizuar folësish të mbetur, bartësit e fundit.

    Lista e UNESCOs 2010[3] ka një vlerësim zyrtar për arbërishten – në rrezik real, që i korrespondon nivelit diku në mes të këtij shkallëzimi mes fillimit të bjerrjes dhe shuarjes së plotë. Është një konfirmim që ka hyrë në rrjedhën e shuarjes – në mënyrë definitive. Për arbërishten nuk ka pasur studime të  mjaftueshme, por megjithatë kjo gjendje është qartësisht e dukshme. Studimet e deritanishme kanë konstatuar rrjedhën e bjerrjes së vijueshme të gjuhës në komunitetin arbëresh. Arbërishtja e Zarës dhe gjuha e arvanitasve në Greqi vlerësohen në një nivel më të përkeqësuar – në fazën e rrezikut kritik.

    Humbje për kë?

    Duhet vënë në dukje që, së pari, kjo është humbje për komunitetin arbëresh në Itali. Në politikat, qëndrimet, këndvështrimet, si dhe në debatet e ndryshme, është e rëndësishme të respektohet ky paritet dhe kjo pronësi e parë ndaj gjuhës. Nëse gjuha do mbijetojë apo jo, nëse duhet dhe do të ndërmerren strategji, politika, veprime në funksion të kësaj, mbetet në radhë të parë diçka që ka si protagonistë kryesorë, dhe humbës të parë, vetë arbëreshët. Ky përcaktim ka nevojë të vihet në pah dhe të shmangë qëndrime të patakt apo deri paternaliste në këtë anë të detit, ndërkohë që paternalizmi do të shkaktojë reagimet përkatëse, distancuese. Kjo do të ishte e pafavorshme pikërisht në këtë situatë që kërkon strategji dhe zbatim të orkestruar.

    Pavarësisht qëllimeve më të mira, institucionet në Shqipëri janë aktorë të jashtëm për arbërishten e rrezikuar, dhe nuk kanë shumë mundësi të jenë të efketshëm apo të suksesshëm. Kjo nuk nënkupton megjithatë mënjanimin në një qëndrim pasiv. Përkundrazi, institucionet në Shqipëri kanë kapacitete, mundësi, mjete dhe mund të kontribuojnë vlera shumë të rëndësishme, mund të ndihmojnë për ndërgjegjësimin, të japin kontribute gjuhësore, kurrikulare, koordinojnë në zhvillimin dhe zbatimin e programeve, të ndihmojnë në lidhjen mes koncepteve për programe dhe burimeve financiare, etj. Mund të kenë rol deri vendimtar. Sidoqoftë, së pari janë pjesëtarët e komunitetit që duhet të jenë pjesë e iniciativave, programeve, vendim-marrjes.

    Humbje shqiptare

    Ndoshta nuk jemi shumë të vetëdijshëm, edhe për shkak të vlerësimeve klishe për mendimtarët dhe veprimtarët e Rilindjes Kombëtare, që në kushte të turbullta ata arritën të ndërtojnë një entitet shtetëror, në një hapësirë kombëtare reale. Sot mund ta kuptojmë më mirë, në kushtet e zbehjes së hapësirave të caktuara, kur nuk jemi të sigurtë nëse do të kemi kapacitete etnike dhe konjitive, dhe sidomos frymë, për të mbajtur këto hapësira (arbëreshët, arvanitasit) në lidhje etnike dhe identitare. Sfida po bëhet edhe më e prekshme, pasi ndoshta po humbim edhe diasporën më të re të larguar në vitet e fundit.

    Humbje humane

    Humbja e gjuhëve shihet si unike në kohën tonë. Është e çuditshme që ka pasur një vëmendje dhe preokupim të gjerë për shfarosjen e specieve të ndryshme, e cila nga ekspertët është vlerësuar në nivelet e shuarjes së 7.4 për qind të specieve gjitare dhe 2.7 për qind e specieve të zogjve. Sigurisht nuk janë të pakonsiderueshme, sidomos për impaktin në ekosistem. Por nuk ka të krahasuar, në sasi dhe në cilësi me humbjen masive të gjuhëve, dhe perspektivës në vitin 2100, ku jo më pak se 50 për qind (disa gjuhëtarë vlerësojnë deri në 60 për qind, dhe disa deri në 80 për qind) e gjuhëve aktuale do të jenë shuar.

    Në planin konjitiv dhe gjuhësor

    Në këndvështrimet e teorive të sotme gjuhësore, parashtrohet (jo thjesht në mënyrë figurative apo deklamative) se një gjuhë është një mënyrë njerëzore të menduari, një variant, një alternativë konjitive e caktuar, e papërsëritshme në llojin e vet. Për shkencat konjitive (psikologji konjitive, gjuhësi konjitive, antropologji, etj.), këto gjuhë janë bërë tashme burime të dhënash primare për të kuptuar dhe shpjeguar evolucionin e strukturave gjuhësore por edhe konjitive. Pra, është humbje e diversitetit kulturor dhe intelektual, në një globalizim të skajshëm, ku gjuhët dominante gllabërojnë masa të mëdha gjuhësh minoritare, por njëlloj të vlefshme në fondin e kulturës dhe dijes botërore. Sipas Ken Hale,[4]humbja e gjuhëve lokale dhe e sistemeve kulturore që ato shprehin, nënkupton një humbje të pazëvendësueshme të thesarit interesant dhe divers, të produkteve të paçmuara të industrisë intelektuale njerëzore

    Këndvështrimi europian

    Shumë ekspertë, studiues të shkencave humane, por edhe politikanë e filozofë, e shohin si një humbje përtej komunitetit rajonal. Veçanërisht Europa ka vënë në themel të zhvillimit dhe gjallimit të vet, filozofinë e diversitetit kulturor, që përfshin në mënyrë specifike, deri kuadër ligjor të BE-së, edhe diversitetin gjuhësor. Bota perëndimore në përgjithësi është e prirur të shikojë diversitetin si burim thesari dhe zhvillimi. Shkencat humane ndërkohë na provojnë se përgjatë evolucionit, diversiteti i specieve në përgjithësi, dhe homo-sapiensëve në veçanti, kanë qenë paralel me avantazhet e tyre përkundër specieve të tjera dhe shanseve për evoluim. Edhe shkalla e diversitetit ka qenë në përpjesëtim të drejtë me shkallën/hopin e evoluimit. Kjo rrudhje e species në planin gjuhësor, sigurisht që përbën arsye për preokupim – në nivel të species. (Besoj se prirja për të parë legjislacionin e zhvilluar të BE-së në këtë sferë si burokraci e Brukselit, është e nxituar, pasojë e mosdijes në lidhje me sa më sipër)

    Faktori kryesor që ka gjeneruar këtë situatë kërcënuese

    Në dekadat e mëparshme, vdekja e gjuhëve lidhej kryesisht me politikat kolonialiste, politikat represive nacionaliste të kombit dominues kundër pakicave. Sot, shkaqet e humbjes variojnë nga gjenocidi, shkatërrimi i habitatit social-ekonomik, zhvendosjes së popullsive, shtypjes nëpërmjet arsimit të detyruar asimilues deri te ‘bombardimi mediatik’, sidomos nga TV, një armë e re jashtëzakonisht letale – që Michael Krauss e ka quajtur ‘gaz nervin kulturor’.

    Në lidhje me lëvrimin e gjuhës, shohim nga njëra anë pafuqi institucionale, dhe nga ana tjetër një rënie të peshës së familjes dhe strukturave më të vogla sociale. Paralelisht, makrostrukturat po shfuqizojnë intensivisht familjen dhe strukturat e vogla. Në lidhje më çështjen në fjalë, superstrukturat e superfuqizuara janë inerte ose tepër të plogështa të rikapin këto vlera të neglizhuara. Ndoshta do të duhet një kohë më e gjatë të kemi makrostruktura më efikase dhe më funksionale (apo inteligjente), por në këtë moment, ky faktor nuk është në nivel të favorshëm. Përpjekje po bëhen në shumë zona në botë, dhe ndoshta mund të arrijnë që në masën më të madhe ta ndalin këtë bjerrje. Pyetja e rëndësishme për ne është nëse arbërishtja do të ketë aq fat të jetë në anën e gjuhëve të mbijetuara në këtë moment kritik.

    Çfarë duhet bërë?

    Gjuhëtari Michael Kraus, në prezantimin e njohur përpara Shoqatës Amerikane të Gjuhësisë në 1991 përgjigjet se “Ajo çka ne duhet të bëjmë na qëndron para fytyrës…Nëse ne nuk veprojmë, brezi që do vijë do të na mallkojë që në stilin Neronian, i binim violinës ndërsa Roma digjej[5]

    Institucionet e interesuara dhe të specializuara mund të bëjnë shumë. Ka modele të suksesshme, por është problem aktivizimi i tyre, drejtimi i vëmendjes dhe impenjimit të tyre. Italia ka 12 gjuhë minoritare dhe kapacitetet institucionale ndoshta nuk arrijnë të investohen mjaftueshëm në secilën prej gjuhëve të rrezikuara. Aktorët e tjerë të rëndësishëm janë institucionet arbëreshe dhe ato shqiptare, që mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Nëse çdo gjë do të mund të organizohej efektivisht, do të mund të realizonim studimet e nevojshme për të vlerësuar dhe analizuar gjendjen e të folmes kundrejt parametrave që kanë përcaktuar ekspertët, do të mundësoheshin mekanizmat për të rigjallëruar transmetimin në familje duke e riorganizuar në kushtet e sotme mbi bazë të sistemit arsimor, pasi ky i fundit ka dalë primar përsa i përket strategjive për mbijetesën e gjuhëve. Eksperienca e deritanishme gjithashtu nxjerr në pah pamjaftueshmërinë e thjesht disa orëve mësim arbërishte në shkolla. Ka shumë argumente dhe eksperienca që rekomandojnë se këto kërkesa modeste nuk kanë shans të jenë të suksesshme dhe mund të rezultojnë humbje kohe. Praktikat shumë afër nesh, për gjuhën baske, katalane, gale, etj. demonstrojnë nevojën dhe rëndësinë e një pakete të plotë arsimore, që fëmijët të mësojnë lëndët kryesore të dijes në këtë gjuhë amtare, minimalisht, mësim gjuhe, mësim historie, lexim etj., nëpërmjet arbërishtes. Nevojitet një kurrikulë e plotë përgjatë arsimit fillor dhe të mesëm, që të krijojë bazat e strukturimit dhe praktikimit të arbërishtes standarde, që tashmë është mbuluar totalisht nga italishtja dominuese. Këto hapësira duhet të fillojnë të balancohen gradualisht, përndryshe, një arbërishte e rrudhur, inferiore, pa vlera dhe mundësi për jetën, karrierën, kuadrin social, nuk ka shans të mbijetojë.

    Gjuha dominante, italishtja në këtë rast, shihet si gjuha që të drejton nga mundësitë social-ekonomike. Përpjekja për rigjallërim të arbërishtes nuk kërkon qëndrime donkishoteske për të hequr dorë nga shanset për zhvillim arsimor, kulturor, intelektual dhe profesional të fëmijëve arbëreshë, që përgjithësisht janë në gjuhën dominante – në italisht. Synimi është të ndërtohen kanalizime të tilla që ky zhvillim të mundësohet nëpërmjet arbërishtes. Ndonëse duket sfidë e vështirë në kontekstin italian, nuk ka qenë e tillë për raste paralele për gjuhë minoritare në Europë. Ndryshimin duhet ta bëjnë me kontribute zhvilluese dhe ndërtuese së pari komuniteti arbëresh, institucionet e specializuara për programet arsimore, kuadrin kurrikular, kuadrin e gjuhëve të rrezikuara, institucionet e dijes dhe kulturës, elementët komunitarë dhe në tërësi, shteti italian do të duhet të programojë dhe aplikojë një mision të tillë tepër të komplikuar.

    Avantazhet e bilingualizmit kanë qenë kryesisht në plane deklarative. Por nga ana tjetër, ka të dhëna shkencore dhe rezultate që tregojnë aftësi më të larta konjitive të folësve dy-gjuhësh përkundër atyre që flasin vetëm një gjuhë të vetën. Faktikisht, kur këto aftësi nuk janë të zhvilluara dhe të kultivuara, nuk arrijnë të shfrytëzohen në këtë drejtim dhe, në këto nivele të pak-zhvilluara, nxënësit dhe studentët me gjendje dygjuhësie ndjejnë se bilingualiteti i tyre, dhe veçanërisht statusi dhe potenciali social, profesional i gjuhës së tyre lokale, nuk është një faktor i favorshëm në përpjekjet për jetën, mirëqenien sociale, profesionale, etj. Por, nëse këto kultivohen dhe shfrytëzohen, ato sigurojnë avantazhe kundrejt pjesës tjetër.

    Epilog

    Qasja dhe argumenti më sipër nuk e përmbysin plotësisht tablon në krye të këtij shkrimi, sidomos përsa i përket thelbit të raportit/marrëdhënies dashamirëse mes minoritetit arbëresh dhe shtetit italian. Megjithatë, e orienton në tjetër kah dhe shtron një sërë pikëpyetjesh dhe problemesh përballë aktorëve të përfshirë rreth kësaj çështje – pra, sugjeron që duhet të ketë një tjetër tematikë diskutimi mes tyre në funksion të ndërtimit të politikave për mbijetesën e gjuhës, vlerave, identitetit arbëresh.


    [1]  Të dhëna bazuar në EGIDS – Expanded Graded Intergenerational Disruption Scale (Lewis & Simons 2010)

    [2]  Michael Krauss, Ken Hale, Lewis, Simons & Fennig 2013, etj.

    [3]  Atlasi i UNESCO-s për Gjuhët e Botës në Rrezik kategorizon 2473 gjuhë sipas nivelit të rrezikut. Gjatë tre brezave të fundit, janë shuar tashmë 200 gjuhë.

    [4]  Ken Hale – Kongresi Ndërkombëtar i Gjuhësisë 1992, Quebec.

    [5]  Michael Krauss, në fjalën përpara Komitetit të Senatit (2000)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË