Romani E hëna e parë e dhjetorit i shkrimtarit Ledion Krisafi është një risi në letërsinë tonë, sepse në të kërkohet kuptimi i jetës, përmes metaforës dhe figuracionit, po edhe përmes antagonizmit të jetë-vdekjes. Autori është përdorues i shkathët i gjuhës, ai ka një fjalor të pasur, njohje të thellë të frazeologjisë, të mundësive sintaksore të shqipes për t’u shprehur në mënyra nga më të ndryshmet, për qëllime nga më të ndryshmet. Personazhet janë origjinalë, të vizatuar me thellësi dhe të veçantë, në të gjithë jetën që kanë brenda këtij libri. Tema, ose të paktën ajo që të krijohet si ndjesi, është vdekja. Të bën pak përshtypje që këtë pyetje e ngre një autor i ri, i cili hamendet e hulumton, vëzhgon e përpiqet të kuptojë. Pa kërkuar vërtetësi në një vepër gati surealiste të këtij lloji, mendoj se kjo pyetje ekzistenciale është trajtuar me një mjeshtëri të pazakontë nga Krisafi dhe me një thellësi të pa vërejtur nga shkrimtarë të tjerë shqiptarë të kohës. Ai duket mjaft i thelluar në këtë përmasë të jetës – pjesë e së cilës është vdekja – dhe e shtyn në mendime lexuesin. Krisafi arrin të përdorë mjerte të ndryshme shprehëse për të realizuar botën e personazheve të tij plot kontadikta të brendshme dhe shpesh eksentrikë, duke e përshtatur me realitetin e periudhës që përshkruan e duke arritur të prekë vetë thelbin e kondicionit njerëzor. Këta personazhe janë ekzibicionistë e melankolikë, por edhe emocionalë e rebelë, herë herë me një distancë të menduar nga jeta e përditshme e herë herë të pandarë dot prej saj. Por, pa asnjë dyshim, ata janë plot kolorit e të veçantë, një galeri e vërtetë dhe e mrekullueshme personazhesh të papërsëritshëm!
E hëna e parë e dhjetorit është një roman që duhet lexuar e rilexuar, së pari për ta shijuar e së dyti për ta kuptuar deri në fund e për të medituar mbi të.