More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dita e verës" nga Hyjni S. Ceka

    “Dita e verës” nga Hyjni S. Ceka

    Dita e Verës vjen nga thellësitë e shekujve iliro-arbëreshë. Ajo është festë e gjithë trojeve shqiptare.
    Më 14 mars, edhe në Skrapar të gjendesh, edhe mes Labërisë, në kodrat e Filatit e në Lug të Drinit, do të zgjohesh me tringëllimën e zileve e të këmborëve.
    Dita e Verës është festë e ripërtëritjes së gjithësisë, e gjallërimit të natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës.
    Edhe pse Shqipëria feston mbarë Ditën e Verës, kulti i kësaj dite të shenjtë tempullin e vet, gjithë motit, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse qysh hejrit në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Dianë mbahej, në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë, e pyjeve dhe e gjithë natyrës.
    Në botën antike pastaj u nda veç një shekull i tërë, kur adhurimi i kësaj perëndeshe u përhap jo vetëm në hapësira ilire, por ç’merrnin brigje mesdhetare, në të katër anët. Aq e vërtetë është, sa shprehja “Të shitoftë (të shigjetoftë) Zana” u përdor dhe përdoret ku banojnë ç’qenë ilirë… Ndërsa statuja të Zanës në mermerë të bardhë u zbuluan jo veç në Apolloni, por edhe në Brigjet e Afrikës së Veriut e në Azi të Vogël, me atë emërtim të qëlluar: “Diana Candaviensis.”
    Në mijëravjeçarë, nëpër trojet tona vërshuan urdi të ndryshme të huaja, të egra. Shqiptari u mundua të ruante identitetin kombëtar. E midis gjithë këtyre rrebesheve, mbajti me xhelozi Ditën e Verës dhe e solli deri në kohën e sotme.
    Bizantinët e rrethuan këtë festë me të kremtet e tyre: Llazorët e Vangjelizmoin. Shqiptari i kujtoi sa i kujtoi këto ditë, por erdhi një çast dhe u harruan.
    Dita e Verës, festa e pranverës shqiptare dhe gjallërimit të kombit, erdhi e bukur, e pastër, deri te ne.
    Kjo trevë e Elbasanit, që këtij riti i pati dalë zot nga kohë që s’mbahen mend, shndërroi të gjithë rrethinën e vet në tempull, ku njeriu i falej veç një kulti: Bukurisë madhështore të natyrës, ku gjente mishërim Perëndia Shqiptare. Sa e sa faltore shpërndaheshin nëpër skajet e këtij trualli. Manthioja e stërlashtë me Rrapin e Mansit degëgjerë, me burimin ujëkulluar, vendosur në krye të vendit. Gjithë ullishta e blertë, me atë çukë të famshme, tek Ulliri i Qejfit. Shëngjoni i madhërishëm, çaire e bahçe rreth e rreth. Lugina e Shkumbinit, me gurrat, te Rrepet e Byshekut. Kroi i Kalit e Burimi i Ali Xhinsit. Teferiçi e Çesmja e Lepurit. E ç’të numërosh më parë nga gjithë ato perla të kurorës hyjnore të Elbasanit-fron perëndish?!
    Të merrje për Ditë Vere rrugën e Shën Thanasit, do të shihje faqen e “Tre Mullinjve” që zbardhte nga napat e zonjave të rënda, se nuk mbetnin gra e vajza nëpër shtëpi atë ditë të Festës së Madhe. Kremtonin të gjithë dhe gëzonin të tërë.
    Faik Konica, tek shkruante për Ditën e Verës në “Albania-n” e tij, kësaj i gëzohej më tepër, emancipimit të gruas që shfaqej me bukuri të veçantë, kësaj të kremteje…
    Gjithë kjo, shpjegimin e ka po te Kulti i Zanës, tek ajo perëndeshë që kishte dalë nga radhët e femrave ilire. Fronit të saj shqiptarët i janë nënshtruar me bindje, gjithë jetën. Aq e vërtetë është kjo, saqë te ne s’kishte shtëpi pa oborr, e çdo oborr me lule gjithfarë. Lulishtare qenë veç nënat e Elbasanit. Nëpër Elbasan, çdo derë të çelje, grahte aromë lulesh. Gratë i rritnin të gjitha. Dhe ato net kur hëna përtërihej, gocat dilnin e këmbenin bitme lulesh, lagje më lagje. Kulti i Zanës i shërbeu femrës shqiptare të sfidonte “sheriatin”. Ajo qe përherë e lirë dhe e respektuar, si, ndryshe, në vendet e tjera, ku gjeti përhapje islamizmi.
    Dita e Verës e qytetit të Elbasanit mbetej festë unikale, vetëm e vetëm e kësaj treve, një rit që kremtohej sipas kodit tradicional, me zakone e norma të veçanta, me këngë motmoti, me formula e dogma, që vinin nga shekujt iliro-arbëreshë.
