More
    KreuArte pamoreDr. Bledar Kurti: "Impresion, lindja e diellit" e Claude Monet

    Dr. Bledar Kurti: “Impresion, lindja e diellit” e Claude Monet

    Imagjino për një moment se je një ndër artistët më të mëdhenj të botës. Pikturat e tua janë më të shiturat. Emri yt njihet nga të gjithë. Artistët e tjerë të kanë zili, shtetarët dhe politikanët e rëndësishëm të bëjnë vizita në shtëpi, njerëzit të thërrasin “mjeshtër” pasi ti vërtetë je i tillë, dhe të quajnë “babai i ngjyrave” por një ditë të bukur, ti nuk i shikon më ngjyrat për shkak të një katarakti të rëndë në sy ndaj të duhet të ndalosh së pikturuari. Dhe për një artist kjo do të thotë të ndalosh së marri frymë.

    Çdo njeri i zakonshëm do dorëzohej me trishtim ndaj kësaj situate, por jo Claude Monet (1840-1926). Edhe pse nuk i shihte më ngjyrat, ai pikturonte vetëm duke afruar tubetet pranë syve e lexuar emrin e ngjyrës të shkruar mbi tubetin e bojës. E kështu ai pikturoi me dhjetëra tablo të zambakëve të ujit, sot ndër kryeveprat e botës, vetëm me emrin e bojës pa e ditur sesi dukej mbi kanavacë, por vetëm duke e imagjinuar në mendje. Kjo është fuqia e artit. Kjo është fytyra e imagjinatës së artit e cila të shpaloset në mendje pa qenë nevoja të shihet nga sytë fizikë.

    Pikturat e Calude Monet gjenden në kartolina, ilustrime letrare, kopertina librash, postera e riprodhime që varen brenda shtëpive dhe mjediseve publike, dhe veprat e tij vizitohen prej miliona njerëzve çdo vit në galeritë e mbarë botës ku ato janë të ekspozuara. Kur flitet për art, emri i Claude Monet është padyshim në çdo bisedë. I njohur si një ndër artistët më të shquar të kohërave, ai padyshim, me pranimin e çdo kritiku arti apo njeriu të zakonshëm, e meriton plotësisht këtë status, pasi kurrë më parë arti nuk u paraqit për sytë e njerëzimit me bukurinë, larminë, dhe dritën shumëtonëshe, siç ndodhi përmes dorës dhe penelit të Monet.

    Kur flitet për Claude Monet, imazhet e menjëhershme që flatrojnë në mendjen e çdo artdashësi janë zambakët e ujit. Ky motiv zuri një vend të rëndësishëm në artin e Monet, dhe nuk ishin të paktë, por rreth 250 tablo zambakësh uji, imazhet e të cilave për më shumë se një shekull lundrojnë në imagjinatën e njerëzimit, duke bërë edhe njeriun më të zakonshëm t’i shohë ndryshe pellgjet me ujë, të admirojë zambakët që pluskojnë mbi to, e të ndihet edhe ai artist, ose të paktën bashkëpërjetues i magjisë së artit.

    Motivi i zambakëve të ujit ishte pika kulmore e talentit dhe jetës artistike të Monet, por revolucioni nisi me një vepër tjetër, Impresion, Lindja e Diellit (1872). Kjo vepër e Claude Monet revolucionoi artin, dhe titulli i saj i dha emrin një lëvizje artistike, Impresionizmi, që do e zhvishte artin nga studiot e errëta, nga rregullat e shkruara, nga tradita e patundur, duke e ekspozuar atë përpara dritës.

    Kjo pikturë u krijua nga një skenë në portin e Le Havre, në Normandi të Francës. E pikturuar nga dritarja e një hoteli gjatë qëndrimit të tij në atë qytet në vitin 1872, në të Monet përshkruan një sfond të mjegullt me disa njolla portokalli të cilat dallojnë shkëlqyeshëm në tablonë gri.

    Në pamje të parë, tre tiparet më të shquara të pikturës janë dielli i shndritshëm dhe dy anijet e vogla të peshkimit. Në një inspektim më të afërt, anijet e mëtejshme të peshkimit dallohen në sfond së bashku me peizazhin industrial. Ka disa pika interesante që spikasin kur studiojmë këtë tablo. Së pari, shkëlqimi i diellit portokalli kundrejt sfondit gri duket se e bën diellin të dalë në plan të parë. Megjithatë, dielli nuk është më i ndritshëm se çdo ngjyrë tjetër e përdorur. Në fakt, nëse kjo tablo shihet në bardhë e zi, lindja e diellit bëhet pothuajse e padukshme. Kjo ndodh për shkak të mënyrës sesi syri i njeriut percepton ndriçimin dhe ngjyrën.

    Pika e dytë interesante është sfondi, i cili kryesisht përbëhet nga anijet e avullit dhe oxhaqet e tymit. Le Havre ishte një port i begatë dhe disa historianë të artit pohojnë se industrializimi i theksuar në këtë pikturë përfaqëson implikime politike dhe shërben si një deklaratë anti-industrialiste. Nga dritarja e tij, në këtë peizazh Monet mund të shihte shtëpi në anën e majtë të skelës, por Monet zgjodhi t’i injoronte ato dhe vendosi të mos i përfshinte në pikturën e tij, në mënyrë që të mos e tjetërsonin aspektin industrial të tablosë që kishte krijuar.

    Mesazh politik? Përse duhet të bënte një deklaratë anti-industrialiste? Në fakt, dihej gjerësisht se të gjithë artistët e kohës ishin anti-industrialistë. Mesi i shekullit të 19-të shënoi kulmin e Revolucionit Industrial, i cili solli një zhvillim të jashtëzakonshëm në botë, kryesisht infrastrukturë, kushte jetese, prodhime mallrash në seri, shërbime, punë, pajisje, e shpikje të shumta, por aspekti negativ përfshinte dhunimin ndaj natyrës, dhe tymi i shkaktuar nga qymyri, qiejt e mbuluara nga shtëllungat e oxhaqeve të fabrikave, çeliku dhunues ndaj brishtësisë së natyrës, shkaktuan zemërim tek romantikët, të cilët padyshim ishin artistët, muzikantët dhe shkrimtarët. Ndaj edhe Monet, zgjodhi ta pikturonte të mjegullt sfondin, duke e ruajtur diellin në pastërtinë e vet, vetëm me një njollë ngjyrë portokalli, një njollë aq të thjeshtë por aq të natyrshme që shndrit edhe më shumë mbi sipërfaqen gri e të pajetë.

    Por, pavarësisht efekteve anësore të Industrializimit, progresi ndihmoi në lindjen e njeriut modern. Shekulli i 19-të solli një zhvillim shumë të shpejtë në Evropë dhe Amerikë. Shpikja e makinerive bëri që të prodhoheshin mallra e produkte me shpejtësi marramendëse, dhe ndihmoi në themelimin e një shtrese të mesme e cila u bë tejet vitale dhe u begatua nën këtë frymë të re optimizmi dhe lirie të paprecedentë. E gjithë bota u mbush plot me shpresë dhe progresi ndihej kudo, dhe artistët, pavarësisht skepticizmit dhe zemërimit ndaj dhunimit të natyrës, arritën ta adaptonin me shpejtësi shpirtin e progresit. Dhe si arritën t’ia dalin? Në një botë të re duhej një art i ri.

    Asnjë shpikje e njerëzimit nuk i kishte kërcënuar artistët. Dora e njeriut nuk mund të kërcënonte universin e pafund të artit. Por, ndodhi. Në shekullin e 19-të artistët u kërcënuan nga një shpikje e vogël që do ndryshonte botën e do shtynte artistët të zbulonin fytyra të reja të artit. Ky armik i ri ishte aparati fotografik.

