More
    KreuArte pamoreDr. Luan Topçiu: Burime shqiptare-frymë universale (Mbi ekspozitën e piktorit Gentian Zeka)

    Dr. Luan Topçiu: Burime shqiptare-frymë universale (Mbi ekspozitën e piktorit Gentian Zeka)

    (Metafora parake IV)

    Para pak ditësh është çelur ekspozita: “Burime shqiptare-frymë universale” e artistit figurativ Gentian Zeka në mjediset e Galerisë së Artit në Pogradec.  Është ekspozita e katërt e ciklit “Metafora parake”.  Artisti përvijon në mënyrë konseguente një koncept vetijak stilistik të artit të tij. Artisti pogradecar ngulmon, përpunon, qartëson stilistikisht atë që ka bërë në tre ekspozitat e para. Gentian Zeka përmes kësaj ekspozite dëshmon se studimi i artit parak nga kultura materiale shqiptare burimore, por dhe artit primitiv në përgjithësi, do ta ndihmojë të kuptojë qëllimin e tij si piktor, i cili nuk është thjesht të argëtohet dhe të luajë me imazhe dekorative, por të ndërmjetësojë midis realitetit të perceptuar dhe krijimtarisë së mendjes njerëzore. Kështu, artisti nga frika e së panjohurës i jep asaj një formë. Gjithmonë veprat e tij ngrihen nga kuptimi njëpërmasor dhe kapin një kuptim metaforik dhe plurivok, përtej “lëçitjes” së parë, ekziston dhe një mundësi e dytë apo e tretë.

    Zeka bën, në fakt, atë që kanë bërë artistët modernë, kërkon mjete gjuhësore dhe artistike parake, arketipale, tradicionale, për të transmetuar mesazhet artistike të zhveshura nga shumë shtresa të qytetërimit, për të nxjerrë në pah thelbin e patrazuar të sendit apo dukurisë.

    Tradita europiane

    Nuk ka artist revolucionar të artit modern që të mos ketë pasur kontakt dhe ndikim nga arti primitiv. Në Francë, Henri Matisse dhe Pablo Picasso, së bashku me eksponentë të tjerë të “Shkollës së Parisit”, ndërthurën përfaqësimin e figurës njerëzore në stilin afrikan me veprat postimpresioniste të Cezanne-it dhe Gauguin-it.

    Edhe pse këta artistë nuk ishin të vetëdijshëm për simbolikën origjinale dhe dobinë rituale të objekteve të artit afrikan, ata njohën menjëherë aspektin shpirtëror të kompozimeve skulpturore dhe i përshtatën këto cilësi në përpjekjet e tyre për t’u shkëputur nga natyralizmi që kishte përcaktuar artin perëndimor që nga Rilindja Europiane.

    Piktorët ekspresionistë gjermanë, si Ernst Ludwig Kirchner, i grupit “Die Brücke” (Ura), përdorën elemente parake të kombinuara me një intensitet të madh emocional, me tone ngjyrash disonante dhe figura të shtrembëruara për të përshkruar ankthet e jetës moderne. Duke përdorur këto pika referimi, Paul Klee i grupit “Blue Horseman” zhvilloi imazhe simbolike transcendentale. Në vitin 1910, pas ekspozitës së Gauguin (Dresden), interesi i ekspresionistëve për artin joperëndimor u intensifikua ndjeshëm. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe lëvizjet moderniste në Itali, Angli dhe Shtetet e Bashkuara nisën kontakte me artin afrikan nëpërmjet artistëve të grupit të Shkollës së Parisit.

    Këtë ndikim e gjejmë në vetë veprën që do të bëhej gur themeli i artit të shekullit të 20-të: “Zonjat e Avignonit”. E përfunduar në vitin 1907, pas qindra skicave përgatitore, piktura shquhet për fytyrat epikturuara në mënyrë të ngjashme me maskat afrikane.

    Një anëtar i ri i Shkollës së Parisit, Amedeo Modigliani, ishte një kontakt kyç midis Shkollës së Parisit dhe artistëve futuristë në Itali. Modigliani ishte një rast i veçantë, duke futur në krijimet e tij ndikimet stilistike të artit fisnor Baule (Bregu i Fildishtë). Modigliani bëri skica të fytyrave të zgjatura në formën e një zemre “të ngushtuar”, në të cilën vendosi një gojë veçanërisht të vogël, pak mbi mjekër. Constantin Brâncuși, miku dhe fqinji i Modiglianit në studion e tij në Montparnasse, gjithashtu përqafoi artin afrikan, duke e krahasuar këtë teknikë të gdhendjes së drurit me atë artin tradicional rumun.

    Në epokën bashkëkohore postkoloniale, ndikimi i estetikës tradicionale afrikane është ngulitur aq thellë në praktikën artistike saqë rrallëherë evokohet si i tillë.

    Aktualisht, tani që jemi dëshmitarë të një globalizimi të përshpejtuar të artit, mbetet të vihet në dyshim diferencimi i artit fisnor afrikan nga arti bashkëkohor afrikan dhe, në veçanti, nga krijimet artizanale-suvenire.

    Siç shihet Henri Matisse, Pablo Picasso, Maurice Vlaminck, André Derain dhe Paul Gauguin, Mark Chagall, Constantin Brâncuși ishin të magjepsur nga skulpturat afrikane dhe arti primitiv, ishin të interesuar për këtë fillim të fillimit, për “kthimin e artit në fëmijërinë e njeriut”. Kjo risi e sjellë në pikturë, realizoi efektet vizuale të pazakonta, josh dhe transformon paradigmat e pikturës. Magjepsja e habia e joshja e artistëve nuk drejtohet vetëm drejt artit primitiv afrikan, por shumë syresh kthyen vemendjen në rrënjën parake të kulturave të tyre. Në fakt, është një gërmim në arkeologjinë e mendjes në artin popullor, për të krijuar këtë  gërshetim të lumtur midis shpirtit parak dhe ideve avangardiste.

    Metaforat parake

    Në këtë edicion të katërt të Metaforave parake, Gentian Zeka nuk është mjaftuar vetëm me përdorimin e mjeteve konvencionale, por ka përzier teknikat varësisht nga synimet artistike. Pikërisht teknika mikste, konceptimi modern i punimeve e bën të vështirë përcaktimin e klasifikimin e tyre nga pikëpamja teorike. Punimet janë një gërshetim i pikturës me skulpturën dhe Art Deco. Veprat e artit që na ofron artisti Gentian Zeka sjellin forma, shenja, simbole, trajta të përpunuara me finesë dhe elegancë, në të shumtën e rasteve të gdhendura në reliev. Shumica e veprave, për nga mënyra e shprehjes dhe mjeteve shprehëse të përdorura, kanë trajtat e artit «parak». Jetojmë në kohën kur koncepti i artit është zgjeruar tejet, duke marrë rolin e komunikimit vizual. Pikërisht janë këto mundësi shprehjeje të artit modern që do të përdorë me virtuozitet piktori pogradecar. Hipostaza tjetër, përpos asaj të artit parak, është ajo e artit bizantin. Arti bizantin, veçanërisht ai shqiptar, paraqet më shumë se një model kulturor, një mënyrë konceptimi dhe trajtimi. Janë te huajtura thjeshtësia e interpretimit, dekorativizmi, ngopja e materialit, kombinimi i formave, përsosja e morfologjisë së tyre, ndërhyrja me metal, gurë, ngjyrë, incizime grafike. E rëndësishme për autorin është përcjellja tek shikuesi i frymës, misticizmit që mbartin këto vepra, i bukurisë formale dhe stilistike. Përpunimi i formave parake të natyrës në shenja që sugjerojnë mister, misticizëm, fshehtësi, magji, ruajnë në thelb diçka të palëvizshme e të pa modifikueshme, siç është bukuria dhe gëzimi që të ofrojnë bujarisht format në natyrë. Objektet që ekspozon Gentian Zeka janë të çmueshme përmes pasurisë së formave, trajtave, ngjyrave, përmes synimit të shprehur në vetë titullin sugjestiv të ciklit: “metaforat parake”. Admirimi dhe nderimi i formave te natyrës shkon deri në sakralitet. Artistit nuk i intereson fabula dhe as simbolika e artit bizantin, por thelbi lirik, mesazhi është tërësisht i qashtër estetik. Ky cikël veprash i Gentian Zekës është një dëshmi e thellësisë së ndjenjave dhe pasuri e ndjeshmërisë së natyrës. Në fakt, ky qëndrim dhe ky manifestim ndaj natyrës është një nga tiparet e artit të madh, i artit të sintezave, ai i shdërrimit të artit parak në metafora shprehëse universale. Cikli është një ftesë për bashkëjetesë e gjinive, e ideve, për soditje dhe për një gazmim bashkë me të. Njeriu ka qenë gjithmonë krijues, gjithkund ka krijuar një bote të tijën, që nga mikrokozmosi i objekteve të dobishme, që nga veglat me të thjeshta e deri tek kompjuterët më performantë. Artistët janë thirrur për krijimin e një bote të re me krijimet e tyre. Gentian Zeka i jep formë objekteve, i jep liri instinktit artistik të lojës, të kërkimit, të përvojës me forma me ndërhyrje inteligjente. Ai ka forcën dhe talentin për të shndërruar shenjat parake në metafora. Kjo është bota që na ofron Gentian Zeka sot, një bote e magjishme, materiale, e thellë, e bukur, inteligjente; me një strukturë shpirtërore kaq komplekse, kaq të beftë, kaq të figurshme, kaq të ngrohtë, kaq lëndore.

    Me sa duket artistët ndahen në punëtorë, por që nuk janë të lindur artistë dhe në artistët që lindin artistë. Gentian Zeka ka një rafinament të lindur, ka aftësinë për ta shndërruar sipërfaqen apo objektin në muzikë e poezi.  Ekspozita “Burimet shqiptare dhe frymë universale” dëshmon talentin e padiskutueshëm të artistit që mbërrin të krijojë forma të pastra, të çliruara, të rilindura. Nëpërmjet dialogut që vendos me materien që i lejon të nxjerrë thelbin e qenieve dhe objekteve; G. Zeka kalon të gjithë kufijtë gjeografikë, historikë, formalë, duke iu dhënë veprave të tij frymë universale.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË