More
    KreuForumi mbi përkthiminDr. Elda Katorri & Prof. Asoc. Dr. Aida Gjinali : Përkthimi letrar...

    Dr. Elda Katorri & Prof. Asoc. Dr. Aida Gjinali : Përkthimi letrar – arti i të përkthyerit të emocioneve

    ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
    Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

    Përkthimi letrar është padyshim niveli “më elitar” që një përkthyes mund të synojë. Por, si çdo disiplinë tjetër, ai ka ngjallur e vazhdon të ngjallë mjaft debate, diskutime e mëdyshje. Debatet më të shpeshta vërtiten rreth faktit nëse përkthimi do konsideruar si një e shkrepur aparati fotografik e cila arrin të përcjellë nga gjuha burimore në gjuhën e synuar po atë shije e ato ngjyrime semantike, të ngjallë po ato emocione e të ruajë po atë stil të autorit.
    Duke nisur nga përvoja personale, prej të cilës merr shkas edhe punimi ynë, mendojmë se akti i të përkthyerit është një proces përpunimi i vazhdueshëm i cili na ndihmon të kuptojmë ngjashmëritë dhe dallimet strukturore, diskursive dhe tekstuale që ekzistojnë mes dy gjuhëve. Ai është proces zgjedhjeje që kryhet duke peshuar mirë alternativat, mundësitë e zgjidhjet gjatë të cilit kompetenca gjuhësore dhe aspekti kulturor ngërthehen fort me njëri-tjetrin. Punimi mëton të trajtojë disa çështje praktike të procesit të përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhën italiane të kryer nga përkthyes shqiptarë.


    Letërsia është djepi që përkund e ledhaton të gjithë morinë e ndjesive dhe emocioneve tona si qenie njerëzore duke ngacmuar shqisat dhe imagjinatën e lexuesit e duke krijuar me të një marrëdhënie tepër intime. Herë burim kënaqësish e herë të tjera dertesh, ajo na shpie në vise ëndrrash e zgjëndrrash të cilat i shohim të derdhura në rrjeshta shkronjash e rrokjesh që i japin kumt ndjenjave dhe përjetimeve tona. Ajo është kënaqësi nga e cila një lexues nuk mundet e nuk duhet ta privojë veten. Por që një letërsi t’i kapërcejë kufijtë e vendit ku ka lindur, ajo lipset të përkthehet në gjuhë të tjera.

    Shumë është folur e shkruar për filozofinë e përkthimit letrar. Ca e shohin si një sipërmarrje donkishoteske, paçka se fisnike, të tjerë si një domosdoshmëri, ca si punë e të tjerë si art më vete. Ne mendojmë se është një punë me vlerë që lips “art”, pra mjeshtëri, dhe se vlera e çdo pune nuk mund të jetë më e vogël se sa zelli dhe dashuria me të cilat një njeri e bën atë.

    Krijimi i një marrëdhënie të mirëfilltë me lexuesin është nder apo meritë që i takon autorit të tekstit, por ruajtja e kësaj lidhjeje në përkthim është detyrë e përkthyesit, një mendje e trajnuar në njohjen e mekanizmave që lipsen për të transportuar tekstin nga gjuha burimore në gjuhën e synuar. Megjithatë ky proces nuk është gjithnjë i lehtë dhe i pacen, sidomos kur përkthehet nga gjuha e origjinës në gjuhën e huaj.

    TË PËRKTHESH NGA GJUHA SHQIPE NË GJUHËN ITALIANE 

    Kur mendojmë për përkthimin, kahu drejt të cilit përkthehet rëndom është nga gjuha e huaj në gjuhën tënde. Të paktën kështu e lips zakoni, mendimi kolektiv, praktika gjuhësore apo edhe vetë përkthyesi. Por ndodh edhe… ndodh edhe ndryshe.

    Duke nisur nga përvoja personale, prej të cilës merr shkas edhe punimi ynë, po sjellim disa reflektime të bëra gjatë procesit të përkthimit nga shqipja në italisht të librave “Otello, Arapi i Vlorës”, i autorit Ben Blushi, fitues i Çmimit “Europa Krijuese 2014” dhe librit “Vrasje në Kryeministri”, i autores Diana Çuli, fitues i Çmimeve Kult si “Libri artistik i vitit” 2019.