    Kjo pajisje mund ta dokumentonte botën dhe të arrinte imazhe më të sakta të portreteve të njerëzve dhe peizazheve sesa mund të krijonin edhe vetë mjeshtrit më të mëdhenj të artit, ndaj artistët nisën ta shihnin ndryshe botën dhe njeriun përmes imazheve. Dhe arti i ri nisi. Artistë si Claude Monet, Pierre-Auguste Renoir, Alfred Sisley, Frédéric Bazille, Camille Pissarro, Paul Cézanne, Armand Guillaumin, etj., të frymëzuar edhe nga pionieri avant garde i kohës, Edouard Manet, vendosën të thyenin traditën, të dilnin nga studiot brenda dyerve e të pikturonin natyrën dhe njeriun në një mënyrë të re dhe moderne. Ndaj artistët u shpërndanë në fshatra e rrethina, atje ku natyra ishte ende e virgjër dhe e paprekur nga industrializimi, nën qiell të hapur, e duke përdorur pigmente ngjyrash të papërziera për të pikturuar dritën. 

    Monet kishte patur thirrje të brendshme për një lloj të ri arti edhe nga vizita e tij në muzetë e Londrës, ku optika e tij mbi natyrën ndryshoi tërësisht kur pa veprat e William Turner dhe John Constable. Veprat e tyre kishin një qasje tjetër ndaj natyrës, dhe një shpërbërje të objekteve, një shkrirje të formës përmes dritës me ngjyrë. Dhe artistët e dritës dhe ngjyrave iu vunë punës. Rezultati? Një katastrofë e vërtetë.

    Stili i ri i të pikturuarit nuk u prit aspak mirë. Tablotë refuzoheshin për ekspozim dhe salloni prestigjioz i artit në Paris nuk pranonte pikturat të cilat dukeshin më shumë si skica sesa tablo të përfunduara. Për shkak të pakënaqësive shumë vepra u ekspozuan në të ashtuquajturën Salon des Refusés (Salloni i të Refuzuarve) ku u përfshinë aq shumë vepra mediokre sa që bënë të legjitimoheshin të gjitha kritikat ndaj atij stili të ri të pikturuari. Kjo zgjoi një debat të ri ndër këtë grup artistësh ndaj ata vendosën të krijonin shoqërinë e pavarur të ekspozimit. Më 15 prill 1874, çdo gjë ishte gati. Tridhjetë artistë të pavarur ekspozuan veprat e tyre për një muaj. 3500 vizitorët, bashkë me gazetarët, nuk e ndaluan dot talljen dhe përqeshjen ndaj tablove.

    Ekspozita bëri bujë dhe tërhoqi vëmendje, por jo nga suksesi, por prodhoi një breshëri talljeje dhe abuzimi nga shtypi dhe publiku në përgjithësi. Kritiku Louis Leroy shkroi një artikull në revistën satirike Le Charivari, ku përqeshte pikturën e Monet të titulluar Impresion, Lindja e Diellit, dhe aty ai shpiku fjalën “Impresionizëm” si një lloj tallje për grupimin e ri artistik: “Shikojeni,” shkroi ai, “Impresion, e dija, fundja unë jam i impresionuar, ndaj duhet të jetë vërtetë impresion. Eh çfarë lirie! Çfarë shpalosje e kollajtë artistike! Edhe një letër muri, ende pa vënë dorë mbi të është më e përfunduar sesa ky peizazh deti.” Monet e përvetësoi menjëherë këtë emër e titull, Impresionizëm, dhe e përdori atë në të gjithë karrierën e tij të lavdishme; tani e tutje ai do ishte “kryetari i shpallur” i shkollës së re të pikturës. Kjo vepër aq e kritikuar dhe e përqeshur u bë guri i themelit të karrierës dhe suksesit të një prej artistëve më të njohur në mbarë historinë e artit.

    Për ironi, vepra Impresion, Lindja e Diellit, nuk është tipike e stilit të Monet, edhe pse ajo përmban elemente të stilit të tij të zakonshëm. Horizonti është zhdukur dhe uji, qielli dhe reflektimet janë shkrirë së bashku. Ndërtesat dhe anijet në sfond janë vetëm forma të paqarta dhe dielli portokalli dominon pikturën. Ashtu sikurse edhe vetë Monet komentoi: “Me të vërtetë nuk ngjason me një pamje të Le Havre.” Qëllimi i tij nuk ishte të krijonte një peizazh të saktë, por të regjistronte impresionet e formuara gjatë shikimit të atij peizazhi. Ndaj titulli i tablosë dhe shprehja tallëse e kritikut të artit, rezultoi një gjetje gjeniale, dhe Impresionizmi u bë lëvizja më e rëndësishme e artit modern dhe e botëkuptimit të ri.

    Artistët dhe kritikët e mëvonshëm në fillim të shekullit të 20-të e studiuan më nga afër këtë vepër dhe vlerësuan që stili i kësaj pikture është larg nga stilet tradicionale të përdorura për peizazhin dhe skenat me det. Teknikat e përdorura nga Monet krijuan një stil që lejonte artistin të shpaloste shprehitë, besimet dhe interpretimet e asaj që ai mund të shihte në vend të një përshkrimi të saktë të skenës. Monet përdorte cekje të lehta dhe të lirshme penelatash që thjesht sugjeronin skenën e jo ta përshkruanin saktësisht atë çfarë mund të shihte syri. Duket qartë që Monet ka punuar me shpejtësi të madhe sikur po përpiqej të kapte lëvizjen e dritës siç ajo ndodhte në ato momente. Për Monet, fokusi kryesor ishte drita dhe mënyra me të cilën ajo ndërvepronte me elementët e ndryshëm të peizazhit.

    Rëndësia e kësaj vepre shkon përtej vlerës monetare marramendëse, e cila shtyu një grup kriminal ta vidhte atë nga galeria në vitin 1985, por që fatmirësisht u gjet pesë vite më pas. Kur u përballa me këtë tablo në Musée Marmottan Monet, në Paris, duke patur luksin e historisë pas krahëve, arrita ta kuptoja përse ajo pikë e diellit portokalli në të kuqe do shërbente si një shpërthim artistik ndërshekullor. Ajo njollë e vogël por aq e ndritshme ishte një origjinë dhe pikënisje revolucioni e cila pavarësisht kritikave dhe skepticizmave të kohës, arriti ta kryente më së miri qëllimin e vet, e për të përmbushur misionin e artit për të ndryshuar botën dhe sesi njeriu e sheh atë. Dhe shembulli më i mirë janë tablotë e zambakëve të ujit të cilat e bëjnë edhe njeriun më të zakonshëm të shohë, ndiejë, e kuptojë, se mrekullia e natyrës, madhështia e krijimit të madh, gjendet në disa barishte e lule të rëndomta që pluskojnë lehtë mbi pellgje të qeta, aq mahnitshëm nga ngjyrat dhe drita.

    Musée Marmottan Monet gjenden disa tablo të zambakëve të ujit, por për të ndierë magjinë e ngjyrave të Monet, e për t’u rrethuar i tëri nga zambakët e tij të ujit vizitova Musée de l’Orangerie, ku një sallë e tërë ovale është e rrethuar me tablo të gjera, shumëngjyrëshe të pellgjeve me ujë e zambakëve pluskues, në një shpalosje të mrekullueshme drite e cila bën një natyrë të shkuar e të vdekur gjatë një shekulli të duket e gjallë dhe madje e pavdekshme, dhe ku ngjyrat e përdorura nga Monet shndërrohen në një gosti të vërtetë për syrin. Ajo sallë njihet si Kapela Sistine e impresionizmit.

    Si lindi ideja e zambakëve të ujit?

    Në më të shumtën e karrierës së tij, Monet ishte vazhdimisht në vështirësi financiare. Në letrat e tij gjejmë përshkrime të trishtuara të situatave në të cilat ndodhej: “Prej një muaji nuk kam qenë në gjendje të pikturoj sepse nuk kam bojra;” “Gruaja ime sapo u bë me një fëmijë tjetër dhe unë nuk mund të paguaj për kujdesin mjekësor që duhet të ketë nëna dhe fëmija;” “Edhe një herë m’u desh të kontaktoj njerëz që zor se i njoh për të kërkuar para borxh dhe ata m’u përgjigjën me përçmim.”

    Por, në fund të jetës së tij, me rritjen e famës erdhën dhe shitjet e veprave, e kështu Monet siguronte mjaftueshëm të ardhura për të patur një jetë komode, ndaj pjesën e fundit të jetës së tij Monet e kaloi në Giverny, ku ai kishte blerë një shtëpi e sipërfaqe të madhe toke, në të cilën krijoi parajsën e tij, kopshtin e Giverny, kopshtin që bëri histori. Monet e projektoi vetë, duke caktuar se ku do viheshin lulet dhe çfarë ngjyre do kishin ato, duke e shndërruar kopshtin në një vepër arti në vetvete. Ai punësoi një kopshtar dhe pesë ndihmës, rriti temperaturën e ujit të pellgut që të rriteshin zambakët e ujit, dhe ndërtoi një urë të stilit japonez e cila figuron në shumë prej tablove të tij. Në atë botë artistike me shelgje, irida, urë, e zambakë uji, ishin zambakët e ujit afrikanë ato që do bëheshin ikonë e artit të tij. “Këto peizazhe uji dhe pasqyrime më janë shndërruar në obsesion,” u shpreh Monet. “Ato janë përtej forcës që ka një plak si unë, megjithatë unë dua të pikturoj atë që përjetoj … Shpresoj se diçka e bukur të dalë nga përpjekjet e mia.”

    Dhe, po, diçka e bukur doli nga përpjekjet e tij. Me qindra tablo zambakësh uji në 26 vjet punë në atë kopsht. Në tablotë e tij të zambakëve të ujit, shikuesi qëndron pezull në këtë botë të çuditshme, ku çdo gjë që të rrethon është shkrirë e tëra dhe e vetmja që ka mbetur është bota e ujit, me zambakët mbi të, me retë që pasqyrohen mjaftueshëm për t’u perceptuar nga mendja e shikuesit, duke e shkrirë natyrën në bojë, e duke e tërhequr shikuesin brenda përjetimit të vetë mjeshtrit. Në to shohim ujin e lulet horizontale dhe qiellin që reflekton vertikalisht. Detajet e mprehta janë të sfumuara, ndaj tablotë shihen si të tëra. Nuk ka tokë në to, as njerëz, vetëm natyrë, si Kopshti i Edenit përpara njeriut, e përpara rënies së racës njerëzore.

    Por gostia e ngjyrave në tablotë e tij nisi të zbehej gjatë viteve të fundit për shkak të një gjendje të rëndë katarakti në sy. Në fillim u vu re me ngjyrat e verdha dhe të kuqe që mbizotëronin pa dashje në veprat e tij, e më pas me shuarjen e aftësisë së dallimit të gjitha ngjyrave, ndaj Monet, duke mos u dorëzuar nga kjo pengesë, pikturoi vetëm duke lexuar emrat e bojës në tubeta, duke pikturuar kështu vetëm me imagjinatë e jo me sy. 

    Fama e Monet tashmë kishte marrë përmasa ndërkombëtare. Politikanë dhe diplomatë vizitonin kopshtet e Monet në Giverny, duke mbërritur me tren, me varka, me kuaj e karroca. Atë e vizitonin koleksionistë amerikanë dhe aristokratë japonezë, e sigurisht miqtë e tij të vjetër, Renoir, Cezzane, Pissarro, dhe Georges Clemenceau, kryeministër i Francës gjatë viteve 1906-1909 dhe sërish në 1917-1920. Por, pavarësisht miqësive me politikanëve të lartë, Monet qëndronte i distancuar nga marrja e çmimeve shtetërore, duke refuzuar titullin Kryqi i Legjionit të Nderit dhe duke mos pranuar ftesën për të hyrë në Institutin Francez.

    Monet e kishte zakon të shkatërronte çdo kanavacë që nuk arrinte ta kënaqte. Por kishte zakon edhe të pikturonte me dhjetëra tablo të të njëjtit imazh, si për shembull mullarët e barit, apo Katedralja Rouen, të pikturua në të njëjtin pozicion por me dritë të ndryshme. Monet kishte qëllim të pikturonte dritën, e ndihej shumë i ngadaltë që nuk arrinte ta kapte dot atë në çdo hap e ndryshim. Thirrja e artit për të ishte të gjurmonte ndryshimin e dritës dhe si manifestohej ajo aq ndryshe brenda një dite mbi të njëjtin objekt.

    Sa xheloz është arti! Sa misione të vështira vë mbi supet e artistëve! Dhe shtysa e brendshme nuk resht kurrë së qeni zgjuar si në gjurmim të jetës ashtu edhe në bukurinë e vdekjes, në çdo frymëmarrje apo edhe mungesë frymëmarrje. Dhe, arti e thirri dhe e shkelmoi Monet edhe në një moment të trishtë të jetës së tij kur pësoi humbjen e bashkëshortes së tij, Camille, e cila ishte vetëm 32 vjeçe, e që kishte vuajtur nga një sëmundje e gjatë. Teksa dergjej në shtratin e vdekjes, Monet dëgjoi zërin e artit, e ndjeu një shtysë të brendshme ta ruante fytyrën e dashur të bashkëshortes përmes ngjyrave. Dhe ai e pikturoi të bukurën e tij, ashtu të vdekur. “U gjenda pa kuptuar duke vrojtuar tëmthat e saj, duke e kërkuar mekanikisht për sekuencën e ndryshimit të hijeve që vdekja po hidhte mbi fytyrën e saj të ftohtë. Blu, e verdhë, gri, e të tjera. Kështu ndihesha unë …  Por, edhe përpara se të më vinte kjo ide e pikturimit të atyre tipareve të dashura për mua, organizmi im tashmë kishte nisur të reagonte ndaj ndjesisë së ngjyrës, dhe reflekset e mia më detyruan të ndërmerrja një veprim të pandërgjegjshëm pavarësisht dëshirës sime.” Me këtë Monet po thoshte se ai ishte skllav i vizioneve të tij. Skllav i fytyrës së artit që arrinte ta shihte tek fytyra e vdekur e bashkëshortes së tij.

    E parë përmes një veli me ngjyra të zbehta e të trishta, fytyra e pajetë e Camille duket sikur tretet në një boshllëk të thellë. E gjithë piktura përshkruhet nga ngjyra vjollce të ftohtësisë së vdekjes. Penelatat e forta dhe të ashpra na tregojnë se Monet ishte me nxitim për ta përfunduar pikturën. Në romanin e Emile Zola, Kryevepra, botuar në vitin 1886, disa vite pas vdekjes së Camille, personazhi i librit Claude Lantier është një artist impresionist, i cili, i shtyrë njësoj si Monet nga reflekset e artistit, pikturon të dashurin e tij, djalin e tij të vogël, në shtratin e vdekjes. Kjo e preku shumë Monet, dhe ai i shkroi një letër shumë të ndierë Emile Zola-s.

    Babai i impresionizmit u shua nga jeta më 5 dhjetor 1926, por Impresionizmi mbetet ende sot si një ndër lëvizjet artistike më të rëndësishme në art dhe në botëkuptimin modern. Monet dhe të gjithë impresionistët e tjerë si Renoir, Cezanne, Pissarro, Degas, Manet, etj., e kthyen pikturën në burimin fillestar të artit: ngjyra e pastër dhe figura e pastër. Ata e çliruan artin nga referencat letrare dhe alegorike, duke shënjuar lindjen e artit subjektiv. “Unë pikturoj atë që shoh dhe jo atë që të tjerët më tregojnë,” u shpreh Monet kur ishte ende një artist i ri.

    Në ekspozitën e veprave të Claude Monet në Chicago në vitin 1996, 960,000 vizitorë shkuan për ta parë atë. Kjo tregon pëlqimin që ka ende dora mjeshtërore e Monet dhe stili i impresionizmit, i cili, si çdo fytyrë tjetër e artit të vërtetë arrin t’i rezistojë dhëmbëve të kohës.

    “Kur del në natyrë,” tha Monet, “kujto se çdo gjethe peme është po aq e rëndësishme sa edhe çdo tipar i një modele femre.” Dhe ashtu si Leonardo da Vinci, i cili bënte analogjinë e njeriut me natyrën, si mikrokozmos e makrokozmos, edhe Monet shihte një harmoni universale midis njeriut dhe natyrës, midis perceptimit njerëzor dhe dritës, të një bote organike dhe dinamike, në të cilën përvoja e një peizazhi mund të shndërrohet në përvojë të vetes. Dhe ai na la një trashëgimi të madhe përmes veprave të tij, jo thjeshtë për t’i soditur, por si ftesë për t’u përfshirë edhe ne në këtë përvojë e përjetim që na e ofron vetëm arti. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË