Lindi, u rrit dhe u formua si njeri dhe artist kur arratisja ishte tabu, ishte krim, ishte ende e frikshme. Kur vetëm tentativa shndërrohej në një mortajë individuale dhe farefisnore, këtë gjëmë e provoj kur i vëllai mbeti i vrarë buzë kufirit, ndërsa vetëm pak hapa e ndante nga skëterra komuniste që kishte pllakosur vendin tonë. Dhimbje e madhe, rënkim i thellë, pa zë. Ndodhi më pas që edhe ai u arratis, fatmirësisht, pa atë fat tragjik. Por arratisjet e tij kishin filluar më herët, që në fëmijëri.
Ylli Haruni u lind në Shëmbërdhenj të Gramshit, më 24 nëntor të vitit 1952. Një fshat piktoresk që i rri ballas malit të Tomorrit. Shpejt prindërit, me shtatë fëmijët e tyre, zbritën në qytezën industriale të Cërrikut. Nga fëmijëria e hershme ju ngjiz imazhi i madhështisë së Tomorrit, imazh të cilin do ta hidhte shpesh në telajo, kudo që të ndodhej nëpër botë. Fëmijërinë e kaloi përmes një entuziazmi të rremë të ‘’lumturisë’’ socialiste, ndërsa prindërit i memorizoi përherë të venitur nga punët e vështira, kushtet jo njerëzore të punës dhe ankthit për të rritur me dashuri të shtatë fëmijët. Harbimet me shokët, nëpër fushat e Cërrikut dhe brigjeve të Shkumbinit ishin lumturia reale. Në këtë proces rritjeje ndeshi me magjinë e lapsit mbi letër, magji e cila do ta ‘’robëronte’’ përgjithmonë, për t’i dhënë kuptim dhe vlerë jetës.
Ndodhi në vitin e katërt, të shkollës fillore, kur mësuesja dha detyrë klase vizatimin e hartës së Shqipërisë. Lapsi lodronte në dorën imcake të djaloshit si të ishte pjesë organike e tij. Pasi e mbaroi vizatimin, i vetëkënaqur, ia dorëzoi mësueses. Ajo e vështroi me kureshtje dhe mosbesim vizatimin e këtij nxënësi që nuk para shquhej për veçanti nga të tjerët, i hodhi sytë dhe po ashtu mosbesuese e pyeti:
-Vetë e bëre?
-Po.
-Nuk e kopjove? – ai tundi kokën me naivite .
Pas kësaj djaloshi gjeti lodrën e tij që nuk do i ndahej kurrë, duke krijuar simbiozën artistike, piktorin, lapsi dhe letra, për bojëra as që bëhej fjalë. Ai nuk para luante futboll, nuk para mundej me shokët, nuk para shamatosej në lodra, cilësi këto për të zënë vend në hierarkinë e moshatarve, por me magjinë e lapsit mbi letër ai shpejt u bë ndër më të adhuruarit. Ata ishin modelet e para që hidhte mbi letër, herët ndjente vlerësimet e drejtpërdrejta dhe kjo i shtonte përgjegjësinë e të vizatuarit, por jo më pak karakterin.
Me përfundimin e tetëvjeçares familjen Haruni e kapi halli me këtë djalë, mundësi ekonomike për të ndjekur më tej shkollën nuk kishin, por tashmë Ylli kishte krijuar personalitetin si një vizatues mjaft premtues, megjithëse mjaft i ri. Ai priste vendimin e të atit nëse do e dërgonte të konkurronte në Liceun Artistik, në Tiranë, apo do e dërgonte, si shumica e shokëve të tij, për të punuar në Kombinatin Metalurgjik, në Elbasan. Në muret e dhomave të shtëpisë qëndronin varur portretet e familjarëve. Edhe ato sikur prisnin në heshtjen e tyre grafike. Data e konkursit po afronte dhe shokët e tij prisnin. Atëkohë filloj të lëvrinte në fantazinë e tij dëshira e arratisjes nga shtëpia për në Tiranë, për në lice, por këto ëndrra naive e inatçore bëheshin zhgjëndrra përpara realitetit: ku të shkonte pa atin e tij ikonik?
-Nesër është konkursi? -e pyeti në mbrëmje i ati.
-Po, nesër në orën tetë.
-Bëhu gati, do nisemi herët.
E kush do besonte se ai fjeti atë natë. Të nesërmen mori udhë arratisja e parë nga shtëpia e Ylli Harunit, në garë me ëndrrën e tij.
Modeli në allçi i një gjetheje, ishte modeli që i duhej të vizatonte për të fituar, për të vazhduar të qëndronte në ato banka të liceut, për të vijuar rrugëtimin artistik. Një start emocional dhe më pas kredhja në lodrimin e lapsit mbi letrën e bardhë, në linjën perfekte të vizatimit dhe gjallërimin e gjethes mbi allçi nga kontrasti gurgullues i dritë-hijeve.
– Nga je ti more djalë? – e pyeti ngrohtësisht, në punë e sipër, një nga pedagogët që mbikëqyrte punën e konkurrentëve.
– Nga Cërriku.
Pedagogu mblodhi supet duke u përpjekur të kuptonte se ku, pikërisht, binte ky vend me emër cicërime.
Përgjigjet e konkursit ishin të nesërmen. U end me të atin rrugëve të Tiranës atë mbasdite. Nuk kishin të afërm në kryeqytet. Tepër të lodhur zunë vend mbi një stol lulishteje dhe aty kaluan natën së bashku, at e bir.
Liceu artistik “Jordan Misja” u bë dhe mbeti themeli i kulturës artistike në artin e vizatimit dhe pikturës. Brezi i liceistëve të viteve gjashtëdhjetë pati fatin e madh të kishte për pedagog korifejt e pikturës shqiptare si: Sadik Kaceli, Abdurahim Buza, Qamil Prizreni e të tjerë, që ishin diplomuar nëpër Evropë dhe kishin sjellë arritjet bashkëkohore të këtij arti magjik, por që, ndërkohë, sistemi komunist përpiqej t’i mënjanonte nga përfaqësimi prej tyre i artit figurativ të realizmit socialist. Mjeshtrit, pedagoge, impononin me artin, ligjërimin dhe autoritetin e tyre, duke bërë të mundur rrënjosjen e përgjegjësisë dhe vetëdijes artistike tek këta riosh që ende nuk e kuptonin thelbin dhe vlerën e artit të tyre, ajo që deri dje për Yllin ishte ende si një lodër e bukur filloj të shndërrohej në vetëdije artistike. Filloi ta shqetësonte dhe frymëzonte, ta gëzonte dhe zemëronte, ta bënte të grindej e të dashuronte. Ndoshta, kjo do ishte dashuria e parë. Në bankat e liceut do të njihej e miqësohej me mjaft nga ata, që si ai ,do të spikasnin me talentin e tyre, si Vasiljev Nini, Sefedin Stafa, etj. Në vitin e fundit të liceut në pikturën e Yllit ishte e dukshme tendenca e impresionizmit. Nuk do të mund të harronte punën e konkursit për në Akademinë e Arteve, ishte një portret në natyrë. Profesor Sali Shijaku endej nëpër sallë duke mbikëqyrur punët e konkurrentëve. Mjeshtri i madh kishte qenë si përfaqësues i akademisë, në mbrojtjen e punës “Diplomë”. Mjeshtri i kaloi disa herë pranë dhe dikur e pyeti si quhej dhe në e kishte mbaruar liceun.
Ylli Haruni”
– “Sivjet mbarova liceun”.
– Mos je ti që kishe për diplomë atë kompozimin me ca penelata majtas e ca penelata djathtas?
– Po
– Mirë, mirë….Vazhdo punën.
Kaq mjaftonte të mbushej me gëzim e shpresë plotë për konkursin, pas atij komunikimi me Mjeshtrin Sali Shijaku. Ai e kishte memorizuar punën e tij “problematike” që ishte shoqëruar me pëlqimet dhe mospëlqimet e komisionit. Ai kompozim pati shumë influencë impresioniste dhe të mbetej në mendje, për mirë apo për keq.
Tirana, ky qytet i bukur dhe i madh për djaloshin nga Cërriku, u bë jo më pak frymëzues dhe ndikues. Arratitë nëpër rrugët, muzetë, kodrat e liqenit dhe çapkënllëqet e adoleshencës e tjetërsuan piktorin e ardhshëm që vinte nga një qytezë e vogël. Tirana si kryeqytet, me Lënën përmes, liqenin, kodrat e Saukut dhe malin e Dajtit nuk dështuan asnjëherë të mos e mahnitnin me bukurinë përrallore dhe frymëzuese. E priste me qejf kohën e ngrënies, për të ndjerë aromën e këndshme që vinte nga mensa e që i paraprinte drekës, ndërsa ai dhe konviktorët e tjerë prisnin të uritur sa të shtrohej dreka. Të gjitha këto ndikuan shumë në formimin si student dhe artist i ri.
Në Akademinë e Arteve ndihej më i pjekur dhe i burrëruar. Ndryshe nga liceu, pedagogët ishin më bashkëbisedues, ndoshta kjo sepse tani nuk ishin më nxënës por student. Kur kthen vështrimin në kohë, nga periudha e akademisë i vjen ndër mend vetëm punë, punë, punë mbi telajo. Natyrisht i gjithë edukimi dhe kërkesa artistike ishte haptazi “realizmi socialist”. Në pavetëdije, pavarësisht nga tema dhe objekti i dhënë, ai do i shtonte një dozë lirizmi përmes detajit apo koloritit, gjë që ndodhte t’i zbehte frymën “realiste”. Edhe pse të një gjenerate tjetër, të diplomuar në akademitë e shquara të Evropës Lindore, ai do të ndihej i lumturuar nga pedagogët e artit figurativ që shoqëruan dhe plotësuan pjekurinë e tij artistike si: Shaban Hysa, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Petro Kokushta, Myrteza Fushekati e Agron Dine. Por praktikat mësimore nëpër Shqipëri ishin dehja shpërthyese, arratia ku shfaqeshin dhe fshiheshin, njëherësh, përtej kornizave që ofronte auditori akademik.
Gjithsesi, Tirana ofronte hapësira dhe mundësi për t’u evidentuar. Filloj të bashkëpunonte me disa organe të shtypit e veçanërisht me revistën Hosteni. Karikaturat, me të cilat bënte shakara miqësore, tani filluan t’i sillnin ca honorare të cilat dora-dorës ja bënin më të këndshme jetën shoqërore dhe private. Kështu, karikatura u bë pjesë e pasionit duke ë sjellë në të ardhmen kënaqësi e pasoja njëherësh.
Me përfundimin e Akademisë së Arteve e emëruan skenograf në teatrin Skampa, Elbasan. Një mjedis artistik përtej ëndrrës. Skenografia është realizimi tredimensional i krijimit, ku lëvizin dhe interpretojnë aktorët, ku zhvillohet dhe ndodh ngjarja. Skenografia mundëson shkëputjen e spektatorit nga mjedisi dhe koha reale, për t’a sjell në linjën artistike të trupës që luan në skenë. Kështu filloj të dashuronte artin e skenografisë duke shijuar admirimin e publikut, kolegëve dhe jurive në konkurset kombëtare. Për skenografinë e dramës “Lulet e Shegës” u vlerësua me “Diplomë” në takimin kombëtar të Teatrit Popullor, 1984. Kontakti me artistë të shquar të skenës dhe filmit shtuan shumë përgjegjësinë artistike, duke ndikuar në personalitetin dhe karakterin. Aktoret e Skampës si: Shpëtim Shmili, Demir Hyskja, Astrit Çerma, Veronika Papa e të tjerë e te tjerë, do të ishin modelet e dashura për të. Duke mos u shkëputur nga pasioni i stilizimit të karaktereve përmes karikaturave u bë mjaft I dëshiruar midis miqsh e kolegësh, ngaqë mirëkuptohej humori i tij. Por një ditë ndodhi që e ndaluan të merrte pjesë në mbledhjet ku ishin të deleguar të partisë dhe pushtetit të kohës, sepse disa prej tyre kishin mbetur të fyer nga portretizime karikaturash, që u ishin bërë. Kjo, sipas tyre, cenonte figurën e partisë dhe pushtetit popullor. Tingëllon qesharake sot, por ashtu ishte. Kjo cilësi do të vlerësohej, tani e mbrapa, në devotshmërinë ndaj sistemit, por ishte talenti dhe kohezioni artistik që i shërbenin si mburojë e vërshimeve dashakeqe të cilat nuk i mungonin kohës.
Me gjithë komoditetin që gjeti në Teatrin “Skampa”, ajo ishte mjaft e kufizuar për ambiciet dhe karakterin e tij artistik. Në Elbasan e pritën ngrohtësisht brezi i piktorëve përfaqësues të artit figurativ kombëtar si Andon Lakuriqi, Isuf Sulovari. Shpejt u bë lider ndër kolegët e brezit dhe krijuan një lidhje dhe përfaqësim duke lënë gjurmë në artin figurativ kombëtar. Bashkëpunoi ngushtë me piktor e skulptor si Fatbardh Marku, Sadik Kasa, Kujtim Koprenska, Vladimir Caridha e të tjerë. Për piktorët e rinj u bë një përkrahës dhe pedagog i palodhur duke e lënë gjithmonë të hapur studion për ta.
Në vitin 1985, së bashku me skulptorin Kujtim Koprenska gjenden në kantierin e ndërtimit të hidrocentralit të Komanit. Ai kishte një përvojë të pasur në realizimin e artit drejtpërdrejt nga natyra, nëpërmjet tureve që organizonte akademia apo në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Por Komani u bë një akademi e dytë për të. Në vetëm një muaj realizoj disa qindra portrete në laps, dhjetëra telajo u mbushën me koloritin dhe shpirtin e tij artistik. Punuar me atë intensitet dhe frymëzin natyrisht u zhvillua prirja e tij impresioniste. Nuk kishte kohë për detaje manieriste apo narrative. Karakteri, fryma, dinamizmi dhe lirizmi dominuan krijimtarinë e kësaj periudhe. Jetoi në të njëjtat kapanone me punëtorët, hante në mensat e vobekta, së bashku me ata, pinte dhe dehej si ata. Përpara se të largoheshin, hapën një ekspozitë me punimet e tyre të zgjedhura. Shumë prej grafikave ua kishin dhuruar punëtorëve që pozonin. Në këtë ekspozitë erdhi piktori Kujtim Buza, si përfaqësues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ekspozita u mirëprit nga miqtë e tyre, por Kujtim Buza u impresionua dhe u kërkoj piktorëve te rinj ta paraqisnin këtë edhe në Tiranë. Kjo ishte një ngjarje e madhe pasi ekspozitat personale të piktorëve, në atë kohë, ishin shumë të kufizuara. Në vjeshtën e viti 1985 kjo ekspozitë, natyrisht e pasuruar edhe me punime të tjera, u çel në Tiranë. U prit mjaft ngrohtë nga kolegët dhe nuk munguan vlerësimet. Kjo ngjarje shënoi kthesë të rëndësishme në krijimtarinë e Ylli Harunit. Kishte dalë kështu në arenën kombëtare të vlerësimit dhe kjo ishte përgjegjësi. Më pas nuk mungoi në asnjë ekspozitë kombëtare duke tërhequr akoma më shumë vëmendjen dhe mirëvlerësimin e kolegëve dhe aty këtu mëdyshjen e jurive. Në një kohë të shkurtër Galeria Kombëtare tërhoqi në fondin e saj 13 krijime të tij. Pavarësisht nga censura e kohës ato përshkoheshin nga në linjë e dukshme impresionizmi dhe lirizmi, pa vënë në dyshim konceptimin dhe koloritin. Temat i gjente nga jeta e përditshme, por të sinqerta dhe plot lirizëm. E përditshmja nuk ishte fort frymëzuese, në kohën e diktaturës. Kolori dhe lirizmi e zbukuronin atë. Në tablonë “Tre zboristët” i paraqet vajzat të veshura me rroba ushtarake. Kjo mjaftonte që vepra të kalonte censurën. Por më tej mjeshtri e trajton krejt ndryshe nga sa mendojnë censorët. Ato janë të bukura dhe delikate, përkundër rrobës që kanë veshur. Dy shoqet po i bëjnë maskim vajzës në qendër. Por maskimin po ja bëjnë me degë e lule duke e zbukuruar si për nuse. Ndërsa vajza “nuse” vështron si Narcizi, fytyrën e saj buzë kanalit të ujit pranë tyre. Këto vajza, pavarësisht se ishin veshur me uniforme ushtarake, duken si shtojzovalle në atë ambient pylli ku drite hijet e diellit luajnë me efekt të theksuar impresionist. Në tablonë me temë nga fshati spikat ajo e tre vajzave që kalojnë përmes një parcelë me ujë hedhëset që vadisin tokën. Ujë hedhëset në formë shiu shndërrohen në lodër e vajzave dhe ashtu të lagura bëhet një ekspozim sensual i formave të bukura femërore. Kjo linjë lirizmi nuk mungon as në tablotë me temë nga lufta. Tipike, çfarë kjo në kompozimin me heroinat Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Momentin kur shkojnë drejt pushkatimit ai i paraqet ato të kapura dorë për dore dhe në pranga natën, por u jep atyre dritë me fustanet e bardha ,nder të cilat dilnin format e bukurisë femërore. Ato ecin në një rrugicë të gurtë me sfond të errët të burgut të kalasë dhe siluetave të helmetave, ndërsa në te djathtë shtrihet qyteti me dritat që janë bërë njësh me dritëzimin e yjeve, andej nga shkon dhe vështrimi i tyre. Idhujt e tij mbetën Guri Madhi dhe Sali Shijaku.
Piktori Alush Shima, në cilësinë e drejtorit të galerisë do të prononcohej posaçërisht:
“Piktori Ylli Haruni ka në Galerinë Kombëtare të Arteve 13 punime të tij, në teknikën e vajit në kanavace. Është autor i trajtimit të kompozimit dhe peizazhit. Ka patur gjithmonë prioritet trajtimet e cilësishme piktorike dhe profesionale. Në periudhën e parë të krijimtarisë është shquar si autor i figurës njerëzore me një realizëm lirik, duke patur në qendër të saj zbërthimin e motiveve jetësore nëpërmjet mjeteve vizive. Ndërsa në periudhën e dytë, që përmbledh vitet e fundit, ka shpalosur cilësitë profesionale, duke I kombinuar ato me risitë e ardhura në ditët e sotme në artin kontemporan shqiptar”.
Viti 1990, tepër i trishtë dhe e vështirë për vendin tonë, hyri si një pranverë në shpirtin e tij. Kishte kohë qe në krijimtari trajtonte subjekte tendecioze për problemet që shqetësonin popullin në atë kohë, për dyqanet bosh, apo çmimet e ushqimeve të domosdoshme. Këto dukuri, në pikturën e tij të asaj kohe dilnin jashtë kornizës se ideologjisë komuniste në pushtet. Kjo po shkaktonte natyrshëm qëndrimin e ftohtë të pushtetarëve të kohës dhe ndërkohë rritjen e personalitetit në ambientet intelektuale e publike. Por pushteti hoxhjan, ashtu dhëmbërenë, ishte bërë më i pabesë dhe diabolik. Mbante ende në burgje të dënuarit politik dhe shtonte në to protestuesit e dhjetorit të ’90-es. Në kufijtë e vendit ende qëlloheshin me armë “të arratisurit”. E tronditi lajmi i vrasjes së vëllait të vogël, në një tentativë për të kaluar kufirin në zonën e Peshkopisë. Por akoma me ulëritëse ishte që nuk jepnin asnjë informacion mbi vendprehjen e tij, ndërsa, siguruar në mënyrë konfidente, mbante në duar foton e trupit të vrarë. Pas kësaj jeta i mori një kthesë rrënjësore, sikur të mbante përgjegjësinë e dy jetëve së bashku. Bisedat e heshtura dhe të trembura nga frika e sistemit hoxhian u shndërruan në mision për të trembur frikën. Tashmë studio e piktorit gëlonte me tepër nga ligjërimet për përmbysjen e madhe që po vinte. Dhe jo më kot ndodhi që më 5 janar të vitit 1990, ai hapi dyert e studios së tij për themeltarët e Partisë Demokratike në qytetin e Elbasanit, duke qenë dhe ai njëri ndër ata. Madje mori përsipër dhe drejtimin e grupit të propagandës figurative, aq e rëndësishme në atë kohë për veprimtarinë e lëvizjes demokratike.
Gjithsesi pushteti hoxhian kafshonte, në lëngatën e vet. Një mbrëmje, një shoku I tij, që kishte miqësi me drejtuesit e policisë, e takoi për ta njoftuar që të mos flinte në shtëpi, pasi ndodhej në listën e atyre që do arrestoheshin atë mesnatë, dhe ashtu ndodhi. Ndërsa, policia trokiste në portën e shtëpisë së tij, ai udhëtonte për në jug, në Sarandë, me qëllimin për të dalë në Greqi. Pse jo, ai e kishte ëndërruar këtë më parë. Ishte një ditë e ngrohtë janari i vitit 1991, ndërsa nuk harroi të dërgonte në adresë të Partisë Demokratike, dega Elbasan ,një pjesë të kursimeve të veta financiare.
Gjeja që i bëri përshtypje , ndërsa hynim në Athine, ishin vargu i dritave të kuqe të makinave në krahun e tij dhe vargu i dritave të verdha nga krahu tjetër, ishte nate. Si dy lumenj zjarri, me ngjyra të kuqe dhe të verdha, si në ëndërr. Kishte parë nëpër filma por kur i shikoje në realitet ishte një çudi, një gjë mahnitëse. Athina e goditi me gjallërinë e jetës, por mbi të gjitha me bollëkun e derdhur në vitrinat e dyqaneve, sidomos ato të mishrave. I shihte këto vitrina me një buzëqeshje rënkuese për atë kontrast biblik me varfërinë e vendit të tij, të cilin sapo e kishte lënë pas.
I porsa ardhur në Athinë kuptoj se kjo jetë e bukur dhe e larmishme shijohej vetëm me punë. Brenda pak ditëve, pas një rekomandimi dhe testimi, filloj të punojë në një studio ikonash. Punonte dhe në kohën e lirë i binte pash më pash Athinës së ëndrrave te tija, Athinës së antikitetit. Shijonte atë që kishte studiuar, lexuar e parë në ekrane për këtë mrekulli historike të lashtësisë. Ndihej fatlum për këtë.
Në Athinë nuk ishte e lehtë për të bërë art në kushtet e tij, si një emigrant shqiptar dhe i pa identifikuar. Aq më pak të siguronte të ardhura, të domosdoshme për të sistemuar jetën e tij personale, familjare dhe artistike në këtë vend të huaj ku artistë nga shumë vende të botës vinin për të provuar fatin e tyre artistik. Në studion e antikave, ku punonte, dëshmoi talentin e tij dhe miqtë e rinj e ndihmuan të bënte piktura për një dyqan kafeje në lagjen Plaka. Por kjo dashamirësi rezultoi pa dobi, punë e lodhshme dhe pak dhrahmi. Një mik grek, gdhendës druri, pasi i bëri portretin, i rekomandoi të shkonte në ishuj, të punonte portrete për turistët.
Ndërkohë në Athinë i erdhi familja. Të ardhurat nuk mjaftonin. Bashkë me gëzimin dhe hallet bashkëshortja i solli dhe medaljen “Pishtar I Demokracisë”, akorduar nga Presidenti. Edhe këtë e shijoi po aq sa familjen. Pas disa ditësh përfundoi në ishullin e Rodit. Shumë punë atje. Ishin dy pjaca për piktorët e portreteve dhe duhej të kishe leje nga bashkia. E lejuan të takonte kryebashkiakun në zyrë, duke u prezantuar si vorioepiriot me emrin Nestoras [përdori emrin e kunatit]. Ai e shihte me mosbesim këtë burrë të ri me kaçurrelat e pakrehur dhe të derdhur supeve, që i përngjante me të shumtit bredharak aventurier që bridhnin nëpër ishull. Kishte shumë të tillë në Rodos. Ndërkohë që bashkëbisedonte dhe përpiqej t’a bindte kreun e bashkisë, Ylli vizatonte. Në një moment pauze I vendosi mbi tryeze portretin e realizuar në ato pak minuta. Kryebashkiakut i vetëtinte sytë, buzëqeshi dhe pasi e falënderoj piktorin i dha lejen për të punuar portrete në piacat e Rodosit.
Ishte në qiellin e shtatë. Një copë leje për të vizatuar portrete në një nga piacat e ishullit Rodos i dukej më e çmuar se diploma që kishte marrë në Akademinë e Arteve, ishte identikit i të qenit piktor, këtu në Greqi. Shumë punë, ishte sezoni i verës dhe turistët mize lisi. Punonte nga mëngjesi deri në mbrëmje. Mrekullohej nga vlerësimet dhe radha e porositësve të huaj përpara telajos së tij. Kjo punë sa rraskapitëse dhe dëfryese vazhdonte deri në fund të tetorit. Pas kësaj ishulli binte në qetësinë hyjnore duke bashkëbiseduar me mërmërimën e valëve. Ndërsa piktori gjente vetveten tek peizazhi. E bardha dhe bluja e thellë mbeti si një metaforë në peizazhet e Ylli Harunit nga ishulli Rodos. Arriti të bënte një numër të konsiderueshëm punimesh në portrete dhe peizazh, në telajo me format të madh dhe mesatar. Një galerist nga Selaniku erdhi në ishull dhe pasi pa punimet i vleresoi. E ftoi të hapte ekspozitën personale në Selanik, duke marrë përsipër koston e kornizave dhe shpenzimet që kërkonte ekspozita. I lumturuar vazhdoj të punonte për të pasuruar më tej gamën e krijimtarisë për këtë vlerësim që i behej. Por kjo nuk u realizua kurrë. Atë vjeshtë, pas një sezoni turistik te jashtëzakonshëm, ndërsa behej gati duke përzgjedhur përfundimisht punimet e ekspozitës së Selanikut, policia po i mblidhte shqiptarët nga ishin e nga s’ishin dhe po I kthente në Shqipëri. Një nga ata ishte dhe ai. Ka qenë viti 1994. Shqipëria dhe Greqia ishin në një konflikt të rëndë. Mbi emigrantët shqiptarë binte “fshesa” e autoriteteve Greke.
Rikthimin në atdhe përmes “fshesës” greke e përjetoj keq. Përgjatë qëndrimit atje kishte ndodhur ndryshimi madh tek artisti, piktori Ylli Haruni, kishte prekur përtej Shqipërinë me artin e pikturës dhe e ndjente që mund të jetonte më së miri si profesionist. Kishte fituar përvojën e profesionistit të rrugës , ku i duhej të ekzaltonte turistin e kultivuar evropian në vetëm pak minuta vizatimi të drejtpërdrejt. Në pak muaj kishte realizuar aq portrete sa deri atëherë në vendin e tij. Kuptoj përfundimisht se në grafikën dhe pikturën e portretit rëndësi të dorës së parë ka karakteri. Detajet dhe hollësitë e cenonin impresionin dhe shpirtin e veprës. Ndërsa peizazhi për të u bë meditim, miku më i mirë me të cilin bashkëbisedonte dhe shtjellonte botën shpirtërore dhe filozofinë përmes ngjyrave. Ishte njohur me kolege nga shumë vende të botës dhe shkëmbyer me ta përvoja. Kishte ndjerë admirimin e tyre për artin e tij. E kujtonte si një arritje ofertën e Selanikut, edhe pse të pa realizuar. Në njëfarë mënyre ishte ndeshur me botën, por në periferinë e saj. Ai nuk do të ndalej, ai donte të shkonte të përballej realisht me tregun e artit bashkëkohor, ai do të guxonte.
Me vështirësi siguroi një vizë amerikane dhe në nëntor të vitit 1994 kapërceu Atlantikun për të zbritur në aeroportin J.F. Kennedy. E priti një shok i fëmijërisë, emigrant, për të qëndruar disa ditë në apartamentin e tij në Brooklyn. Gjëja e parë që pyeti ishte nëse kishte ndonjë vend ku artistët bënin portrete për turistët. I rekomanduan ne Central Park, ne Manhattan, një park gjigant dhe natyral.
Bleu kasketën, pastelet, karbona dhe letër pasteli. Kishte eksperiencën e kësaj pune nga Rodos, Greqi. Ne Central Park nuk kërkohej leje, shumica e artistëve ishin kinezë dhe rusë. Të shkathët dhe me talent. Portretet në NY bëheshin në përmasa sa një e katërta e tabakut që përdorte në Rodos 30×25 cm, kryesisht si skicë me dritë hije në bardh e zi. Punimet realizoheshin në 10 -15 minuta. Në Rodos portretet i bënin kryesisht me ngjyrë, pastel, të plotë dhe me detaje, mesatarisht merrte gjysëm deri 1 orë kohe. Përvoja e Rodosit i erdhi si një dhuratë e paçmuar. Ai përdori kombinimin e asaj që bëhej në Greqi dhe këtu në NY. Kjo e veçoj menjëherë nga të tjerët dukej shtuar audiencën dhe porositë, duke krijuar radhë në kërkesën për t’u portretizuar prej tij. Shpejt u sistemua në një apartament (garsoniere) në Queens. Filloj të frekuentonte edhe Times Square ku shumësia dhe larmia e njerëzve është e jashtëzakonshme, sidomos në fundjavë. Atje po, kishte shumë punë dhe po ashtu shumë vlerësime. Për të jeta në NY për shumë vite lëvizte në trekëndëshin Queens – Central Park – Times Square. Ishte i ndërgjegjshëm për këtë. Jetonte gati anonim në mes të NY, ndërmjet mijëra piktorëve të cilët kishin ardhur aty për të gjetur “eldoradon” apo mbijetesën. Ai ndodhej aty jo me për mbijetesën pasi atë e kishte kapërcyer në Rodos. Kishte ardhur aty për të gjetur vetveten si artist, kjo kërkonte punë ,punë, ,punë për art magjie siç thoshte poeti i tij i dashur Lasgush Poradeci.
Por Time Square si vend elitar shpesh bëhej mollë e ndaluar për artistët emigrant. Policia ndodhte t’i largonte gati me dhunë, kjo e dëshpëronte vërtet. Aq më pak këtu nuk mund të takonte kryetarin e bashkisë si në Rodos për t’i demonstruar talentin. Por dëshpërimi nuk i tha “kthehu”. Dikush duhej t’a dëgjonte apo ta vlerësonte se ky artist vlente për këtë vend të madh e të madhërishëm. Nuk rreshti së punuari me një mjaftueshmëri prej 5 deri 6 orë gjumë. Ndërkohë, sidomos gjatë dimrit, punonte portrete dhe në qendrat tregtare duke fituar këtu përvojën e kësaj pune edhe si biznes.
Ne atë periudhë, një artikull në New York Times shkruante për piktorët e piacave në Manhattan, dhe ai ishte një ndër tre artistët që ishim bërë personazhe të artikullit. Artikull-shkruesja ndejti me ata për një periudhë 2 javore dhe futi shumë nga biseda rreth prejardhjes, formimit dhe edukimit të tyre si artistë. Problemi që ajo po ngrinte në atë artikull ishte që piktorët duhet të kenë të drejtë të punojnë në qytet me turistët, siç bëhet në qytetet e tjera të botës, si në Paris, Rome, Greqi etj. Aty shtjelloheshin dhe mendimet e këtyre piktorëve mbi këtë problem. Ky ishte një problem që shoqata e artistëve të NY kishte kohë që e kërkonte, duke e quajtur të padrejtë që artisti të mos lejohej në trotuar, i cili është një vend publik dhe arti konsiderohet “liria e fjalës”. Si përfundim kjo e drejtë u fitua nga gjykata. Ndihej si pjesë e një fitoreje. Ndërkohë krijimtaria kishte bërë njohjen me mjaft artistë duke u bërë dhe pjesë e disa ekspozitave lokale dhe jashtë NY. Kishte ardhur koha që të mendonte seriozisht me dokumentacionin që i siguronte qëndrimin në SHBA. Pasi avokati njohu veprimtarinë artistike të Ylli Harunit dhe dosjen që vërtetonte këtë veprimtari, ju drejtua Zyrës së Emigracionit duke shfrytëzuar ligjin që e kualifikonte si “artist me vlera të jashtëzakonshme”, ligj ky që vlen edhe për artistë, shkencëtarë, sportistë, biznesmenë etj. Mbi bazën e këtij kualifikimi aplikoi për kartën jeshile e kështu me radhë, mbas 5 vjetësh u pranua qytetar amerikan.
Mbas dy viteve, në një qendër tregtare rreth një orë larg qytetit të NY, hapi një atelie me kohë të plotë. Nuk po punonte më në Central Park dhe Times Square. Mori dhe një apartament në një qytezë turistike, ne buzë të lumit Hudson. Punësoi dikë, jo artist, thjesht punonjës për të shitur printime, postera të punëve dhe të merrte porosi nga klientët. Tani kishte kohë të merrej me pikture, vizitonte galeritë dhe ju tregonte galeristëve punët. Një sërë galerish filluan t’i shisnin punimet sepse ato kryesisht ishin me subjekt nga zona ku ndodheshin galeritë, ishin lokale. Në atelie kthehej kryesisht në mbrëmje ku punonte për porosite, ç’ka shërbente dhe si demonstrim për të tërhequr klientë të tjerë. Kjo punë kështu vazhdoi deri në vitin 2008. E ndërpreu edhe biznesin në qendrën tregtare.
Ndërkohë kishte krijuar njohje me galeri të ndryshme në NY dhe nga shtete të tjera të USA e Kanada. Filloj të marrë pjesë në ekspozitat vjetore të Art Expo që bëheshin në Manhattan NY dhe Toronto, megjithëse kostoja e pjesëmarrjes është mjaft e lartë. Këto pjesëmarrje zgjeronin mundësinë e njohjes me kolegë, galerist dhe tregtar arti nga e gjithë Amerika e më tej. Doli gjithmonë I suksesshëm prej tyre qoftë për vlerësimet dhe jo më pak për shitjet e porositë. Pjesëmarrja në këto ekspozita gjigante(e pamundur të ndiqen në një ditë të vetme) për mëse 12 here, i zgjeronte njohjet, lidhjet por dhe përtej eksperiencës ishin impuls i fortë për krijimtarinë e mëtejshme. Dy herë ka marrë pjesë në Art Expo në Toronto. Pavarësisht se ishte i detyruar të jetoj me art, kryesisht art komercial, duke bërë mijëra portrete porosi, duke bërë personalitete celebrities, ilustrime të bazuara në filmat me subjekte dhe karaktere të preferuara nga ndjekësit e tyre, kjo jo vetëm nuk e ka penguar në artin tij, përkundrazi, ka ndihmuar shumë. Ka kaluar nëpër duar me mijëra vizatime të karaktereve dhe shprehjeve të ndryshme duke i zbërthyer ato, saqë më pas cilësohej si mjeshtri i karaktereve. Lexoj dhe studioj mjaft për punën dhe metodën që kanë ndjekur artistë të suksesshëm, të kohërave dhe vendeve të ndryshme. Një gjë gjeti të përbashkët, mbështesin koston e jetesës në të ardhurat nga arti i tyre. Edhe ai nuk punoj qoftë edhe një ditë në punë tjetër përveç pikturës, që kur u largua nga Shqipëria në ditët e para të janarit 1991 dhe deri sot e në vazhdim. Gati çdo ditë mëse 3-4 orë ndjek të rejat në vende të ndryshme nga individe apo grupe artistësh, demonstrime të artistëve të ndryshëm, qoftë dhe artistë që nuk kanë ndonjë gjë të veçantë por studion metodën se si ata e përshkruajnë atë që bëjnë, gjë tepër e vlefshme për mësimdhënien e studentëve të tij.
Ka marrë çmime të para dhe të dyta, çmime si “Puna më e mirë e ekspozitës”, “Puna më e mirë e zgjedhur nga publiku”, si dhe një sërë çmimesh “honarable mention” [nderim] etj. NË konkurset e “Plein Air 1” në Kanada, ka marrë çmimin e parë, çmimin e dytë në Virginia USA,etj.
Por ja si shprehet ai mbi këtë temë:
“ Çmimet, vlerësimet, review-të, nuk është se të bëjnë piktor më të mirë se sa je në fakt. Van Gogh nuk mori ndonjë çmim apo vlerësim sa ishte gjallë, por në të gjithë e dimë se kush është Van Gogh. Por, njëkohësisht është mëse e vërtetë që Van Gogh nuk shiti asnjë punë sa ishte gjalle. (Vetëm një punë të vogël që e bleu një plak).] Çmimet bëjnë të njohur dhe shpërblejnë përpjekjet e tua në krijimtarinë tënde. Ato rrisin vëmendjen për punët e tua. Bëjnë diferencimin e punëve të tua në treg me konkurrentët e tjerë”.
Këshillat e moralshme nuk janë subjekti i tij, e ka më të lehtë të shprehet drejtpërdrejt në lidhje me artin e tij dhe atë në tërësi:
“Mundohem të jem i vëmendshëm per të parë të bukurën kudo dhe në çdo gjë. Para se të vë penelin në telajo unë dua të jem i ngarkuar me energjinë e subjektit që kam marrë përsipër të interpretoj, dua të ndjej plotësisht gëzimin, magjiken, urrejtjen, shpresën, optimizmin por kurrë disfatën. Disfata është e përkohshme, vepra e artit nuk merret me fenomene të përkohshme. Edhe në subjektin ku lëshohet lot, dhimbje, rrëzim etj. unë përpiqem të injektoj në një mënyrë apo tjetër triumfin e paskëtajm. Motoja ime është, të cilën ja u rekomandoj edhe studentëve të mi, …-have fun when painting, it shows in your art…- argëtohuni kur pikturoni, ajo shfaqet edhe në artin tuaj…”