    Mbi të gjitha e të gjitha, Dita e Verës shpaloste adhurimin për “Nënën Natyrë”, për PJELLORINË e saj, për begatinë dorëlëshuar… Prandaj qe personalizuar me gjyshen, me nënën, me nusen…
    Për këtë ditë ruhej e gjithë zahireja e motit të shkuar: palët e fikut dhe arrat, mollët e ftonjtë, mjalti e pekmezi…
    Rituali niste me një ditë përpara, me bërjen e revanive (ballakumet u futën më vonë).
    Ishin të posaçme enët dhe mjetet e kësaj ëmbëlsire.
    Nuk mund të quheshe “zonjë shtëpie”, pa njohur recetën e saj. Mënyra e rrahjes, pastaj, përbën atë teknikë që e lë këtë specialitet veç patentë të “zonjave” elbasanase.
    Si në çdo rit, në gatim zbatoheshin e pëshpëriteshin formula, se merrej mësysh e përflitej ëmbëlsira, prandaj as në furrë s’çohej. Piqej në shtëpi, me saç.
    Çdo fazë e gatimit të revanisë shoqërohej me thithje buzësh, që jepte fishkëllimë karakteristike. Largonte “qoftëlargun”.
    Heqja e fundit e saçit ishte çast i rëndësishëm. Revania e pjekur, e ardhur-ogur për së mbari. Revania tuç-shenjë e keqe. “Qoftëlargu” e kishte prishur me anën e “syrit të lig”.
    Darka e Ditës së Verës kishte solemnitetin e vet. Ajo mbrëmje pritej me padurim se do të sillte “dhuratat e Hyjit”. Shtrohej “sofra e madhe” dhe ekspozoheshin pjesët (hiset). Barabar “hiset”, të tëra, ndarë me dorë në zemër, me drejtësi providenciale. Nënkuptohet që këto “pjesë” përbëheshin nga ballakumet, palat e fikut dhe arrat, dhe ato që ishin karakteristike, kofshët e gjelit për brezin më të ri.
    “Madhja”, zonja e madhe, më plaka e shtëpisë, që personifikonte Pjellorinë, merrte atë mbrëmje një nur shenjtërie të veçantë. Ajo do ta kalonte tërë natën zgjuar. Shkonte dhomë më dhomë e shtrat më shtrat, vendoste gjelbërim të ri, mbi jastëkë të çifteve, të të rinjve e fëmijëve, rit që nënkuptonte ripërtëritjen e gjallërimin. Plisa prej bari të njomë qenë vënë dhe mbi tjegulla të avllive dhe mbi strehë të portave të shtëpive.
    Festa niste me zgjim të hershëm, larë e pastruar. Zinte fill me veshje të reja të pranverës, pajisjen e fëmijëve me “verore”.
    Ç’ishte VERORJA?
    Distinktiv i pjesëmarrësve në ceremoninë e Ditës së Verës.
    Ajo përbëhej nga dy fije kuq e bardhë prej leshi. Gjak i kuq gjallërues, në moshën e bardhë të brezit të ri.
    Nga ana tjetër, verorja ngjizej me besëtytninë e fuqisë mbrojtëse nga e liga. Ajo mbronte nga sëmundjet e të marrët mësysh, pra, njëfarë shenje simbolike, po arkaike fort, sepse mendja ma thotë se vinte nga kohë prehistorike, kur s’ka qenë përdorur shkrimi i nuskave dhe i bulave priftërore.
    Gjithçka duhet të shprehte se “dimri qe me cule e vera vjen me lule”, me veshje të hijshme… Plogështinë, papastërtinë, sëmundjet… i kishte marrë dimri me vete.
    Dhe prapë… çdo sjellje, çdo lëvizje, makar, edhe çdo fjalë, të ishte e gjallë, e vëmendshme, e arsyeshme. Kryesisht, fëmijët dhe adoleshentët duhet të ishin me përgjigje majë gjuhe.
    Ka qenë një tjetër rit që i vinte në provë fëmijët.
    Në rast se të thirrurave nuk u përgjigjeshin me “urdhëro” të civilizuar, atëherë nëmeshin me formulat: “Marrsh morrat e pleshtat! Gjumin e sabahut! Ethet e verës! Me çekiçë derës!” Një fjalë goje, marrë sot, po ato kohëra ishte shuplakë e rëndë që lëndonte shpirtërisht. Njëkohësisht, mjet korrigjues për ata që s’qenë mësuar me fjalor qytetar e zakone sjelljeje të moralit tradicional!
    Duke u thelluar sot në trashëgiminë që sjell Dita e Verës te ne, për as edhe një çast nuk duhet shkëputur mesazhi i saj thelbësor që gjendet në nderimin ndaj burimit të pjellorisë. Dita e Verës i falet Nënës Natyrë-Zanës Mitike, po gjithë këtë filozofi e konkretizon me një respekt festiv ndaj nënës e fëmijës, ndaj gjysheve, pikësëpari, ndaj mëmave, nuseve, të fejuarave… Atyre që lindin njeriun.
    Më së miri për këtë dëshmon KAMA.
    Në ritualin e Ditës së Verës, KAMA-TË BËRËT KËMBË shënonte solemnitet të veçantë. Është detaji që dallon kremtimin elbasanas të motmotit, nga gjithë festat që i kushtoheshin pranverës në Shqipëri e gjetkë.
    Gjesti i KAMËS rreh të dëshmojë vëmendje të posaçme për të forcuar e mbajtur në vazhdimësi lidhjet mes brezave e krushqive. Dhe kryhej ky veprim me kujdes skrupuloz deri në fanatizëm që KAMËS i jepte shenjtërim të veçantë.
    KAMA-TË BËRËT KËMBË është procedimi i të shpërndarit të “hiseve” nëpër krushqi. Si protokoll përbën një traditë të stërlashtë, me kohë e norma fikse të një trashëgimie vetëm iliro-arbëreshe.
    Çonte për të bërë KAMË në derë babeje nusja e shtëpisë. Por KAMË çonte edhe zoti i shtëpisë, kur ndodhej ndarë më vete prej pleqve.
    Për KAMË dërgoheshin fëmijë, gjenerata më e re, djalë ose vajzë. Shkonte një, por edhe bashkë, kur të vegjlit vinin njëri pas tjetrit. Dhe në rast se nëna e fëmijës do të kish vdekur, prapë i vogli dërgohej nëpër gjyshër dhe më i përkujdesur.
    Në prag të derës së gjinisë futej këmba e djathtë. Ndoshta prej kësaj edhe riti quhej TË BËRËT KËMBË.
    Me shumë gjasa, emërtimi KAMË i këtij procedimi vjen nga fjala “cambio” e latinishtes, huazuar qysh hejrit në gjuhën tonë. Pra, “këmbim”, ndërrim… Për këtë të dytën bindemi më shumë, sepse dërgohej “hise” dhe merrej “hise”. Palët konkurronin mes tyre, kush e kush të dërgonte “hise” më të majme. Nënkuptohet, gjithë “menyja” e kompletuar e Ditës së Verës, me revaninë karakteristike, simitet e kuqe, pemët e konservuara, pilafin me gjel, sheqerin e kuq.
    Pleqtë në këtë anë siguronin nëpër hise dhurata karakteristike për gjeneratën më të re. Kështu, p.sh., duheshin aq kofsha gjeli sa nipër e mbesa kishin. Nënkuptohet, aq gjela deti siguroheshin për Ditën e Verës.
    Veç KAMËS tipike, për Ditë Vere bëhej edhe një KAMË tjetër, disi e veçantë. Ishte këmbimi i dhuratave midis të fejuarve. Dera e dhëndrit dërgonte “copë” për fustan, arturina dhe sheqerka. Shtëpia e nuses kthente me jelek e të brendshme dhe shami dore për të fejuarin. Sigurisht, këto dhurata nuk dërgoheshin prej të vluarve, por prej një djali të vogël të shtëpisë, shoqëruar prej dadosh që mbanin shtëpitë elbasanase të atyre kohëve.
    Dita e Verës e Elbasanit, çuditërisht, sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës ilire. Ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm, për një religjion, që si kult të vetëm pati Zanën e Kandavëve… Diana Candaviensis.
    Shkencëtarët tanë shpjegojnë se te MANSI i sotëm kemi MANTHION antike, stacionin e famshëm të EGNATIAS, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë, të cilët vinin në SKAMPIN për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj.
    Ai Rrapi i Mansit, me kroin e pozicionin karakteristik. Si amfiteatër natyror, ma do mendja të ketë shërbyer nëpër vite për t’i mbledhur fiset e arbërve rreth Hyjneshës Dianë apo Zanë të Kandavëve, sikur u kanë pasë thënë së lashti, çermenikasve.
    Manifestimet popullore që jepeshin deri në mes të shekullit tonë në sheshet rreth Mansit, tek Tyrbja e Shutrit e gjetiu, sollën deri te ne shfaqjet me maska e rituale të veçanta që kanë gjurmë të teatrit të antikitetit. Vallet e këngët, e gjithë ajo larmi kostumesh që ekspozohej, prapë dëshmon për një çast të hyjnizuar.
    Në kohët moderne, nga Rilindja e këtej, të parët tanë elbasanas ruajtën Ditën e Verës duke e kthyer atë në një festë gjithëkombëtare, me tempull në trojet e Skampinit të lashtë. Ndërruan kultin e Zanës dhe vendosën në fron hyjnor SHQIPTARIZMIN e të gjithë shqiptarëve. Dhe vit për vit Elbasani pret pelegrinë që vijnë për t’u bërë së toku e për t’iu falur Zotit të Arbërve.
    Përmendim këtu Ditën e Verës të 14 marsit 1943, në thellësi të Ullishtës, te Kroi i Kalit; duke iu falur Perëndisë së shqiptarëve, u lidh në besë gjithë populli në luftë kundër fashizmit.
    Përmendim 14 marsin e vitit 1944, e vetmja Ditë Vere që nuk u festua në gjithë historinë e këtij qyteti, sepse pushtuesit e përgjakën të kremten e shenjtë me gjak dëshmorësh dhe masakrën e kryen po në shtegun ku shkohej për në tempullin e RRAPIT TË MANSIT.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË