More
    KreuLetërsiBibliotekë"E diel Ballkani", poezi nga Odise Kote

    “E diel Ballkani”, poezi nga Odise Kote

    1- E diel ballkani …

    Kambanat e meshave tingëlluan kaq fort,
    sikur vinin nga bota e përtejme,
    zëra të ngjizur në zjarr e pezm.
    Kryepeshkop’ i botës shqiptare,
    At Arthur Liolini
    po ngjitet lart tek zotat,
    Amen.
    E diel.
      
    Tokave të Ballkanit,
    buzë greminave,
    buzë humnerave,
    rrënojave të trishta, skajeve të lumtura,
    mbuluar me dafina,
    mbushur me varreza plot lagështirë.
    Rrëshket i papenguar, sovran,
    Instikti vjetran i hakmarrjes.
    Medet.
    E diel. 
     
    Qiejve, të veriut në Kosovë,
    trumba – trumba ikin,
    në korridoret e lejuar,
    ikin, ikin zogjtë shtegëtarê,
    ikin lejlekë.
    Bën ftohtë. Bêrrr bërr.
    E diel.
     
     Diçka ështê kalbur atje në Serbi,
    do thoshte Sheakspeare*,
    që zbeh inteligjencën e shefit të Europës,
    Zhozef Borrell,
    e pakuptuar, gjithëaq,
    bën hapa të çuditshëm mbrapsht.
    E diel.
      
    Kokolepsur shekujve,
    bashkim i përsosur kundêrshtish,
    ende të paprekur,
    makthet, mitet dhe erërat.
    Drejtimiin erës mbase s’ia ndryshojnë dot,
    por mund të rregullojnë velat…
    Mbi shkrepa stuhish
    ende fryn, gjakon e këlthet,
    sharkia, lahuta, tupani.
    E diel.
    E diel ballkani …
      

    W. Sheakspeare – Sinonim politik. Njê shtet që jeton me vesin, mbi krim.


    2 –       Me avionin e linjës …

    Ti vërtitesh në kujtesë, e mjegullt, kaq larg,
    pa adresë, trembem mos të humbas,
    ndërsa një roman kushton një kg peshk,
    dhe bileta e teatrit dy kg presh,
    qytetit që ngjan si rrasë çatie gati të bjerë.
     
    Kam mbetur vetëm me një djalkë,
    i pavendosur, në stacionin e boshatisur
    të autobuzëve që flenë.
    Ai bën llogari:të blej një shtëpi,
    por i duhet të punoj njëqind e tridhjetë vjet.
     
    Qielli i këtij mëngjezi e zbuti disi,
    fatalitetin e fytyrave tona plot trishtime,
    pasi grumbulli i reve në skaj ngjasoi
    me avionin e linjës heshtje, dhimbje, ikje …   


    3-       Do dështoj, do dështoj disa herë …

    Fytyra të zhubravitura në rrugë indiference,
    me artikulim dembel ngaqë kishin kohë
    pa lexuar asnjë rresht,
    përqeshën dështimin tim të rradhës,
    si një përrallë popullore
    që ia thanë njëri tjetrit
    pasi nuk iu ndodhi atyre.
     
     
    Pinin dhe gogësinin,
    aq sa më ngjau se kishin gjithë jetën aty,
    mbi tavolinat e harresës
    duke rrotulluar jetën e tjetrit
    (të tyren e kanë braktisur prej kohësh)
    si një lodër – fugë fëmijësh.
     
     
    Kthehesha nga disa takime të errëta me fatin,
    e çuditërisht buzëqeshja?!
    Nuk doja zymti e trishtim në pore
    pasi trishtimi është i lehtë,
    është dorëzim,
    ndaj këndoja me zë të lartë:
    do dështoj disa herë, po kokën nuk e ul,
    deri sa të gjej vijën e paprekur nga të tjerët…
     
     
    Të njëjtat fytyra të zhubravitura,
    ishin po aty edhe pas një jave,
    (do jenë edhe pas një viti)
    me artikulim edhe më dembel
    kanë kohë pa lexuar asnjë rresht,
    asnjë libër e dallohen qartazi
    nga shikimet e babëzitura,
    pasi është e pamundur t’i harrosh,
    dhe e vështirë për t’i mbajtur mend,
    derisa fitorja nuk është një gjë e lirë …

    4-  Kjo mjegull që ra …

     Kjo mjegull që ra, sidomos atje
    mbi ngrehinat e rrënuara, bosh,
    na shkëputi me botën.
     
    Pulëbardhat nuk dëgjohen më.
     
    Vetëm dyshemetë rënkojnë,
    tubat fishkëllijnë,
    ndërsa fantazmat
    që kanë jetuar aty më parë,
    veshur me çarçafëë të bardhë,
    bredhin e harlisen rrugëve…
     
    Fantazmat e kanë lexuar
    Librin e të Vdekurve
    dhe e dinë që të gjallë e të vdekur,
    takohen diku në fund të përjetësisë.
     
    Kjo mjegull që ra …
    vello e çuditshme e mërzisë.


    5-       Kënga e të verbërve …

    Ata qëndruan në arë gjithë pranverën, verën dhe në vjeshtë
    të keqkuptuar, të shtyrë, rrokullisur në vorbulla, u zhbartën.
     
    Magjepsja, ëndërr – delir, prej hënës së plotë akoma nuk i lodhi,
    thënë me gojë perëndie, asgjëja zëvendësoi format e imazhit.
     
    Toka qënkish plot guriçka, tinës fshehur nën gurë sakrificash,
    Ujërat e shirave ndrronin drejtim, duke iu vërsulur lumit egërsisht.
     
    Në javën e shenjtë të pjellorisë, ia behën sorrat e zeza hileqare,
    Njëra syresh mbante ditar dhe shkruante marrëzitë…
     
    Ata qëndruan në arë gjithë pranverën, verën dhe në vjeshtë
    të keqkuptuar, të shtyrë në heshtje e në vorbulla, u zhbartën.
     
    Si një qiell me re të gjakosura, rrëzuar mbi kreshta tragjikisht,
    dhe plasën, ah siç plas guri, plasën, plasën….


    6- Pëllumbat nuk janë të shenjtë …

    Gjithë vjeshtën iu dërgova letra e poezi malli,
    miqve e mikeshave që prisnin të udhëtonin,
    në aeroportet dhe metrotë e botës.
     
     
    Krahët e pëllumbave janë plagë,
    që ende dhembin në eth,
    nga fluturimet e gjata,
    vizatimet e çuditshme nëpër qiej,
    për të mbërritur në orën e caktuar,
    para se të shuhej nga kujtesa,
    një grindje e vjetër apo takim i harruar…
      
    Mos m’i trembni as mos m’i vrisni këta pëllumba,
    që gjithë paraditën diç të shkujdesur pëshpërisin,
    gu,gu,gu … si shigjeta flake,
    bëjnë zigzage.
    Ndonëse i duam shumë,
    Pëllumbat nuk janë të shenjtë,
    sepse shpesh ato
    na i ndotin çardakët dhe dritaret …


    7-       Bajame e egër …

    Veç bariu sypërskuqur prej katundi mjeran,
    që kullot kopenë,
    gjithë kumborë dhensh e zile dhish
    kthen kryet nga bajame egër mbirë mes shkëmbinjsh.
     
     
    Ditë për ditë ulet kundruall saj,
    nuk ka çfarë t’i bëj asaj ndjesie të mirë,
    i pëlqen mëvetësia, heshtja dhe aroma që lëshon,
    kopeja vazhdon të kullotë polenin dhe vesën.
     
     
    Fryn një erë e hollë, e hollë brisk, fishkëllen e fryn,
    bariu sypërskuqur kacaviret,
    i hedh përsipër bajames pelerinë,
    sepse dëborërat dhe akujt maleve
    ende nuk kanë shkrirë.
     
    Çdo pemë ka brinjët e veta zbuluar,
    shenjat e origjinës…


    8-       Vajza pret një djalë në breg …

     Në mbarim të agimeve e muzgjeve,
    një anije në mes të detit fanitur.
    Eh, eh, e…e, ku ka mbërritur?
      
    Sirenat që vijnë çdo herë prej larg,
    veshur me tinguj të butë harrese,
    sjellin vetëdijen mbytur në thellësi.
      
    Sikur pritja të mos qe kaq e gjatë,
    të kishte të paktën një cak,
    të nderej gjithë ai mallkim e shpagë,
    oii, oii.
      
    Ç›është në horizont ai pelikan vetmitar,
    metaforë apo lajmëtar?
      
    Dallgët shkalafyten baticë – zbaticë,
    shpresë e vdekur, ikje – moskthim …
    eh, e….ehu që thërmon shkëmbinj.
    Oii, oii.
     
    Në mbarim të agimeve e muzgjeve …


    9-  Ti ishe nga botë tjetër …

    Rikthimi yt nuk është histori balade,
    kur vijnë papritur shirat e vjeshtës.
    Si në koncert violinash duken sokakët,
    nën ato dritare, nën dritat e zbehta.
      
    Pikturoj shenjë në kanavacë të përhimtë,
    kështu nis balada, zbulimin e vetes.
    Flokëlagur nën shi, histori e pambarimtë,
    ardhur ti nga qiell, nga një botë tjetër.
      
    Pastaj, trupat preken, rrokullisje e pjerrët
    avuj kërleshur, zjarr që pengje djeg, zjarr.
    Ti puth si e çmendur, je mahnitje e freskët,
    shkrumbon universi nën lëkurën e bardhë.
      
    Ti nuk je kurrsesi si baladat e gjata,
    me hollësi folklorike e një fund të trishtë.
    Kur mbështjell me harresë, stinët, mallin,
    në varr të thjeshtë, nën një qiparis.
     
     Je hiri magjik ku flenë dhe zgjohen,
    pasionet fillestare dhe mëkati i vjetër.
    Miliona balerina shi, ç’muzikë pikëlore,
    i sjell nga qielli, nga ajo bota tjetër.


    10-    Kjo kohë tinzare as verë – as vjeshtë…

    Kjo kohë tinzare as verë – as vjeshtë,
    ka zgjuar bef djajtë estetë të politikës.
    Ngulur marrëfryme, as mish as peshk,
    ekranesh bluar trashë të së përditës.  

    Diç e paqartë, pezull, gëlon kësaj ane,
    si shkrimet etruske, e padeshifrueshme.
    Fsheh tinës kuptimet e asaj kambane,
    në ekuacione, konspiracione të bujshme.

    Veshët e lodhur të njeriut që hesht,
    përballë ekranit, me versione e thurrima.
    Ç’të bëjnë me qëniet, as mish as peshk,
    që ngjërojnë në mure mistere e vrima..  

    Pagesa të majme, trafik kombëtar dhe kesh,
    ëngjëj braktisur, nga lindja – perëndimi.
    Shpirtshitur,qënie të vockëla, veç interes,
    që kurrë nuk gjetën dot një rrugë kthimi.

    Kjo kohë tinzare as verë – as vjeshtë,
    e çmendi, shastisi, njeriun e ditës.
    Ngulur marrëfryme, as mish as peshk,
    ka zgjuar bef djajtë estetë të politikës.


    11-    E takova Drinin e Zi këtë mesvjeshte…

    Drinin e Zi e kam takuar qindra herë,
    në romane, poezi e këngë lahute,
    përrallat që thuren netëve në katunde,
    matanë kufirit të rrëfimeve, stacione kalimtare,
    nëpër stërhollime ndjenjash e dredhore,
    gjeta gjurmë e shenja, tejza të panjohure,
    ngashnjime e agjërime, ëndje e dhembje.
     
    Lumë, o bir i liqenit të Ohrit,
    Liqen o fytyrë e shpirtit identitar,
    shpirt që nuk ke si të jesh dashuri shtegëtare…!
    Drinin e Zi e takova edhe këtë mesvjeshte,
    mbuluar mjegull e gjethe. Mellanore – gjethe,
    a ngjyen penën aty njëmijë poetë? Ç’thanë pemët?
    është përpunuar stil folklorik diç i gënjeshtërt…
    Koha e mosdëgjimit të lumit tjetërsoka njeriun,
    e bëka kapërdirës, që ndryshon në zigzage,
    sa s’dallon vijat e sharkisë, plagët dhe faktet.
     
    Ç’kërkon qetësia kur t’i ngjitesh e zbret, grykave,
    në plotësi? Lumë o lumë që tërbohesh fare.
    Shpirt që nuk ke si të jesh dashuri shtegëtare…!
     
    E takova Drinin e Zi këtë mesvjeshte…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË