More
    KreuIn memoriamDitar Kabashi: A lodhet fjala e Adem Gashit?

    Ditar Kabashi: A lodhet fjala e Adem Gashit?

    EDHE LODHET FJALA

    U lodh dhe fjala, u ngrys, u mpak

    dhe streha e poezisë më shiun s’ia pret,

    kush e mendonte të vyshkur një zambak

    në një kopsht a yrt që mbet?

    Kush e mendonte se në tryezë një mizë

    është më sovrane se ti,

    se dorë e padukshme hedh një shtizë

    dhe të godet shitueshëm në ijë.

    Dhe thua: punë që ndodhin, ligje jete,

    dhe e ndien si sosesh nga pak,

    veçse papritmas një qenie tjetër

    përbrenda të shfaqet dhe fëmijë dhe plak.

    Edhe mund të lodhet fjala, ja u mpak

    dhe në murin e poezisë ndien drithërimë,

    po në grahmat e fundit shpërthen sakaq

    fontanë dashurie me ritëm e rimë.

    Kjo është një nga poezitë që parapëlqej në opusin letrar të Adem Gashit. Andaj e kam lexuar në mbrëmjen letrare të realizuar për nder të veprimtarisë së këtij poeti, në korrikun e vitit 2022, gjatë Panairit të Librit në Prizren.

    Qysh moti kemi qenë miq virtualë në Facebook, sikurse shumica e miqësive të sotme, për aq sa mund të quhen të tilla. Nuk qemë takuar ndonjëherë, deri më atë ditë përvëluese verore. Teksa po pija kafe në një lokal që e kisha zgjedhur duke gjurmuar hije, e pyeta shokun tim nëse personi që po rrinte i vetmuar në një tavolinë matanë ishte shkrimtari Adem Gashi. Shoku im pohoi pa një siguri të madhe. U mata ta shqetësoj apo jo dhe në fund fare vendosa t’i afrohem. Mirëdita, jeni ju Adem Gashi? – iu drejtova. Ngriti kokën për të më parë qartë dhe tha po. A mund të ulem nja dy minuta me ju? – vazhdova. Patjetër, tha – urdhëro. Ato dy minuta u kthyen në njëzet minuta, e mund të bëheshin edhe më shumë, sikur të mos më priste shoku. Në krye të herës i tregova që më pëlqenin poezitë e tij, në këtë kohë kur secili mendon se shkruan poezi, dhe se veçan i admiroja kompozitat gjuhësore që i formonte mjeshtërisht.

    Në bisedë e sipër dolëm të njohur. Eh, Kosova është e vogël, konstatuam në fund. Me mirësjellje u interesua për familjen time. I tregova për humbjen e babait në kohë të afërt dhe për gjyshin që kishte qenë arsimtar. Nisi të më pyeste më hollësisht për ta. Cili Xhafer, i gjati e pedanti që ka pajtuar gjaqe? – më pyeti çuditshëm. Po, – i thashë, e keni njohur? Në atë çast iu mbushën sytë, i hoqi syzet dhe nisi t’i fshinte ato. Pleqëria, tha. Pleqëria po më bën më të ndjeshëm, më fal. Unë shtanga dhe vetëm arrita t’i them se pleqëria për të duhej të ishte e largët. Me pjesën e prapme të dorës i fërkoi faqet. Unë jo vetëm se e kam njohur gjyshin tënd, – vijoi sqarimin, por kam qenë mysafir në shtëpinë tuaj. Kjo punë i ka mbi pesëmbëdhjetë vjet.

    Tutje e ftova të vinte mysafir në Panairin e Librit në Prizren për të diskutuar për krijimtarinë e vet letrare para audiencës simpatike që zë vend mbrëmjeve buzë Lumbardhit, në ambient të hapur. Pranoi duke shprehur kënaqësinë. Disa javë më pas nisi Panairi. Në ditën e paracaktuar erdhi liriku Adem. Bashkë me Osman Gorancin e bëmë një përurim të këndshëm, sa poetik po aq miqësor. Meqë ata të dy ishin shokë të vjetër, evokuan kujtime të ndryshme. Unë, ndërkaq, u mora më tepër me pjesën letrare dhe i deklamova disa poezi të bacës Adem. 

    Pas programit shkuam të darkonim dhe gjersa kalonim në sheshin e stërmbushur të qytetit, në Shadërvan, plot veta na ndaluan për t’u fotografuar me të birin e tij, Dardanin, i cili është aktor. Eh, thoshte baca Adem – më shumë po e njohin djalin se mua. Po në këtë fjalë të tijën nuk gjente vend xhelozia, porse një admirim prindëror.

    Në edicionin vijues të Panairit në Prizren, më 2023, në mesin e shumë mysafirëve ishte një shkrimtar tjetër nga Prishtina, i cili kishte ardhur i shoqëruar nga Adem Gashi. Këtij të fundit do t’i ketë pëlqyer atmosfera e atyshme një vit më parë dhe shi për këtë nuk kishte dashur të humbiste mundësinë të vinte prapë, kësaj radhe si dëgjues i kujdesshëm. Meqenëse unë gjendesha jashtë vendit, nuk kisha mundur të jem pjesë e organizimit të këtij edicioni. Arrita veçse në atë mbrëmje dhe u ula në rreshtin e fundit. Me t’u kryer programi, u takova me bacën Adem, fjala e parë e të cilit ishte: për besë, në çastin që erdha pyeta se ku është Ditari dhe m’u prish qejfi kur më thanë që nuk je këtu. U gëzova që të pashë e të pres ndonjë ditë në Prishtinë.

    Ajo ditë nuk erdhi. Sot e nesër, koha kaloi dhe ne u trishtuam në një ditë janari kur lexuam lajmin se Adem Gashi ka ndërruar jetë. Vetë ai, prej kohësh, na e kishte zbuluar fytyrën e çastit të kobshëm, në vjershën e titulluar “po e zëmë…”, kur kishte thënë:

    lexoja, po e zëmë, kot

    se ishte një çast i lig, i kotë

    siç e këtillë, fundja

    edhe vetë kjo botë

    Dhe si të donte të linte një përshëndetje të përjetshme, me idilin e vet për vargun autokton e origjinal, në poezinë “Me të dashtë”, i dha udhë edhe këtij sëmbimi:

    Në këtë botë gjithçka mund të ndodhë

    siç këndon dhe zogu i këngës

    në ëndërr,

    i lirë.

    Se, për t’u thënë,

    vetëm një herë thuhet:

    Lamtumirë!

    Adem Gashi! Ty, që nuk t’u lodh fjala kurrë, lamtumirë!

    25 janar 2024

    Foto nga Fahredin Spahija

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË