More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDe Rada, sa i njohur, aq dhe i panjohur

    De Rada, sa i njohur, aq dhe i panjohur

    Nga prof. dr. Emil Lafe

    “Jeronim De Rada, Vepra historiko-filologjike”
    Përkthyer prej italishes, pajisur me një studim hyrës dhe me shënime e komente plotësuese nga prof. dr. Jup Kastrati.

    Tashmë lexuesit e Ex Libris janë në dijeni për botimin e kësaj përmbledhjeje të shkrimeve historike-filologjike dhe publicistike të Jeronim De Radës. Është një ndër botimet e para të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe një shenjë e fillimit të mbarë të veprimtarisë së saj. Jeronim De Rada është më i njohur në Shqipëri nga Bota e Arbëreshëve të Italisë dhe si të thuash një emër që simbolizon krejt atë botë. Por nuk janë të shumtë ata që i njohin përmasat e vërteta të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij dendur letrare, filologjike, historike, publicistike. De Rada te ne është studiuar në shkollat e mesme e në Universitet kryesisht si shkrimtar, e në radhë të parë si autor i poemës romantike “Milosao”.

    Tani lexuesi shqiptar ka mundësinë që ta njohë më të plotë veprën e De Radës dhe kjo falë këtij libri të përgatitur nga prof. Jup Kastrati për pothuaj 30 vjet (1949–1977)! Prof. dr. Jup Kastrati (1924–2003) është i mirënjohur në filologjinë dhe gjuhësinë shqiptare si punëtor i fortë dhe me vepra shquara si për nga vlera shkencore e tyre, ashtu edhe për nga ndikimi e dobia e drejtpërdrejtë në rrethet e studiuesve. Mjafton të përmendim se veprat e tij “Histori e gramatologjisë shqiptare” (Prishtinë, 1980) dhe “Historia e Albanologjisë” (vëllimi i parë, Tiranë, 2000), krahas një numri botimesh për figura e ngjarje të filologjisë shqiptare janë libra tryeze të pazëvendësueshëm për këdo që merret me albanistikë, dhe mjaft të kërkuar gjithashtu në botën e jashtme. Prof. Jup Kastrati është dalluar kurdoherë jo vetëm për zellin e pasionin e rrallë në fushën e kërkimit shkencor, por edhe për akribinë shembullore, për seriozitetin në punë, për saktësinë e dokumentimit dhe të gjitha këto marrin vlerë edhe më të madhe po të kihen parasysh vështirësitë e shumta që i është dashur të përballojë për të siguruar dhe konsultuar literaturën dhe burimet e nevojshme të punës.

    Prodhimtaria shkencore e prof. Jup Kastratit është e gjerë dhe mbulon shumë fusha të filologjisë e të gjuhësisë shqiptare, përveç punës së tij mësimore për vite e vite me radhë. Kushdo që e ka ndjekur dhe e ka njohur rrugën e veprimtarisë së tij, sigurisht ka vënë re se Jeronim De Rada ka qenë për të si një magnet i fuqishëm dhe si një flakë frymëzimi. Mjafton të përmendim se nga 718 zëra që përmban bibliografia e punimeve për Jeronim De Radën të botuara gjatë 90 vjetësh (1903 deri më 1993), 160 i përkasin penës së Jup Kastratit. I pari prej tyre është libri Jeronim De Rada, Poezi shqipe të shekullit XV. Këngë të Milosaut, bir i sundimtarit të Shkodrës, transliteruar, përshtatur në gjuhën e sotme shqipe dhe komentuar (Tiranë, 1956, 204 f., ribotuar në Prishtinë). Falë këtij libri nxënësit dhe studentët patën mundësi të lexojnë të plotë për herë të parë kryeveprën poetike të De Radës dhe ta kuptojnë e ta shijojnë falë shpjegimeve të nevojshme e të qarta filologjike të Jup Kastratit, atëherë profesor i ri (30 vjeç) i letërsisë në Gjimnazin e Shkodrës. Më 1962 u botua libri tjetër i Jup Kastratit Jeronim De Rada (Jeta dhe veprat), që është, besoj, i pari libër për jetën dhe veprën e një shkrimtari shqiptar. Me këto punime Jup Kastrati hyri në “orbitën” e De Radës dhe asnjë forcë nuk mund ta shkëpuste prej këtij dielli madhështor të letërsisë, të filologjisë, të kulturës e të atdhetarisë arbëreshe e shqiptare. Përmbledhja e shkrimeve historike-filologjike dhe e publicistikës së De Radës për të cilin kam kënaqësi të shkruaj këtë paraqitje për lexuesit e Ex Libris është fryt i pasionit deradian të Jup Kastratit. Te idealet e De Radës, te përkushtimi i tij për zgjimin, lirinë dhe përparimin e popullit shqiptar, te vepra madhore dhe te vetëflijimi i këtij Arbëreshi të Madh, J. Kastrati gjeti frymëzimin për veprimtarinë e tij intelektuale dhe shkencore.

    Përmbajtja e librit. Libri mban titullin “Jeronim De Rada, Vepra historiko-filologjike kuruar nga Prof. Jup Kastrati”, duke përfshirë këtu edhe letërkëmbimin me këtë tematikë. Në kohën që J. Kastrati përgatiste këtë vëllim, shkrimet e botuara të De Radës gjendeshin të shpërndara andej-këtej nëpër biblioteka, te ne kryesisht në Bibliotekën Kombëtare, dhe ishin gati të paarritshme për lexuesin e interesuar. Përveç kësaj pjesa më madhe janë italisht, ndërsa një pjesë tjetër arbërisht, çka e vështirësonte njohjen e përmbajtjes së tyre. Ideja e J. Kastratit për të përgatitur një vëllim tematik me shkrime të De Radës dhe për t’i bërë ato të shfrytëzueshme nga rrethe të gjera të interesuarish, mësues, pedagogë të shkollave të larta, studiues e studentë) ka merituar përgëzime e inkurajime që në zanafillë. Lënda e vëllimit është edhe fryt i interesimit këmbëngulës e sistematik të përgatitësit, që ka gjurmuar deradiana kudo ku ka mundur, në Shqipëri dhe në Itali, për gati 30 vjet (1949–1978). Sot siç dihet, kemi në duar botimin Opera omnia të J. De Radës (12 vëllime) që kanë dalë në vitet 2004–2017 në kolanën “Klasikët e letërsisë arbëreshe” të drejtuar nga prof. F. Altimari. Por edhe kjo Opera omnia nuk është e mjaftueshme për lexuesin shqiptar, pasi një pjesë e madhe e saj e shkruar italisht ose arbërisht paraqet vështirësi të mëdha për lexuesin e sotëm shqiptar. Do të ishte ideale që Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), në bashkëpunim me Universitetin e Kalabrisë, të ndërtonte një projekt afatgjatë për të sjellë në gjuhën shqipe të gjitha vëllimet e Opera omnia të De Radës, si të thuash një version shqip të kësaj kolane. Ndërkaq vëllimi me shkrime historike-filologjike dhe publicistikë përmbush një zbrazëti të ndjeshme për njohjen më të plotë të veprimtarisë, të mendimit, të ndikimit dhe të rolit të De Radës në jetën politike e kulturore shqiptare të kohës. Prandaj duhet përshëndetur botimi i kësaj vepre.

    Lënda e veprës paraqitet e ndarë në një varg kapitujsh tematikë dhe në fund ka një pjesë me të dhëna bibliografike dhe aparat shkencor.

    Kapitulli i parë (165 f.) përmban shkrimet e De Radës lidhur me prejardhjen dhe lashtësinë e shqiptarëve, me zanafillën e gjuhës shqipe dhe me marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje. Në shek. XIX arbëreshët dhe shqiptarët e Ballkanit kishin përqafuar tezën për origjinën pellazgjike të popullit dhe të gjuhës sonë. De Rada ishte ndër ata që e mbrojti dhe u përpoq ta argumentonte këtë tezë gjysmëmitologjike në një numër artikujsh që nga viti 1846 deri më 1899. Një numër shkrimesh të tjera të kësaj pjese De Rada merret me çështje konkrete të shqipes nga fusha e gramatikës, e fonetikës dhe e alfabetit, e fjalorit etj. Shkrime të tjera kanë të bëjnë me themelimin e Kolegjit Arbëresh të Shën Adrianit si vatër e mësimit të gjuhës shqipe.

    Kapitulli i dytë (80 f.) është vepra historiko-letrare e De Radës. Këtu janë përmbledhur parathëniet që ka shkruar për veprat e tij që nga “Milosao” (1836) e në vijim, si edhe shkrime e shënime të ndryshme letrare. Këto materiale së bashku kanë vlerë të madhe për të njohur më mirë krijimtarinë poetike të De Radës, shtysat dhe motivet e frymëzimeve të tij, po ashtu edhe pikëpamjet filozofike e estetike.

    Shkrimet e përmbledhura te kapitulli i tretë “Profile historiko-letrare” (48 f.) shtrihen në shtatë dhjetëvjeçarë (1833–1896). Janë 50 artikuj të shkurtër, me të cilët De Rada ka ravijëzuar profile dijetarësh, shkrimtarësh, intelektualësh, folkloristësh arbëreshë e shqiptarë si edhe albanologë të huaj, të shekujve të mëparshëm dhe bashkëkohës të tij, po ashtu edhe disa personazhe të folklorit shqiptar e arbëresh. Lënda e këtij kapitulli është një pasqyrë e gjallërisë së jetës mendore arbëreshe e shqiptare në shek. XIX dhe përmban të dhëna me interes për historinë e letërsisë dhe historinë kulturore në përgjithësi.

    Kapitulli i katërt mban titullin “Vepra historike, publicistike, politike” (100 f.) dhe përmbledh një varg shkrimesh që shtrihen në një periudhë prej 25 vjetësh (1873–1898). De Rada është një pionier i shtypit shqiptar. Me gazetat që themeloi “Shqiptari i Italisë” (1848) dhe “Fiamuri Arbërit” (1883–1887) ai luftoi energjikisht për çështjen kombëtare shqiptare duke botuar shumë shkrime me tema politike, veçanërisht te “Fiamuri Arbërit”, që u bë një tribunë e vërtetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shkrimet e përmbledhura në këtë kapitull dëshmojnë se në atë shekull De Rada, ashtu si edhe arbëreshë të tjerë, e shihnin Shqipërinë e lirë dhe të pavarur të së ardhmes, si atdheun e tyre të vërtetë, ku edhe do të ktheheshin pas një mërgimi të gjatë me energji për të ndërtuar atje jetën e tyre të vërtetë në liri.

    Kapitulli i pestë “Vepra historike-autobiografike” (110 f.) përmban tri shkrime: “Autograf” (1885); “Autobiologjia I, II, III, IV” (1898, 1899) dhe “Testamenti politik” (1902), nëpërmjet të cilave lexuesi njeh jetën dhe punën e De Radës ashtu si e përshkruan ai vetë.

    Kapitulli i gjashtë përmban një pjesë nga letërkëmbimi shumë i pasur i De Radës (118 f.), i përllogaritur nga J. Kastrati në rreth 3000 letra. Janë 45 letra të dërguara nga De Rada në gati 70 vjet (1834–1902). Letërkëmbimi i De Radës, që dëshmon gjerësinë e lidhjeve të tij me veprimtarë të shquar të Rilindjes, me personalitete të kulturës, shkencës dhe politikës, shqiptarë e të huaj, mund të bëhet objekt i një studimi të posaçëm, ashtu siç do të shërbejë për të ndriçuar mjaft çështje të veprimtarisë, po edhe të temperamentit e të personalitetit intelektual të tij. Prof. J. Kastrati ka meritën që e ka pasuruar fondin e letërkëmbimit të De Radës me kërkimet e tij të ngulëta nëpër burime të ndryshme. Ai ka theksuar me të drejtë se duhen bërë kërkime sistematike për të gjetur edhe letra të tjera, sidomos të dërguara nga De Rada. Shtoj me këtë rast se edhe te botimi Opera omnia i përmendur më lart vetëm vëllimi XII/1 përmban letërkëmbimin e De Radës me gjuhëtarin dhe shkrimtarin italian Niccolò Tommaseo. Ndoshta është planifikuar edhe një vëllim XII/2 me letra, por ende nuk ka njoftim për të. Edhe në ato pak letra që janë përmbledhur në këtë vëllim, shpërfaqet një botë e tërë arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë, na del përpara një panoramë e gjallë e lëvizjes mendore intelektuale, letrare, diturake.

    Kapitulli VII (118 f.) përmban 69 shkrime historike dhe filologjike të hartuara nga De Rada arbërisht dhe të transkriptuara me alfabetin e sotshëm të shqipes nga Jup Kastrati. Përveç interesit shkencor të temave të larmishme gjuhësore, kulturore, politike etj. që trajtohen këtu, vetë gjuha e De Radës ka një interes filologjik shumëplanësh: si përpjekje për ngritjen e ligjërimit popullor arbëresh në gjuhë shkrimi, si përpjekje për vendosjen e alfabetit, të drejtshkrimit dhe për stabilizimin e formave gramatikore, po ashtu si burim për të njohur fjalorin e arbërishtes dhe përpjekjet e De Radës për pasurimin e tij etj.

    Pas këtyre kapitujve vijnë: Bibliografia e Jeronim De Radës (vepra të botuara e dorëshkrime) që përfshin vitet 1831/32–1909 dhe Bibliografia e shkrimeve për Jeronim De Radën të botuara nga viti 1903 (viti i ndarjes nga jeta) deri më 1993. Të dyja këto bibliografi janë mjete ndihmëse shumë të dobishme për njohjen më të plotë të jetës e të veprës së De Radës, të rolit dhe të ndikimit të saj në letërsinë shqipe, në kulturën dhe në mendimin politik-shoqëror.

    Treguesi i emrave gjeografikë dhe treguesi i emrave të personave, të përgatitur nga QSPA e plotësojnë më së miri këtë botim, pasi japin informacion me vlerë për gjerësinë e mjedisit gjeografik dhe njerëzor ku shtjellohet përmbajtja e veprës.

    Parathënia e vëllimit e hartuar nga J. Kastrati mban datën 8 janar 2003. Në shtator të atij viti ai ndërroi jetë pa arritur ta përgatiste për botim vëllimin me kujdesin e tij karakteristik. Më vjen mirë të vërej se QSPA e ka vlerësuar seriozisht përgjegjësinë për botimin e një vepre të lënë në dorëshkrim nga autori dhe ka treguar kujdesin e merituar për punën e mbetur deri në shtypjen e librit.

    Duke përmbyllur këtë paraqitje dëshiroj të theksoj se libri “Jeronim De Rada, Vepra historiko-filologjike kuruar nga Prof. Jup Kastrati”përmban vlera të shumta njohëse dhe edukuese për kohën tonë. Ai do t’u shërbejë studiuesve të letërsisë arbëreshe e të Botës Arbëreshe e sidomos atyre që duan të thellohen në njohjen e krijimtarisë letrare dhe të veprimtarisë shoqërore-politike të De Radës, si një ndër personalitetet më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Prandaj ky libër është shumë i dobishëm për një rreth të gjerë lexuesish, duke përfshirë edhe arbëreshët. Libri do të jetë veçanërisht i dobishëm për mësimdhënësit dhe studentët e shkollave të larta e të mesme, që kanë pasion për letërsinë. Botimi i këtij libri duket edhe si një fillim i mbarë e shpresëdhënës për serinë e botimeve që po përgatit QSPA, duke i dhënë një hov të ri përtëritjes së lidhjeve të Botës Arbëreshe me Dheun stërgjyshor të Arbrit.

    Më kujtohet se në shkurtin e vitit 1974, duke biseduar në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës me studiuesin Giuseppe Gangale (1898–1978), themeluesin e fondit Arbëresh në atë bibliotekë, kur erdhi fjala për De Radën, ai, pak i habitur nga interesimi ynë i veçantë, na tha që De Rada nuk ishte ndonjë engjëll (De Rada war kein Angel). Natyrisht De Rada nuk ishte engjëll! Si shkrimtar ai kishte përbrenda demonin e krijimit, si Arbëresh ndiente në rrembat e tij gjakun e trimave të Motit të Madh. Ky vëllim shërben për ta njohur më mirë De Radën në të dyja këto vështrime.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË