Shkrimi i mëposhtëm, i botuar në gazetën Shekulli më 25.01. 2008, po ribotohet në kuadër të debatit për gjuhën e njësuar dhe dialektin.
Po i shkruaj këto radhë me synimin që të jap ndonjë sugjerim për njohjen më mirë të gegërishtes nga përdoruesit e gjuhës standarde, sidomos nga të rinjtë. Kam qenë në moshë të vogël, besoj nga vitet `45-`46 të shekullit të kaluar, kur kam lexuar për herë të parë përrallat e mbledhura nga at Donat Kurti. Megjithëse jam me prejardhje nga jugu, nuk kisha ndonjë vështirësi të madhe për t`i kuptuar. I lexoja e i rilexoja, ngaqë më tërhiqnin shumë. Në fillim dihet që vetëm i merrja me mend fjalë si fërlik, orrl, rregj etj., kuptohej nga konteksti se fërliku ishte një haje, (më vonë mësova se ishte berr i pjekur në hell) se orrli ishte një shpend (shqiponja), se rregji ishte mbreti etj. Me kalimin e kohës u jam kthyer herë pas here këtyre përrallave të zgjedhura e të përpunuara me shije nga ai prift i ditur, dhe fjalët që s`kuptoja pakësoheshin. Shumë vjet më vonë, nga fundi i viteve `80, kur iu vura punës për të bërë unë vetë një përmbledhje përrallash, duke u bazuar në një përzgjedhje nga përrallat e Kurtit, nga botimet e Institutit të Folklorit e të tjera burime, pata kënaqësinë t`ia jepja edhe lexuesit të gjerë ato që kisha lexuar në vogëli, e që për dekada të tëra nuk mund të ribotoheshin, përveçse si botime akademike, se kriteri ideologjik i botimeve letrare për masat nuk i përjashtonte as këto krijime të popullit që vijnë nga shekujt. Nuk pengoi dialekti, qoftë ai i veriut qoftë ai i jugut, që lexuesi ta rrëmbente nga libraritë këtë botim, që pati një tirazh shumë të madh prej mijëra kopjesh. Po kështu nuk ka penguar sot dialekti shkodran që veprat e at Zef Pllumit të arrijnë tirazhe të larta botimi. Me këtë përmendje desha të vë në dukje se një lexues që di të çmojë vlerat e vërteta nuk stepet përpara vështirësish të tilla siç janë ato që mund të nxjerrë përdorimi i dialektit. Nuk besoj se lexuesi nuk do ta lexonte psh një vepër të I. Kadaresë ose të F.Kongolit nëse, ta zemë, këtyre shkrimtarëve do t`u lindte në zemër të shkruanin në gegërisht. Natyrisht nëse do ta njihnin mirë dialektin. Siç pati bërë në shtypin letrar të viteve `30 një shkrimtar tosk, në një prozë të këndshme, me një shkodranishte që s`i linte gjë mangut asaj të një shkrimtari shkodran. Pra, fakti që lexuesi i sotëm u shmanget veprave të shkruara në dialekt, mendoj se vjen së pari ngaqë përgjithësisht i mungon vullneti për të kapërcyer sadopak atë vështirësi që ka sjellë përdorimi për një kohë të gjatë vetëm i standardit; dhe së dyti ngaqë (le ta themi, dhe pa u hyrë shpjegimeve përse, meqë kjo kërkon një hapësirë më vete) në gegërisht nuk kemi sot kulme të tilla, siç janë veprat e autorëve të sipërpërmendur, që t`i imponohen lexuesit me një penë të fuqishme dhe realizime të mëdha artistike.
Të gjitha këto të vijnë në mend kur lexon shkrime të diktuara nga brenga e shqetësimi se lexuesi i shmanget dialektit verior. Brengë e kuptueshme dhe e përligjur. Por i papërligjur mllefi, subjektivizmi, ekstremizmi në qasjen ndaj këtij problemi, mungesa e propozimeve realiste dhe konstruktive për zgjidhjen e tij. Se s`ka asnjë vlerë të qahesh kundër gjuhës së njësuar. Kongresi i drejtshkrimit pati rrjedhojën pozitive se hymë edhe ne në rangun e popujve të zhvilluar që kanë një gjuhë letrare të përbashkët.
Por gjuhë e njësuar nuk do të thotë domosdo gjuhë e letërsisë artistike. Në ndalimin e përdorimit të dialektit edhe në krijimtari, këtu qëndron dhuna e padrejtësia e kryer ndaj gegërishtes, me rrjedhoja afatgjata të rënda ndaj gjuhës në përgjithësi, sepse dihet se të folmet janë përrenjtë që ushqejnë lumin e gjuhës kombëtare.
Kam punuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” kur është bërë kongresi i drejtshkrimit. Është e qartë se na përfshiu urdhri që edhe në krijimtari të përdorej vetëm standardi. Krijuesit shkodranë K.Jakova, Ll.Siliqi. M.Gurakuqi, S. Çefa etj., duke filluar prej një date të caktuar, me keqardhjen e madhe të tyre, por edhe të gjithkujt që e shijonte shkodranishten, duhej të hiqnin dorë nga kjo e folme e ëmbël. Po ashtu përkthyesit shkodranë të kryeveprave homerike. Kur u vendos të ribotohej Iliada, Gjon Shllaku u detyrua ta kthejë pérkthimin nga gegërishtja në gjuhën e njësuar. Çka, në këtë rast, ishte e mundshme dhe përkthyesi ia doli me sukses. Por ishte e pamundur një ndërmarrje e tillë për “Komedinë Hyjnore”, me ato tercina të rimuara përkthyer me aq mund e mjeshtëri nga Pashko Gjeçi. Prandaj kryevepra danteske nuk u ribotua dot, me gjithë mungesën që ia ndiente kultura jonë.
Për një gjuhë të njësuar nuk u vendos brenda ditës. Dihen përpjekjet për të afruar dy të folmet bazë të shqipes që janë bërë nga Komisia Letrare e Shkodrës aty nga fillimi i vitit 1917, ku u caktuan disa parime e rregulla për drejtshkrimin e shqipes. Si edhe përçapjet e Kristoforidhit e të Konicës edhe më parë, nga fundi i `800-ës. Në “Albaninë” e tij Konica nuk bënte thjesht teorizime rreth mundësive që ekzistonin, por jepte edhe modele konkrete si sugjerim për t`u vënë në përdorim. Dhe është interesante të vihet re sesa delikat e i kujdesshëm tregohet ai herë-herë për të mos shfaqur ndonjë parapëlqim për njërin a tjetrin dialekt, sidoqë vetë është nga jugu. Megjithatë, ashtu i paqëndrueshëm siç ishte në pikëpamjet e tij, nuk rri pa vënë në dukje epërsinë e toskërishtes. Kur flasim për paqëndrueshmëri pikëpamjesh lidhur me problemin e afrimit të dy dialekteve bazë, me synim shkrirjen e tyre në një gjuhë kombëtare, nuk mund të mos kemi parasysh se vetë problemi, shumë i ndërlikuar, detyronte luhatje qëndrimesh. Siç ndodh ende në ditët tona në pikëpamjet që shfaqen lidhur me rrugën që mund të ndiqej për të arritur te një gjuhë e njësuar.
Pas mbarimit të luftës, me vendosjen e një pushteti diktatorial, që në pjesën më të madhe përbëhej nga jugorë, ishte e qartë që peshorja do të rëndonte nga ana e toskërishtes. Por vendimi i prerë përfundimtar nuk erdhi menjëherë. Pati një sërë konferencash e konsultash për gjuhën, si në `52-shin, `54-ën, `55-n organizuar nga Instituti i Shkencave, si edhe botime të herëpashershme për problemin, derisa me themelimin e Akademisë së Shkencave, (1972) u ndërmor Kongresi i Drejtshkrimit, që vendosi përfundimisht për një çështje të shqyrtuar, të diskutuar e të mbetur pezull për një kohë aq të gjatë. (Planifikime për një gjuhë standard bënin nga ana e tyre gjuhëtarët e Prishtinës, siç trajtohet me imtësi dhe dokumentim të saktë në librin e R.Ismajlit: “Në gjuhë” dhe “për gjuhë”). Sado të themi se qe ndërhyrje e shtetit diktatorial të asaj kohe, në fund të fundit, u arrit të merrej e të vihej në jetë një vendim që u dha fund qëndrimeve aq të kundërta, luhatjeve, pavendosmërive, skepticizmit, që kanë karakterizuar diskutimet lidhur me njësimin e gjuhës letrare gjatë një shekulli; zgjidhja e këtij problemi, përndryshe, për kushedi sa kohë do të zvarrisej ende, dhe shqiptarët ende sot, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, do të vazhdonin të ishin pa një gjuhë të njësuar, e cila, siç thotë E.Çabej, “është tregues i shkallës së kulturës së një populli; një popull i kulturuar ndër të tjera dallohet edhe për një gjuhë shkrimi të formuar e të njësuar.”
Tani është e udhës të shihet si mund të rifitohet ç`është humbur nga gegërishtja, si mund të riaktivizohet në letërsinë artistike, si mund të afrohet lexuesi tek ajo, e sidomos rinia. Janë krejt pa dobi mllefet, të përcjella me një fjalor të dhunshëm, plot shprehje të forta, me një subjektivitet të skajshëm, me mungesë të plotë tolerance për mendimin e tjetrit, nga të rinj të politizuar që nuk duan të ndjekin shembullin e të vjetërve, pra të atyre që e pësuan dhunën drejtpërdrejt dhe prapë kjo nuk ua egërsoi shpirtin, siç e dëshmuan kur patën mundësi të shpreheshin lirisht për dhunën e pësuar.
Një nga masat qè propozohen për njohjen e dialektit verior është të futet ky në programin shkollor si lëndë mësimi. Sikur të jetë gjuhë e huaj! Le ta shohim problemin në rrafsh praktik. Pra, nxënësve do t`u mësohet se nënës në shqip i thonë edhe nanë, ose se shqipja ka edhe paskajoren etj. A nuk është pak si fyese për zgjuarsinë e nxënësve? Mos u mësohet napolitançja në shkollë italianëve? Megjithëse është më larg italishtes standarde se ç`është shkodranishtja nga shqipja standarde. ( Një albanolog skandinav ka theksuar se dialektet e shqipes nuk janë aq larg nga njëri-tjetri sa ato italiane) A nuk ka mënyra bashkëkohore për t`u ngjallur lexuesve të sotëm interes për gegërishten? Dhe jo thjesht për gegërishten por për tërë një kulturë e një letërsi të shkruar në këtë të folme?
Dy janë përfitimet e mëdha që ka nxënësi e përgjithësisht lexuesi të familjarizohet me dialektin e veriut. Së pari do të jetë në gjendje të shijojë krijimtarinë e traditës letrare gege: krijimtari poetike, dramaturgjike, narrative, studimore, etj.
Përfitim tjetër i madh prej njohjes së dialektit është pasurimi i gjuhës së njësuar.
Por për t`i arritur këto synime duhet një vullnet i fortë, me ndjekje të vazhdueshme të problemit, me diskutime e propozime të vlefshme dhe realiste, në mënyrë që të arrihet një sensibilizim e një përfshirje e institucioneve, e mediave, e arsimtarëve, e shkrimtarëve, e mbarë shoqërisë.
Në shkollat italiane nxënësve u mësohet gjuha e Dantes nëpërmjet shënimeve në tekst, që mund të zënë më shumë se gjysmën e faqes, për shpjegimin e fjalëve të dala jashtë përdorimit, se kanë kaluar jo pak por rreth 700 vjet që kur shkroi fiorentini i madh. Shkollat tona sot paskan vështirësi t`u mësojnë nxënësve gjuhën e veprave të shkruara qoftë edhe para gjysmë shekulli! Për t`ia bërë të njohur Danten jo vetëm nxënësve por edhe publikut të gjerë ndërmerren recitime të kryeveprës së tij në kanale televizive nga artistë të mëdhenj, si Vitorio Gasman, para disa vjetësh, e Roberto Beninji sot. Ky artist i mrekullueshëm po tregon gjithë gjeninë e tij me mënyrën entuziaste e plot frymëzim se si, pasi i shpjegon, i komenton, i ndan e pastaj i bashkon prapë vargjet, i reciton pastaj në gjuhën e origjinalit po edhe në italishten e sotme këngët e poemës së pavdekshme danteske, duke na dhënë, me një tërheqje gjithëpërfshirëse, tërë madhështinë, thellësinë e freskinë e saj edhe pas kaq shekujsh. Për sa u përket dialekteve, këto ruhen sot nëpërmjet këngëve, (le të kujtojmë këngët aq të bukura napolitane), pjesëve teatrore, skeçeve televizive, etj. Megjithatë, megjithëse i duan dhe i ruajnë të folmet krahinore, (një profesor italian nga ishulli i Proçidës më thoshte se italishtja për ata ishte si gjuhë e huaj që e mësonin në shkollë), prapë një italiani nuk i pëlqen të bëjë figurë të keqe duke folur në dialekt në publik. Po të qëllojë funksionar shtetëror, ky nuk u shpëton talljeve e përqeshjeve. Është një mësim edhe për ne shqiptarët. Funksionarët shtetërorë duhet të jenë të parët që të tregojnë seriozitetin dhe kulturën e tyre duke respektuar standardin. Të parët edhe të ndërmarrin rifitimin e humbjeve në gjuhë.
Por ç`t`i kërkosh një shoqërie që po tregohet e pandjeshme ndaj humbjesh edhe më të mëdha, siç është përçudnimi i gjuhës. Mbetem e habitur dhe e dëshpëruar kur shoh se si po kalon pa u trajtuar, pa u marrë në shqyrtim, pa u bërë problem madhor i shtetit, i mediave, i shkrimtarëve, i vetë gjuhëtarëve pikërisht përçudnimi i gjuhës. Sa me lehtësi po perdoren fjalë e shprehje krejt të huaja për shqipen! Se si po goditet vetë struktura e gjuhës! Po edhe kjo është prapë më pak e rëndë se diçka tjetër edhe më e shëmtuar: përçudnimi që i bëhet dijes. Në kulturën e një populli ka probleme të ndryshme, disa më shumë e disa më pak të rëndësishme. Mençuria e një kombi qëndron në të kapurit e problemit kyç, zgjidhja e të cilit lehtëson zgjidhjen e të tjerëve. Dhe ç`gjë mund të ketë më të rëndësishme se respekti për dijen? Përpara se të flasë a të shkruajë në dialekt a në standard, me një gjuhë të pastër apo të përmbytur me fjalë të huaja, në gjuhën e vet apo në gjuhë të huaj, njeriu, mbi të gjitha, duhet të jetë i pajisur me dije të sakta. As një fshatari të pashkollë nuk i lejohet të mos i dijë saktë ato gjëra të thjeshta që lidhen me punët e tij bujqësore a blegtorale. Por ai edhe po s`i diti nuk dëmton njeri përveç vetes. Merreni me mend sa i dëmshëm bëhet një “ i shkolluar” kur u përcjell të tjerëve njohuri që truri i tij i ka fiksuar për së mbrapshti, duke treguar me këtë se ka mbetur i pakultivuar, me gjithë shkollën që ka bërë! Dhe ja ku kemi arritur. Në mediat tona, në institucionet, në tekstet shkollore s`kanë të numëruar rastet e dhënies gabim të njohurive, të koncepteve, të fjalëve. Pra, një dukuri që përbën një anomali të paparë gjëkund është kthyer në normalitet. Dhe, për çudi, këto probleme nuk zënë ballin e vendit. Po pse? Sepse nuk japin dorë të shfresh mllefet politike. Sepse dhunimin gjuhës kombëtare e dijes ndërkombëtare ia bëjnë të gjithë krahët e politikës. Kështu shohim se gazetat, që shkruajnë psh se “Si kohë Naimi vjen pas Fishtës” vazhdojnë të shiten, funksionarë shtetërorë që thonë: populli ynë inspiron, (për aspiron) vazhdojnë të duartrokiten, drejtues televizivë që thonë plot broçkulla përgëzohen nga dëgjuesit! Ky është problemi nr. 1 i kulturës shqiptare dhe që duhet t`u prishë gjumin intelektualëve shqiptarë. Të ngjallet vullneti dhe ambicia për t`i mësuar drejt e saktë dijet. Shkollat tona të nxjerrin të rinj të arsimuar e jo gjysmë të arsimuar. Atëherë mund të kemi shpresë që të rinjtë, duke pasur përgatitjen e duhur, do të arrijnë ta duan e ta vlerësojnë shqipen në gjithë pasurinë e saj, dhe kështu do të jenë në gjendje ta kapërcejnë dialektin si pengesë për të shijuar vlerat.
Ndërkohë, shkrimtari i brengosur e me dy mendje “me shkrue a mos me shkrue”, mund t`i japë një dorë ndihme procesit të njohjes së gegërishtes. Atë kohë e mund që harxhojmë për t`u ankuar mund ta shndërrojmë në energji pozitive, duke nxitur me shkrime, apo edhe me përfshirje të drejtpërdrejtë, aktivitete të ndryshme, si psh organizim pasditesh letrare me recitime pjesësh të zgjedhura nga shkrimtarët gegë; emisione televizive sipas shembullit italian të sipërpëmendur; olimpiada mes klasash shkollore për të nxitur të njohurit dhe të shijuarit e letërsisë së këtij dialekti; botime antologjike nga letërsia më e mirë e veriut (përfshirë përzgjedhje nga folklori aq i pasur), më shumë rekomandim veprash nga kjo letërsi si lexime jashtëshkollore për nxënësit, etj.
Siç thotë Nënë Tereza: “Në vend që të ankohesh për errësirën, më mirë ndiz një qiri”.