More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDr. Dorina Arapi: Veshjet e komuniteteve arbëreshe nën interpretimin antropologjik

    Dr. Dorina Arapi: Veshjet e komuniteteve arbëreshe nën interpretimin antropologjik

    Monografia “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet arbëreshe të Italisë së Jugut” i autores Dr. Silvana Nini; Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

    Monografia “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet arbëreshe të Italisë së Jugut”i autores Dr. Silvana Nini (2021), përbën një interes të veçantë mbi analizën e veshjeve të komuniteteve arbëreshe të Italisë së Jugut. Studiuesja Nini analizon veshjet tradicionale arbëreshe duke i shtjelluar në një qasje multidisiplinore, si atë historike e antropologjike, e gjithashtu duke e shoqëruar studimin me ilustrime të realizuara nga vetë autorja. Për këtë studim janë konsultuar burime e literaturë e konsiderueshme, si dhe kronika e përshkrime të udhëtarëve të kohës. 

    Kostumi i nuses në Vakarici (Vaccarizzo Albanese)

    Në këtë punim, Nini merr në analizë disa aspekte të veshjeve arbëreshe, si pjesët përbërëse të veshjes së nuses, duke shqyrtuar strukturën e veshjes, dekorimin, si dhe duke i analizuar ato dhe në rrafshin estetik. Një pjesë të rëndësishme të monografisë, zë dhe simbolika apo aspekti semiotik i veshjes, dimensioni shpirtëror i veshjes, si dhe ruajtja e transmetimi i veshjes së gruas, si pjesë e rëndësishme e ndërtimit të identitetit kulturor dhe etnik. 

    Fillimisht autorja, trajton kostumin e gruas arbëreshe në këndvështrimin e një trashëgimie shpirtërore, ku nënvizonse objektet e kulturës materiale kanë vlerën shpirtërore që shoqërojnë jetën e bartësit dhe të komunitetit.

    Komunitetet arbëreshe kanë ndërtuar modele të përkatësisë e sisteme vlerash ku pjesëtarët e tij e shohin veten të grupuar sipas përkatësisë fetare, kulturore, statusit ekonomik, etj. Për të ruajtur këto sisteme, bartësit kanë përdorur veshjen tradicionale si një shënjues për të deklaruar identitetin e përkatësinë e tyre, si dhe për të siguruar e ruajtur vazhdimësinë e statusit shoqëror të grupit shoqëror apo të personit.

    Në këtë prizëm, veshja, jo vetëm në botën arbëreshe por edhe në kultura të tjera, është një ndër instrumentet thelbësore në rregullimin e raportit midis botës që na rrethon dhe trupit. Ajo është një kufi midis bartësit dhe komunitetit, apo grupimeve të tjera sociale, e cila ndërtohet dhe mirëmbahet nga hartat mendore që kanë krijuar njerëzit, në bazë të të cilave përcaktojnë familjaren nga ajo që cilësohet e huaj, atë që përfshin nga atë që përjashton; ndaj atyre gjërave që janë besnikë, aty ku ata e gjejnë veten të grupuar sipas ndjesive, botëkuptimit, marrëdhëniet që krijojnë për të ruajtur lidhjen e njerëzve me njëri-tjetrin, dhe duke përcaktuar se çfarë i dallon ata nga të tjerët. Për këtë arsye, veshja tradicionale ka një rëndësi të madhe, pikërisht sepse shënjon ndryshim statusi të bartësit dhe momentet e rëndësishme të jetës së tij, por edhe sepse merr një vlerë identitare për komunitetin.

    Kostumi i nuses në Mungrasana (Mongrassano)

    Nini analizon në këtë kontekst dhe ndërtimin e identitetit në bazë të disa skemave kulturore që një komunitet mbart, apo kërkon të ruajë. Kështu autorja, e sheh kostumin e nuses si një shprehje të identitetit kulturor, si dhe si një formë shprehëse të identitetit etnik, ku këtë të fundit e sheh të shprehur në formën etnografike “vallja”, ku kostumi i nuses është elementi kryesor dhe artikulues i gjithë ritit.

    Veshja si pjesë e komunikimit jo verbal, si për shembull kostumi i nuseve, merr një vlerë dhe kuptim në ritet e kalimit, i cili ashtu si në mjaft kultura e shoqëron bartësen në dy momente të jetës: në ditën e martesës dhe në ditën e vdekjes.

    Duke e parë veshjen si element të kulturës shpirtërore, në analizë shtjellohet dhe dijebërja e veshjeve, të cilën studiuesja e sjell si një aspekt që ka të bëjë me njohuritë që këto komunitete bartën nga atdheu mëmë, të cilat i transmetuan ato brez pas brezi, por dhe i përpunuan në bazë të materialeve, mundësive e zhvillimeve teknologjike të kohës. 

    Duke vazhduar më tej, Nini shpjegon se gjatë kohës kostumi i burrave pothuajse u tjetërsua, ose siç e cilëson ajo “u sakrifikua” me qëllim njehsimin me kulturën vendase, ndryshe nga veshjet e grave të cilat bartnin elementë të trashëguar dhe patën vazhdimësi. Ndryshe nga gratë, burrat gëzonin shumë më tepër hapësirën publike dhe i nënshtroheshin veshjes zyrtare të orientuar nga kultura, statusi dhe politikës së kohës. Nëse veshjet e grave ishin më të pasura në detaje, veçanërisht ato ceremoniale dhe ndryshonin nga fshati në fshat, veshjet e burrave ishin më të unifikuara. Për këtë arsye, veshjet tradicionale të grave në mjaft kultura, janë të larmishme në formë, strukturë dhe veçanërisht në dekoracione e simbolikë. Jashtë hapësirës private, trupi i veshur nuk është vetëm një çështje personale, por ai është një trup publik, i cili komunikon me hapësira të tjera dhe forma të ndryshme. E për këtë arsye, detyrimisht veshja e burrave, ashtu siç është dëshmuar në kohëra e kultura të ndryshme, i nënshtrohet një përpunimi e homogjenizimi në kod e simbolikë, e cila vjen si pasojë e jetës publike e institucionale që burrat kanë zhvilluar, pra i një kodi veshjeje që lidhet ngushtë me publiken. Në këtë mënyrë Nini shprehet se, duke mbështetur tezën e Daniele Belushit, se veshja e burrave ka pësuar gjatë kohërave një standardizim, e cila ka ardhur pikërisht si nevojë e “komunikimit të mesazhit” me realitetin jashtë. Dhe këtu vijmë tek ajo që etnologu rus Bogatyrev, e cilëson si “dimensioni semiotik i veshjes”, ku përtej asaj që veshja shërben si nevojë universale e njeriut (aspektet bazike e funksionale), kur bartësi i jep një kuptim, pra e “ngarkon” veshjen me kuptime, atëherë krijohet e ndërtohet mesazhi që veshja përcjell dhe ndihmon në artikulimin e identitetit dhe statusit të bartësit.

    Kostumi i nuses në Picilia (Santa Caterina Albanese)

    Një tjetër aspekt i shtjelluar në studim janë dhe faktorët që ndikuan në zhvillimin e kostumit arbëresh që luajtën rol në formësimin e tyre. Nini merr në analizë disa faktorë të cilët janë pozita gjeografike e komuniteteve arbëreshe, e cila shpeshherë ndikonte dhe në “izolimin kulturor” të komuniteteve, si dhe marrëdhënia midis komuniteteve të afërta me njëri-tjetrin, që rrjedhimisht ka ndikuar në shkëmbimin kulturor midis fshatrave. Një aspekt tjetër që ka luajtur një rol unifikues të modeleve kulturore, ashtu siç paraqiten në disa elementë të veshjeve të grave arbëreshe, është dhe elementi i përbashkët gjuhësor, gjë që vihet re në përdorimin e disa termave të përbashkët leksikor të veshjeve.

    Sigurisht që në përpunimin e veshjeve të komuniteteve arbëreshe ka ndikuar statusi ekonomik dhe struktura sociale e komunitetit. Veshja duke qenë subjekt i ndryshimeve politike, kulturore dhe ekonomike, padyshim që reflekton dhe dallimin e statusit të bartësit dhe potencialin e tij ekonomik për të ushtruar e shpallur pozitën e tij në shoqëri.

    Gjithashtu një faktor tjetër që ka ndikuar në formësimin e veshjeve të komuniteteve arbëreshe është dhe ndikimi i formave vendase, e në këtë rast ndikimi i kulturës së veshjeve në qytetet italiane. Bashkëjetesa, por dhe përballja me një kulturë tjetër, atë me të cilën arbëreshët u përballën gjatë kohërave, solli përpunimin dhe ndërtimin e identitetit kulturor, si dhe të modeleve kulturore tek ta.

    Kostumi i nuses në Pllatani (Plataci)

    Duhet të kuptojmë që një komunitet ruan dhe hartëzon elementët simbolikë dhe modelet shoqërore, nga tjetërsimi i ndërveprimit me shoqërinë pritëse dhe nga kushtëzimi i realitetit të ri. Njëkohësisht nga ana tjetër, këto komunitete të vendosur në rrethana të reja, përthithën elementë kulturorë të vlefshëm për integrimin e tyre me kulturën pritëse. Për shkak të dinamikave të brendshme e të kufijve kulturorë që vendosen midis dy kulturave, një komunitet e përpunon, e forcon apo dhe e krijon identitetin kulturor. E këtu që padyshim, shënjimi i kufijve kulturorë, identitarë, fetarë, politikë, por dhe ekonomikë, dhe të hapësirave ligjore të vendosura midis etnosit arbër dhe atij italian, ndikuan në margjinalizimin dhe njëkohësisht përshtatjen e modeleve dhe elementëve kulturorë të komuniteteve arbëreshe në Italinë e Jugut.

    Për këtë arsye, veshja e një komuniteti, e në këtë rast atij arbëresh, është ndërtuar nëpërmjet një kodi gjuhësor vizual të zgjedhur midis asaj që është e brendshme, familjare e njohur dhe asaj që është lokale, e jashtme, lokale dhe dominuese. Në këtë kontekst veshja sinjalizon modele kulturore dhe bazohet në standardet e vlerësimit që komuniteti has dhe kërkon të vendosë në lidhje me ndërveprimin e përditshëm të mjedisit kulturor. Kjo është akoma më e dukshme në rastin e komuniteteve arbëreshe të cilët me vendosjen e tyre në territoret italiane, u përballën me normat e reja të kulturës pritëse. Në të tillë kontekst, veshja e burrave ka humbur me kohën, si një pjesë e kontaktit me kodet “gjuhësore” të jetës publike.

    Por në tërësi, ajo që del në pah, është se kultura e veshjes arbëreshe dhe ashtu si çdo kulturë, është aspekt i kulturës materiale-shpirtërore, e cila është artikuluar me përdorimin e gërshetimin e elementëve kulturorë, ku ndërthuren ajo që është individuale, komunitare, lokale e institucionale. Kjo sepse, kultura dhe identitet-i/et, kërkojnë një pjesëmarrje në dialog, ku mund të ndërtohen bashkësi praktikash të përbashkëta që ndahen midis popujve e kulturave bashkëjetuese. Në këtë kontekst, kultura materiale dhe ajo shpirtërore e komuniteteve arbëreshë të Italisë së Jugut, duhet parë nën lentën e natyrës dialogjike të kulturës, ku ndërveprimi, shkëmbimi, përballja, pranimi apo dhe konflikti, janë pjesë e dy apo më shumë palëve, të cilat komunikojnë duke formuar identitete kulturore. Vetëm duke e parë konceptin dualist të kulturës, mund të arrihet të analizohet kultura dhe identiteti kulturor arbëresh dhe, në këtë rast, veshja e arbëreshëve. 

    Kostumi i festës në Garafa (Caraffa)

    Bibliografia

    -Bogatyrev, Petr. The Functions of Folk Costume in Moravian Slovakia, Mouton, The Hague, 1971.

    -Elmo, Italo, Kruta, Evis. (eds.) Ori e costumi degli albanesi,  Il Coscile, 1995.

    -Galimberti, Umberto. Il corpo, Feltrinelli, Milano, 2013.

    -Tortora, Phyllis G., Marcketti, Sara B. Survey of Historic Costume, Botimi i 5-të, Fairchild Publishing, New York, 2010.

    -Joel S. Migdal (ed.), Boundaries and Belonging: States and Societies in the Struggle to Shape Identities and Local Practices, Cambridge University Press, Uk, New York, 2004.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË