Mira Meksi na befason gjithnjë, me çdo libër të ri që shkruan. Në të vërtetë, botimi i fundit i romanit “Kutia e Agatha Christie-t”, nuk duhet të ishte befasi për lexuesin që e njeh shkrimtaren, tashmë me përvojë të gjatë e me suksese të njëpasnjëshme. Për këtë lexues, ky libër i ri do të ishte a priori një tjetër roman i mrekullueshëm. Megjithatë, si rregull, me sa duket, shkrimtari i mirë gjithnjë të befason. Të huton me gjetjet e reja në mjeshtërinë e vet letrare, me përkryerjen e mëtejshme të stilit, me kuturisjen në tema të parrahura, në zhanre të vështirë siç është ai i romanit thriller historik – një ndërmarrje kjo tejet e vështirë.
Mira Meksi nuk e ka për herë të parë këtë sprovë, përkundrazi. “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” i saj është një gur i rëndë në shkrimin e romanit historik në letërsinë tonë, ndërsa “Diktatori në kryq” i paraprin këtij “Kutisë së Agatha Christie-t” me kontekstin historik, me misterin dhe me personazhet realë e të shpikur të ndërthurur sëbashku.
Dihet se romani historik është një zhanër letrar ku gërshetohet realiteti dhe trillimi – (fiction-i, si përdoret së fundmi nga ne kjo fjalë në anglisht, pa ndonjë arsye të fortë). Tek Kutia e “Agatha Christie-t” ngjarjet vendosen në një periudhë të kaluar, në atë të viteve ’20 në Shqipëri, Turqi e Ballkan, po edhe shkarazi në ndonjë qytet tjetër europian, në një kontekst historik të trazuar – atë të famëkeqit shkëmbim të popullatave me bazë fetare. Mit’hat Frashëri, personazhi real e i njohur shqiptar është në kulm të veprimtarisë së ethshme për të mbrojtur shqiptarët nga çvendosjet, shpërnguljet, dhunimet e fqinjëve. Pra, kemi një sfond dhe një personazh historik. Por, fantazia letrare e Mira Meksit e rivendos personazhin e saj real në një situatë personale, të përshkruar me gjallëri, me detaje të panumërt, sa lexuesi ndjek tashmë këtë realitet paralel, ku jetojnë e veprojnë personazhet e vërtetë dhe ata të shpikur, disa protagonistë në ngjarjet kolektive të popullit të tyre, disa të hedhur rastësisht apo çuditshëm rastësisht mes këtyre vorbullave përfshirëse, siç është rasti i Ninetës, të dashurës së Mit’hatit, i vetë Agatha Christie-t dhe i personazhit të saj letrar apo i të famshmit Conan Doyle. I shoh këta personazhe të ndërthuren rrugëve të Ballkanit, në Stamboll, të piqen e të flasin me njeri tjetrin dhe e jetoj romanin me ëndje e me kureshtje, sepse ata janë të gjithë kaq të vërtetë e asnjëherë autorja nuk e kompromenton ‘vërtetësinë’ e tyre. Njësoj si D’Artanjani i Dumas-ë, kur bisedon me kardinalin Richelieu apo si personazhet shkrimtares Margueritë Yourcenar tek “Kujtimet e Adrianit”, ku ata historikë të Romës Perandorake diskutojnë me ata të shpikurit mbi frymëzimin reflektiv e filozofik. Apo fisnikët e salloneve të Moskës të “Luftës dhe Paqes”, që i shohim në fushat e betejave napoleonike, ku Cari, Napoleoni, Kutuzovi e personazhet letrarë janë vazhdimisht në marrëdhënie të ndryshme me njeri tjetrin. Pra, Mira Meksi, shkrimtare e sprovuar, arrin përsëri me sukses ta përballojë historinë në mënyrë origjinale dhe krijuese, duke qëndruar ‘pas kuintave’ edhe vetë, si protagoniste e rrëfimit. Arrin me sukses të padyshimtë, duke përdorur excursus storici, të na japë të gjallë figurat e njohura të kësaj periudhe si Frashëri, Noli, Luigj Gurakuqi e të tjerë, duke i vënë në marrëdhënie me njerëz të thjeshtë e të panjohur nga historia, por të dalë nga imagjinata e saj. Ata lëvizin në Korçën apo Tiranën e atyre viteve, në një periudhë me dukuritë e saj të veçanta politike e shoqërore. Më tërheq e më mrekullon edhe ndërthurja e kësaj imagjinate të ndezur të autores me realizmin, një tjetër sprovë artistike-letrare aspak e kollajtë.
Ky roman, i cili nga titulli mund të mendohet një thriller fund e krye, është në të vërtetë një grackë e këndshme për lexuesin, duke ia mbajtur njëkohësisht frymën pezull, sepse, ndonëse kapitujt e parë përshkohen nga ngjarje, biseda e marrëdhënie jo të lidhura dukshëm me të fshehtën e pritshme, ata përshkohen ndjeshëm nga një vel misteri e ndjesie të papriture. Kjo ndjesi shqetësuese të ndjek pas gjatë gjithë kohës. Ndoshta ngaqë dashuri të tilla, si ajo e Mit’hatit me aktoren magjepsëse britanike zor se mund të kenë funde të lumtura, ndoshta se vetë jeta e angazhuar vrullshëm e Mit’hat Frashërit mund ta kishte këtë dashuri vetëm një çast të shkurtër, por edhe sepse kodet letrare të Mira Meksit paralajmërojnë se gjithçka që ajo po na përshkruan janë prelude të asaj që do të vijë më pas.
Kthesa që merr romani me ndodhitë në Pera Palace, periudha historike e përcaktuar shumë qartë dhe e përshtatur përsosmërisht me të gjitha aksionet e idetë e romanit, përdorimi me mjeshtëri i zhdukjes 11 ditore të Agatha Christie-t – e presupozuar të ketë qenë pikërisht në këtë hotel – i personazheve realë britanikë e i personazheve të trilluar të Christie-t, arrestimi i Frashërit në Jugosllavi, ngrenë suspences të tjera. Detajet e çelësit e të kutisë, dyshimi – apo zbulimi – se Nineta mund të jetë agjente e shërbimit të fshehtë britanik, përndjekja nga shërbimet jugosllave të Mit’hat Frashërit, paralelizmi me vrasjen e personazhit të këtij romani me “Vrasje në Orient Express” të Christie-t, të gjitha këto ndërtekste, të gjithë këta elementë historikë, personalë, këto ngjarje të ndodhura në të vërtetë e jo në të vërtetë, krijojnë një vepër unike, ku çdo fije lidhet në fund me logjikë të plotë me nyjen kryesore.
Duket qartazi se Mira Meksi, si tek romanet e mëparshëm të saj me sfond historik e që i përmendëm këtu, ka studiuar jo pak. Vlera e kërkimit shkencor dhe e dokumentacionit historik është një element i padiskutueshëm dhe në këtë roman ka një peshë jo të vogël. Ose, më saktë, ka shërbyer si bazë për pikënisje të shumta, për hollësi të vyera e të dobishme dhe për krijimin atmosferës kohore në fjalë.
Por, nga ana tjetër, Mira Meksi nuk ka rënë skllave e të vërtetës historike. Ajo, në asnjë çast nuk harron se vepra e saj është gjithnjë një roman dhe, si i tillë, të vërtetat e së kaluarës kanë vlerë për të, por në thelb nuk janë protagonistet e tij absolute. Historia i shërben romanit të saj dhe jo e kundërta! Dhe, në këtë roman është forca e personazheve ajo që ka aftësinë për të ‘pikturuar” me vërtetësi mjediset e atëhershme, që i mbeten në mendje lexuesit. Meksi e ndan me shumë saktësi e vetëdije nevojën e verifikimit shkencor dhe të dokumentacionit historik nga autonomia dhe jeta e romanit. As nuk ka rënë pre e prirjes për të dhënë dialogje tepër të drejtpërdrejtë mes personazheve, që të tingëllojnë «të sotëm », duke gjetur një ekuilibër në formën e gjuhës që përdor si në rrëfim, si në dialogje – mjeshtëri që e ka dëshmuar prej kohe në veprat e saj. Arrin të përdorë përzierjen e duhur mes epokës historike të romanit dhe lehtësisë për t’u kuptuar nga lexuesi modern.
Për të thënë dhe pak fjalë për stilin dhe metodën e punës së Mira Meksit, do të theksoja se këtu, më shumë se kudo tjetër në veprat e saj, ajo ka thurur një subjekt që nuk është i tepruar në intrigë, por as i thjeshtë, që, megjithë kthesat e të papriturat, mbetet homogjen dhe koherent. Rrëfimi ka ritëm, gjendje pezull, kureshtje, lexuesi rrëmbehet dhe dëshiron të shkojë sa më parë deri në fund, por pa mundur të nxitojë, sepse shija e fjalës, e frazës, e gjuhës së përpunuar e të pasur e mban peng dhe e çon deri në padurim të ëmbël. Personazhet e saj janë të fuqishëm e të kuruar deri në hollësitë më të imta. Ne dashurohemi pas tyre, u zbulojmë brishtësinë e forcën. I ndjekim pas në atë botë të errët, po edhe të ndritshme të viteve ’20, të cilën Mira Meksi e ka ndërtuar rreth tyre e ku ne mikpritemi si të jemi duke jetuar jetën tonë. Është një udhëtim dhe një mister, që fillon e duhet të mbarojë, por, edhe kur mbaron, na mbetet përsëri në mendje, sepse ndjejmë që nuk mund të përsëritet, se na duket ta kemi përjetuar vetëm një herë.
Vepra përshkohet nga një dualizëm tërheqës, që e bën atë poetike, por edhe të rëndë e të fuqishme. Mes dyshimeve, maktheve, ëndrrave dashurore e përndjekjes politike, ky roman i thyen skemat e zhanrit dhe na zbulon një botë ku zhytemi, pa dashur të dalim shpejt prej saj. Mes këtyre ëndrrave dhe këtyre maktheve ka dhe diçka tjetër, që mezi presim ta zbulojmë. Është ethe e njëkohësisht mrekullim!