    Duke përdorur fjalët e John William-it[1], në librin e tij Stoneri, është “dashuria për letërsinë, për ligjërimin, për misterin e mendjes dhe të zemrës të cilat shfaqen në atë gërshetimin e hollë, të çuditshëm e të paparashikueshëm që ndodh mes shkronjave dhe fjalëve” që e nxisin dhe frymëzojnë përkthyesin gjatë punës së tij, gjatë procesit të përkthimit.  

    “Deti nuk të jep kurrë mundësinë të MOS mendosh për bregun tjetër[2]”, shprehet Kasio, një personazh i librit Otello, Arapi i Vlorës, ashtu siç edhe përkthyesi nuk mundet kurrë të MOS mendojë për përkthimin në gjuhën tjetër. Është një refleks i pakushtëzuar, i vetvetijshëm i cili ndikohet nga disa faktorë siç janë gjinia letrare, konteksti historik, vështirësitë gjuhësore, kahu i përkthimit (nga apo drejt gjuhës mëmë), stili i autorit, aftësitë dhe përvoja e përkthyesit, aspekti kulturor, social etj.

    Le t’i kthehemi Otellos dhe “brigjeve të tij të përkthimit”.

    Libri rrëfen historinë e një udhëtim mes dy brigjeve, i vendosur mes viteve 1300 dhe 1400 në dy qendra urbane të njohura të Mesjetës, në Venecia dhe në Vlorë. Vendet, ngjarjet dhe përshkrimi i personazheve janë një ndërthurje mes së vërtetës dhe legjendës, mes reales dhe fantazisë, mes së shkuarës dhe së tashmes, mes Shekspirit dhe Blushit. Një trillim letrar i lidhur ngushtë me faktet historike, një ndërthurje fatesh e ndodhish që ciken, preken, përplasen e ngërthehen me njëra-tjetrën duke ndikuar në mënyrë të pashmangshme jetën e tjetrit.

    Otello, ai i Vlorës, është emri që Desdemona, vajza më e vogël e Albano Contarinit, një pasanik dhe tregtar i Venedikut, i jep skllavit që i ati i blen në port, ku çdo ditë mbërrijnë anije të panumërta për të shitur mallra, të çdo lloji, përfshirë edhe burra dhe gra të ardhur nga shkretëtira ose nga vende të largëta. Ky pra, është një shkëmbim i vazhdueshëm, një luhatje mes brigjeve jo vetëm historish, por njerëzish dhe jetësh të hedhura në mëshirën e një të ardhmeje të pasigurt që tanimë është në prag, do të shfaqet, për mirë ose për keq.

    Bëhet fjalë për një periudhë në të cilën lulëzoi tregtia midis Venedikut dhe Vlorës, atë kohë nën sundimin e familjes Balsha, në një Shqipëri që ende nuk ishte e vetëdijshme për kanosjen e pushtimit nga turqit. Otello, Desdemona, Emilia, Iago, Kasio nga Venecia e Shekspirit, duket se janë transportuar nga Blushi si në një udhëtim që kthehet pas në kohë, duke mbërritur në Vlorë ku do të takojnë shumë figura të tjera interesante, vendase dhe të huaja, si doktorin e njohur Stefano Gjika, të riun Andrea, pushtuesin turk Hamit, fisnikun pasanik Albano Contarini etj. Teksa e lexon librin, e gjen veten të magjepsur nga çdo rrjesh, i cili duket sikur të shpie në rrëfimet e “Një mijë e një netëve”, në pallate përrallore stolisur me gurë të çmuar e parfume erëmirë që të dehin shqisat.

    Dhe transportimi i atmosferës së “Një mijë e një netëve” nga gjuha shqipe në atë italiane ishte sa një sfidë e vështirë aq edhe një përgjegjësi e madhe.

    Vështirësia e parë që haset, ose pengesa e parë për t’u tejkaluar është në rrafshin psikologjik pasi zakonisht kahu i përkthimit është nga gjuha e huaj drejt gjuhës mëmë duke mos i shpëtuar pyetjes: Por, si ka mundësi që të përktheni drejt gjuhës së huaj? Duket gati si një “mëkat deontologjik” i atyre që përkthejnë në një gjuhë që nuk është e tyrja.

    Ngurrimi është i kuptueshëm. Është më e lehtë dhe më e zakonshme, siç përmendëm më lart të përkthehet dhe ta “zbarkosh” tekstin në gjuhën amtare, aty ku familjariteti dhe ndërgjegjësimi konjitiv janë rrënjosur që në vitet e para të jetës. Por një kontekst italofil, që nxitet nga afërsia dhe kontekste të ngjashme, mund të jetë i përshtatshëm për ndryshimin e kahut të përkthimit. Prandaj mund të themi vetëm se procesi i përkthimit, po të përdorim metaforën e detit, ishte si një udhëtim me varkë dhe në të cilin ti, përkthyesi, ndihesh si një rremtar që përpiqet ta shpjerë përmbajtjen semantike në gjuhën e synuar, duke shpresuar se ngarkesa do të mbetet e paprekur pasi siç thotë Pol Valeri, të përkthesh do të thotë të prodhosh me mjete të ndryshme efekte të ngjashme.

    Ndonjëherë deti është i qetë dhe kjo e bën të lehtë punën e përkthyesit, udhëtimin e tij gjuhësor drejt bregut tjetër. Herë të tjera deti është i trazuar dhe përkthyesit i duhet të mësojë të lundrojë në ato ujëra, duke punuar, hulumtuar, duke u konsultuar me kolegët, duke shkruar dhe rishkruar. Janë valë që ngjallin frikë, por duhet të mësosh të lundrosh mbi to, duhet t’u bësh ballë baticave dhe zbaticave. Përkthyesi duhet të jetë në gjendje t’u bëjë ballë distancave gjuhësore nga të cilat fillimisht mund të fillojë ta shquajë realitetin e të tjerëve, më pas t’u hedhë një vështrim, mandej ta shohë dhe pastaj gradualisht ta këqyrë, vëzhgojë, zhbirilojë dhe në fund ta përpunojë atë.

    Sipas Catford “përkthimi mund të përkufizohet si zëvendësimi i materialit tekstual në gjuhën burimore me material ekuivalent në gjuhën e synuar”[3].

    Por për mendimin tonë akti i përkthimit nuk është një shkrepje fotografike përmes së cilës shija e kuptimeve dhe nuanca mund të bartet nga një gjuhë në tjetrën në mënyrë identike, por është një proces përpunimi i vazhdueshëm që paraqet shumë vështirësi ku kompetenca gjuhësore e përkthyhesit sprovohet sa herë që ai përpiqet t’i qëndrojë besnik tekstit origjinal.

    Të përkthyerit e Otellos donte të thoshte të ndjeje një farë afërsie me autorin dhe personazhet, me mënyrën e tyre të të sjellurit, mënyrën e të parit dhe të shprehurit, të përvetësoje vizione apo këndvështrime që nuk i dinim se ekzistonin më parë dhe që tani e tutje do të na shoqëronin përgjithmonë. Pra, më shumti do të thoshte të ndjeje dhe përktheje EMOCIONE.

    Nuk përkthyes nuk mund të jetë indiferent ndaj asaj që heq Otello, nuk mund të mos e urrejë Jagon për të gjitha intrigat e tij, nuk mund të mos e dojë Desdemonën e Blushit ose mos t’i vijë keq për zemërgjërësinë e pamatë Emilisë ndaj të tjerëve, sidomos ndaj Jagos.

    Dhe problemi i përkthimit, Jagoja ynë, është pikërisht përkthimi i aspektit kulturor, dërgimi i tij në brigjet e gjuhës së huaj, asaj italiane. Ky aspekt është më i vështiri për t’u përcjellë, veçanërisht për ata që nuk përkthejnë në gjuhën e tyre, por nga gjuha e tyre.

    Le të sjellim një shembull nga paragrafi i mëposhtëmagritte

    [… Pas tij, për të plotësuar detajet e një përralle të vërtetë, vinin disa dhjetëra krushq, të veshur me jelekë të zinj dhe me shpata në formë kryqi. Në fund të këtij karvani ishin gjashtë karroca të mbuluara me pëlhurë të gjelbër, në të cilat ishin futur gratë dhe peshqeshet e dasmës…][4]

    […Dopo di lui, come per dare il tocco finale ai dettagli di una vera fiaba, seguivano alcune decine di paraninfi, vestiti con gilet neri e spade a forma di croce. In fondo a questa carovana c’erano sei carrozze coperte di stoffa verde, dentro alle quali stavano le donne e i doni di nozze…][5]

    Tani, të arrish të sjellësh në gjuhën italiane një shembull që ka të bëjë me aspektin kulturor, i cili është shumë i largët nga zakonet e tyre, por që edhe në zakonet tona është zbehur, paraqet sfidat e veta, jo vetëm në nivel leksikor, por sidomos në nivel kulturor. Të përcjellësh shijet e Lindjes, doket e besimet lindore në djepin e kulturës perëndimore, katolike, paraqet një të përpjetë sa të mundimshme aq edhe shpërblyese.

    Edhe në përkthimin e librit tjetër, Vrasje në Kryeministri, të Diana Çulit, që ndryshe nga i pari është triller i ambientuar në një Shqipëri ku e sotmja dhe e djeshmja gërshetohen, ku politika është vatra e intrigave të korridoreve të saj, ku reminishenca të së shkuarës komuniste kanë lënë vrajat e tyre jo vetëm tek vendet por edhe tek njerëzit, aspekti më i vështirë për t’u përkthyer mbetet ai kulturor.

    Kujtime internimesh, njerëzish të degdisur, spiunësh të arratisur, njerëzish të pafe e të pashpresë janë korniza e një vrasjeje të ndodhur në Kryeministri. I gjithë përkthimi është emocion, përjetim, përpjekje për të “shkaktuar të njejtin efekt” tek publiku italian, kultura e tyre.

    Dhe, për mendimin tonë, rëndësia e përkthyesit qëndron në faktin se ai vepron si një pasqyrë, si një reflektim, duke u përpjekur të përshkruajë në një gjuhë (në rastin tonë në italisht) atë që percepton dhe jeton në tjetrën (shqipja mëmë në rastin tonë), pa bërë të humbasin ato ndjenja të cilat nuk mund të përkthehen, por që thjesht kapen mes rreshtave.

    I gjithë thelbi i çështjes qëndron tek fakti se si të “gatuash” me konceptet e gjuhës së huaj, formën dhe stilin e gjuhës amtare, duke u përpjekur të përcjellësh nga njëri breg gjuhësor tek tjetri, të njejtën shije kuptimesh ose atë që Eco e quan “Barazvlefshmëri konotative, pra mënyrën se si fjalët nxisin të njëjtat lidhje asoçative dhe reagime emocionale në mendjet e dëgjuesve ose lexuesve”[6].

    Përkthimi është edhe marrëdhënie shoqërore, pasi përkthyesi jeton me historinë dhe fatet e personazheve, bëhet zëdhënës i tyre në një gjuhë tjetër, por nuk ka rëndësi sepse ashtu siç thotë Paolo D’Achille [… në fund të fundit gjuhët u ngjajnë njerëzve, ata krijojnë marrëdhënie, bëjnë miq, japin dhe marrin me njëra-tjetrën, me pak fjalë, ata pasurojnë njëra – tjetrën dhe bien në kompromis …].

    Kompromisi që bëjmë ne qëndron në faktin se përkthimi do të pasqyrojë gjithmonë dhe në çdo rast interpretimin e tekstit nga përkthyesi. Dhe duke qenë se interpretimi/përkthimi është rezultat i disa zgjedhjeve personale, ai nuk ka se si të mos jetë krijues dhe unik ndërkohë që përkthyesi është gjithnjë i vetëdijshëm për faktin se ka gjithmonë diçka për të përmirësuar. Në fund të fundit as përkthimi i biblës nuk i shpëtoi korrigjimit gati dy mijë vjet më vonë.

    Në 2017, Papa Françeksu, duke iu referuar përkthimit të lutjes “Ati ynë”, (Ungjilli sipas Lukës, 11,1), tha se përkthimi i vargut “e mos na shtjer në ngasje” duhej ndërruar në “e mos na ler të biem në tundim”. Por mos vallë më tepër se sa “tradhëtisë gjuhësore”, Papa i druhej “tradhëtisë teologjike” të kumtit që përçonte vargu? Gjithsecili është i lirë të hamendësojë. E vetmja lutje që ne si lexues e përdorues gjuhësor i drejtojmë atij që përkthen është: 

    Traduzione nostra

    Përkthimi ynë

    Traduzione nostra, che a noi ti sveli,

    Përkthimi ynë, që ne na shfaqesh,

    sia letta la tua trama,

    u lexoftë brendia jote,

    divenga  nota la tua storia,

    e ditur u bëftë e jotja histori, 

    sia fatta la tua correzione, dai refusi di tipografia agli e(o)rrori di ortografia.

    u bëftë korrigjimi yt, që nga gabimet tipografike e deri tek b(gj)ëmat ortografike.

    Dacci oggi il nostro diletto quotidiano,

    Kënaqësinë tonë të përditshme jepna ti sot,

    e rimetti a noi la nostra scarsa cultura,

    dhe falna ne kulturën tonë të pakët,

    come noi la rimettiamo a chi ci inonda di forestierismi e maldestra punteggiatura,

    siç ne ua falim atyre që na nginjin me fjalë të huaja e pikësim të mpakët

    dhe përkthyesit

    e non ci indurre in peccati linguistici,

    dhe mos na shtjer në ngasje gjuhësore, 

    ma liberaci dagli sgarri della grammatica e gli abusi stilistici.

    por çlirona nga lajthitjet e gramatikës dhe abuzimet stilistikore

    Amen!

    Ashtu qoftë!

    PËRFUNDIME

    “Përkthimi nuk është vepra, produkti, por shtegu që të shpie drejt veprës” (José Ortega y Gasset)

    Përkthyesi duhet të mbajë një marrëdhënie të vazhdueshme dialektike midis asaj që teksti përmban “brenda” dhe asaj që është “jashtë”, kontekstit.

    Lipset të alternohet elementi semantik me atë pragmatik

    E vetmja gjë më e keqe se një përkthim i keq është mungesa e tij.

    Shpesh, përkthyesi duhet të zgjedhë midis ngjyrimeve të mundshme që ka një term i gjuhës burimore që të mund ta përçojë atë në mënyrën më të mirë të mundshme, sipas marrësit dhe kontekstit real të fjalisë, që është aspekti ilokutor dhe perlokutor i aktit të komunikimit.

    Përkthimi është një shërbim (i porositur nga klienti ose komuniteti).

    Përkthimi është komunikim, domethënë i lejon folësit të përcjellë mendimet dhe qëllimet e tij komunikuese dhe ndihmon dëgjuesin/lexuesin ta kuptojë atë.

    Përkthimi është një veprimtari ndërgjuhësore, ndërkulturore, është proces që ngjall dhe përcjell EMOCIONE.

    BIBLIOGRAFI:

    Beccaria, Gian Luigi. (2007): Tra le pieghe della parola. Lingua, storia, cultura. Torino, Einaudi editore.

    Catford, J. C. (1965):  A linguistic Theory of Translation. London: Oxford University Press.

    D’Achille, Paolo, (2003), L’italiano contemporaneo, Il Mulino, Bologna.

    Eco, Umberto. (2003): Dire quasi la stessa cosa. Esperienze di traduzione. Milano, Bompiani.

    Fraser, Janet. (1995):  The Translator investigated. Learning from Translation Process Analysis. The Translator: Volume 2, Number 1: 71-72

    Osimo, Bruno. (2002): Storia della traduzione: riflessioni sul linguaggio traduttivo dall’antichità ai contemporanei. Milano, HOEPLI.

    Osimo, Bruno. (2008): Manuale del traduttore. Guida pratica con glossario. Milano, HOEPLI.

    https://www.ilmessaggero.it/vaticano/padre_nostro_nuova_preghiera_neës_ultime_notizie-5013324.html


    [1]  Citim i marrë nga një foto tek “Salloni i librit në Torino”, 2018.  

    [2]  Ben Blushi “Otello, Arapi i Vlorës”, fq. 369, MAPO editions, Tiranë, 2011.

    [3]  Catford, J. C. (1965):  A linguistic Theory of Translation. London: Oxford University Press.

    [4]  Ben Blushi, “Otello, Arapi i Vlorës”, Ben Blushi & MAPO editions, Tiranë, 2011, fq. 320.

    [5]  Ben Blushi, “Otello, il Moro di Valona”, Mimesis Edizioni, Milano–Udine, 2018, fq. 280.

    [6]  Umberto Eco, Dire quasi la stessa cosa. Esperienze di traduzione, Milano 2003, Bompiani editore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË