More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dashuria", tregim nga Dhurata Hoti

    “Dashuria”, tregim nga Dhurata Hoti

    Gentin e kisha takuar para nëntë muajsh, në një natë prej atyre që mendon se do të kthehesh herët në shtëpi. E patëm atë kiminë e zjarrtë, të pamohueshme dhe nuk i lamë hapësirë njëri-tjetrit të na ikte. Përfunduam duke bërë dashuri po atë natë. Ishte prej atyre burrave që mendja ime ndien një lloj tërheqje pothuajse frikësuese dhe unë prita të ishte një filing i shkurtër disaditësh. Pas një jave së bashku, pothuajse të pandarë, përpos kohës kur ai nisej për në punë e unë ulesha për të shkruar, por në vend të kësaj përfundoja duke mos dashur të bëj gjë përpos të mendoj për të, ne erdhëm në përfundim se ishim dashuruar. Pas tri javëve e njoftuam njëri-tjetrin me familjen dhe miqtë. Gjithçka u duk e natyrshme. Filloi të më rregullohet gjumi dhe ndihesha e qetë, edhe pse qetësia për mua nuk është aq e zakonshme sa të më duket si gjëja e duhur. Të isha e qetë ishte si gjendje që ndonjëherë më frikësonte. Mirëpo, ndoshta, më në fund po rritesha.

    E mbaj mend momentin e saktë kur u ç’dashurova. Ishte si një lloj alarmi. U zgjova në orën 3 të mëngjesit e mbytur në djersë. Ai po flinte afër meje. Ishte në një gjumë të qetë. Nuk po gërhiste. Në atë çast, sikur të më kishte dalë e shkruar si titra në filma, e kuptova se nuk e doja më. Kjo nuk erdhi si pasojë e ndonjë konflikti, pakënaqësie a monotonie. Më ngjau sikur dikush të më kishte magjepsur. Ose ç’magjepsur, nuk jam e sigurt. Ne ishim të lumtur. Isha kaq e sigurt që kësaj here isha vërtet e lumtur dhe përnjëherësh sikur të zgjohesha nga një natë me shumë tekilla dhe të më kujtohej se çfarë budallallëqe kisha thënë, e kuptova që nuk e doja më.

    Forma e trupit të tij m’u duk sikur u çtrajtësua, duke e bërë të tejdukshëm, sa arrija t’i shihja rrudhat e çarçafëve poshtë që kishte bërë pesha e tij. Po shihja përtej mendimeve të tij. Sikur të më ishte zbuluar një vel i një realiteti që nuk kisha qenë në gjendje ta shihja më parë, porse tani ishte kaq e dukshme. Mënyrë se si fliste, si ishte aq e shpëlarë, se si e shihte veten dhe si e shihte bota, ishin kaq tendencioze, jo origjinale sa s’kuptoja pse isha dashuruar me të. ‘Liebe ist kalter der tod’, një titull i një filmi të Fassbinder nuk e di pse filloi të më jehonte brenda mendimeve të mia sikur ndonjë refren.

    Dola prej dhomës, e vesha fustanin e një nate më parë që e kisha lënë në divan kur ma kishte hequr teksa po bënim dashuri dhe unë kënaqesha me trupin e tij dhe e dëshiroja, por era e tij që kishte mbetur në fustan më neveriti. U ktheva në dhomë, e hapa dollapin pa bërë zhurmë, e vesha një bluzë pambuku dhe pantallonat. Kisha frikë se po të zgjohej do t’i tregoja gjithçka, edhe do ta keqtrajtoja duke e prekur në dhimbjet më të thella, të papërpunuara të tij, ato që ai nuk ia pranonte vetes, e që unë mund t’i shihja sepse e njihja mirë. Aq shumë ndieja mllef ndaj tij, sikur dashuria që më kujtohej të kisha ndjerë, të kishte qenë prej ndonjë mashtrimi a manipulimi të tij. Vetëdija ime e dinte që nuk kisha të drejtë. Më paralajmëronte që ndoshta kisha ndonjë psikozë, fazë apo post traumatic disorder nga shikimi në një moshë shumë të re të filmave të novelle vague franceze, mirëpo ndjesia ishte aq e fortë sa, ndoshta, vetëm më mbetej të shpresoja se do të kalonte. Ndoshta ishte veç prej gjithë asaj vere që pimë mbrëmë! Ndoshta do të kthjellesha dhe do të qeshja me mendimet e mia!

    Dola prej shtëpisë në rrugën e zbrazët. Një taksi me dy djem brenda, bërtitën diçka. Eca më tutje. Hëngra mëngjes dhe piva kafe me një shije të jashtëzakonshme. Porosita edhe një të dytë bashkë me një ëmbëlsirë. U ktheva në shtëpi vetëm pasi ai kishte dalë. Kur e pashë telefonin, të cilin e lashë duke u mbushur, më kishte thirrur dhjetë herë para dhe pasi kishte shkuar në punë. Më kishte lënë edhe mesazhe. Ishte shqetësuar. Vetëm i pashë. Refuzova t’i lexoj. Dola offline dhe i shkrova Akilit, ish-të dashurit, të vetmit që vazhdoja të mbaja kontakt pas ndarjes. E dija që miqtë e afërt do të ma merrnin për një krizë personaliteti. Nuk do ta kuptonin. Me të kisha kaluar një kohë shumë të shkurtër. Pasioni që zakonisht ma mjegullonte arsyen, me të nuk kishte kapacitet të madh dhe, si pasojë, kishim mbetur miq dhe mirëkuptonim edhe aspekte jo dhe aq të ndritura të njëri-tjetrit. Ai m’u përgjigj dhe më tregoi se ishte në Tiranë. I thashë se po shkoja me të. Me një urgjencë të njohur për të, pa e pyetur nëse kishte bërë plane me dikë tjetër. As ai nuk më pyeti çfarë më kishte ndodhur, vetëm me cilin autobus do të nisesha. I mblodha disa prej gjërave të mia shpejt dhe thirra një taksi.

    Kisha marrë me vete një libër me tregime nga Murakami, një prej atyre librave që e kisha lexuar tashmë, po gjithmonë arrija ta përdorja për të gjetur e inspiruar nga mënyra e tij e rrëfimit, por nuk po arrija të përqendrohesha. Po e ndieja në palcë ligësinë time, po e shijoja me një masë që po më bënte të ndihesha mirë dhe pa faj. Megjithatë, për t’u siguruar që Genti nuk do ta thërriste policinë, të më paraqiste si të zhdukur dhe t’i lajmëronte prindërit e mi, vendosa t’i shkruaj mesazh. E rishkrova disa herë dhe në fund vendosa që sa më pak të shpjegohesha më seriozisht do ta merrte vendimin tim. Jam mirë, por m’u dashtë të largohem për pak  ditë. Kaq i shkrova dhe tentova të mos mendoj më për të. Më kishte zënë gjumi. Çudi, se kurrë nuk arrija të flija në bus. U zgjova kur mbërritëm në stacion. Akili kishte dalë të më priste me makinë.

    Rrugës nisëm të flasim për gjithçka, jo edhe pse kisha ardhur. E doja shumë empatinë e tij që sikur e dinte që disa pyetje është më mirë të mos bëhen. Ose më njihte dhe, edhe pse nuk e dinte, e kuptonte. Vazhduam deri në lokalin ku do të pinim kafe. Kur hymë brenda ai u nis drejt një tavoline ku ishte ulur një vajzë bionde. Ishte në fillim të njëzetave. Asaj iu mbush fytyra me gaz kur e pa Akilin, por u kthye shpejt nga unë, u ngrit dhe më përqafoi si të isha ai. I afërt dhe i panatyrshëm m’u duk përqafimi i saj. Kam dashur shumë të të njihja dhe e binda Akilin të vij edhe unë, tha ajo me një zë të gjallë e të gëzueshëm, dhe vazhdoi: Nuk do të rri shumë me ju se kam ushtrime pas një ore. Akili më prezantoi si Sarën, e dashura e tij prej tre muajsh. Nuk e di pse u habita dhe kjo më shtyri të mendoj mos po prisja diçka prej tij, por erdha në përfundim që nuk kisha pritur që ai të lidhej me dikë tjetër sikur të ishte dikush që më përkiste mua, pavarësisht që s’më nevojitej gjithmonë. Unë jam një qenie egoiste prej më të rrezikshmeve, mendova, prej atyre që mendojnë se janë të ndërgjegjshme dhe kjo më kishte zënë pa përgatitur një natë më parë. Sikur gjithë mirësia që kisha tentuar ta rafinoj gjatë viteve, besimi se të qenit njeri më i mirë ishte mënyra e duhur, ishte zhdukur brenda natës duke u përpirë nga e vërteta e ligë brenda meje. Një mendje e dytë po më thoshte se të lësh të dashurin, fundja edhe pa arsye, nuk është gjë aq tragjike, mirëpo mënyra se si e kisha bërë, refuzimi për t’u përballur, më linin të dyshoja.

    Sara ishte aktore.dhjetë vjet më e re se ne dy. Ishte aq e dashuruar në Akilin sa po i merrja lakmi. Dukej sikur edhe mua më donte a përpiqej ta bënte për shkak të tij. Më tregoi se ishte Dash dhe se natal chartin e kishte totalisht me shenja të zjarrit, përpos Venus në Bricjap. Jam e mallkuar të dua pa masë të njëjtin njeri. Jam e sigurt se nuk do të dua njeri tjetër pos tij, më tha shumë çiltërsisht. I thashë se kështu kisha menduar edhe unë në moshën e saj, por dashuria kishte forma të ndryshme dhe secili njeri të bënte të njihje këtë ndjenjë me fytyra të ndryshme, me thellësi të reja, por m’u duk vetja shumë hipokrite që po flisja për dashuri pas asaj që kisha bërë. Po të isha e sinqertë do të duhej t’i thosha se dashuria për mua ishte si një lloj gripi a inflamacioni që pasi trupi a qenia ime e konsideronte diçka të dëmshme, e luftonte për një kohë dhe një ditë zgjohej si të mos kishte ndodhur kurrë, dhe në vend të paketimeve të antibiotikëve e paracetamolave, do të gjeja një trup të fjetur, të padashur që ma kujtonte “sëmundjen”.

    Akili pa se po ndihesha keq dhe me finesë, pothuajse pa vërejtur, e ndryshoi bisedën duke e kthyer te shkrimet e mia. Me siguri mendonte që më ishte thyer zemra. Edhe ai më mendonte njeri të mirë, të ndjeshëm, të lëndueshëm. Sara nxitoi të më komplimentonte e të më tregonte se sa shumë i kishin pëlqyer tregimet e mia. Mendova që po të isha në vendin e saj do të ndihesha xheloze ndaj dikujt për të cilin i dashuri im do të fliste në mënyrë të tillë. Sara dukej njeri i mirë dhe m’u bë qejfi që Akili ishte i lumtur. Ajo nuk ndenji gjatë. Ishte një muaj para shfaqjes së diplomës. Më pyeti nëse do të shkoja ta shikoja. Tha se e vlerësonte mendimin tim. I premtova me mirësjellje, por pa besuar aspak se do ta bëja.

    E hapa telefonin. Më kishin ardhur shumë mesazhe, kryesisht prej Gentit, por vendosa t’i përgjigjem vetëm Kushtrimit, njërit prej miqve më të ngushtë që Genti e kishte alarmuar. I thashë se jam mirë, vetëm se kisha një krizë ekzistenciale dhe më është dashur të ik. Nuk dija çfarë të thosha tjetër. Gjithçka tingëllonte si një tekë e imja për të shkatërruar. Ai me siguri s’më besoi, por i mjaftoi kaq. Më tha t’i telefonoj nëse kam nevojë.

    Për drekë shkuam në një restorant të vogël që e frekuentonim shpesh kur ishim bashkë, kështu më tha Akili. Gjatë rrugës i tregova gjithçka, që prej fillimit të lidhjes me Gentin deri te çasti i mbrëmshëm. Akili më tha se, sipas tij, ajo çfarë më kishte shtyrë ta bëja këtë mund të ishte ose frika ime për të qenë e lumtur ose, ndoshta, nuk e kisha dashur kurrë, por po përpiqesha ta bëja duke e manipuluar edhe veten. Bëra kinse u pajtova me të. Fillova të argumentoj për të dyja mundësitë derisa erdhi dreka. Nuk kisha ngrënë asgjë, por nuk ndihesha e uritur. Kur pjata me pasta erdhi para meje, ndjeva një lloj dëshire që më erdhi prej thellësisë për të konsumuar, që ma kujtoi dashurinë, epshin ose çfarëdo qoftë ajo që na lidh për një njeri. Secilën kafshatë që përtypja, dëshira zvogëlohej, por objekti i dëshirës bëhej pjesë e imja, bëhej unë, dhe dëshira mbetej jashtë si një lëvozhgë. Ndoshta kështu kishte ndodhur edhe me dashurinë a dëshirën time për të, një natë më parë, kur kishim bërë dashuri unë kisha kapërdirë kafshatën e fundit të tij.

    Pas drekës dolëm për shëtitje te liqeni. Unë po flisja për Sarën dhe se sa më kishte bërë përshtypja dashuria e saj kur ai më puthi. Kur unë e pashë e çuditur, Akili tha me një ton shfajësues se, ndoshta, për këtë arsye   kisha ardhur tek ai. Më foli gjatë se si gjithmonë e kishte ndier që lidhja jonë kishte pasur diçka që nuk e kishte gjetur me askënd tjetër dhe për ndarjen tonë. Po ashtu, ai ia linte fajin frikës sime për të lëshuar rrënjë, ndoshta edhe dhënies së tepërt të tij, porse tani ishte i gatshëm të më jepte më shumë hapësirë dhe se unë isha dashuria e tij e vërtetë. I kërkova të bënte dashuri me mua. Ai u skuq. Kishte pritur që do ta kundërshtoja. Sa e njihja isha e sigurt se po bënte gati argumente të shumta për t’u mbrojtur para asaj që kisha thënë. I bindur se do ta merrja për të keq rrëfimin e tij, më puthi edhe njëherë, më gjatë, dhe pyeti nëse do të shkoja në shtëpi me të. Po, Sara, e pyeta duke u eksituar prej mendimit se do të vinte dhe do të na gjente duke bërë dashuri. Ai tha se do t’i thoshte të mos vinte. Ajo e kuptonte që kishim nevojë të kalonim kohë me njëri-tjetrin.

    Morëm dy shishe verë dhe një raki, fruta dhe një picë të madhe. Bëmë dashuri deri në mëngjes por, kohë pas kohe, ai më dukej sikur shndërrohej në Gentin dhe unë shkëputesha prej tij. Pinim dhe prapë vazhdonim të ngërtheheshim në trupat e njëri-tjetrit. Në asnjë çast nuk pandeha që e doja, por gjatë gjithë kohës tentoja ta bindja për të kundërtën. I betohesha se do ta doja gjithmonë dhe se s’do ta lija kurrë. E pyeta nëse do ta linte Sarën për mua. Ai më tha se do ta takonte të nesërmen në mëngjes dhe do t’i shpjegonte gjithçka. Atë e zuri gjumi pasi kishte dalë drita. Unë nuk arrita të flija as një çast. Në orën shtatë i mblodha gjërat dhe dola pa bërë zhurmë. Më është bërë shprehi, mendova. Nuk mora as taksi. Eca deri në stacion, e pasigurt për ku të vazhdoja. Fillova të qaj jo pse ndihesha e dëshpëruar apo e mërzitur. Nuk e di pse më dilnin lotët. I shijoja shumë sa nuk përpiqesha as t’i fshija.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË