Casey Cep, The New York Times
Përktheu: Granit Zela
Po sikur Veriu të kishte fituar Luftën Civile? Ai fakt dhe kundërfakt i dha jetë teknikisht pothuajse të gjithë veprës së Uiljam Folknerit. Romancieri i Misisipit lindi tridhjetë e dy vjet pasi Robert E. Li iu dorëzua Julisiz S. Grantit në Epëmetëks, por ai u plak duke besuar në epërsinë e Konfederatës: Jugu mund të kishte humbur, por Veriu nuk e meritonte të fitonte. Ky revizionizëm i kauzës së humbur u shfaq kudo, që nga tekstet shkollore që iu caktuan Faulkner-it të lexonte ndërsa rritej, deri tek editorialet në gazetat lokale, të cilët lavdëronin paternalizmin dhe lulëzimin e ekonomisë së skllavërisë, manipulonin një justifikim tjetër për shkëputjen, duke kanonizuar si shenjtorë dhe martirë ata që luftuan. për Shtetet e Konfederatës së Amerikës, dhe duke shpallur virtytet e shoqërisë së para luftës. Në kontrast me këto iluzione, letërsia e Folknerit zbuloi të vërtetën: Konfederata ishte një dështim edhe ushtarak edhe moral.
Lufta Civile shfaqet në një duzinë romanesh të Folknerit. Ajo është më e spikatur në ato ngjarjet e të cilave zhvillohen në qarkun e Joknapatofës, një peizazh imagjinar i Misisipit i mbushur me fusha beteje dhe varreza, veteranë dhe vejusha, skllevër dhe ish-skllevër, shmangës të shërbimit ushtarak dhe fantazma. Në “Dritë e gushtit”, Reverend Gejl Hajtauer përndiwet nga fantazma e gjyshit të tij me Konfederatën; në “I paftuar në pluhur”, avokati Gejvin Stivens këmbëngul se të gjithë djemtë e moshës së adoleshencës në rajon janë të fiksuar pas orëve të mësimit ku flitet për sulmin e këmbësorisë i urdhëruar nga gjenerali e Konfederatës kundër pozicioneve të Unionit në ditën e fundit të Betejës së Getisburgut. Në këto libra, asnjë jugor nuk kursehet nga ndikimi torturues i luftës, qoftë ai që ikën nga rajoni, siç bën Kuentin Kompsoni, në romanin “Zhurma dhe tërbimi”, apo qoftë, si Roza Koldfildi, në “Absalom, Absalom!”, ajo qëndron.
Një libër i ri nga Michael Gorra, “Fjalët më të trishta: Lufta Civile e Uiljam Folknerit”, gjurmon përshkrimet letrare të Folknerit të konfliktit ushtarak në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe angazhimin e tij personal në konfliktin racor të shekullit të njëzetë. Lufta e fundit, brenda vetë romancierit, është lufta e vërtetë e nëntitullit të Gorrës. Te “Fjalët më të trishta”, Folkneri shfaqet si një personazh po aq tragjik sa çdo personazh që ai krijoi: një shkrimtar që portretizoi shkëlqyeshëm mënyrën se si refuzimi i Jugut për të pranuar humbjen e çoi në rrënim kulturor, dhe nga ana tjetët si një jugor letrat private dhe deklaratat publike të të cilit ishin të prekura nga vetë racizmi që librat e tij e dënuan kaq fort.
Një libër i ri “Fjalët më të trishta: Lufta civile e Uiljam Folknerit”, shqyrton vështirësitë e Folknerit me veten.
“Unë do të protestoj deri në fund: pa fotografi, pa dokumente të regjistruara,” i shkroi ai në një letër drejtuar kritikut Malkolm Kaulli më 11 shkurt 1949. “Është ambicia ime të jem, si individ, i shfuqizuar dhe i i shkëputur ga historia, duke e lënë atë pa gjurmë, pa asgjë përveç librave të shtypur; Do të doja të kisha pasur këtë arsyetim para tridhjetë vjetëve dhe, si disa nga Elizabetianë, të mos i kisha nënshkruar ato”.
Kaulli ishte redaktori i botimit “Folkneri për këdo”, një antologji e vitit 1946 me pjesë të përzgjedhur nga tregimet dhe romanet e Folknerit, duke i renditur ato në mënyrë kronologjike sipas tematikave të rrëfimeve dhe jo sipas datave të botimit. Ishte një përpjekje për të shpëtuar Faulknerin nga një errësirë e papritur: shumë nga librat e tij janë të vështirë dhe shumë prej tyre ishin botuar gjatë Depresionit të Madh ose Luftës së Dytë Botërore, kur paratë dhe oreksi për një letërsi të tillë ishin të pakta. Për të siguruar jetesën, Folkneri i ishte kthyer shkrimit të skenarëve, duke përfshirë ato për “Gjumi i madh” dhe “Të kesh dhe të mos kesh”. Kaulli parashtroi dhe mbrojti argumentin se gjenialitetit të Folknerit, duke paraqitur në antologji një hartë pamore, ashtu si edhe një reale, të vizatuar, e cila tregonte vendet dhe ndërlidhjet mes tyre dhe njerëzve që i poullonin ato në qarkun e Joknapatafës. Vëllimi ribotoi fragmente të romaneve të mëparshme të Folknerit dhe i ndihmoi lexuesit të kuptonin tekstet e tij moderniste. Kaulli e kishte botuar tashmë një antologji të ngjashme të veprës së Heminguejt; një profil i mëvonshëm i “Papa Heminguejt” për jetën i cili u bë shkak që Kaulli t’i shkruante një letër Folknerit dhe t’i kërkonte që edhe për të ai të bënte të njëjtën gjë, të njëjtin publicitet.
Folkneri e kishte shprehur dëshirën e tij për anonimitet autorial edhe në vende të tjera. “Nëse nuk do të kisha ekzistuar, dikush tjetër do të më shkruante, Heminguej, Dostojevski, të gjithë ne”, – tha ai për Paris Review. “Dëshmi për këtë është se janë rreth tre kandidatë për autorësinë e dramave të Shekspirit. Por ajo që është e rëndësishme është “Hamleti” dhe “Ëndrra e një nate vere”, jo kush i shkroi, por se dikush i shkroi. Artisti nuk ka rëndësi. Vetëm ajo që ai krijon është e rëndësishme”.
Është e vështirë të thuash nëse këto ndjenja e kishin zanafillën te neveria e Folknerit ndaj publicitetit në përgjithësi apo ishin një reagim ndaj vështirësive të tij në marrëshënien me shtypin, por ai dukej se e dinte se sa shumë reputacioni i tij personal mund të dëmtonte reputacionin e veprës së tij. Faulkner ishte rritur duke përdorur sharje racore dhe i përdorte ato në letërkëmbim; pasi u bë i njohur, ai vazhdoi të shkruante e të thoshte gjëra po aq skandaloze, në mos më shumë. Në një letër drejtuar redaktorit të një gazete në Memfis, ai sugjeroi se drejtësia jepej njësoj si nga truoat gjykuese edhe nga turmat e linçimit dhe se asnjë njeri i pafajshëm i asnjë race nuk ishte linçuar ndonjëherë. Në një artikull për revistën “Jeta”, ai dukej se barazonte shoqatë kombëtare për përparimin e njerëzve me ngjyrë me këshillin e qytetarëve supremacist të bardhë dhe kundërshtoi atë që ai e quajti “integrimin e detyrueshëm” të Jugut nga Veriu. Ai i tha New York Herald Tribune se dëshironte të rikthehej “autokracia dashamirëse” e skllavërisë, në të cilën “zezakët do të ishin më mirë sepse ata do të kishin dikë që të kujdesej për ta”. Në vitin 1956, disa vite pasi fitoi çmimin Nobel dhe rreth kohës kur qeveria federale e caktoi si ambasador ndërkombëtar për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ai i tha një gazetari se nëse e njëjta qeveri do të përdorte trupa për të zbatuar integrimin në Jug, ai do të bëj siç kishte bërë para tij stërgjyshi i tij o Konfederatës. “Nëse do të bëhej fjalë për luftime,” – tha ai, “do të luftoja për Misisipin kundër Shteteve të Bashkuara, edhe nëse kjo do të thoshte të dilja në rrugë dhe të qëlloja zezakët”.
Reagimi ishte i menjëhershëm. W. E. B. Du Bois e sfidoi Folknerin për një debat në shkallët e gjykatës së Misisipit, ku vrasësit e djaloshit afro-amerikan Emmett Till ishin shpallur të pafajshëm një vit më parë. Folkneri nuk pranoi, duke thënë: “Nuk besoj se ka një çështje për të cilën mund të ketë një debat mes nesh”. Ai bëri gjithashtu një deklaratë të menduar me kujdes: fjalët që i atribuoheshin, këmbënguli ai, ishin ato që “asnjë njeri i matur nuk do t’i thoshte, dhe, më duket se, asnjë njeri i arsyeshëm nuk do t’i besonte”. (Folkneri ishte një pijetar famëkeq, ai dukej se i besonte thënies latine in vino veritas – te vera është e vërteta. Ai gjithashtu botoi një apologji të titulluar: “Po të isha zezak”, duke bërë thirrje për të mos u ngutur në çështjet e racës dheduke u bërë thirrje avokatëve të të drejtave civile “ta marirn shtruar, të ndalen për një moment”.
Vërejtjet nuk u pritën mirë dhe mohimet nuk bindën askënd që nuk kishte ndërmend të mbronte Faulknerin. James Baldwin e kritikoi në faqet e Partisan Review, duke shkruar se Folkneri ishte njësoj si “shumica e jugorëve të bardhë deri të vullnetit të mirë”, në atë që argumentet e tij “nuk kanë asnjë vlerë si argumente, duke qenë pothuajse tërësisht dhe pnë mënyrë të pashpresë të pandershëe, kur nuk janë, me të vërtetë, të çmendura.” Baldwin e kuptoi se nuk kishte rrugë të mesme midis segregacionistëve dhe integruesve, dhe se nuk kishte pajtim të të drejtave dhe lirive të barabarta të artikuluara në Kushtetutë me diskriminimin dhe shtypjen e shteteve të Jugit që kishin mbështetur skllavërinë. Në lidhje me Folknerin, ai pyeste: “Ku janë provat e luftës së tij atje në emër të zezakëve? Pse, nëse ai dhe shokët e tij të ndritur në Jug kanë qenë të mërzitshëm nga brenda për të shkatërruar ndarjen, reagojnë tani me panik kur muret tregojnë shenja rënieje?”
Gorra nuk ka përgjigje të drejtpërdrejtë për pyetjen e Baldwin – it dhe ai pranon se disa lexues mund të gjejnë në këto fakte biografike arsye të mjaftueshme për ta dëbuar Folknerin nga programet mësimore, nëse jo nga raftet. Por eseja e Baldwin – it dënon politikën personale të shkrimtarit, jo veprën e tij; nuk e përmend kurrë veprën e Folknerit. Argumenti i Gorrës, megjithatë, varet nga leximi i detajuar i gjithçkaje, nga fjalitë individuale te simbolet, personazhet dhe temat nëpër romanet e autorit, të cilat së bashku ngrenë arguementin që një person racist mund të jetë një shkrimtar radikal. “Njeriu Folkner kishte shumë nga opinionet dhe vlerat e shoqërisë së mbyllur”, shkruan Gorra. “Por, kur romancieri mund të banonte te një personazh, kur ai rrëshqiste në një mendje tjetër dhe i vendoste ato opinione në një zë tjetër, ai ishte pothuajse gjithmonë në gjendje të qëndronte jashtë tyre, t’i vendoste dhe t’i gjykonte ato.
Folkneri nuk ishte i gatshëm që në jetën e tij të pranonte në mënyrë mjaftushme të këqijat e skllavërisë dhe ndarjes, por ai e bëri këtë me plotni të papërmbajtshme në letërsinë e tij. Ai ishte një Hieronymus Bosch i prozës: imagjinata e tij e torturuar mbushte histori pas historie me mëkate të çdo forme dhe me personazhe që kthehen në groteske duke i bërë ato. Megjithëse një pjesë e madhe e prozëshkrimit historik është një mënyrë arratisjeje, ajo e Folknerit është brutalizuese, duke përshkruar një Jug të degraduar fillimisht nga zvetënimi dhe më pas nga refuzimi për të shpaguar për të, edhe përballë disfatës. Në vitin 1936, në të njëjtin vit kur Margaret Mitchell i dha botës një romancë mes mashtruesit Rhett Butler dhe bukuroshes jugore Scarlett O’Hara, Folkneri botoi një histori përdhunimi, inçesti dhe terrori racist. Ishte përvjetori i shtatëdhjetë e pestë i fillimit të Luftës Civile dhe amerikanët e bënë të qartë se cilin version të ngjarjeve donin të mbanin mend: Nga romani “Absalom, Absalom!” u shitën rreth dhjetë mijë kopje; “Bashkë me erën”, u shit më shumë se një milion kopje dhe fitoi çmimin Pulitzer.
“Absalom, Absalom!” ishte romani i nëntë i Folknerit, i botuar dhjetë vjet pas të parit. Në atë dekadë mahnitëse, ai shkroi gjithashtu “Zhurma dhe tërbimit”, “Duke dhënë shpirt” dhe “Dritë e gushtit”. Pasi braktisi shkollën e mesme, Folkneri eksperimentoi me poezinë kur ishte adoleshent, më pas u regjistrua për të luftuar në Luftën e Parë Botërore me Forcën Ajrore Mbretërore. Është e paqartë pse ai nuk u bashkua me ushtrinë amerikane; gjithsesi, armëpushimi mbërriti para se ai të kishte mbaruar stërvitjen dhe ai u lirua. Folkneri solli në shtëpi uniformën e një oficeri dhe “u”-në që i kishte shtuar mbiemrit të familjes së tij për ta bërë atë të dukej më anglisht. Të dy ishin pjesë e personalitetit që ai zhvilloi në Universitetin e Misisipit. Familja e tij dikur kishte qenë e shquar në pjesën e Misisipit ku ai lindi (prejardhja e tij përfshinte bankierë dhe biznesmenë), por Folknerit nuk i pëlqente shumë të ishte student. Ai ndoqi disa kurse për letërsi dhe gjuhë, por përfundoi duke kaluar më shumë vite në kampus si drejtues poste i shkollës. Edhe kjo nuk zgjati shumë: i zënë duke luajtur letra dhe golf gjatë orarit të punës, ai neglizhoi të dërgonte postën, dërgoi gabimisht disa letra ndërsa të tjerat i hidhte në kosh, nuk pranonte të plotësonte faturat e kthimit dhe, shpesh nuk e merrte mundimin as të hapte zyrën, shpesh kohën aty e kalonte duke shkruar librin e tij të parë.
Ky libër ishte një përmbledhje me poezi, “Fauni i mermertë”, ndoshta më tradicionali dhe sigurisht më pak i shquari nga të gjithë librat e botuar nga Folkneri, ai e huazoi titullin nga Nathaniel Hawthorne dhe stilin nga romantikët dhe simbolistët. Por proza që pasoi ishte e gjitha e tij. Proza e Folknerit nuk ka aq ndikime sa ngjashmëri. Ai i dogji shtëpitë me zellin gotik të Edgar Allan Poe-s, organizoi skena krizash morale në mënyrë dramatike si Dostojevski dhe krijoi fanatikë që do të kishin kënaqur Herman Melvilin. Ai krijoi personazhe që migruan nga një roman në tjetrin dhe shkroi rrëfim të rrjedhës së vetëdijes që paraqiste sintaksë të thyer dhe eksperimente tipografike. Një fjali e vetme, gati një mijë e treqind fjalë në “Absalom, Absalom!” përfshin kllapa, pikëpyetje, mbesa, lënesha, demonë, dragonj, pula, arkivole, Uashingtonin, Linkolni dhe Faustin.
Ai roman ka shumë zëra narrativë, por personazhi që i lidh është Kuentin Kompsoni, i cili shfaqet edhe në “Zhurma dhe tërbimi”, botuar shtatë vjet më parë. Kuentini është pasardhës i një gjenerali të Konfederatës, një guvernator i Misisipit dhe trashëgimtar i një pasurie të fituar fillimisht nga një shef Çiksou në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, tani duke u përdorur për të mbuluar koston e shkollimit të tij në kolegj. “Zhurma dhe tërbimi” ka katër pjesë, secili kushtuar një personazhi të ndryshëm: Kuentinit, vëllezërve të tij Benxhi dhe Xhejson, dhe kuzhinieres së familjes Kompson, Dilzi. Romani është një lojë pasioni në të cilën dy trashëgimtarët e autoritetit dhe pushtetit janë mashtrues dhe të shthurur dhe dy pjesëtarët e përçmuar të shoqërisë janë të nderuar dhe të denjë. Romani fillon të Shtunën e Madhe brenda ndërgjegjes së shtrënguar dhe të butë të Benxhit, i cili është krjet i paaftë mendërisht, dhe përfundon të dielën e Pashkëve me Dilzin, devotshmëria dhe kujdesi i sinqertë i së cilës bëjnë kontrast me zvetënimin e familjes së cilës i shërben dhe atë të ish-Konfederatës, në të cilën ajo ka mbetur si në grackë. Ndërsa pjesët e përqendruara te Benxhi, Kuentini dhe Xhejsoni rrëfehen në vetën e parë dhe pasqyrojnë karakterin endacak ose të pabindur të mendjeve të tyre, pjesa e fundit përmban një narrator të gjithëdijshëm dhe përfshin një predikim se si shoqëria shëlbohet nga pjesëtarët e saj më pak të respektuar. Në tempull po dëgjojnë “idiotët” e familjes Kompson, i cili për nga nevojat ngjan me Krishtin, dhe shërbëtori i tyre zi, i cili është si Krishti në përmbushjen e tyre.
Të fundit do të jenë të parët, dhe në romanin e Folknerit tashmë janë. Me gjithë filozofinë e tyre, Xhejsoni dhe Kuentini dhe ati i të dyve nuk mund të arsyetojnë rrugën e tyre për të dalë nga e keqja drejt së mirës. Një Hamlet amerikan, Kuentini është gjysmë i çmendur dhe gjysmë i dashuruar me motrën e tij; ai është aq i konsumuar nga idengulitja e tij për pastërtinë seksuale dhe nderin racor, saqë as largimi nga Jugu për në Harvard nuk e lejon t’i shpëtojë fatit të të gjithë anëtarëve të tjerë të dështuar të familjes së tij. Nga një prej monologëve të tij të vetmuara merr Gorra titullin e librit të tij. I ulur në dhomën e tij të konviktit më shumë se një mijë milje larg nga Misisipi, Kuentini rindërton një kujtim të pjesshëm të diçkaje që babai i tij i tha dikur: “çdo njeri është arbitri i virtyteve të tij, por askush të mos lejojë që t’i parashkruajë një tjetri të përhershmen apo kalimtaren dhe ajo ishte fjala më e trishtuar nga të gjitha, nuk ka asgjë tjetër në botë, nuk ka dëshpërim deri në çastin kur nuk ka ardhur as koha deri sa të ndodhë”. Një avokat me profesion dhe alkoolist nga natyra, babai i Kuentinit është një burim mundimi për të katër fëmijët e tij, tre djemtë dhe motrën e tyre, Kedi. Edhe pse pasuria e familjes është tretur, babai mbetet i fiksuar pas fuqisë dhe pasurisë së brezave të mëparshëm, duke jetuar në vendin e “ishte” dhe jo “është” ose “do të jetë”, duke i nënshtruar fëmijët ndaj teorive të tij të kohës dhe etikës, dhe qytetërimit, aq i shqetësuar për të kaluarën saqë ai nuk mund t’u ofrojë atyre asnjë mënyrë për të jetuar në të tashmen ose për t’u përgatitur për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse, pak para se Kuentini të bëjë vetëvrasje, ai kthehet në monoligun e “fjalës më të trishtuar”, duke thyer orën e xhepit të gjyshit të tij për të ndaluar kohën dhe duke arritur në idenë e tij të tragjedisë: “Përsëri. Më e trishtuar se sa ishte. Përsëri. Më e trishta nga të gjitha. Përsëri”.
Në “Fjalët më të trishtuara”, Gorra pohon se Kuentini përfaqëson pikëpamjen e Folknerit për tragjedinë si përsëritje. “Përsëri” ishte fjala më e trishtuar si për personazhin ashtu edhe për autorin sepse “sugjeron se ajo që ishte thjesht ka vazhduar të ndodhë, një cikël përsëritjeje që përsëritet përgjithmonë”. Si jugori i vërtetë, ashtu edhe ai i trilluar ishin të kapur në grackën e atij cikli, të vetëdijshëm se rënia e Konfederatës ishte e duhur dhe e drejtë, por të paaftë për t’u çliruar nga simpatitë e tyre për Jugun e para luftës. “Ajo që ishte nuk mbaroi kurrë”, shkruan Gorra, duke vënë në dukje se racizmi që e futi në grackë Folknerin në shekullin e kaluar vazhdon edhe në këtë: “Ka pasur momente në historinë tonë, të shkurtra, kur kuptimi i Luftës Civile dukej i zgjidhur. Ky nuk është një prej tyre, jo kur iluzioni se ky vend mund të shndërrohet në një shoqëri pasraciale është i rrënuar. Përsëri. Kjo është pikërisht arsyeja pse Folkneri mbetet kaq i vlefshëm, kjo përsëritje e bën atë të domosdoshëm”.
Shumë personazhe të Folknerit shfaqen në romane dhe tregime të shumta, por Kuentini përfaqëson lartësinë e talenteve të shkrimtarit dhe thellësinë e identifikimit të tij me protagonistët e dënuar. Pesimizmi i Folknerit, i dukshëm edhe në mesin e brezit të humbur, dukej parashikues gjatë lëvizjes për të drejtat civile dhe duket edhe më i tillë sot. E tij “Përsëri . . . Përsëri. . . Përsëri” është versioni amerikan i thirrjes tragjike të Shekspirit, te “Makbethi”, “Nesër, dhe nesër, dhe nesër”. Një romancier i lindur një brez të plotë pas përfundimit të Konfederatës këmbëngul se nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të përsëriste dhunën raciste dhe sepratiste të të parëve të tij; një vend njëqind e pesëdhjetë e pesë vjet pas Luftës së tij Civile është ende i ndarë dhunshëm kur bëhet fjalë për flamujt dhe monumentet e atij konflikti.
Gorra argumenton se racizmi dhe dështimet në arsyetimin moral që karakterizuan jetën e Folknerit përthyhen shkëlqyeshëm në vepër: “Ata na flasin për një shpirt të copëtuar; për një betejë në të cilën pala e duhur nuk fiton gjithmonë”. Në vend që ta ndajë artistin nga arti i tij, Gorra sugjeron që të dyja janë të ndërthurura; racizmi i Folknerit i shërbeu portretizimit shkatërrues të tij. Më parë apologjetët e Folknerit u përpoqën të minimizonin aspektet e politikës së tij që ata i shihnin si të papëlqyeshme, qoftë duke mohuar ekzistencën e tyre, qoftë duke këmbëngulur se ai mund të kishte qenë më keq, apo duke ngritur në mënyrë të rreme pjesë të zgjedhura të biografisë së tij sikur të falnin të gjitha të tjerat, si eulogjia që ai bëri për shërbëtoren zezake të familjes së tij, Karolina Barr, së cilës i kushtoi librin “Zbrit, Moisi”. Por askush nuk mund ta mbrojë Folknerin, përveç personazheve të tij. Siç e dinte vetë shkrimtari, arti më i mirë e tejlkalon gjithmonë artistin që e krijon. Transcendenca nuk është një përvojë estetike vetëm për lexuesit; mund të jetë e tillë edhe për shkrimtarët.
Pak nga bashkëkohësit e Folknerit, madje edhe ata që u morën me tmerret e luftës ose ndarjen racore që pasoi, shkruan për versionet intime të atyre konflikteve: pë shfrytëzimin seksual të skllavërisë, realitetet e dashurisë ndërracore, ndërthurjet sociale dhe emocionale të të familjeve të të zinjve dhe të të bardhëve, përvoja e përjetuar e martesave të përziera dhe rreziqet e saj. Ndërkohë, romanet e Folknerit janë plot pështjellim mbi identitetin racor, me personazhe me raca të përziera që përpiqen të përcaktojnë origjinën e tyre, ose i njohin ato dhe përpiqen të kuptojnë se si të përshtaten në botë, dhe, në çdo rast, duke luftuar për të gjetur një identitet që mund t’i mbështes ata në një shoqëri thelbësisht racore. Këta personazhe përfshijnë disa nga krijimet më të shquara në letërsinë amerikane: Xho Krishtlindin, (Dritë e gushtit), Klitemnestra Satpenin, Çarls Bonin (Absalom, Absalom!)”. Faulkner shkroi gjithashtu për personazhe të bardhë që ishin të fiksuar pas kategorive racore, si Kuentini, i cili ulet pranë një burri me ngjyrë në një tramvaj në Masaçuset, duke menduar: “Një negër nuk është një person shumë se sa një formë sjelljeje; një lloj pasqyrimi i njerëzve të bardhë mes të cilëve ai jeton”.
Ndërsa Baldwin – i i përjashtoi këta personazhe nga qëndrimi i tij për politikën e Folknerit, shkrimtarë të tjerë zezakë kanë marrë frymëzim prej tyre. Romancierja Toni Morrison shkroi tezën e saj të masterit pjesërisht mbi Folknerin dhe përshkrimet e tij të atyre që ajo i quajti individë “të tëhuajsuar”, duke përfshirë Kuentinin. Studiuesi James A. Snead vërejti në studimin e tij për Folknerin, “Figura të ndarjes”, se, në një shoqëri ndarjesh të skajshme, ku njerëzit ndaheshin në kategori të rrepta meshkuj ose femra, të pasur apo të varfër, të bardhë apo të zinj, shkrimtari pa përmes dikotomive të tilla: “Kërkimi gjenealogjik i Folknerit nuk zbulon pastërtinë, por më tepër shkrirjen dhe kaosin, gjendje kundër të cilave traditat e klasifikimit dhe ndarjes shoqërore luftojnë më kot”. Ajo që Folkneri njohu ishte kudondohja e betejave të tilla për identitetin dhe rëndësia e tyre në përvojën amerikane – mënyra se si pyetja: “Kush jam unë?” është gjithmonë e lidhur me pyetjen “Kush jemi ne?”.
Gorra është më magjepsës kur priret drejt këtyre betejave depërtuese private, duke lënë pas për nga përpkimëri edhe broshurat e bazave ushtarake dhe destinacioneve turistike. “Fjalët më të trishta” ngec vetëm kur kthehet në një guidë udhëtimi të aventurave të tij: vizitat në varrezat stërgjyshore të Folknerit në Ripley, Misisipi; në pronën e madhe që bleu në Oksford dhe e quajti Rowan Oak; te statuja e Konfederatës në Riçmond, dhe rruga e sotme Emitsburg, në Getisburg. Një rojtar parku mund të sigurojë një turne më të mirë të lëvizjeve të trupave në Shiloh; një profesor i letërsisë mund të artikulojë se çfarë bën një roman me një histori të tillë. Gorra ka menduar për dekada për shkrimin e Folknerit dhe ai është një mësues jashtëzakonisht iluminues, në një paragraf mjeshtëror, ai shpjegon fjalinë e parë të “Absalom, Absalom!”, duke treguar se si mbiemrat e tij bëhen folje dhe grumbullohen si makina në një bllokim trafiku, dhe mënyra se si vendi që ai përshkruan është kaq i mbytur dhe statik sa të vetmet gjëra që lëvizin brenda tij janë grimcat e pluhurit. Për romanin në tërësi, Gorra shkruan: “Askush nuk mund ta lexojë shpejt apo edhe plotësisht me kënaqësi, por kushdo që mund të dëgjojë mosharmoninë e tij të lulëzuar, do ta dijë se libra të tillë janë arsyeja pse ne lexojmë ”.
Kuentin Kompsoni, thekson Gorra, është një enë e thyer për gjithë këtë histori dhe përshkrim; lexuesit e Folknerit udhëhiqen nga “mendja e fragmentuar e një djali që duket tashmë gjysmë fantazmë”. Folkneri e dinte se vetja e torturuar ishte subjekti i tij i vërtetë dhe rrëfimtarët e tij janë gjithmonë të shkatërruar nga njohuritë që zotërojnë. Në fjalimin e tij të pranimit për çmimin Nobel, Folkneri tha se ishin “problemet e zemrës njerëzore në konflikt me vetveten ato që vetëm mund të bëjnë temën e një letërsie të mirë, sepse vetëm për të ia vlen të shkruhet, ia vlen agonia dhe mundimi”.
Raca ishte manifestimi më i spikatur i atij konflikti për personazhet e tij dhe për vetë Folknerin. Siç sugjeroi Baldwin-i, Folkneri u ishte lutur aktivistëve të të drejtave civile për t’u dhën “kohën në të cilën jugu do të pajtohet me veten”. Megjithatë, vetë romanet e Folknerit pranuan se një shekull nuk kishte qenë koha e mjaftueshme për të arritur atë paqe.
Pasi Folkneri u largua, familja e tij vazhdoi të demonstronte se si “Përsëri . . . Përsëri. . . Përsëri”, nuk ishte trillim, por fakt. Folkneri vdiq në verën e vitit 1962, në moshën gjashtëdhjetë e katër vjeçare. Disa muaj më vonë, gjykatat federale urdhëruan Universitetin e Misisipit të pranonte studentin parë me ngjyrë, Xhejms Meredith. Legjislatura e shtetit miratoi një projekt-ligj që deklaronte se të akuzuarit për krime të turpit moral nuk mund të pranoheshin si studentë në një universitet shtetëror dhe, ditën që u bë ligj, Meredith u dënua për mashtrim votash, një krim që ai nuk e kishte kryer. Administrata Kenedi ndërhyri për të siguruar pranimin e tij, duke dërguar qindra oficerë federalë të zbatimit të ligjit për të shoqëruar Meredith kur ai u regjistrua.
Dy njerëz vdiqën dhe më shumë se njëqind e pesëdhjetë marshallë federalë u plagosën në trazirat që pasuan, të cilat u bënë të njohura si “Beteja e Oksfordit”. Siç vëren Gorra, ajo betejë shfaqi Folknerin në të dyja anët. Gjashtë vjet pasi romancieri deklaroi se nëse do të duhej të luftonte për Misisipin kundër kombit të tij, një nga nipërit e tij theu njërin krah duke komanduar njësinë lokale të Gardës Kombëtare që zbatonte urdhrin federal të integrimit. Vëllai i atij nipi ishte në mesin e atyre që u rebeluan.
Te lumte Granit Zela. Faleminderit per kte prurje fantastike.
Nuk po di se me cilën uresë të uroj për kët libër të W. Foknerit, ,, DEMONËT – vepër e dyfisht 1, ga Shkrimtari dhe 2, përkthyesi G. Zela në gjuhën Shqipe. Q. Foniqi – mergimtari