Tashmë David Hosaflook dhe familja kanë marrë nënshtetësinë shqiptare. A mund të kthehemi tridhjetë vjet më parë kur erdhët në Shqipëri? Atëherë ishit një djalosh njëzetvjeçar.
Gjatë historisë, udhëtarët dhe udhëpërshkruesit e huaj kanë fituar një simpati të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët… William Martin Leake, Lord Byron, Edward Lear, Johann Georg von Hahn, Emily Strangford, Rose Wilder Lane etj. Edith Durham-i, për shembull, ka pasur një qëndrim të ftohtë ndaj shqiptarëve para se të vinte dhe para se t’u binte kryq e tërthor viseve shqiptare. Pastaj u bë “mbretëreshë” e maleve tona, duke lutur dhe duke këshilluar Princ Vidin që të mos rrinte në pallatin e tij në Durrës, i paralizuar nga intrigat, por të udhëtonte e të takonte shqiptarët rreth sofrave të tyre. Vidi nuk e pranoi kurrë këshillën e saj dhe, kështu, ka mbetur pothuajse i harruar në historinë e shqiptarëve.
Këto gjëra nuk i dija kur erdha këtu në vitin 1992. Erdha si besimtar, i shtyrë nga “amaneti” i Jezusit, kur u tha ndjekësve të tij: “Shkoni në mbarë botën dhe predikoni Ungjillin.” Shqipëria gëzonte një reputacion të rrallë në botë, si vendi i vetëm ateist. Ishte “Koreja e Veriut” e Europës. Kjo më tërhoqi. Zbulova se shqiptarët, pas gjithë atyre viteve të trushpëlarjes, nëpërmjet librave, si Shkenca dhe feja janë të papajtueshme apo Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë, nuk ishin të bindur për vlerat e ateizmit, e sigurisht nuk kishin gjetur as paqe, as parajsë. Kishin ende pyetje për jetën, vdekjen, e jetën pas vdekjes. Një ndër takimet e mia të para me “publikun e gjerë” ishte një emision javor në Radio Shkodra, me gazetarin Lek Plani, ku kam mbrojtur shkencërisht krijimin e njeriut nga Perëndia, në kundërshtim të teorisë së pavërtetuar të makroevolucionit. Ende besoj se shqiptarët duhet të kërkojnë Zotin, me zemër, jo me fjalë. Ai është zgjidhja dhe jeta, por ai kërkon pendim.
Shpejt, në vitet 1990, kam përjetuar të njëjtën forcë magnetike që shqiptarët kanë ushtruar mbi udhëtarët e mëparshëm të huaj: ngrohtësia e tyre, mikpritja, trimëria dhe respekti. Ne shqiptarët (po, jam edhe unë shqiptar tani) kemi edhe të meta, shumë madje, jemi shumë enigmatikë. Gjendja e Shqipërisë në vitin 1992 ishte çfarë ishte, por kam mësuar së shpejti kuptimin e shprehjes “bukë, kripë e zemër”. Meqë kam jetuar në Shqipëri më shumë se në vendin tim të lindjes, e mora nënshtetësinë, me gjithë familjen time. Jam krenar që jam shqiptar.
Gjuha shqipe që flisni dhe shkruani është e mahnitshme. Si e mësuat gjuhën tonë?
Me shumë lot… por faleminderit për komplimentin. Ende po përpiqem ta mësoj, e më vjen keq që kanë hyrë kaq shumë huazime. Sa do të doja të ktheheshin fjalë të përdorura në kohën e Rilindjes, si p.sh. bashkëfolje për dialogë, dhéshëtitës për eksplorator etj.
Më keni treguar se si, rastësisht, në një trotuar në Shkodër ju kapi syri një libër me titullin “Rrethimi i Shkodrës”. Me siguri kjo vepër e rëndësishme e kulturës sonë do t’ju lidhte më shumë me Shqipërinë.
Miku im, dikur profesori im i gjuhës, prof. Nuri Gokaj, më kishte dhënë një porosi, të përktheja në anglisht disa rreshta nga letërsia shqipe. Kur pashë imazhin e kështjellës së Rozafës në kopertinën e librit, u tërhoqa fort, se e dua atë kala, është vendi im më i preferuar në botë. Si mund ta dija se bashkëfolja ime e shkurtër me librashitësin atë ditë do të ndryshonte jetën time?! Sa mora vesh ç’kishte ndodhur pranë mureve të Rozafës, pra që kishte ardhur personalisht në Shkodër Mehmet sulltani, pushtuesi i Kostandinopojës, kuptova rëndësinë strategjike të Shkodrës në përballjet mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Rrethimi i Shkodrës”, çuditërisht, nuk ishte në anglisht. Ju e konstatuat këtë dhe filluat me përkthimin. Dua ta përmend me gëzim një fakt: ju përkthyet në anglisht këtë libër duke u nisur nga shqipja e latinistit të shquar, Henrik Lacaj. Pra, shqipja shërbeu si një gjuhë ndërmjetëse, midis latinishtes, gjuhës së kulturës europiane, dhe anglishtes, tashmë gjuhë botërore. A fitoi më shumë varianti anglisht nga ky?
Historia mahnitëse dhe letërsia rrëqethëse e Marin Barlecit më la pa fjalë. Meqë ende nuk po kuptoja mirë gjuhën shqipe, kërkova variantin anglisht. Sigurisht ekziston, – thashë me vete. Por jo! Atëherë nisa ta përktheja, jo për ta botuar, por më tepër që të kuptoja më mirë se ç’kishte ndodhur në qytetin tim të ri. Jam i vetëdijshëm se përkthimi nga origjinali është gjithmonë zgjidhja më e mirë, por kishim pritur më shumë se 500 vjet dhe askush nuk kishte marrë përsipër ta përkthente në anglisht nga latinishtja. Ndaj, bota anglishtfolëse i mbetet borxhli Henrik Lacajt. Barleti ishte shkodran i cili ka shkruar latinisht. Kur shkruaj unë, për shembull, në gjuhën shqipe, nuk mund të mos dalë brumosja ime amerikane, qoftë në përmbajtje, qoftë edhe në stil. Jam i bindur që latinishtja e Barletit është e tillë. Lacaj, shkodran si Barleti, arriti të futej brenda kokës së autorit, ndaj teksti shqip nuk është vetëm i shqipëruar, por edhe i barletizuar. Pastaj unë, si amerikan i shkodranizuar, kam arritur, shpresoj, të tejçoj këtë zinxhir, me besnikëri dhe bukuri.
Përkushtimi juaj për të botuar në anglisht librin “Rrethimi i Shkodrës” ishte një fat i madh për variantin shqip që ribotuam në qindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. A mund të na flisni më hollësisht se sa kohë u desh ta përfundonit dhe cilat burime të tjera, të panjohura deri atë kohë nga historianët shqiptarë, shërbyen që ky libër të ishte sa më i plotë dhe dinjitoz për shekullin XXI?
U afrova pranë shtëpisë botuese “Onufri” me kërkesën që ta botonte variantin anglisht, meqë kisha një përshtypje të mirë për seriozitetin e saj. Më priti botuesi në zyrën e tij, tepër modest, dhe më tregoi se, prej kohësh, ata kishin pasur një dëshirë të ribotonin variantin shqip, jo në mënyrë të piratuar (siç gjendet ende sot nëpër dyqane, me gabime dhe pa asnjë leje nga familja Lacaj), por në mënyrë dinjitoze nga ana ligjore, etike dhe cilësore. “Pse të mos bashkëpunojmë, – më tha botuesi, – që të dalin të dyja variantet njëkohësisht?” Sa u gëzova, se le të mos harrojmë që Rrethimi i Shkodrës është libri i parë që njihet të jetë shkruar nga një shqiptar. Sa i rëndësishëm që të ribotohet! Aty në zyrën e vogël të drejtorit filloi një bashkëpunim serioz dhe që do ta çmoj përjetë. Për kohën e përgatitjes, mjafton të them se jam marrë me përkthimin e librit prej vitit 1995 deri në vitin 2012. Është më tepër se një përkthim. Libri është pasuruar me shtojca, parathënie nga historianë, si Aleks Buda dhe David Abulafia, përmban edhe kronikat osmane të rrethimit, shënime historike dhe një bibliografi prej 136 burimesh që kam shfrytëzuar, të gjithë këto iu shtuan variantit shqip, duke shndërruar librin në një tekst historie, po aq sa është një vepër letrare.
Pas kaq kohësh që libri shitet për lexuesin anglishtfolës, a mund të na flisni për jehonën që ka pasur në rrethet akademike dhe jo vetëm?
Jam shumë i gëzuar që në qarqe akademike, historianë me emër paskan mirëpritur librin si një hallkë që kishte munguar në historinë e Mesdheut dhe kanë filluar ta citojnë në trajtesat shkencore të periudhës. Mund të përmend emra, si historiani David Abulafia (profesor në Universitetin Cambridge), autori Roger Crowley, i ndjeri albanolog Robert Elsie, i ndjeri historian Halil Inalcik i Turqisë etj. Ende nuk jam i kënaqur me nivelin e trajtimit të librit në viset shqiptare, sepse për mendimin tim ky libër duhet studiuar më gjerësisht në fakultetet e historisë dhe të letërsisë, pse jo edhe në shkolla të mesme. Ismail Kadare ka shkruar parathënien e botimit të ri, duke e quajtur këtë libër “kryeveprën” e Barletit, një libër monumental. Çfarë mund t’i shtojmë fjalës së Kadaresë?
Me siguri, pas përkthimit të këtij libri, keni pasur kërkesa për të përkthyer edhe libra të tjerë, sidomos letërsi artistike, meqenëse përkthyes të zotë nga shqipja në anglisht ka fare pak. Si u përgjigjeni në këto raste?
Në kafen time të fundit me Robert Elsie në sheshin Skënderbej, ai më tha: “Ju paralajmëroj, David, do t’ju vijnë shumë kërkesa, sepse jemi shumë pak veta që mund të përkthejmë siç duhet nga shqipja në anglisht.” Profetizimi i tij u realizua, por me keqardhje zakonisht duhet të them “jo”. Nuk jam një përkthyes në profesion. Nuk kam kohë. Kam shumë përgjegjësi të tjera në familje, në kisha, në institutin që drejtoj dhe në universitete ku jap mësim. Jam tepër i ngarkuar. Kam përkthyer Rrethimin e Shkodrës nga dëshira, pa pagesë. Qëndrimi im ka vetëm disa përjashtime, raste të rralla, kur një burim i historisë shqiptare më tërheq kaq shumë sa që shtrëngohem ta përkthej.
Ju keni një kontribut të çmuar për ndriçimin e trashëgimisë kulturore dhe arsimore të familjes Qiriazi. Qendra që ju drejtoni ka bërë shumë botime librash dhe veprimtari të tjera, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut apo Kosovë. A i keni arritur pikësynimet tuaja tashmë?
Jam një ndër themeluesit dhe drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, i cili ka për mision të nxisë zbulimin e historisë dhe mendimit shqiptar dhe protestant. Shumica e shqiptarëve nuk dinë që ka pasur një komunitet zyrtar protestant shqiptar, që në vitin 1891, themeluar jo nga të huajt, por nga shqiptarët, me familjen Qiriazi në krye. Jam doktoruar para disa vjetësh në Universitetin e Tiranës, për histori, me këtë temë për disertacion. Normalisht, historia e ungjillorëve dhe botimet e tyre ishin fshehur gjatë diktaturës, por pasuria dokumentare është marramendëse. Kemi botuar deri tani 24 libra dhe kemi shumë të tjerë që duhet të dalin në dritë.
A mund të na flisni për familjen tuaj? A ndihen ata amerikano-shqiptarë?
Nuk e meritoj bashkëshorten time të mrekullueshme, shoqen e jetës, e cila pranoi të linte qytetin e saj të bukur, Orlandon, dhe familjen e saj, që të shërbente krahas meje në këtë vend. U martuam në vitin 1997 – vitin e famshëm – dhe e gjithë Shqipëria paska “festuar” dasmën tonë, me kallashnikovë! Kështu themi ne, së paku, se do pak humor në kohë krizash. Shkodra ka pasur shumë kriza gjatë viteve dhe ime shoqe ka përjetuar situata stresi, si gjithë nënat e reja shkodrane, por së bashku me to. Me gjithë këto vështirësi, ajo kurrë nuk më vuri nën presion për t’u kthyer në Amerikë. Këtë e vlerësoj shumë. Kemi pesë fëmijë, dy të birësuar nga jetimore shqiptare. Janë rritur këtu dhe, sigurisht, ndihen amerikano-shqiptarë.
Në këtë kohë izolimi për shkak të Covid 19, me çfarë merreni? A keni ndonjë projekt të ri?
Aktualisht, COVID-i më ka gjetur në Shqipëri, por familjen time në Amerikë. Ndaj fati im ka qenë të jem vetëm, por lavdi Zotit për teknologjinë, që na bashkon përditë me telefon. Gjatë kësaj kohe kam përkthyer në anglisht librin/ albumin e Ferid Hudhrit, Shqipëria në art. Ky libër, për mua, është një kryevepër nga ana pamore dhe intelektuale, një ekspozitë virtuale që çdo shqiptar jashtë atdheut duhet të mbajë, siç themi në Amerikë, si një “coffee table book” për odën e mysafirëve.
Së dyti, kam punuar për ribotimin e dy librave të Gjerasim dhe Gjergj Qiriazit, Krestomaci, a udhëheqës për çdo shtëpi shqiptari, gjëra të ndryshme e të vlefshme për lexim në mësonjëtoret shqipe (vëllimi I, 1902 dhe vëllimi II, 1907). Dr. Jorina Kryeziu ka transkriptuar këto vëllime (secili me nga 317 faqe!) në alfabetin e sotëm dhe po bashkëpunoj me një studiues të ri impresionues, z. Ledio Hala, për ballafaqimin e tekstit me origjinalin. Duke u marrë me disa faqe në ditë, shpresojmë që librat të dalin në vjeshtë.
Projekti më i vështirë gjatë kësaj kohe ka qenë organizimi i arkivit të Institutit tonë. Në vitin 2016 kemi marrë një fond arkivor, koleksionin e Edwin Jacques (shqiptohet Xhejks, jo Xhak si mendohet në Shqipëri, sepse ishte amerikan, jo francez). Xhejksi ka qenë misionar protestant në kishën ungjillore të Korçës nga viti 1932 deri në vitin 1940, deri kur u dëbua për shkak të luftës. Sigurisht, regjimi nuk e lejoi të kthehej. Kështu, nga larg, Xhejksi i kushtoi gjithë jetën e tij studimit të historisë së shqiptarëve. Ai vetë kishte marrë koleksionin e dorëshkrimeve dhe shtypshkrimeve të misionarëve protestantë Phineas dhe Violeta Kennedy, të cilët kanë shërbyer në Korçë gjatë viteve 1908-1935, në shkollat shqipe dhe në kishat ungjillore. Xhejksi shquhet për librin e tij 750-faqësh, The Albanians (Shqiptarët: historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme), mundësisht libri më i madh për historinë e shqiptarëve në gjuhën angleze.
Pas vdekjes së Xhejksit, në vitin 1998, fëmijët e tij ia dhuruan koleksionin Seminarit Baptist të Denverit në SHBA. Kur e vizitova arkivin për herë të parë, në vitin 2014, u mahnita me sasinë dhe pasurinë e materialit (që nga viti 1908!) – dorëshkrime, kartolina, fotografi, botime etj., madje edhe artikuj të ndryshëm, si flamuj të vjetër shqiptarë të zverdhur dhe opinga prej gome. Ky burrë e deshi Shqipërinë po aq sa unë! Arkivistja e seminarit filloi të qeshte me mua, duke parë se si po “kërceja nga gëzimi” me çdo sirtar tjetër që po më tregonte. Më tha: “Këtu në Denver, aq larg Shqipërisë, askush nuk shfaq interes për këto gjëra! Ndaj po gëzohem.” Historia është e gjatë, por me pak fjalë, në vitin 2016, me bekimin e fëmijëve të E. Xhejksit, arritëm ta merrnim arkivin, me qëllim që ta shfrytëzojnë studiuesit shqiptarë dhe albanologët e huaj.
Ky fond ka mijëra dokumente dhe, deri tani, nuk kemi pasur mundësi t’i sistemojmë. Puna në arkiva është punë murgu dhe COVID-i më bëri murg! Ndaj, gjatë kësaj kohe izolimi, kam punuar që në mëngjes deri në darkë për këtë punë. Arkivi Qendror i Shtetit na ka ndihmuar me dosje dhe kuti arkivore, e shpresojmë që në të ardhmen të skanojmë gjithçka e të ofrohet online për studiues. Bibla thotë se korrim atë që mbjellim, ndaj shpresoj që kjo kohë të sjellë shumë fryte në të ardhmen.