Sot, në këtë ditë kaq të shënuar, më jepet mundësia t’ju përshëndes me rastin e dekorimit tim… Hm! Emil Plasa i afrohet edhe më pasqyrës. Fillon edhe njëherë: Të dashur miq! I nderuar z. Kryetar! Sot, në këtë ditë kaq të shënuar… duhet të mposht emocionet që të them se sa shumë, sa shumë më ka nderuar e lartësuar mua ky dekorim…
Më mirë, por jo më e mira. Plasa ende nuk po vendoste dot se si duhej ta fillonte fjalën e tij të falenderimit; kur të vinte puna. Ai kishte përgatitur disa variante. Por nuk i dukej mjaft asnjëri. Dhe s’ishte asfare i qetë; për më tepër, teksa dëgjonte (dhe dëgjonte dita-ditës) për dekorime, çmime, fletë-nderi, që plasnin në qytet si fishekzjarre. Tani ato (fishekzjarret) kishin pushtuar edhe komunat, fshatrat. Tekstet të ngjethnin: Bir i nderuar. Bijë si flori. Djalë demokrat… Ato, dekorimet, ftillonin gjindjen për të shkuarën dhe për të tashmen e individëve; korrigjonin e plotësonin çdolloj mungese apo dëshire në jetën e tyre; ndonjëherë shoqëroheshin edhe me shpërblime monetare. Kështu kishte dëgjuar. Fundja, njeriu e do pak përkëdheli, që të mbijetojë, të ecë më tej; gruaja në krah do ta shikonte edhe ajo me tjetër sy.
Ani. Për së pari, atij i duhej të mendonte ngushtësisht për fatin e tij dhe të thurrte me shumë kujdes pikërisht fjalën e tij. Sot, në këtë ditë kaq të shënuar, unë Emili…
Qëkurse Sekretarja e Bashkisë, me porosi të Kryetarit të Bashkisë, kishte kërkuar CV-të e disave prej nëpunësve, ai po jetonte në një botë tjetër; mendonte kohë e pa kohë se si do të ishte ai çast, në ç’mënyrë do ta njoftonin, do të këndonte celulari, do të binte porta: Z. Plasa, ja edhe dita juaj! E kini gati fjalën e rastit?
Në mbrëmje, kur erdhi për vizitë i vëllai, biseda zu të qasej për çfarë atij i qante zemra. Dikur, ai e tha disi me takt:
-Herë pas here, ka dekorime…
-Atë do ta dekorojnë, – e plasi fishekzjarrin sakaq e shoqja, Maria.
-Bravo! – E përgëzoi i vëllai.
Dy ditë më pas, ia behu dikush nga komuna, vendlindja. Ende pa vënë gotat në gojë e, ndërsa mysafirit i kishte ngecur në fyt një copë vezë e zier, ata çelën sërish të njëjtën temë.
-…Sepse dekorimet janë një moment i rëndësishëm, – po thoshte Emili.
-Atë do ta dekorojnë, – recitoi menjëherë edhe Maria. – I kanë marrë edhe CV-në.
Por tjetri nuk po arrinte të fliste ende… prej asaj dreq veze. Maria kishte vënë ndërkaq në stufë një dorë gështenja; nga ato që kishte sjellë mysafiri. Dikur, nja dy prej tyre ia bënë “Pafff!” dhe Emili kërceu sakaq: “Dera! Dekorimi!” “Jo jo, – tha Maria – ishin gështenjat”. Kurse mysafiri më në fund kishte mundur të gëlltitej dhe, duke bërë shenjë se donte një gotë ujë, tha ashtu mbytur:
-Bravo, Emil!
Mirë o mirë, por kështu sikur i thonë gomarit, kur del nga balta (!) Mendoi ai. Se ja… koha po shkonte pak si me ngè. Njëherë që kishte ndalur këmbët përpara derës së Kryetarit dhe kishte vënë veshin, se i qe pandehur që po flitej për temën e rëndësishme, atje po grinin sallatë për futbollin. Po. Koha çapitej kaq ngadalë. Kurse ai, në çdo bisedë që hapej lart e poshtë, përpiqej ta drejtonte timonin ‘këtej’: Sepse gjithmonë ka dekorime. I dalluar. Kontribues. Kokoroç. Jo, kjo ish tjetër gjë. Intelektual. I papërtueshëm. Ka lartësuar lartësinë e Komunës… Kur dukej andej nga Sekretaria, kinse i duhej ndonjë pajisje apo ca fije letër, i ngacëllente sytë bash si ndonjë maçok në pritje të tasit me qumësht. E gjithë qenia e tij pyeste përvëlueshëm nëse kishte ndonjë gjë të re… Sidomos tani që i kishin siguruar këto nderime disa nga të njohurit e tij, anipse me lidhje e miqësira ku e ku ndryshe: Vëllai i Shefit të Komisariatit, një krushk i Kryetarit të Bashkisë, kunati i banditit Qerim Qerimi, mamia e gruas së Deputetit Safet Safeti… Aaa, të lutem; tani ishte radha e tij. Të dashur miq! I nderuar z. Kryetar! Sot, në këtë ditë kaq të shënuar, unë Imiri, ashtu Emili, me rastin e…
Fjalën duhej ta rishikonte.
*
Koha sikur nuk ishte me të. Po mbushej muaji qëkurse i kishin kërkuar CV-në. Jo. Nuk ishte me të; po bëhej hileqare. I nderuar z. Drejtor! Miq e të ftuar! Sot, në këtë ditë të shënuar e të ndritshme…
Edhe pse njeri mjaft i duruar, në një nga këto ditë ende pa dritë a të pandritshme, Emili prapë qëndroi si rastësisht pranë derës së Kryetarit dhe vuri veshin. Që andej vinin zëra; pëshpërima. Ore, edhe mjaullima le të ishin, vetëm të mbanin fjalën edhe t’i jepnin dekoratën. Ë? E ngjeshi veshin më mirë… Por në këtë çast, dikush nga brenda e hapi derën menjëherë dhe Emili humbi ekuilibrin, që nuk se e kishte me tepri; edhe një t’u luhatur, një sekondë a gjysmë aso, oooo, në atë gjysmën e mbetur ra shakull në këmbët e Kryetarit. Kush e hapi derën? Ç’janë këto sjellje prej… prej… Ku janë dekoratat, mo?
-Mirë je, Emil? – sekush pyeti.
Ai ishte ngritur ndërkaq dhe bënte sikur po fshinte rrobat.
-Ka rënë tërmet në Japoni… – Tha i ziu, me duart ngrehur, sikur donte ta vizatonte kumtin e tij.
Pati një heshtje për pak. Kryetari, duke parë përqark disi turbull, u kujtoi vartësve edhe njëherë mbrëmjen me rastin e Ditës së Shën Valentinit. Kurse Emili, duke ikur tutje, sa nuk po qante. Të poshtrit! Të marrin CV-në, flasin për dekorime, nderi këtu e nderi atje, dhe pastaj të torturojnë me pritje, me pritje, me pritje.
*
Por nuk shkoi edhe aq gjatë. Po po, sot mori rrugë puna. Dikush lëvizi nga njëri departament në tjetrin. Ja për këtë ishin kërkuar disa CV. Sa të marrë që janë! Kështu do t’i thoshte ai gruas kur të kthehej në mbrëmje. I padekoruar. Do t’ia rrëfej më vonë, mendoi. Ashtu edhe bëri; ndërsa gjerbnin supën. Po që i kishte hedhur shumë kripë ajo shushka. E dinte mavria se si kishte rënë ai atje, te dera e Kryetarit? Asgjë nuk dinte. Prit dekorimin, Marie, prit…
Ehëëë! Sa vate ora tani? Jashtë, ia kishin filluar qentë. Ham-ham! Ham! Gjithsesi, komuna atje tutje diç po përgatiste. I kishin thënë. Epo, këtë herë, ai do të ishte në listë patjetër. Ham-ham! Ham! Ëndërrimtar i dalluar. Manjak. Ra të flinte por nuk i qasej gjumi. Ishte koha për ta marrë edhe ai një dekoratë, dreqi e mori, pse ia vononin? Iu bë sikur tufa e qenve të rrugës do të ngjitej gjer lart, në katin e tretë, ku banonin. Po mirë mo, se po trashej, a nuk duhej që dikush, diku, të mendonte për ta dekoruar edhe atë? Kaq i parëndësishëm ishte? Kjo nuk shkonte; por i shkoi një lot nëpër faqe. Të poshtrit! Të vrasin ndjenjat. Sa vate ora, moj? Ou, ia kishte futur gjumit fishekzjarrja. Jo. Nuk shkonte fare. Vate kot edhe fjala e rastit. Unë Emil Plasa, i nderuar sot në këtë ditë kaq të shënuar… U shënofsh atje, si i thonë… Nëpunës i dalluar! Ham-ham! Ham!