More
    KreuOpinionEdison Çeraj: Frymëdyzim

    Edison Çeraj: Frymëdyzim

    1.

    Mund të thuhet se kemi trashëguar dy botëkuptime bazë – që e kundërshtojnë njëri-tjetrin – për sa i takon motivimit që e shtyn nji autor drejt krijimit, apo drejt asaj gjendje që njihet si “frymëzim”.

    Botëkuptimi i parë është ai religjioz, që na thotë se frymëzimi vjen prej Zotit (në kulturat pagane flitet për muza). Ndërsa i dyti, botëkuptimi materialist, na thotë se vepra e artit është bijë e kohës dhe hapësirës ku jeton autori, e gjendjes socio-ekonomike dhe e klasës apo kastës ku ban pjesë, domethanë e rrethanave në përgjithësi.

    Pra, simbas botëkuptimit të parë, shkëndija vjen nga Qielli dhe shndërrohet në motivim; kurse simbas të dytit, janë faktorët e jashtëm ata që e motivojnë autorin.

    Në fakt, secili ka diçka për me na thanë dhe lanë, dhe për rrjedhojë nuk kemi pse t’i qasemi sipas logjikës “o njëri, o tjetri”. Në pamje të parë, natyrisht që këto dy botëkuptime e përjashtojnë njëri-tjetrin, sepse për botëkuptimin materialist nuk ka as Zot e as muza; është vetëm materia dhe natyra në përgjithësi. Ndërsa botëkuptimi religjioz ka prirjen t’i neglizhojë faktorët e jashtëm, në disa raste edhe t’i përjashtojë si të parandësishëm.

    Teoria dhe teologjia mund t’i qërojnë dhe ndajnë gjanat, por në jetën e jetuar ato ndërthuren, marrin e japin me njëra-tjetrën, sepse shpirtërorja dhe materialja nuk ndahen dot, ashtu siç nuk ndahet uji i detit nga kripa.

    2.

    Duke kaluar në nji rrafsh tjetër, mund të numërohen tri gjendje krijuese:

    i. ajo gjendje kur “detyrohesh” me punu si rrjedhojë e presionit të jashtëm: “duhet me punu”, “shumë pak punë/vepra ke”, “ke kohë pa ba diçka” etj., domethanë krijimtaria si profesion, si angazhim konstant. Në këtë rast krijimet dalin skematike, me puls të shuar. “Mediokriteti pandeh se artisti mund të krijojë rregullisht, si nëpunësi. Që këtej rrjedh fatkeqësia.” (Balzac)

    ii. Kjo është ajo gjendje kur ndikohesh nga nji autor, dhe për pasojë e gjen veten të motivuar për me kriju, mirëpo veprat që dalin nga kjo gjendje bartin ma shumë gjurmë të tjetrit. Kështu, në këtë rast ka ma shumë “përkthim” se krijim.

     iii. Kurse gjendja e tretë është ajo gjendje kur e gjen veten duke kriju pa nji shtysë konkrete të jashtme, thjesht ashtu të vjen, përtej të gjithave. Veprat që dalin nga kjo gjendje kanë gjurmën tënde, dhe si të tilla nuk i ndërlidh dot me veprën e dikujt tjetër, pavarësisht se munden me të kujtu këtë apo atë.

    Fundja, nga hiçi (ex nihilo) nuk krijon askush. 

    Edhe për këto tri gjendje vlen me thanë se nuk janë “të ndara me thikë”, sepse kanë pikëtakimet dhe gërshetimet e tyre teksa nji autor është i zhytur në procesin e krijimit. Ajo që ka nji randësi të veçantë është se vepra duhet me bindë fillimisht autorin, se përndryshe nuk i bind e nuk u thotë gja as të tjerëve.

    3.

    Thuhet se Gauguin-i mori arratinë drejt ishujve të Polinezisë në kërkim të ngjyrave. Por, ai thjesht kishte nevojë për qetësi, për mëvetësi metafizike, për me i ikë rrjedhës, për me u shkëputë prej zhurmës akustike e pamore të metropolit parisien të kohës, sepse ngjyrat ishin brenda tij, ai vetëm sa hoqi pengesën që i mbante të kyçura. Pra, ngjyrat brenda tij (shpirtërorja) nga njëra anë, dhe ndërrimi i rrethanave (materialja) nga ana tjetër.

    Shtegtimi i tij, si i shumë të tjerëve, ishte sa shpirtëror, po aq edhe fizik.

    Shtegtimi shpirtëror nuk jep dot fryte, nuk ia shohim dot gjurmët nëse nuk shoqërohet prej shtegtimit fizik.

    Pikërisht përmes këtyre gjurmëve hyn në botë dhe bahet kujtesë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË