Shumë vite më parë, kur kisha përkthyer vetëm një vepër të Simone de Beauvoir-it, ndodhesha për disa ditë në Paris. Kisha kohë që merresha me përkthimin e një sërë librash të Jean-Paul Sartre-it dhe kërkoja me sy nëpër rrugët e qytetit kafenetë dhe restorantet e famshme ku ai dhe ajo qëndronin deri natën vonë, të dy vetëm ose me miq, të zhytur në biseda, të cilat i përfytyroja si thellësisht të përshkuara nga debati ekzistencialist. Në njerën prej atyre ditëve shkova dhe në varrezat e Montparnass-it dhe vendosa një gur në varrin e tyre të përbashkët, sipas një tradite të vjetër, për të ruajtur gjallë kujtimin e njerëzve të dashur ose të famshëm.
Më pas, u mora edhe me vepra të tjera të de Beauvoir-it dhe tani në fund me Të pandarat, që shtëpia Botuese DITURIA, po ia jep në dorë lexuesit. Simone de Beauvoir (Simone-Lucie-Ernestine-Marie Bertrand de Beauvoir, 1908-1986), ndoshta shkrimtarja feministe franceze më e njohur e shekullit të njëzetë, ka dhënë një kontribut të shquar jo vetëm në mendimin teorik ekzistencialist, por kryesisht në lëvizjet feministe franceze, britanike e amerikane. Shprehja e saj e famshme “grua nuk lind, grua bëhesh”, u shndërrua edhe në slogan të valës së dytë të feminizmit botëror e më pas si simbol i ndikimit të rrethanave shoqërore tek individi.
Përballja e individit me kolektivitetin, diskriminimi në marrëdhëniet gjinore, tjetërsimi që besimi radikal fetar, ideologjitë dhe politikat e skajshme shoqërore i bëjnë njeriut, janë tema të përhershme të veprave të saj, si edhe tek libri i sapobotuar në shqip, Të pandarat.
Historia e botimit të romanit Të pandarat, bazuar në historinë e miqësisë së Simonës me shoqen e saj Zaza, që në moshën nëntëvjeçare e deri në universitet, është thuajse e çuditshme, por edhe e kuptueshme për krijuesit. Pasi e shkruan më 1954, pesë vjet pas botimit të librit të saj ikonë Seksi i dytë, e përfshin në dy libra, por pa u përqendruar tek kjo histori dhe pastaj, e ndikuar nga Jean-Paul Sartre, siç pohon vetë, por edhe nga bindja e saj se ky libër ishte një vepër tepër personale dhe pak interesante, e braktis. Dorëshkrimi mbetet një mister, derisa dekada më vonë, vajza e saj e birësuar, Sylvie le Bon de Beauvoir, profesore e filozofisë, e boton me këtë titull, që ia vendos ajo.
Romani Të pandarat rrëfen miqësinë e pasionuar dhe tragjike që lidh Silvinë me Andrenë – alter égo e Simonë de Beauvoir-it dhe Elisabeth Lacoin (Zaza). Ky roman, në shumë drejtime është pothuajse një histori sociale për dilemat dhe zgjedhjet e vajzave të reja në atë periudhë: t’i nënshtroheshin vlerave të botës konservatore katolike, ku gratë duhet të ishin vetëm bashkëshorte dhe nëna të devotshme, apo atyre të një bote më përparimtare, ku gratë arsimimin e marrë e përdorin për të patur vendin e tyre në shoqëri. Ato e duan shumë njera tjetrën, Silvia “bie në dashuri me trurin e Andresë”, një dashuri e ndaluar për brezin e De Beauvoir-it, kur mendja e grave dhe vajzave nuk duhet të kishte vlerë dhe peshë.
Bisedat e gjata midis Andresë dhe Silvisë rreth pronës, drejtësisë dhe barazisë janë prelud revolucionar i ndryshimeve që do të vijnë më vonë. Andrea është viktimë e këtij rrethi vicioz e të mbyllur katolik radikal. Ajo është e kundërta e Silvisë, e cila lumturohet dhe çlirohet ditën kur bindet se nuk beson në Zot dhe që mendon se ekzistenca është një dhe e vetme, kjo që kemi përmbi këtë tokë, gjatë kësaj jete të vetme. Andrea e adhuron nënën e saj katolike të bindur, e cila e ndëshkon në mënyrë tejet të sofistikuar të bijën, që dashuron një djalë të padenjë për të, sipas saj. “Unë të njoh mirë, i thotë ajo Andresë, je vajza ime, mishi e gjaku im ; nuk je aq e fortë sa të të lë të biesh pre e tundimeve; po u përmbyse e meritoj që mëkati të bjerë mbi mua”. Dhe Andrea më mirë vuan e vdes, se sa t’i dalë kundër nënës së saj. Ajo përpiqet të ngrihet mbi këtë shtypje “të butë”, të predikuar përmes dashurisë prindërore dhe respektit shekullor ndaj traditave, por në fund dorëzohet. Shpirti i saj i ndjeshëm, romantik dhe i bindur, më mirë sakrifikohet se sa të lëndojë njerëzit e saj të dashur, besnikë dhe rojtarë të asaj bote që po i merr jetën.
Silvia, vdekjen e Andresë e sheh si një ekzekutim që i bën shoqëria. Deborah Levy, poete, dramaturge e romanciere britanike shkruan se “nëse autorja ka menduar gjithnjë së brendshmi se Andrea ishte nga ata lloj njerëzish të veçantë, për të cilët herët a vonë shkruhen libra, nuk e ka patur gabim”.
Atë ditë vjeshte në Paris, te guri i varrit të dy prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë – një varr i thjeshtë, vetëm me emrat dhe datat e lindje-vdekjes së të dyve, por me gurë e guriçka të panumërta vizitorësh përsipër pllakës, – mendova se gjenialiteti nuk ka nevojë për përmendore. Vepra e shkrimtares Simone de Beauvoir, te Të pandarat, duket si një rrëfim i zakonshëm miqësie dhe humbjeje, por në të vërtetë është një oqean i pamatë mendimi dhe kushtëzimi njerëzor.