Triologjia, “Secili çmendet sipas mënyrë së vet”, e Stefan Çapalikut, e cila është në fakt një vepër vetme, e shkruar në tre kohë, më ka ngacmuar pasi ka kaluar pak kohë nga leximi i saj.
Sapo doli e lexova, e vendosa ndër librat e
lexuar, e lashë të flejë dhe të qetësohet.
Them se është një vepër e vetme, pasi, sipas perceptimit tim, autori ka
vendosur të kthejë kryet pas për një çast dhe me një shikim të vetëm ka rrokur
rreth 50 vjet të jetës
së tij dhe të
qytetit
të tij Shkodrës, por që
dalëngadalë, si
pa u ndjerë, në formën e rrathëve koncentrikë, me rritjen dhe lëvizjet e autorit, ka
përfshirë gjithë shoqërinë shqiptare, nga viti ‘67 deri sot, dhe është ulur të
shkruajë pa i ndalur gishtat mbi tastierë. Çfarë
nuk
gjen aty brenda: humor, sarkazëm,
histori,
personazhe të vërtetë dhe të
stisur,
natyrë, karaktere, dhimbje,
dëshira të realizuara dhe të ndrydhura, pasion, ndjenjë, entuziazëm, joshje,
romancë, ikje dhe ardhje, ikje pa
ardhje e ardhje pa ikje. Por mbi të gjjtha aty gjen atë vetë, Tefën, i cili
bëhet bashkëudhëtar i kohës, duke u rritur si pa kuptuar:
fëmijë, adoleshent, i ri, student, burrë, bashkëshort, babë, mësues, profesor e
shkrimtar. Përgjatë këtij udhëtimi autori ruan gjithmonë një kënd të
privilegjuar vëshguesi edhe atëherë kur i duhet të jetë protagonist.
Kur vendosa të shkruaj këto rreshta ndodhesha në udhëtim. E çuditshme, sepse edhe dy pjesë të triologjisë i kam lexuar në udhëtim, madje në avion. Metafora e udhëtimit, e sidomos e udhëtimit në lartësi, është ajo që i rrin më së miri kësaj triologjie për faktin se autori rrugëton pandërprerë dhe duket sikur ka dikë për të shoqëruar në këtë udhëtim duke e parë nga lart. Ashtu si në jetë autori nuk e len bosh lexuesin e tij, por i krijon një lloj tendosje pritshmërie: çdo të ndodhë më pas?
Dikush që shkruan nuk shkruan vetëm për vete. Do të japë një mesazh dhe më duket mua se mesazhi është për shoqërinë tonë në këtë udhëtim tranzicioni. Por jo vetëm. Stefani shkruan edhe për fëmijët e tij e moshatarët e tyre, si për t’i bërë pjesë të një kohe që ata nuk patën fatin e mirë apo të keq ta jetojnë. Por ai do që ata ta dijnë. E më në fund autori shkruan për veten e tij. Shkrimi e sidomos ai autobiografik i cili është me shumicë brenda triologjisë kthehet në një farë terapie për vetë atë. Në fakt shkrimi autobiografik ncjerr nga sirtari jo vetëm gjarje, por sidomos ndjenjat e lidhura me ato ngjarje e duket sikur i ripërjeton, por tashmë i rritur dhe nga këndi i objektivitetit.
Dy kalime më kanë mbërthyer në këtë roman me tre pjesë. Ose më mirë dy kalime dhe një intermexo.
E para: viti ‘67. Elementi religjioz tek autori është i theksuar edhe pse jo me nota fanatike. Për ata që, sikurse unë, e njohin nga afër Stefanin, ai di të rrijë me religjionin në distancat e duhura. Ai ka një mendim religjioz të caktuar dhe e ka të tijin. E thotë por e di se nuk është i vetmi këndvështrim. Shembja e kumbanores së Gjuhadolit është shprehur me nota të theksuara dramaticiteti. E aty ndërhyn ardhja e televizorit në shtëpi. Epoka e re që po lindtte duket sikur i zë vendin një epoke tjetër, të paktën në pamje të jashtme. Në fakt ky kalim nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Në Europë, pikërisht në vitet 60’, religjionit, sidomos atij katolik, iu desh të përballej me gjërat e reja e të bënte llogaritë me ta. Tek ne në Shqipëri religjioni dhe gjërat e reja nuk qenë pjesë e një procesi dialektik normal, por pjesë e një skenari dhune. Nuk pati transformim, por pati shembje. E shembja është traumë. E nuk mund të rindërtohet nëse nuk shërohet trauma. Autori e sjell bukur dhe tragjikisht këtë moment shembjeje edhe pse mbetet një traumë që duhet elaboruar. E kjo shembje e kumbanores ishte vetëm njëra prej traumave që gjenden aty brenda. Do të vijnë të tjera më pas: arrestime, burgosje, vdekje, arratisje, ikje pas vieteve 90’ e kështu me rradhë. Shembja po ashtu ndërpret edhe intimitetin e prindërve të tij, një traumë tjetër kjo: diktatura dhe intimiteti, diktatura dhe dashuria.
Ndërmjet dy kalimesh ka disa intermexo, por unë dua të sjell njërën prej tyre: Dashuri në kohën e diktaturës. Dashuria ka pasur gjithmonë princër e princesha, por edhe grabitës e vrasës ndjenjash. Ashtu ka qenë qysh në krye të kohërave. Dashuria fundosi Trojën te Homeri, ajo u helmua te Romeo e Xhuljeta e Shekspirit, po ashtu mundoi Luçinë e Renzo-n te Manzoni. Në kohën e diktaturës ajo njohu zvetënimin e pushtetit. Ashtu është historia e Ana B., në këtë trilogji romanore, e ndërthurur ndërmjet poezisë, dashurisë së ndaluar e kurrë të shprehur të rrëfyesit dhe martesës konvencionale me një zyrtar të kohës. Duke pasur parasysh se jeta një herë jetohet, por dëshira për të është e pafund, shumë njerëz zgjedhin ta jetojnë dyshtas: një formale e të hapur e tjetrën autentike e të fshehur. Ana B. zgjedh diçka tjetër, ashtu si shumë gra të regjimit: të bëjë vetëm jetën formale.
Kalimi i dytë, i sjellë me nota të theksuara humori dhe sarkazme, është
historia e Vaso Papajanit që bën shtëpinë e re në Tiranë. E jemi në vëllimin e
tretë. Përtej një historie të caktuar, e përzjerë me stisje dhe të vërteta, mua
më ka shërbyer si metafora e asaj çka ndodhi e po ndodh me shoqërinë shqiptare.
Njeriu i ri doli krejt i copëtuar dhe pa një orientim nga sistemi i kaluar komunist: një njeri oportunist, por edhe i zbrazur. Zbrazja që i kishte ndodhur dhe shembja e brendshme e regjimit e la në mes të rrugës njeriun shqiptar: pa një dinjitet, pa një banesë, që do të thotë pa mbrojtje e pa intimitet. Një grua shtatzënë, Parashqevia e Vasos, është simbolika e një bote të re që do të lindtte. Po ku?
Te një pallat i nisur me karabina të shtetit dhe që duhej të mbarohej tashmë nga njeriu i braktisur në mes të katër rrugëve? A mund të ndërtohej Shqipëria e re mbi fabrikat, uzinat e kombinatet, që tashmë nuk kishin asgjë moderne e nuk mund të shërbenin më për asgjë? Apo mbi institucione e njerëz që u vinte era myk dhe krim? Nuk mund të funksiononte aspak kjo gjë. Mbi çka kishte lënë përmbrapa regjimi nuk mund të ndërtohej asgjë, sepse paradoksalisht nuk ishte tokë e askujt dhe njëkohësisht e të gjithëve. Ku do të lindtte ajo botë e re – foshnjë? Pyetja është dramatike. Asgjë nga bota e vjetër që u ndërtua për 45 vjet nuk mund të jepte garanci për një të ardhme. Nuk mund të ishte djep apo maternitet që garantonte një të ardhme.
Ku atëherë? Autori gjen zgjidhjen, më dramatiken, pothuajse e detyruar, përballë të cilës dorëzohet: në oborrin e fakultetit, te laboratori i Institutit, por që në fakt është vend abuziv, pra vendi i gabuar. Univesiteti, universitas, gjithësia e dijeve “zaptohet” nga një privat dhe vihet në funksion të tij. Për botën e re, për Shqipërinë e re nuk ka një vend ku të lindë ose gjendet vendi i gabuar ose ai abuziv.
A nuk është kjo historia jonë e tranzicionit dhe sidomos e arsimit universitar? Në fakt autori me tranzicionin nuk pajtohet kollaj ose më mirë me këtë lloj tranzicioni. Disa nga daljet e tij publike të kohëve të fundit duket sikur kanë gjetur një vend tjetër ku ai fëmijë lind dhe të rritet: jashtë Shqipërisë. Kjo për të mirën e fëmijës. Ai nuk është i lumtur e as entuziast për këtë, por nuk i kanë lënë rrugë tjetër.
Ndërsa Patër Zef Pllumi shkruante triologjinë e tij “Rrno për me tregue” ai tregonte jetën brenda mureve të burgjeve komuniste. Çapaliku në triologjinë e tij tregon atë çka ndodhte jashtë. Tregon dhe reagon nga jashtë dhe në mënyrën e tij. Me personazhet negative Patër Zefi përdor mëshirën e krishterë. Stefani jo! Ai përdor ironinë dhe sarkazmën, por nuk është hakmarrës.
Të vetmet herë që autori ka përdorur neveri është me disa personazhe që në fakt ta ngjallin atë. Por nuk e len veten skllav i neverisë. I ironizon ato personazhe e nëpërmjet ironisë i ekzorcizon, i nxjerr jashtë loje përgjithmonë: të padenjë për qytetin e njeriut. Me qytetin e Zotit autori nuk merret, sepse e din cakun e vetes së tij.
Patër Zefi deshi të shkruante një vëllim të katërt, por nuk e bëri. E thonte gjithmonë që do ta bënte. Dikush thotë që i ka munguar koha. Unë them jo: ai nuk deshi ta bënte. Dhe unë e di pse.
Nuk e di nëse Stefan Çapaliku do të shkruajë një vëllim të katërt. Bashkohësia mund të shkruhet sigurisht.
Po njëkohësia?