More
    KreuTeatër“Dome” pati një lindje të vështirë...

    “Dome” pati një lindje të vështirë…

    Nga Stefan Çapaliku

    Historia e monodramës “Dome” është një histori sa suksesi aq edhe dështimi.
    “Dome” është një tekst i shkruar enkas për aktorin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Enver Hysenin. Shkrimi i saj është produkt i një vëmendjeje të zgjuar gjatë bisedave të gjata me aktorin ndër procese pune apo ndenje të rastësishme. Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë këtyre bisedave, ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën së cilës i përkisnin. Më ka përshtypur gjithashtu edhe thjeshtësia e tregimit, veçanërisht mungesa e mllefeve dhe inateve. Si çdo person tjetër, edhe Enver Hyseni e ka jetuar kohën e vet herë ndër margjina e herë në kryeradhë; e ka jetuar brenda tragjizmit dhe komikes; e ka jetuar në varfëri dhe në lavdi; vetëm dhe me shokë; me mish e me shpirt. Pra, kam dashur të shkruaj dhe më vonë të ndërtoj një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, pardoni, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë. Kam dashur t’i qasem prej së afërmi teatrit dokumentar.
    Dhe vendosa t’i përgjigjesha thirrjes për projekte që kishte shpallur Bashkia e Shkodrës në fund të vitit 2017. Hartova për këtë punë një dosje të plotë, duke plotësuar të gjitha kërkesat në respekt të nivelit të nderit të atij komisioni vlerësues. Futa brenda tekstin, platformën regjisoriale, skicat skenografike, disa shënime motivuese dhe gjithçka tjetër që duhej për t’ua bërë sa më vizibël zotërinjve dhe zonjave të këtij këshilli shfaqjen e ardhshme.
    Dhe duke bërë këtë gjest, kohë më vonë kuptova se po bëja një nga gabimet e radhës të jetës sime, që nuk janë të pakta. Pra, me dy fjalë, po dorëzoja nderin tim profesional në duar të disa personave që, në përgjithësi, kishin lidhje të tërthorta me Teatrin. Kujtoj këtu se komisioni përbëhej nga dy profesorë letërsie, një historian arti, një skulptor, një mësues i edukimit fizik, një zonjë (me gjasë juriste), të gjithë të mbledhur në zyrën e Kulturës së kësaj bashkie, kryesuar nga një tjetër zonjë (me gjasë ekonomiste).
    Dhe, në fakt, asnjë përgjigje zyrtare nuk më erdhi prej atij komisioni. Në formë thashethemesh mora vesh se projekt-propozimi nuk qe miratuar, përveç të tjerash, edhe për faktin se një ekip “specialistësh” nga Teatri kishte shkuar të kontaktonte me komisionin në fjalë, duke dhënë një dorë të mirë në dobi të kauzës së mosmiratimit.
    Kurioz për mosmarrjen e një përgjigjeje zyrtare, më në fund, mësova se përgjigjen duhej ta gjeja diku në faqen zyrtare të Bashkisë. Pra, ideja ishte se unë duhej ta lexoja përditë këtë faqe, derisa të gjeja lajmin e keq. Ky proces do më vlente në kalitjen e durimit. Por meqenëse unë nuk jam durimmadh, i shkrova gati një vit më vonë dhe prapë nuk mora përgjigje. Pra, drejtoria në fjalë përtonte t’i përgjigjej dosjes sime me dy rreshta. Kërkova procesverbalin e mbledhjes dhe nuk ma dhanë kurrë, aq sa u binda se nuk ka pasur një të tillë. E vetmja gjë që mësova me siguri, ishte që propozimi im qe mbrojtur nga i vetmi person që merrte vesh nga teatri, një studiues i shkëlqyer i dramaturgjisë kombëtare, dr. Gëzim Puka. Kështu që mbas një viti nga refuzimi i Bashkisë së Shkodrës dhe mbas katër vjetësh nga data e shkrimit, monodrama “Dome” u prit si nga një mami e panjohur nga Teatri Kombëtar Eksperimental në Tiranë.
    Kështu që “Dome” nisi të sillet nëpër skenën e Tiranës me një valixhe në të cilën kishte sistemuar me kujdes gjithë jetën e vet. Jeta e tij mundej me qenë edhe diçka më e vogël se ajo valixhe, por atij kështu i pëlqente. Sepse duhet ta dimë që ka njerëz që nisen për të shkuar në atë jetë edhe me duar ndër xhepa. Por Enver Hyseni e kishte marrë seriozisht që ta përballonte burrnisht fundin e karrierës së vet, tashmë në një qytet që nuk i përkiste, si Tirana. Kësisoj, ai dëshmon se është një figurë deheroizuese dhe që e merr të gjithën si lojë. Si një lojë shpesh e luajtur pa rregulla e pa arbitër. Enver Hyseni ose “Domja” ime ka shitur gjithçka, përveç shpirtit e nderit. Ai e ka kuptuar më thjesht se shumëkush tjetër se të gjithë ne jemi aktorë dhe se madje aktorët që nuk luajnë në teatër janë ku e ku më të zotë se ata që marrin rrogën për të interpretuar. Pra, “Dome”, ashtu si pa dashje, u paraqit si një hero i kohës sonë. Sigurisht që në atë rrëfim jam edhe unë. Unë kam kryer një akt postproduksioni duke i montuar copat e jetës së “Dome”-s në një ritëm dramaturgjik që ndjek disa rregulla, si suspansat, kulminacionet, shpërthimet agresive e humored e pauzave vepruese.
    Kështu që “Dome” e mirëpritur tashmë nga Teatri Eksperimental u prit në Tiranë me një valë duartrokitjesh të pambarimta dhe korri kështu një sukses larg parashikimeve tona, sidomos larg parashikimeve të atij komisioni të nderuar refuzues që kishte thënë se “Dome” do mund të kuptohet vetëm në Shkodër e askund tjetër.
    Por ja që monodrama “Dome” erdhi në Teatrin e Shkodrës si një dështim i plotë në pikëpamje të numrit të spektatorëve. E pabesueshme, por “Dome” në tri net ka pasur vetëm 77 bileta të shitura, vetëm me 200 lekë copa. Oh, sa do dëshiroja që dikush të dilte e të na e shpjegonte këtë të vërtetë! Do më pëlqente shumë sikur dikush të dilte e të argumentonte se “Dome” nuk ka pasur spektatorë, sepse është një tekst i dobët, është regji e dobët, është interpretim i dobët apo të tria bashkë. Do kishte qenë gjithashtu i mirëpritur ai që do shkruante apo thoshte se “Dome” nuk ka pasur spektatorë, sepse në të njëjtat ditë dhe orë me “Dome”-n në qytet ka pasur një premierë filmi, një operë, një ekspozitë pikture apo një koncert simfonik. Po kështu kishte qenë melhem fakti se shfaqja nuk ka pasur publicitetin e duhur. Por kur kujtohem se të gjitha televizionet lokale e kanë transmetuar kronikën e shfaqjes në të gjitha edicionet e lajmeve, kur mësoj se facebook-u i Teatrit ka mbi 5000 miq, se facebook-u im ka gjithashtu 2500 të tillë, kur shoh se lajmin e kanë përcjellë disa gazeta qendrore dhe portale të rëndësishme lajmesh, atëherë më rezulton se përgjatë këtyre tri netëve kanë ardhur afërsisht 0.01% e njerëzve që e kanë pasur këtë informacion.
    E nëse dikush nuk del të më japë një shpjegim të arsyeshëm mbi këto çfarë po ju them, mbajeni mend se kjo atëherë do mund të lexohet si një shenjë e keqe. E keqe sa s’ka.
    Kur njerëzve u vdes kurioziteti, kjo do të thotë se atyre po u vdes motivi për të qenë të pranishëm në qytetërim. Do më pëlqente shumë që të paktën njerëzit e Teatrit të vinin në teatër. Por jo. As njerëzit e kulturës nuk erdhën të shihnin teatër, as njerëzit e universitetit nuk erdhën të shihnin teatër dhe larg qoftë, as njerëzit e bashkisë nuk erdhën të shihnin teatër. Dhe ç’është më e keqja e të këqijave, as shumica absolute e njerëzve të komisionit nuk erdhën që të mund të verifikonin drejtësinë e vendimit të vet. Dhe e vërteta e “Dome”-s ndërkohë avullon. Avullon dhe kthehet prapë ndoshta.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË