More
    KreuLetërsiBibliotekëDy tregime nga Fatmir Lleshi

    Dy tregime nga Fatmir Lleshi

    dhimbja

    Asnjëri prej nesh nuk ishte tip sportiv. Nuk vraponim, nuk loznim basketboll ose futboll. Në fakt, jam i prirë të besoj se ky mosaktiviteti fizik i yni, më shumë varej nga babëzia jonë për ta shfrytëzuar kohën për qëllime tjera, sesa nga ngathtësia e trupave tonë, apo nga mungesa e talentit. Me apo pa vetëdije, përligjnim shfrytëzimin e pamëshirshëm të kohës. Fjali të tipit, “derisa terja flokët i hova sytë një soneti të Shekspirit” ose ”u vonova për të kapur autobusin, pasi bluaja një mendim të Sontag-ut” ishin goxha normale.

    Sidoqoftë, gjatë atyre javëve, lozëm një herë pingpong në një palestër të re që kishte formën e një veze në ngjyrë të zezë me pika të verdha. Interesimi ynë u ngjall pra në rend të parë, nga shija jonë artistike për ta parë nga brenda këtë godinë të re të arkitekturës. U ramë korridoreve e kthinave poshtë e përpjetë, por mbetëm paksa të dëshpëruar. Pamja e saj e jashtme intriguese, zbehej sapo shkelje portën dhe me të treteshin dhe pritjet plot kureshtje e fantazi të vizitorëve. Pas nja gjysmë ore me pingpong, mblodhëm raketat dhe topat dhe ikëm nga palestra.

    Kur dolëm jashtë, zbritëm poshtë shkallëve që të çonin në një park të vogël me tryeza të rrumbullakëta dhe karrige plastmasi në ngjyrë vjollce. Befas, nga asgjëkund, përpara na mbiu Sofia. Dukej edhe më thatuke, edhe më e elektrizuar.

    – Nuk vij në orën tjetër. I thoni Hansit se… – i mbeti një komb në grykë.

    – Ç’u bë? – nxitoi Maja.

    Currilat e lotëve shpërthyen pa asnjë paralajmërim, ato rrokulliseshin me ngut poshtë asaj hunde të përkryer.

    – Një djalë i tezes sime është vrarë në Etiopi. Ishte vullnetar në “Mjekët pa kufij”.

    – Tmerr!

    Sofia fshinte me të dy duart çurgun e rrëmbyeshëm të lotëve që s’kishin të ndalur. Ne të tre hallakatëm çantat tona të shpinës, Roberti ia zgjati i pari pakon e facoletave të letrës.

    – Ai ishte ca vjet më i madh se unë, por si fëmijë kemi kaluar shumë kohë bashkë, posaçërisht gjatë pushimeve verore që i kalonim te gjyshi dhe gjyshja.

    – Si ndodhi kjo?

    Ajo mori frymë thellë, dënesjet u rralluan.

    – Shumë variante na zuri veshi. Në fillim dëgjuam se Henriku, kështu quhet kushëriri, ishte vrarë duke shpëtuar një të plagosur gjatë një zënke ndërmjet dy klaneve. Pastaj na thanë, jo u vra nga një i afërm i një pacienti të operuar nga kushëriri im, por që paska vdekur më vonë, mbasi demek paskësh dështuar operacioni. Më në fund na thanë se, dhe kjo siç duket duhet të jetë e vërteta, ca njerëz paskan hyrë natën në tendën ku flinin mjekët dhe personeli tjetër mjekësor, me qëllim për t’i plaçkitur. Henriku i shkretë e paska pasë fatin e keq që u zgjua i pari duke i zërë me presh në dorë. E therrën me thikë. Mund ta merrni me mend, e vranë mu atë që shkoi në fund të botës për t’u ndihmuar.

    – Çfarë njeriu humanitar! – thashë unë, jo me pak admirim.

    – Shko thuaji tezes sime këto fjalë! – m’u kthye ajo e ndëkryer.

    Pikëllimit të saj i ishte shtuar një tërbim i furishëm. Nuk bëra zë.

    – Qëndroi atje për gjashtë muaj, u rropat i shkreti për t’i mjekuar njerëzit që kurrë nuk i kishte parë në jetë dhe së fundi, ishin ata ose të afërmit ose fqinj të atyre që u doli zot, që e therën. Tezes sime nuk i telefonoi as dy herë gjatë tërë kësaj kohe. Tani, ia shoi zemrën të mjerës për jetë të jetëve. Mund ta quajmë tërë këtë histori si humanizëm?

    Asnjë përgjigje. Ajo formuloi edhe një pyetje, me zë më të ashpër:

    – E dini ç’është më tragjikja?

    Ajo shtroi flokët dhe ndreqi jakën. Na gozhdoi të treve, një nga një, saqë m’u duk se në atë çast kënaqej shpirtërisht, duke na kundruar ashtu të shugatur para monologut të saj eruptiv. Ne heshtëm prapë.

    – Siç i tha tezes njëri prej personelit, me të cilin tezja ra në kontakt më në fund, Henriku nuk kishte asnjë kacidhe në kuletë atë natë.

    Gjë që nuk ishte më tragjikja e asaj tragjedie, edhe pse Sofisë iu përftua ashtu.

    Kur u ndamë nga Sofia, Roberti tha mendueshëm:

    – Kur dëgjova këtë histori, mendja më shkoi te citostatikët që luftojnë qelizat kancerogjene. Në atë luftë u shkon kryet edhe qelizave të shëndosha, siç i ndodhi edhe kushëririt të Sofisë. Ca e ca bamirës duhet ta paguajnë shtrenjtë, disa edhe me jetë, në mënyrë që misioni humanitar të mbetet gjallë, dhe të vazhdojë rrugën e vet.

    – Jo rrallëherë, trimëritë dhe virtytet bien në hije të më banales, – shtova unë po aq i mendueshëm sa ai.

    Henriku i Sofisë preokupoi vëmendjet tona për disa ditë. Ç’e shtyu atë për një hap të tillë? Të braktiste sigurinë sociale e materiale dhe të rrezikonte jetën për njerëz të largët e të panjohur? Dhembshuria? Karakteri i tij? Edukata familjare?

    Roberti ndërpreu këtë kanonadë virtytesh që këputeshin nga gojët tona dhe që i ngjante fort zërit monoton të pikave të ujit, kur harrojmë ta mbyllim rubinetin ku të jetë.

    – Por çka, nëse kjo është më e thjeshtë sa e pandehim ne? Nuk dyshoj se Henriku ishte njeri bujar, të cilit i rrihte zemra për jetët e njerëzve të goditur nga fatkeqësitë, edhe nga ato më të ndryshmet e më të fortat qofshin. Por ta zëmë, të luajmë pak me këtë hamendje, se ai në të njëjtën kohë ka qenë një i ri i papunë dhe se shkuarja e tij atje do t’i shtonte atij një plus të madh në CV-në e tij goxha të varfër me referenca punësimi. S’ka nevojë ta stërzmadhojmë virtytin e tij. Gjërat përreth tij mund të kenë qenë vendimtare njëlloj. Një varg ngjarjesh, për ne të panjohura, që e kanë vërë me shpatulla pas murit dhe e kanë shtrënguar të lajmërohet si vullnetar.

    – Mund ta ketë pasur egon e pangopur, vullnetin e pamasë për t’u treguar i aftë, gjë që e degdisi në spitalet e improvizuara të vendeve të varfra, – ndërhyra unë.

    – Këtë kronologji përfytyron ti? Ego, kërkim i sëmurë i vëmendjes së të tjerëve, bamirësi? – m’i nguli sytë e kaltër e të butë Maja, e cila vijoi: – Unë nuk i hedh poshtë rrethanat anësore, por besoj me tërë forcën në dhembshurinë e njeriut dhe në forcën marramendëse të çastit. Në sekondat çudibërëse. Unë nuk përjashtoj fare mundësinë që Henriku, para misionit të tij vullnetar, ta ketë pasur para vetes një foto të një fëmije të leqendisur etiopian, me bark të fryrë, mollaqe të vyshkura, në prehrin e së ëmës, po aq të përvuajtur e të uritur sa vetë ai. Nën sfondin mizor të diellit përvëlues dhe të shkretëtirës shterpe, ku nuk mund të paramendoje as  pezhishkën më të hollë të shpresës. Unë jam e bindur se kjo mund ta ketë shtyrë Henrikun t’i mbledhë plaçkat, dhe t’ia mësyjë Etiopisë.

    – Argument i fuqishëm ky. Dhe poetik. Ndoshta për së tepërmi poetik… – tha Roberti duke kruar zërin e tij serioz – Por, më duhet të them se të gjithë njerëzit s’kanë dhembshuri.

    – Nuk është ashtu. Të gjithë njerëzit kanë dhembshuri, Robert. Dallimi është se ç’bëjmë me të. Ca nga ne i mbyllim sytë dhe i ikim asaj, duke shpresuar se gjërat do të ndreqen disi edhe pa ndërhyrjen tonë, anipse kjo nëse shikohet thellë, është vetëm një iluzion, dhe këtë iluzion e kemi si nevojë për t’i ikur ndjenjës së fajit. Të tjerët kacafyten dhe luftojnë shkaqet që sjellin dhembshurinë, por kjo kërkon sakrificë, kërkon kohë e lekë si dhe përjashtimin e një jete tjetër, sigurisht, më të rehatshme. Dua të them edhe një gjë të cilën ju e prekët përciptazi: fakti që ndihma e bën të padukshëm tjetrin, nevojtarin. Nga perspektiva jonë, në qendër të vëmendjes del mjeku që vjen nga larg dhe martirizohet për t’i bërë mirë të tjerëve. Kjo është e vërtetë, prania e bamirësit ua bjerr individualitetin nevojtarëve, i bën të duken si miza.

    Roberti shihte si një tuhaf. M’u duk se lëshoi një hungërimë, nëpërdhëmbi diç të pa artikuluar si një njeri parahistorik. Unë përpëlitesha, ndërkohë, pija Coca-Colën time me gllënjka të vogla dhe pas çdo thithjeje të thellë të cigares, e shikoja me hutim atë gypth të bardhë me filtër, a thua se ai do të më jepte krahë.

    – E ke thënë edhe përpara. Pse i jep aq shumë vlerë e rëndësi çasteve, sekondave? – e pyeta qetë, duke dëshiruar ta drejtoja në një kah tjetër bisedën.

    – Jeta nuk përbëhet vetëm nga muajt dhe vitet. Ajo përbëhet nga sekonda, nga çaste të shkurtra e intensive që na ndryshojnë, dhe të cilët na skaliten në mendje përgjithmonë. Gjatë asaj shkëndije kohore, nxitemi të bëjmë diçka madhështore, persiasim ide magjepsëse ose bëjmë marrëzi të pafalshme.

    – Vijnë ato vetë, apo i nxisim ne?

    – Nuk e di, Altin. Nuk e di. Por a ka rëndësi kjo? Njeriu është i shtrënguar të notojë, rryma e jetës e fshin përpara dhe e drejton siç do vetë ajo. Por, në atë rrjedhë kozmike, ka vend për përpëlitje.

    Mbaj mend se, duke dëgjuar Majën tek fliste për sekonda, rrjedha dhe notues, druaja nëse ajo në të njëjtën kohë, përfytyronte dhe përcaktonte notuesin tim atëbotë. Kisha drojë se ajo shihte një syresh që iu ishte dorëzuar valëve të jetës. Një trup të paformuar, që përplasej majtas e djathtas, nga shkëmbi në shkëmb, nga bregu në breg. Pa revoltë.


    FOTOGRAFIA

    Kursi vijoi me ndërthurjet teori – praktikë. Mësuam për historikun e artit fotografik, për pionierët e tij, rrymat më dominante, teknikat e zhvillimit të fotografisë. Futeshim në dhomat e errëta dhe çuditeshim me metamorfozën, kur negativat e përçudnuar shndërroheshin në riprodhime të lëmuara në letër. Për fund, çdonjëri prej nesh duhej të prezantonte nga pesë foto, punimet tona vetanake. Hansi kufizoi harlisjen tonë artistike, duke na caktuar një temë: nostalgjia.

    Më habitën punimet e Helenës që kishte fotografuar një numër të madh shkrepësesh, frutash e qirinjsh të renditur në formë trapezesh, rombesh e shumëkëndëshash të madhësive të ndryshme. Jo aq nga fantazia e projektit, se sa nga motivacioni i ftohtë i saj:

    – Unë e marr nostalgjinë si një konsolidim gjërash. Nisur nga kjo, s’ke gjë më të harmonishme se trupat gjeometrikë.

    Unë mendoja të kundërtën. Nostalgjia nënkupton humbje, dhe diçka që humbet, nuk vihet në terezi dot. S’bëra zë, nuk isha i disponuar për polemika.

    Sofia ishte ende skllave e zisë për kushëririn e saj, gjë që edhe u shpreh në punimet e saj të tejshquara: lotët që pikonin nga dy fytyra të paidentifikuara, ca varreza në mjegull. Në fakt, më interesonte më shumë se ku i kish gjetur ata individë të përlotur, nga ç’vend kishin mbirë?

    Paskëtaj Hansi ma dha fjalën mua. Që nga shpërthimi im i fundit, dukej sikur ai tepronte kujdesin ndaj meje, sikur ndiente nga larg erë servilizmi. Mbaja një qëndrim të ftohtë ndaj tij, por në të njëjtë kohë më brente ndërgjegja mos kështu e injoroja pa nevojë. Këtu luante rol edhe Marina, me siguri që këtë disponimin tim e bisedonte me të, s’kish si të ndodhte ndryshe. Projektova foton e parë: një lirishtë, një qilim, një shportë.

    – Të bëj një sqarim që në krye të prezantimit. S’di sa do të ndryshonte kjo në kualitetin dhe porosinë që dua të përçoj, por kur fotografova këto skena mendjen e kisha te stina e pranverës. Seç m’u kujtua një maj i dalldisur me diell e shi, siç është rëndom ky muaj në vendin tim. Unë me një moshatar timin, ishim dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjeç, patëm kaluar kilometra rrugë në këmbë, prej livadhi në livadh, prej suke në përrua e prej zallishte në bërryla kodrash në kërkim të insekteve për herbariumet tona. Akoma e ndjej thellë atë klaustrofobi mikluese, atë rrezatim nga më të ëmbëltit, që ta ngrohte e guduliste shpirtin e zemrën, kur rrugëtimi na pruri në një lirishtë të rrahur nga dielli i verdhë si hareja, pas shiut të shkurtër çapkën. Qëndruam shtrirë në barin e njomë, thithëm aromat e stinës së tretur dhe asaj që trokiste në derë, dhe përlamë me oreksin e llaskucëve të paparë, pitet e yndyrshme me djathë, të pjekura nga e ëma e shokut. Më pastaj, kur i mbushëm brinjët mirë me ushqim dhe kur shuam etjen me lëngjet e gazuara, krenarisht peshkuam nga qeskat e pëlhurta flutura ngjyrë ylberesh, grerëza kokulura si nga turpi, dhe ca kacadre, që ndonëse të ngordhur, të çonin mallin e ushtarëve antikë të gatshëm për sulm të hovshëm.

    Përnjëherë u përmenda nga kjo dalldi. Të tjerët ishin duke më përpirë me sy, vështrimet e tyre çmeritëse tregonin se ata sapo kishin marrë pjesë në një eksperiment, ku unë, një mi me elektroda të mbërthyera mbi kokë, isha shkëputur totalisht nga realiteti, si me një prerje precize bisturie.

    – Shumë shprehëse, – tha Hansi.

    Doja të besoja se ishte i çiltër.

    Fotografitë e tjera ishin kopje të së parës, i paraqita me të shpejtë pa ndonjë entuziazëm.

    Roberti mungonte atë ditë. Maja bëri prezantimin, në vend të tij. Në foton e parë shihej mjegullt një kasollë nga larg, në të dytën, e njëjta ngrehinë kishte tashti dyert e hapura dhe qe shkrehur nga afërsia. Në fotografinë e tretë dhe të katërt i njëjti vend, me dallimin e vetëm që, në vend të kasolles shihje një vilë goxha të madhe. Në foton e fundit dallohej shpina e një burri që ecte me nxitim në një shteg.

    – E thjeshtë dhe sugjestive. Teknika lë shumë për të dëshiruar, – rrudhi buzët Hansi.

    E fundit ishte Maja. Ishte hera e parë që shihja fotografitë e saj (që të dy ishin fjalëpakë rreth punimeve tona, kurrë nuk e patën zënë në gojë sesi i shkonin punët dhe as që u interesuan si më venin të miat). Maja paraqiti një koleksion fotosh të aranzhuara. Në të parën ishte vetë ajo, symbyllazi me një fashë të zezë, dhe me një buzëqeshje asgjëthënëse. Duart, me dorashka lëkure, i kishte vënë sipër një muri në miniaturë, ndërtuar me puzzel fëmijësh, me një shirit në mes, flakë të kuq, ku qe shkruar me të bardha “Berlin”. Kishte diçka të thellë e ngulfatëse në këtë thjeshtësi. Sfondi ishte i shndritshëm e metalik.

    – Muri i Berlinit, lufta e ftohtë. Dikujt edhe mund t’i ngjallë nostalgji kjo? Po ty? – pyeti Hansi ftohtë dhe kryqëzoi duart, siç bëjnë njerëzit kur dëshirojnë të distancohen prej diçkaje.

    – Oh jo, nuk e kisha mendjen tek ideologjia. Një ide tjetër më intrigoi. A nuk është e zakonshme, dhe po aq absurde, që njeriu ndjell mall edhe për kohërat më të vështira dhe më të pështira, vetëm e vetëm për ta rijetuar mendërisht një bashkësi iluzore? Njeriu është mjeshtër i relativizimit të së kaluarës.

    – Më intereson një gjë, kush qëndron me aparat në dorë? Roberti?

    – Jo, im atë.

    – A mund të flasim atëherë se kjo vepër është e jotja?

    – Pse jo? – qëndroi e palëkundshme Maja, si një shkëmb. – Shtypja me gisht nuk e bën kënd autor.

    – Por buzëqeshjen, si ia dole me këtë pozë neutrale mbytëse? E shtrëngove atin të shkrepë njëqind herë të njëjtën pozë? – tentoi me humor Hansi.

    – Jo njëqind, shumë më pak.

    – Më duhet të pranoj se ti, së bashku me tët atë, e keni ngurtësuar me të vërtetë momentin. Ç’mendon për pohimin e disa fotografëve se duhet pritur rasti, me durimi të pasosur, për atë sekondën vendimtare të bekuar kur shtypim butonin, është vendimtar për kualitetin e fotografisë?

    – Unë besoj në çaste, por jo dhe aq në pritjet molisëse që ato të na aterojnë nga gjëkundi, si ato vizionet religjioze të ngarkuar me elemente mrekullie. Shikuar nga ky prizëm, mendoj se fotoja dhe jeta janë plotësisht të ndryshme. Ke aparatin me vete, rastet të qëllojnë pa fund. Edhe kur nuk rastisin, i formon vetë siç bëra unë. Unë nuk shoh kurrfarë problemi me aranzhimin e objekteve. Ndryshe është me jetën, aty vetëm sa humb kohë duke pritur rastin tënd, as të aranzhosh diçka që nuk ke kushedi sa mundësi.

    Edhe fotografitë e tjera të saja mbanin të njëjtin stil, të njëjtën shprehje, të njëjtën forcë shtytëse. Njëra prej tyre ishte e ndarë në katër kuadrate, ku duke filluar nga ai në këndin e majtë lart, shiheshin me radhë: ca pulla postare të vitit 1971, teksti i kartolinës dërguar nga një plazh përvëlues, pamja piktoreske nga Tenerife dhe së fundi, një arkë e drunjtë e kyçur me dry, në qoshin e djathtë poshtë. Ose një tjetër, sërish me Majën si objekt, me një rrëqethje molisëse në fytyrë, sikur mundohej të shqiste nga gjoksi dy copëza letre të rrumbullakëta të ngjitura në secilën trinë të duarve të saj, ku ishin vizatuar vezorja dhe respektivisht spermatozoidi. Kthimi tek fillimi më i hershëm i njeriut? Zhbërja e vetes?

    – Vërej se ke dëshirë të jesh pjesë e një vepre, jo vetëm ta formosh nga distanca. Ç’është për ty arti? – e pyeti Hansi qartë dhe rreptazi, në atë pauzë që u krijua ai i përngjante avokatëve që i parashtronin pyetjen vendimtare dëshmitarit.

    – Mua më pëlqen vepra që më bën të këlthas “aha?”, ose të zbythem me një “ruana zot!”. Nganjëherë nuk na zë vendi vend kur shijojmë një vepër arti, shqetësohemi pa e ditur psenë. Edhe kjo është dëshmi e pakundërshtueshme se autori ia ka arritur qëllimit.

    Prezantimi i Majës më krijoinjë bezdi të pa përshkruar. Ajo balanconte gjithmonë mes kryeneçësisë për t’i ardhur deri në fund gjërave dhe ftesës therëse që i bënte bashkëbiseduesve për ta luftuar argumentin e saj. Desha ta përgëzoja për vetëbesimin e saj, për atë dritë qartësie që përçonte prania e saj. Sa përfundoi ora iu afrova, por ajo ma priti e para:

    – Më pëlqeu pa masë ajo që the ti.

    – E çfarë ishte ajo? – hapa gojën unë.

    – Kujtimet e fëmijërisë. Një depozitim i zhveshur ndjenjash.

    Më shikoi dëlirë. Që nga fillimi ato sy shkaktonin tek unë herë çlirim, herë respekt gudulisës e herë distancë të mjaltët hyjnore. Atë ditë vetëm më ngrohën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË