More
    KreuLetërsiShënime mbi libraE përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për...

    E përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për një lexim pragmalinguistik të poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”) nga Tomorr Plangarica

    Kur të jesh mërzitur shumë

    Këtu s’ do të jem, do jem larguar;
    Në tokë i tretur si të tjerët,
    Në kafenenë e preferuar
    Nuk do më shohin kamarierët.

    Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
    S’do ndihet kolla ime e thatë,
    Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
    Një qiparis si murg i ngratë.

    Ti do trishtohesh atëherë,
    Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
    Dhe, kur në xham të fryjë erë,
    Do qash me erën dalëngadalë.

    Po kur të jesh mërzitur shumë.
    Në raft të librave kërkomë,
    Atje do të jem i fshehur unë,
    Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.

    Mjafton që librin pak ta heqësh
    Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
    Ti si dikur me mall do qeshësh,
    Si një blerim pas një rrëkeje…

    Poezia “Kur të jesh mërzitur shumë” është ndërtuar në prani të një marrëdhëniejeje referenciale ku shfaqen të pranishme tri realitete: e përditshmja, e përtejmja me simbolikën e gjithëpranuar tashmë, dhe një realitet i formësuar në botën e shkrimësisë, me më shumë gjasa si realitet poetik. Treguesit kuptimorë të thënieve (propozicioneve) në tekst (me lidhjet e vendosura dhe raportet hierarkike mes tyre) përftojnë dy makrostruktura: e para, që bart mesazhin e vuajtjes së natyrshme që lind te njerëzit pas largimit nga jeta të njeriut të dashur, mungesës së përditshmërisë dhe intimitetit; dhe e dyta, mesazhin që bota e shkrimësisë, përkatësisht e letërsisë, bart përparësinë e një tjetër amshimi për autorin krijues të saj, që mundëson prani të përhershme te të dashurit, prani që të ngazëllen në çaste situatash e përmallimesh drobitëse.

    Në tërësi poezia është një spektakël lëvizës në të cilin kaptohen hapësirat e së këtejmes, përditshmërisë, për t’u larguar në një tjetër hapësirë, të “atjeshme”, e cila shfaqet me përkatësi të dyfishtë: në njërën trajtë të së zakonshmes, prej së cilës ngjallet në vijimësi trishtimi e ngashërimi pa cak; dhe nga ana tjetër, në trajtën e një realiteti, bote të krijuar nga poeti, pjesë  e së cilës mbetet në përhershmëri, botë prej së cilës ka mundësi të japë sinjale dhe shfaqë praninë (ndërsa njerëzit e dashur janë në çaste mërzitjeje pa kufi). Është një endje në ato hapësira me të cilat lexuesi familjarizohet pa vështirësi dhe mund të kërkojë më tej të gjejë edhe vetveten si eksplorues i tyre; mekanizmi i vetës bëhet më i luhatshëm, për të pranuar në “unë”, edhe “unë” të tjerë dhe tek “ti”, edhe “ti” të tjerë.

    Raportet mes dy makrostrukturave, raporte bashkërenditjeje të një lloji të veçantë, përmes përvijimit të marrëdhënieve kohore-kushtore, por njëherazi edhe kundërshtore (përmes konektorëve “por” dhe “kur” në vargun 13) përftojnë në fakt një marrëdhënie hierarkike mes dy makrostrukturave, me kundërshtinë që përshfaqet jo me argumentin e së parës, por të përmasave të predikatit në rritje të së dytës: “kur je trishtuar” (dhe vuan paprerë mungesën time), me “kur je mërzitur shumë” (dhe më gjen atje, prej nga unë zbres, për të përjetuar çaste gëzimi – si dikur – çdo herë që te ti dhembja shfaqet drobitëse); logjika e dy makrostrrukturave kushtëzohet nga dy akte të foluri – pohimi i hamendësimeve përgjithësisht në të parën (me ndërfutjen e një hamendësimi empatik në strofën e tretë); dhe më tej, hamendësimi i drejtpërdrejtë empatik në të dytën; dallimi mes dy makrostrukturave përvijohet pikërisht nga kjo përmasë e ndjenjës që i atribuohet së dashurës, ndjenjë e cila, kur rrit përmasën, çon/duhet të çojë në të të tjera realitete kërkimi; kuptimet që nxisin konektorët e kushtit, kundërshtisë e bashkërenditjes janë në koherencë me  të  gjitha  mjetet e tjera kuptimplota (emrat, foljet)  ose ato procedurale (tregorët/deixis-ët); logjika e kuantifikimit që bën diferencën është ngjizur gjuhësisht në mënyrë tejet të veçantë.

    Qysh në srofat e para ndjehet atmosfera e kushtëzimeve në seri, të përftuara në një mënyrë të tërthortë nga poeti, përmes lojës gjuhësore me mungesën e pranisë së konektorit “kur”; Dritëroi ka shmangur konektorin ‘kur’ (në çastin, kohën kur…) në fillim të poezisë, duke ia lënë shprehjen e raporteve kohore në rrëfimin poetik ndjesisë së lexuesit, që i kërkon ato sidomos kur ndeshet me korrelatin ‘atëherë’ në vargun 9 (ti do trishtohesh atëherë…) ; mosshfaqja e mjetit kohor, që i bën më të dukshme raportet kohore, ka  ndikuar që në dy strofat e para të perceptohet më tepër fakti i shenjuar, sesa koha; e për më tepër, të ndjehet më shumë kushti, sesa raporti kohor. Logjika e shtjellimit të mendimit poetik në tekst mbështetet pikërisht mbi këtë kusht zanafillor. Në gjuhën shqipe, nëse në fraza të tilla ndajfolja është e patheksuar (në tekstin e Dritëroit ajo nuk është fare e pranishme) “kjo gjë është tregues se fraza është e tipit kushtor (M. Totoni, 2012:120).

    Konceptualizimi i “botës së tekstit” formësohet pra në dy hapësira: në njërën projektohet si normalitet përditshmëria dhe pasvdekja; dhe në tjetrën përvijohet qenia që ka si atribut pakohësinë; kjo mënyrë konceptualizimi nxitet në tekst nga formësimi i dy situatave të të thënit që përqendrohen përreth dy elementeve deiktike mbizotëruese: ndajfoljet përemërore “këtu” dhe “atje”, të cilat përcaktojnë situatën ligjërimore në aspektin hapësinor.

    Dy ndajfoljet të adresojnë në mënyra të ndryshme në kontekste të njohura në sajë të semantikës që bartin: ndajfolja përemërore “këtu” ndihmon ta lidhësh drejtpërdrejt brendinë e thënies me thëniepërftuesin dhe situatën e tij ligjërimore, si dhe treguesit e drejtpërdrejtë që lidhen me të. Në tekst, “këtu” lidhet me nje realitet shprehimisht të pranishëm, të formësuar  në një kuadër semantik që përqendrohet brenda një stereotipi tepër karakterizues për thëniepërftuesin, që po ashtu edhe lexuesi mund ta rrokë e konceptojë natyrshëm në skemën e këtij toposi që ka të ngulitur në kujtesën e tij afatgjatë: individi në kapërcyell dy botësh, dy realitetesh, i këtushmi dhe i përtejmi.

    Deiktiku “këtu” në krye të tekstit është kuptimësuar duke bartur një univers të  tërë  natyror: bimësia (qiparisi, blerimi), dukuritë atmosferike (era), ato njerëzore (kafeneja e kamerierët, dhoma, rafti i librave…), e për më tepër, një realitet të përjetimeve njerëzore (trishtimi, mërzia, ngashërimi, malli e dëshira për t’i kaptuar  kufijtë e së përtejmes).

    Dhe në përqasje me këtë kuadër të përvijuar, ndajfola përemërore “atje” të adreson në një realitet tjetër. Semantika e kësaj ndajfoljeje përemërore parakupton përgjithësisht pozicionin e referentit dhe jo atë të folësit, që ndjehet në këtë mënyrë i përjashtuar, i larguar. Kjo veti semantike bëhet domethënëse në brendinë e dy strofave të fundit, duke shenjuar një realitet  të përtejmë të një natyre të veçantë: nuk janë më zonat eterike të një bote të përtejme, as ato simbolike të dy botëve në kapërcyell, por përmasat, hapësirat dhe relievet e një realiteti të përftuar nga ligjësitë e artit, letërsisë a shkrimësisë në tërësi, në të cilat prania mbetet e përhershme në atë botë të fiksionit.

    Gjithçka përftohet përmes implikaturave pragmatike që shfaqen në procesin e leximit dhe të interpretimit të thënieve si pasojë e dukurisë së pasurimit pragmatik të përvijuar përmes inferencave të natyrshme në këtë proces. Ky pasurim pragmatik ndodh jo thjesht përmes asaj që është komunikuar drejtpërdrejtë në thënie, por sidomos prej deduksioneve të bëra në bazë të informacioneve jo të drejtpërdrejta dhe sfondit konceptual të kuadrit semantik që zotërohet natyrshëm nga lexuesi, pjesë e një kulture dhe formimi të caktuar.

    Pozicionimi i tillë i realiteteve përftohet jo vetëm përmes konceptualizimeve të lidhura me ndajfoljet përemërore, që përbëjnë qendrën e gravitetit rreth të cilave mirorganizohen më tej entitetet kuptimplota në ligjërim, por edhe nga përkujdesja për t’i dhënë një vlerë pamore këtyre konceptualizimeve që çojnë në një raport vertikal mes hapësirave; prej tokësores drejt lartësive të qiellores: tregues kuptimorë të leksemave që kanë të bëjnë me objektet simbolike të atyre realiteteve (e që ‘thirren’ dukshëm në atë kontekst) mundësojnë të përftohet një kuadër pamor në të cilin përfytyrimi mund të tentojë të endet prej thellësive “tretëse” të tokës, në përmasat e kursyra të një varri, buzë të cilit qëndron heshtur një qiparis, që e thekson vetminë me “heshtjen” e tij, por që me vertikalitetin dhe pamjen imponuese drejt lartësisë, duket si element lidhës mes thellësisë dhe qiellores; e përforcohet kjo prirje drejt qiellores duke i shtuar edhe një tjetër përmasë që e sugjeron heshturazi prania e murgut, që i jep më shumë humanizim e spiritualitet kësaj prirjeje drejt lartësive; dhe, nga ana tjetër, një realitet  që zëvendëson qielloren, prej lartësisë së të cilit zbret lehtësisht, sa herë që ti të jesh mërzitur shumë ; është e qëllimshme kjo lojë thellësish e lartësish (“këtu” dhe “atje”) për të ndihmuar lexuesin të kuptimësojë përgjatë interpretimit  “edhe më shumë se ç’jepet ne tekst”, siç thotë F. Rastier-i.

    Ligjërimi poetik, tejet i pasur në figuracion e përpunime gjuhësore, tejet i kursyer po ashtu në informacion të drejtpërdrejtë, e për më tepër, me lakuna/zbrazëti të qëllimshme në të shprehur, bart po ashtu fare natyrshëm një mori dukurish që në semantikë e pragmatikë do të shqyrtohen në formën e implikacioneve a presupozicioneve semantike, pasurimit kuptimor pragmatik përmes specifikimit, a zgjerimit (pasurimi ad hoc), implikaturave konvencionale, etj..

    Metaforizimi ose përqasja e dukurive natyrore me procese psiko-emocionale njerëzore i ka zgjeruar hapësirën shenjimeve në tekst, e ka përftuar sidomos theksimin e ndjesive  ose natyrën sidomos aspektore të proceseve, gjendjeve a entiteve që përftojnë të tjera përmasa në lidhje me kohëzgjatjen e tyre a befasinë e joshjen estetike përgjatë shfaqjes së tyre. Spikatin dukshëm në këtë aspekt përdorimet e leksemave « erë » dhe « blerim », që në kontekstet e përdorura nxisin vëmendje të veçantë në tregues kuptimorë të përftuar më së shumti kontekstualisht : veçanërisht, veprimi i përzgjatur e pa cak për « erën », që pikërisht për këtë cilësi mund të metaforizohet. Në fakt, ekoja e erës mund t’i ngjajë një vaji të pacak – por, a mund të maten kufijtë e përzgjatjes së erës ? ato janë të pamatshëm, era veçse ekziston si dukuri, pa caqe kufizuese ; përcaktohen veçse caqet, kufijtë e saj në raport me efektin te të tjerët, në një çast kohor e hapësinor të caktuar, por jo ekzistenca e saj ; ajo veçse është e pranishme, ekzistenciale ; kështu edhe e qara në këtë analogji bëhet e pamatshme, i tillë do të jetë edhe trishtimi i së dashurës, i pacak, i vijueshëm si proces, që merr konkretësi me nxitjet e herëpashershme të kujtimeve ; e ndaj përngjashmon me erën, me ekon e saj, që si vaj i brendshëm përzgjatet në kohë ; le të vërejmë që edhe ndajfolja « dalëngadadalë » rikuptimësohet kontekstualisht, për të dhënë më shumë këtë kohëzgjatje pa cak të përcaktuar, sesa mënyrën e përftimit të procesit ; e po ashtu edhe leksema « blerimi » bart kuptimisht edhe vlerën estetike, edhe analogjinë e kërkuar kuptimore në atë kontekst (“natyra qesh kur blerimi e mbulon atë”), por sidomos përfton një kuptim ad hoc në atë kontekst: atë të dukurisë së brishtë, të përftuar pas një pritshmërie pa cak, nga rrjedha e kursyer e rrëkesë (një tjetër kuptim i bartur i masës së mpakur) që përfton një lidhje të veçantë kuptimore me « blerimin ». Janë më së paku sfonde kulturore e konceptualizime edhe të kësaj natyre që bashkëshoqërojnë skemat a kuadrot semantike që shfaqen natyrshëm në kontaktin e lexuesit me njësi të tilla, lehtësisht të kontekstualizueshme, ngaqë në receptimin e tyre dijet e magazinuara në kujtesën tonë afatgjatë mundësojnë rikuptimësime të begata. Për më tepër, në kontekstin e ligjërimit poetik, ato dije shfaqin një vigjilencë jo të zakontë, ngaqë, në thelb, ai ligjërim parakupton një  kompetencë  pragmatike  të përvijuar dukshëm, për  të  rikuptimësuar mesazhet.

    Strukturimi i poezisë në dy makrostruktura nuk vjen thjesht si prani e dy fushave leksikore që karakterizojnë rendin e gjërave në raportin përditshmëri e pasvdekje, por sidomos si një shkallëzim i dy akteve diskursive: i pari, me një funksion ilokutiv të pohimit të hamendësimit, dhe i dyti, të një hamendësimi empatik që zgjeron e thellon përjetimet emocionale, e për pasojë nxit lëvizjen në hapësirat e së pazakontës, por që në gulshe e gjendje të rënduara

    emocionale shfaqen fare pranë e lehtësisht të kaptueshme. Akti i dytë diskursiv, duke parakuptuar si përmasë edhe tjetrin, mbështetet mbi një kategori logjiko-semantike siç është kuantifikimi, dhe përzgjedhja e mjeteve gjuhësore dhe aktualizimi i tyre është bërë pikërisht përmes veçantive që bartin njësi të ndryshme gjuhësore që e përvijojnë këtë veçanti, si përemrat e pacaktuar, deiktikët mënyrorë, format e pashquarsisë, etj.

     * * *

    Në mbyllje

    Pohohet jo pak herë, madje edhe pa mëdyshje, që mesazhet e poetëve të vërtetë nuk njohin moshë. Poezia “Kur të jesh mërzitur shumë”, e shkruar ndërsa poeti ishte në të pesëdhjetat, mund të ishte shkruar edhe më parë, kur ai ka qenë në të tridhjetat e, pse jo, edhe më parë akoma, kur ai vetëdijësohej dhe i falej forcës së artit të vërtetë, kur ai e ndiente veten të aftë të formësojë atë realitet me të tjera ligjësi të kohësisë, kur, sado me drojtje, e synonte praninë në përhershmërinë e atyre hapësirave, ndërsa mesazhet nisin e synojnë njëherazi edhe pakohësinë.

    E po ashtu, “Kur të jesh mërzitur shumë” i shkon gjithnjë e më shumë edhe të gjashtëdhjetave të poetit, të tetëdhjetave, të nëntëdhjetave… moshës në përhershmëri të poetit, pamoshës së poetit, por edhe moshës së gjithëkohshme të poezisë…; dhe lexuesi (i moshave të ndryshme, i kohëve të ndryshme, ndaj edhe ai i pamoshë) nuk e ka të vështirë ta bashkëshoqërojë poetin në ato hapësira, ku praninë nuk e mpak as vdekja. A s’është edhe ky një sinjal më tepër se vërtet poeti është atje?

    *Botohet me shkurtime

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË