More
    KreuLetërsiBibliotekë"Djali nga qyteti", tregim nga Artur Spanjolli

    “Djali nga qyteti”, tregim nga Artur Spanjolli

    Ai rrinte me mëdyshje ngjitur pas murit. Nuk dinte akoma ç të bënte. Do të ishte më mirë të futej në dhomë apo jo? Nga pas murit vinin zërat e burrave të cilët bisedonin me një ton të lehtë dhe dashamirës. Vinte gjithashtu aroma e fortë e dyllit të bletës. Ajo aromë mbytëse, dehëse e hojeve të sapo vjelura. Kur fuste kokën tek kazani ku mblidhej mjalti i trashë, aroma ishte aq e fortë dhe dehëse sa i pushtonte flegrat e hundës, i futej me alarm nëpër mushkëri duke arritur deri në ndërgjegje. Një aromë që arrinte ta veliste tërësisht, dhe pastaj gjëja e parë që bënte ishte ta refuzonte ngrënjen e mjaltit.

    Demiri ishte mjeshtër në artin e bletëve. Dinte gjithçka mbi to. Zërat e burrave vinin akoma përtej murit, nga dhoma e miqve. Ai tetë vjeçar nguronte të futej brenda. C do të bënte atje? Në përgjithësi, nëpër shtëpiat e xhaxhallarëve, kur ato ishin në punë ai bridhte gjithkund i lirë, sidomos gjatë orëve të nxehta të gushtit, kur dielli i mbasdites gati sa nuk plaste tjegullat nga tmerri i vapës dhe heshtja e dhomave thyhej vetëm nga zhurma e mizave në ajër.Gjithmonë në atë orë, nuk kishte asnjeri nëpër tre shtepitë e tyre.

    Ato, jo vetëm ishin puntorë te palodhur, por kush jetonte në fshat, kishte gjithmonë diçka për të bërë. Ai rrinte nën heshtjen mbytëse të sallonit duke pritur që Betimi apo Naimi të ktheheshin nga punët e bujqësisë. Por shpesh, i kapur befas nga malli, dëshironte të ishte në qytet. Donte të ishte atje, duke lozur me shokët poshtë pallatit.

    Atë mbasdite ishte krijuar një gjendje pak si e sikletshme. Në përgjithësi rrinte mirë ne të tre shtepiat e kusherinjve, shperndare mbi koder nga ku veshtrimi perqafonte pafundesite.

    Tani rrinte i vetem prapa murit, me zemrën që i rrihte fort. Donte te hynte mes burrave, por aty e pengonte prania e diçkaje, e dikujt. E diçkaje dhe e dikujt. Ishte një histori që kish ndodhur vite më parë. Një histori të cilën e kishte dëgjuar kushedi sa herë netëve të dimrit në familje, por të cilën nuk e kishte kuptuar kurrë si duhet. Mbi të gjitha, nuk i kishte dhënë asnjëherë përgjigje. Përkundrazi, kish prodhuar tek ai një largim instiktiv nga të tjerët. Doemos, që do dëgjonte prindërit. Si e mendonin ato, ashtu duhej ta mendonte edhe ai. Duhej t’i dëgjonte, ai ishte pjesë e atij mendimi, ajo ishte e verteta e familjes. Në atë moshë, kur akoma njeriu nuk din si të sillet, nuk e ka akoma mënyrën e vet të të menduarit, ai duhej ta mendonte si ato. Të rriturit. Prindërit e tij.

    Tani, tek rrinte mbeshtetur prapa murit, dëgjonte bisedën dhe nuk kuptonte diçka. Ato të dy, ardhur nga qyteti ishin aty, nuk flisnin mes tyre por megjithatë ato nuk shmangeshin. E dinte mirë, por ama, tani ishin të gjithë bashkë. Me kusherinjtë e tjerë, ashtu siç qëndrohej mes burrave. Si ishte e mundur? Mund të rrinin bashkë dy persona të cilët nuk i kishin lënë pa thënë asgjë njeri tjetrit? Ishte e mundur diçka e tillë? Ishte e mundur pra të kryqezoheshin vështrimet e tyre? Ç pyetje mund t’i drejtonin njëri tjetrit? Ishte e mundur paqja mes dy krijesash të të njëjtit gjak të cilët, prej vitesh tashmë, kur ecnin rrugës, bënin sikur nuk e njihnin më njëri tjetrin?

    Shumë pyetje që i vinin nëpër mend donin përgjigje. Ai, djaloshi tetë vjeçar, nuk ishte i aftë t’i gjente ato. Ku qëlluan xhanëm, të dy familjet, ishin gjendur aty, në të njëjtën kohë.

    Ishte kohë rrushi, fiqsh dhe bletësh. Ndodheshin në fshat. Aty ku babai tij kish lindur dhe akoma gjashtë vjeçarë, bashkë me familjen, ishte spostuar në qytet.

    Ishte fund gushti. Ndërsa ullinjtë vileshin në vjeshtë. Në vjeshtë nuk kish qenë asnjëherë. E njihte atë vend vetëm në gusht. Nën piskun e vapës kur pluhuri i thatë dhe i nxehtë i xhades ngjitej nëpër këmbët e zbathura. Tregonin se në vjeshë, me shirat dhe baltën që ishin të pa durueshme, të jetoje aty ishte një ferr i vërtetë.

    “Pra e paskan shtyrë natën gardhin komshinjtë!”

    “Po, more burrë. Ato nuk kanë të drejtë! Ne i njohim kufijtë! Jemi këtu prej vitesh!”

    “Pastaj ç’ndodhi? U kapët burra e gra me vegla pune!”

    “Ato na ranë në qafë vetë, na provokuan!”

    “Ketu duhet forca e rendit. Vetëm ato mund të vendosin rregullin!”

    “Të lutem Bio. Më ndihmo. Unë jam i vetmi burrë që mbroj këto tre shtepia. Hekurani vdiq. Beqo si Beqo, gjithmonë në punë. Nuk jetohet me frikën se mund të bëjnë si t’i dojë qejfi! Ky vend ka zot! Ti njeh në qytet shumë njerez. T’ia mbyllim gojën një herë e mirë!”

    “Unë të ndihmoj, por ti mos bëj si ta thotë koka. Deri sa të zgjidhet kjo punë, ti rri urtë! Përndryshe rrezikon burgun!”

    Ai, nga prapa murit, vazhdonte të dëgjonte gjithçka. Nga aty ku ishte, shihte kokën plot kaçurrela mishtore dhe trupin e bëshëm dhe të shkurtër te axhës, i cili kur qeshte tregonte dhëmbin e argjendtë. Nga aty dallonte optimizmin prej babaxhani të atij burri, të cilin e njihte fare pak.

    Figura e tij kishte qenë gjithmonë si një hije misterioze. Një prezencë në distancë, aq shumë shamata kishte dëgjuar për të. Në ndërgjegjen e tij prej fëmije, axhës nuk duhej ti afrohej.

    Nuk kuptonte. Si mund të mbahej larg një njeri i cili nuk i kishte bërë asgjë të keqe?

    Ishte ngazëlluese tek i shihte tani bashke të dy “armiqte” e një gjaku. Ndoshta një tabu fëmijrije po binte? S po kuptonte. Ato urreheshin por tani, qeshnin, diskutonin dëgjonin.

    Përtej murit vinte zëri i babait. Zëri i tij i mprehtë, i lartë, dominues.

    Me siguri të rriturit gjykonin ndryshe. Nuk flisnin, por kur duhej ato flisnin duke u shtirur sikur të mos kishte ndodhur asgjë. “Sa për sy e për faqe!” kishte dëgjuar nga plakat e lagjes. Ndryshe nga fëmijët të cilët kur mbanin mëri, mbanin mëri me gjithe shpirt, të rriturit paskan kodet e tyre.

    Një ngazëllim fëmijror gati i pashprehshëm me fjalë, një emocjon i paimagjinueshëm e pushtoi gjithkund. Ishte sikur dikush ti fliste me shumë dashuri.

    Me siguri, mendoi, silleshin ashtu për rrespekt të mikut të shtëpisë. Me siguri shkëmbenin fjalë sa për sy e faqe. Ishte një situatë e çuditshme. Diçka nuk shkonte.

    Me zemrën që po i shkallmonte gjoksin, dy tre herë ishte bërë gati të hynte. Në heshtje të ulej mbi minder dhe të dëgjonte më të medhenjtë, i dehur nga ai ngazëllimi fëmijror. Donte që gjithçka të ishte perfekte, por tepër i emocjonuar, ndërroi mendje.

    Druhej. “Sot nuk është momenti!” mendoi. Shpesh ulej dhe dëgjonte bisedat e më të mëdhenjve. Kishte mësuar shumë histori nga të mëdhenjtë. Filloi t’i rrihte zemra fort nga emocjoni dhe filloi të dridhej. Një dallgë e shpirtëzuar e rrëmbeu në çast si një erë e marrë emocjonesh të panjohura, kurjoze. Vrapoi jasht sapo pa siluetin e Bardhit që rrinte poshtë ullinjve. “E din që tek Kisha, ka një thesar?” i pëshpëriti ai. Djali nga qyteti e pa me kujdes. “Ç thesar thua?!”

    “Atje tek rrenojat e Kishës se vjetër të spanjollëve, fshihet një thesar!”

    “Kush ta ka thenë?!” pyeti ai, më zë të ulët.

    “Arkeologë nga Tirana. Ato na e kanë thënë!”

    “Kanë gërmuar?!”

    “Po. Kanë gjetur vetëm vazo të vjetra, dhe monedha deri tani!”

    “Shkojmë atëherë. Marrim kazma dhe lopata dhe ikim!” shtoi tjetri. U betuan ta mbanin sekret atë çfar kishin ndër mend të bënin. Rrëmbyen veglat e punës dhe iu futen rrugës për të shkuar tek kodra ku gjendej: “Qisha”.

    Dielli përcëllonte dhe shtigjet e rrëmujshme ishin plot ferra dhe driza. Ecnin mes fierave dhe shkurreve duke shmangur kaçubet pa fund, dhe rruga bëhej gjithnjë e më gjarpërues dhe e lodhshme. Ecnin zbathur, duke shkelur dheun e fortë plot pluhur te thatë me frikën se gjembat do t’i nguleshin nëpër mishrat e shputave. Shtrëngonin veglat e punës dhe vazhdonin të ecnin në heshtje mes shtigjesh torturuese. Hijet e tyre zgjateshin përpara. Me diellin nga shpina ishte më e lehtë ecja dhe pse djersa shkishte nëpër shpatulla, trup duke e bërë lëkurën ngjitëse.

    Në atë orë vape, kishte veç këngë gjinkallash dhe turtulleshash dhe nuk lëvizte askush. Një puhizë e lehte frynte anekënd. Një puhizë vere, e nxehtë, plot aromë fshati, e cila me pëshpërimat e erës, e shtonte ndjesinë e emocjoneve fëmijrore.

    Djali nga qyteti kishte veshur pantallona të shkurtëra doku, bërë pis. Ishte e pamundur mos katranoseshe në fshat, ku gjithçka, çdo lojë përzihej me njolla frutash, lëndë ngjitese druresh, rrëshirë plepash, pluhur dhe grricje nga ferrat.

    Nuk kish mësuar kurrë të ecte zbathur. Shputat e këmbëve të buta prej qytetari, nuk ia lejonin. Ndryshe nga shputat e djemve të fshatit, të rregjura, si shollë gomari, të tijat ishin delikate, të buta, të adhurueshme. Kishte veshur një bluzë te bardhë, por edhe ajo ishte bërë pis. Kur arritën atje, lanë shtamën me ujë në hije dhe vështruan rrënojat e gurëve të Qishës.

    “Ku do të gërrmojmë?!”

    Bardhi, i gjatë, dhe i qeshur, i kishte sytë kaf. Shikonte nga kushëriri dhe po i tregonte me gisht rrënojat. Ishin gërmadhat e nje ndërtese te lashtë ku tashmë kishin mbetur veç disa gurë të shpërndarë anekënd. Dukeshin themelet prej guri të një muri. Gjithçka ishte rrënuar nga indiferenca e kohës.

    Gurët ishin të veshur me myshk dhe ishin krejt të pluhrosur. Gjithkund, mes ferrash dhe drizash, një erë e nxehtë fund gushti, nga ku dielli përvëlues digjte si saç, i përkëdhelte lëkurën. Ishte një fllad plot erë të mirë toke e lënë djerrë. “Fillojmë të gërmojmë këtu!” tha tjetri. “Ndoshta gjejmë ndonjë gjë!”

    Gërmuan deri në perëndim. Të larë në djersë, duke marrë frymë me zor, poshtë hijes së mureve të rrënuar, shuanin etjen me shtëmbën e ujit të ngrohur nga vapa. Vazhduan të gërrmonin me zell. As vetë nuk e dinin ç’kërkonin. Uji i kroit kishte një shije prej fijesh bari, dhe përhapte në qiellzë ndjesinë e dheut. Por ata ishin aq të etur, sa nuk mendonin për cilësinë e ujit.

    Dielli perëndoi dhe ato akoma po kërkonin. Sa më shumë gërmonin, aq më shumë i rritej shpresa, i shtohej besimi se do të gjenin diçka.

    Arkeologët kishin folur për një thesar. Një pasuri që galioni spanjoll e kishte pasur në bord. Thesar që spanjollët pasi galioni ishte dëmtuar, e kishin zbritur dhe fshehurazi e kishin groposur diku.

    “Këtë histori e kam dëgjuar shumë here!” shtonte Bardhi duke zgurdulluar sytë.

    Nga lodhja e punës merrnin frymë me zor. Kishin gërrmuar dhe larguar dheun për orë të tëra, duke hapur gropa në disa pika të ndryshme ku dikur ngrihej kisha. Filloi të errej. Një hënë e plotë, si një dhuratë ëndërre doli nga përtej kodrës dhe ndriçoi vëndin. “Do të bëhen merak në shtëpi!” tha djali nga qyteti.

    “Mos e vrit mëndjen. Ti je me mua!” e qetësoi Bardhi. Gërmuan akoma për një orë. E ndjenin se do te gjenin diçka, në atë djerrinë shekullore, ku jeta kishte heshtur shekuj më parë. Kohë më vonë, siç tregonin më të moshuarit, spanjollët e zbritur nga galioni i dëmtuar, ishte shkrirë me vendasit, martuar me vajzat e zonës, derisa e kishin humbur sojin e tyre. Flitej për qindra vite më parë.

    Hëna i jepte vendit një shembëllim ëndërre. Një shushurimë gjethesh, si një frymë e mistershme natyre, ndjehej nëpër ajrin zhurmues. Gjithçka shëmbëllente e shpirtëzuar. Deri edhe kukuvajkat poshtë degëve, vështronin të habitura me sytë e mëdhenj, fosforeshentë.

    Më në fund kazma e Bardhit hasi me një objekt metalik. “Eshtë gur!” tha djali, kur shkëndijat bënë xixa gjithkund. “Jo. Nuk është gur!”

    U afruan të mahnitur. E terhoqën jashtë. Ishte një medaljon rrethor plot llanga balte. U munduan ta pastronin duke hequr dheun, por akoma nuk po e shihnin si duhej. “Vrapojmë tek përroi!” tha Bardhi. Atje, falë ujrave, nën dritën e hënës, filluan ta pastronin. Gaforre me membrana fosforeshente ngjyrë murrëti, ndrinin nën rrjedhën e ujit argjend. Të përgjumura, rrinin si të trullosura.

    Argjili blu e shtonte shijen e ëndërrës përreth. Sa më shumë e pastronin aq më shumë medaljoni merrte formën e vet origjinale. Ishte relievi i një vajze-hyjni e cila buzëqeshte. Kishte balluke të skalitura këndshëm, rënë bukur mbi ballë, sy tejshkuar nga një vështrim i ëmbël, vetulla të prera, faqe buçkane, dhe format e përkryera të buzëve, të holla.

    Dukej si një hyjneshë romake, me format e ëmbla dhe të punuara me një kujdes prej artisti të sprovuar. Buzeqeshja, kishte diçka prej dielli. Medaljoni nuk e kalonte rrethoren e dy pëllëmbëve të bashkuara, të hapura. Sa më shumë e lanin, aq më shumë dilte në pah ngjyra e arit, i cili nisi të ndrij si i shpirtëzuar. Mbetën pa frymë. Lexohej diçka. “Ars Amatoria!” ç donte të thonte? Kush ishte kuptimi? Në fund, i praruar nga uji i kulluar, medaljoni filloi të ndriste fort, sikur një zjarr i brëndëshëm të ishte zgjuar në zemër të vetë metalit.

    Kur e kthyen nga krahu tjetër lexuan me nxitim gërmat: “Gloriae Genii” ç’donte te thonte? Të mrekulluar, djemtë të cilët po ndriçoheshin nga shkëlqimi prej thëngjijsh të ndezur në errësirë, u habitën krejt. Figura vajzërore, buzëqeshte me një hijeshi të pavërtetë. “Uau!” u dëgjuan zërat e tyre. Ndaj gjithkund, në ajrin e magjepsur, gjethet, degët, era e natës, zhurma e mistershme e ajrit u duk sikur pëshpëriti gërma, fjalë, shprehje. Zërat vinin nga gjithkund përreth. Tinguj magjepës, sikur të ishin zëra sirenash. “Amooor!” u dëgjua dhe ajri e pëshpëriste nga të gjitha skajet. Ai rrinte akoma me medaljonin në dorë krejt i shushatur, ngrirë si në një magjepsje ëndërre. Ndërkohë që ajri, me miljona pëshpërima vajzërore, thonte atë fjalën e huaj. Fjalë e cila ishte akoma e pakuptimtë. Djali nga qyteti, lëvizi me fytyrën e përflakur nga rrezatimi i medaljonit dhe ndjeu se dikush po i prekte supin. Ktheu kokën si në ëndërr, por nuk kishte njeri edhe pse supi i tij po prekej gjithnjë e më me insistim.

    Ishte forca e një dore njeriu. I habitur shikonte me dyshim, ndërkoh që mbante akoma medaljonin në duar dhe gjithçka, ajri, gjethet, yjet, era, vazhdonin të pëshpërisnin atë fjalë aq të mrekullueshme. Zëra hyjnishë të padukshëm, tinguj vajzash me zëra aq të ëmbël. Helm dhe mjaltndjellëse. “Kush po më prek? Kush po ma tund supin?” mendonte, dhe tani, gjethet e panumërta ngjanin me flatra shumëngjyrëshe fluturash gjithmonë në lëvizje. Flatra te cilat ndrinin gjithnjë e më shumë. Botë përrallash?!

    Kur u zgjua pikasi babain që po e prekte nga shpatulla. Ishte përgjumur në minderin e shtëpisë ne fshat. Burrat kishin dalë nga dhoma. Ai hapi sytë dhe pa babain e tij si në ëndërr. “Eja, jepi dorën se do të ikin!” Djali nga qyteti ishte përgjumësh, me thëngjijtë e ndezur të ëndërrës akoma ndër sy. Pa me habi fytyrën e dashur të babait të tij, nga ku rrezatonte ajo dashuria e pafund.

    “Unë ika me Bardhin….!” Desh thoshte, por heshti. Ishte akoma si mes dy botëve, ku realja shembellen akoma dhe me onirike.

    “Jepi doren. Ai ka dëshire të të përshendesi”. E pa me dyshim. Nga doli gjithë kjo dashuri?!Nuk kish qenë po ai që, pa dashur por edhe pa e evituar, i kishte futur frymën e largimit?

    “Pse po ma kërkon!?”

    “Eshtë turp. Bëje!”

    “Ç neh? Harrove ç ke thenë?!” desh i tha.

    Nuk kishte fytyrë më të ëmbël se ajo e babait të tij. Me atë zërin e ngrohtë, plot njerzillëk, me atë dashurinë pa fund që dinte ta trasmetonte deri dhe me mollëzat e gishtërinjve. Pa sytë e tij të blertë, vrrjagat e rrudhave vertikale, hundën me samar, dhe lëkurën e tij si lapër breshke me rrudhat që i vareshin mbi kafkë. Nuk kishte njohur kurrë një njeri tjetër që të shprehte aq shumë dashuri nga poret e lëkurës me prezencën e tij. Kur e prekte, mollëzat e gishtërinjve çlironin një energji të paparë njerezore, sikur të ishin duar hyjnore.

    “Eja t’i japësh dorën!”

    “Çfarë dore ti jap? E kam të vështirë!”.

    “ Ti bë si të them unë!” Pastaj shtoi me zë të ulët.

    “ Ti s ke fare lidhje!”

    “Gjërat kanë ndryshuar pra?!”

    “Gjërat janë si janë. Kur të rritesh do t’i kuptosh! Tani bëj si të them!”

    „ Jo nuk dua. E kam të rëndë!“

    „ Hajde. Jemi të gjithë tanët këtu! Një gjak. Ti nuk ke lidhje fare me ç ka ndodhur!“

    „Nuk dua!“

    „Mos ngurro. Ju fëmijët s keni lidhje fare me problemet e të mëdhenjve!“

    „E kam të vështirë!” shtoi.

    Bëj si të them!” tha ai disi nervoz.

    Akoma i përgjumur mundohej ta largonte prushin e florinjtë të ëndërrës. Një ëndërr, ku i vetmi thesar kish qenë ajo pëshpërimë e pakuptimtë.

    Ai e pa prap me përkëdheli. Një dallgë dhemshurie e përshkoi gjithkund dhe e ledhatoi prap tek faqet. “Je ende i vogël të merresh me gjerat e më të mëdhenjve!”

    “Atëherë mbaroi mëria?!” Tha ai dhe u hodh vrik në këmbë, i lumturuar nga lajmi. Një gëzim fëmijror e pushtoj krejt, siç mund të pushtojë veç zemrën e një fëmije kurjoz. I ati, nuk dinte ç’përgjigje ti jepte. Shihte përtej dritares dhe shtrëngonte buzët me mosbesim dhe me një hidhërim të përmbajtur. “Po mbaroi!” gënjeu në çast, dhe u bë serjoz duke parë përtej dritares.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË